Luigj Gurakuqi - Dallëndyshja u kthye

luigj gurakuqi dallendyshja
Ti dallndyshes je porositun,
Vendin tand me shkue me t'pa,
Nepër Shkodër me shetitun,
Mbi vorr t'babs e t'nans me t'qa,
N'shkoll, n'shpi tande nji her' m'u ndalë,
Me miq t'motshëm m'u përfalë.

Erdh njimend, e nepër Shkodër
Shum kërkoi tuj fluturue,
Rrugs, n'livadhe, n'mal e n'kodër,
Me kang t'vet na ka gazmue,
N'fush t'Rmajit asht ndalu,
E mbi vorre ka vajtu.

Në prendverë ktej porsa mbrrini
Miqve tu i u fal me shndet,
Nepër shkoll, nepër kish' hini,
Me t'a hiek at kasavet,
E n'shpi t'vjetër ku ke le
Ka godit' çerdhen e re.

Por kur kthej, me t'than a diti
Miqt, qytetin, punt si i la?
Para sysh Shqypnin a t'qiti?
A e harroi ndoj send belda?
A t'kallxoi gjithshka kish pamun?
Si mbi vorre kishte qamun?

Po prej prindsh ndoj shndet, ndoj fjalë,
Ndoj bekim a t'a ka pru?
Mbi rras' t'tyne kur u ndal,
Ndoj tub' lule a i a kish vu?
T'zezat t'ona a t'i kallxoi?
Me kang' t'vet a t'i diftoi?

Shkodrën brengat e kan marr,
Tjetër s'ndin veç gjamë e ankime,
Ma shpesh shifen se nej par
Gjaksi t'mrapshta e turbullime.
S'ka mbet' gja pa u çorodit',
Ma fort prangat na jan rrit'?

Por ani, borë ty t'kena,
Ti me dije na i shin lott,
Na t'vorfint ty pshtet t'jena,
Ti na run, ti na del zot,
Shtetin tonë ti na e ankon
Si bylbyli kur gjimon!

Mir' po shoh se ke shum mall
Për me u gjet' njiher' n'Shqipni.
Ik pra e eja për të gjall
Me miq tu m'u knaq', m'u ngi.
Eja vetë Shkodrën m'e pa,
Eja vetë n'Rmaj me qa!

* Përgjigjja që i jep Luigj Gurakuqi poezisë së Filip Shirokës "Shko Dallëndyshe".
* Titulli origjinal është "Gég Postrippes - Nji mik nga Shkodra" dhe është shkruar më 7 korrik 1898.
* Dy strofat e theksuara kanë qenë të hequra nga librat dhe tekstet shkollore gjatë regjimit komunist.

COMMENTS