Pasuritë e 'fshehura' të Shkodrës

shkoder shkodra scutari albania
Liqen, det, lumenj. Bjeshkë të pakrahasueshme në lartësi.
Shiroka, Zogaj, Velipoja, Thethi, Razma, Boga e Vermoshi - të gjitha pikat turistike që njihen nga të gjithë shqiptarët, por dhe nga të huajt dhe çdo vit në sezone të ndryshme.

Natyra ëshë treguar mjaft bujare me Shkodrën duke i dhënë asaj bukuri natyrore të shumta. Liqen, det, lumenj në relieve të ndryshëm, fushorë, kodrinorë e malorë, bjeshkë të pakrahasueshme në lartësi të ndryshme. Shiroka, Zogaj, Velipoja, Thethi, Razma, Boga e Vermoshi janë pikat turistike që njihen nga të gjithë shqiptarët, por dhe nga të huajt dhe çdo vit në sezonte të ndryshme, por sidomos në verë, tërheqin pushues e vizitorë të shumtë vendas e të huaj. Por Shkodra ka dhe mjaft resurse të tjera, që qëndrojnë "të fshehura", që nuk janë aq të njohura, por që afrojnë mundësi për turizëm, sidomos atë ditor. Janë vende që shkodranët i njohin, por që dyndja drejt pikave të mëdha të njohura ka bërë që këto perla të natyrës të mos marrin vendin që u takon dhe pse janë një mundësi e madhe zhvillimi e të ardhurash për banorët e këtyre zonave, por dhe më tej. Këto duken sikur janë të "fshehura" dhe "të mbuluara nga hija" e pikave turistike të mëdha mjaft të frekuentuara ku investimet private kanë njohur zhvillim dhe promovimi është i madh dhe pse historikisht miniplazhet nuk i kanë munguar Shkodrës.Ajo ka patur traditë në miniplazhe, pasi Drini në pjesë të ndryshme të tij, dy anët e urës së Bahçallëkut apo Dajlani në lumin Buna, dikur kanë tërhequr pushues ditorë të konsiderueshëm. Por ndryshimet në rrjedhën dhe shtratin e këtyre lumenjve, për shkaqe natyrore, por dhe nga ndërhyrjet e pastudiuara me dhe pa leje në to, kanë bërë që Dajlani apo Bahçallëku thuajse të pushojnë së ekzistuari si miniplazhe. Megjithatë, rikonstruksioni i rrugëve drejt Rrjollit e Prekalit, zgjerimi i rrugës së Shirokës etj, kanë afruar të tjerë miniplazhe që, me zhvillim dhe të infrastrukturës së shërbimeve kanë mundësi që të bëhen jo vetëm vende relaksi e pushimi në verë, por dhe janë pasuri për zhvillimin e turizmit dhe shtimin e të ardhurave.

Rrjolli


Një tjetër vend i mrekullueshëm, i cili për të dytin vit duket se ka marrë formën e një plazhi të mirëfilltë është dhe Rrjolli. Fshati Boks-Rrjoll ndodhet ne juglindje të Velipojës. Shtrihet pranë detit dhe mali i Rrencit ngrihet thikë mbi të. Një plazh i shtrirë në detin Adriatik, ende i panjohur dhe i pashfrytëzuar plotësisht pasi ndodhet në krahun tjetër të plazhit të Velipojës. Deri para dy vitesh, ky plazh që përbën një perlë të bregdetit tonë verior njihej shumë pak dhe nga shkodranët që tentonin të shkonin atje ishte një "mision gati i pamundur". Kjo pasi rruga drejt Rrjollit që ndodhet në të majtë të rrugës Shkodër-Velipojë, pa hyrë këtu, sapo zbret maloren e Qafës së Shtiqes, kalohej vetëm nga makinat e mëdha ku dhe furgonët nuk kalonin dot për shkak të gjendjes së saj. Një mundësi tjetër ka qenë rruga përmes lagunës së Vilunit, cepit jugor të plazhit të Velipojës, një rrugë kjo vetëm për këmbësorë pasi kalon nëpër një urë druri të lëvizshme. Rikonstruksioni i plotë i rrugës për në Rrjoll ka bërë që për të dytin vit rradhazi ky plazh të frekuntohet nga pushuesit, kryesisht ditorë. Investimet private këtu janë të pakta dhe po kështu dhe mundësitë e akomodimit disa ditor, por pushuesit ditorë nga qyteti i Shkodrës, gjithnjë e më shumë po zgjedhin Rrjollin. Ai ka një vijë bregdetare rreth 4 km, me gjerësi rëre 200 m dhe shtrihet në një zone me pyll shkurresh, duna të vogla rëre dhe pranë ka malin që bie thikë në det. Të shumta janë dhe ato familje shkodrane të cilat ndodhen në plazhin e Velipojës pasi aty kanë dhe ndërtimet e tyre private, por që përmes urës 360 m të gjatë të Vilunit, ose nga rruga automobilistike shkojnë në plazhin e Rrjollit. Këtë vit duket se shkodranët e kanë "braktisur" Velipojën e mbushur me pushues nga çdo anë dhe i janë drejtuar Rrjollit për turizëm ditor. Kjo pasi ky plazh i pashfrytëzuar afron një rërë të veçantë që siç shprehen pushues ditor nga rrethet e tjera, nuk e gjen askund në bregun e Adriatikut. Në fakt, sidomos në fundjavë, janë të shumtë mjetet me pushues nga Tirana apo qytete të tjera që vijnë në Rrjoll për të kaluar ditën. Mali fare pranë detit duket sikur rrëshqet në të ndërsa pemët në pjesën e sipërme të tij duken sikur kacavirren të mos bien, ndërsa ato poshtë, fare pranë rrugës, duket sikur presin rënien e tyre. Rrjolli vazhdon të jetë "i virgjër" kjo edhe pse pronësia e tokës, ndryshe nga Velipoja, këtu ka dokumentacion të rregullt. Pylli nuk është tjetërsuar dhe shtrihet fare pranë rërës së pasur dhe në gjërësi të konsiderueshme, ndërsa uji i pastër ku në breg duken qartë gjurmët e përmbajtjes së lartë me jod. Këto kanë bërë që kjo perlë të jetë një prespektivë e mirë për plazh në Adriatik.

Delta e Bunës, ose grykëderdhja e Bunës


Delta e Bunës, është krijuar nga depozitimet e këtij lumi, ka formën e një trekëndëshi të madh me bazë nga deti. Në të ndodhen dy ishuj të mëdhenj ADA në Mal të Zi dhe ishulli i Franc Jozefit, i krijuar nga depozitimet e aluvioneve të lumit, mbas mbytjes në 1881 të anijes austriake me të njëjtin emër nga flota ruse, që kishte ardhur për të detyruar shqiptarët t'i dorëzonin Ulqinin Malit të Zi, në zbatim të vendimeve të Kongresit të Berlinit për copëtimin e trojeve shqipare. Ky ishull dallohet për bimët dhe kafshët e rralla si druri i rrënjës, që është një lloj dushku tepër i rrallë dhe në rrezik në zhdukje. Delta e Bunës është afër 10 km nga qendra e Velipojës, në pjesën veriore të tij, në të kundërt të Lagunës së Vilunit. Një udhëtim nga fshati i Velipojës drejt deltës së Bunës bëhet në këmbë nga amatorët e shëtitjeve në natyrë përmes bregut të detit ose me mjete, por jo të vogla për shkak të rrugës së papërshtatshme. Grykëderdhja e Bunës frekuentohet pak nga pushues ditor pasi aty nuk ka ambiente shërbimi dhe është një i resurs "i fshehur" i bregdetit të Adriatikut. Një mundësi për të shkuar atje është dhe përmes rezervatit të gjuetisë, por aty ndalohet hyrja. Drurët me forma të veçanta janë një tjetër bukuri që pasuron panoramën e këtij miniplazhi, ndërsa uji dhe bimësia e bëjnë atë të veçantë.

Laguna e Vilunit.


Laguna e Vilunit ndodhet 2 km në lindje të plazhit të Velipojës, ka një sipërfaqe rreth 300 ha dhe një thellësi përgjithësisht 1-3 m. Dikur kjo lagunë është quajtur laguna e lundrëzës, sepse ka patur shumë lundra, një gjitar interesant që ushqehet me peshq. Kjo lagunë rrethohet nga ligatina, komunikon me detin përmes një kanali natyror, në të cilin për shkak të baticës dhe zbaticës uji ndryshon drejtim çdo 6 orë. Ka ujë të kripur me temperaturë mesatare 20-22 C. Kjo lagunë është e pasur me peshq të llojeve të ndryshëm dhe mjaft të shijshëm. Këtu hasen rreth 200 lloje shpendësh, migratorë dhe të përhershëm. Kjo lagunë frekuntohet nga pushues rezidentë të plazhit të Velipojës, por që duke ecur në këmbë bregut zgjedhin këtë lagunë për të kaluar ditën dhe për të peshkuar. Ajo frekuentohet dhe nga pushues ditorë. Ajo afron veçanti në peisazh, rërë e ujë të pastër.

Lumi Kir


Një nga lumenjtë e Shkodrës që kalon nga qyteti dhe më pas gjarëpëron përmes Postribës dhe maleve të Dukagjinit, ai i Kirit, ofron mundësi për turizëm ditor. Pjesa e këtij lumi pranë urës së Mesit, në vite është shfrytëzuar për turizëm ditor nga banorët e zonës përreth. Uji i kristaltë dhe pjesët shkëmbore që bien në të, i japin atij bukuri të rrallë. Duke vazhduar më tej gjatësinë e lumit Kir në drejtim të Dukagjinit, pjesa pranë fshatit Prekal të komunës Postribë paraqet një tjetër resurs turistik të "fshehur". Vetëm verën e shkuar dhe të sivjetshmen, pushues ditorë jo vetëm nga zona, por dhe nga Shkodra po i drejtohen kësaj pjese të lumit për t'a shfrytëzuar për turizëm ditor. Kjo është mundësuar nga asfaltimi i rrugës deri në Prekal, rrugë e cila më parë ishte jashtë çdo mundësie për të udhëtuar, madje tepër e veshtirë dhe burim aksidentesh edhe për mjetet e larta. Në fakt lumi Kir ka pësuar një tkurrje të shtratit të tij vitet e fundit, kjo për shkak të thatësirës, por dhe gërryerjeve në pjesën e këtij lumi pranë qytetit, por pjesa e Prekalit e më tej është e "virgjër". Miniplazhi në Prekal ka njohur një frekuentim më të shtuar. Me bërjen e rrugës ai ndodhet 30 minuta larg Shkodrës dhe të afron një mjedis joshës. Në dy anët e lumit, nga pjesa e rrugës dhe ajo përballë shtrihen shkëmbinj të cilët e shoqërojnë këtë lumë gjatë gjithë rjedhës së tij deri në thellësi të maleve. Ky reliev afron dhe disa shpella natyrore të madhësive të ndryshme që shfrytëzohen nga pushuesit ditorë si hije për të eliminuar temperaturat e larta.Të organizuar në baza familjare apo shoqërore, në Prekal shikon pushues që si hije përdorin brendësinë e shpellave natyrore ndërsa bëjnë plazh e lahen në ujin e kristaltë të Kirit. Në ujë, me duar mund të kapësh troftë, ndërsa pllakat e shkëmbore shërbejnë si vend për të marrë rreze diell. Nga shkëmbijtë mund të bësh hedhje në lumë. Këtu nuk mungojnë dhe thyerjet e relievit shkëmbor që krijojnë miniujvara, të cilat ja shtojnë bukurinë këtij miniplazhi. Sipas pushuesve, por dhe banorëve të zonë, ky miniplazh po shihet si mundësi ndryshe për pushuesit, por ka mungesë të infrastrukturës së shërbimit dhe banorët vendas nuk i kanë mundësitë ekonomike të afrojnë shërbime në mënyrë që në një të ardhme të afërt ky miniplazh të shndërrohet në një plazh të vërtetë e të sistemuar. Ai tërheq dhe turistë të huaj që ndërsa udhëtojnë për turizëm malor drejt Alpeve apo maleve përreth, ndeshin këtë bukuri natyrore.

Liqeni i Shkodrës


Përveç Shirokës e Zogajt, të njohura si plazhe prej shumë dekadash, ky liqen afron dhe të tjera mundësi për turizëm ditor e familiar. Gjatë gjithë brigjeve të tij ka vende ku me biçikletë apo mjet motorrik që mund të lihet në anë të rrugës, zbritet poshtë te brigjet e liqenit dhe në qetësi mund të bësh plazh dhe të kalosh një ditë të veçantë. Këto vende dallohen me sy që nga rruga sipër dhe nuk janë të paktë ata që zgjedhin këto miniplazhe. Kjo vërehet në pjesën e liqenit drejt Zogajt, por dhe në atë që kalon nga territori i Malësisë së Madhe si në Stërbeq apo Culaj të Koplikut. Në pjesën e liqenit Ura e Bunës-Shirokë-Zogaj janë banorët e qytetit që i drejtohen më së shumti ndërsa në pjesën pranë Malësisë së Madhe janë banorët e zonës pranë që zgjedhin të freskohen në miniplazhet e tij.

Liqenet e hidrocentraleve.

Liqeni i hidrocentralit të Vaut të Dejës dhe ai i Komanit, afrojnë peisazh tërheqës, por dhe të përshtatshëm për turizëm ditor. Në liqenin e Vaut të Dejës, pas hidrocentralit, ka disa vite që vërehen pushues ditorë që shkojnë tek plazhe të improvizuara pranë tij për tu larë. Në këto zona kanë ndonjë biznes të vogël provizor që afrojnë shërbime për këta pushues, kryesisht bare e restorante të thjeshta me çmime të arsyeshme ndërsa uji dhe peisazhi janë të pëlqyeshëm. Në liqen mund të zihet dhe peshk nga amatorët e peshkimit apo të lundrohet me varkë. Bimësia, kryesisht shkurre, vesh malet në dy anët e liqenit të këtij hidrocentrali. Ndërsa liqeni i hidrocentralit të Komanit, përveç "xhepave " gjatë brigjeve të tij që shfrytëzohen për plazh nga banorët e zonës përrreth afron një pamje të mrekullueshme gjatë lundrimit në të.

Nga Anila Dushi/Gazeta "Shekulli"

COMMENTS