Razma Razëm Shkodër

razma razem shkoder albania
Razma është një ndër pikat turistike më të afërta me qytetin e Shkodrës. Ndodhet në komunën e Shkrelit, Rrethi Malësi e Madhe, në një distance 43 km larg ketij qyteti dhe 65 km larg bregdetit (Velipojë). Zona e Razmës është rreth 900 m mbi nivelin e detit. Kjo zonë është shumë e përshtatshme për zhvillimin e turizmit malor veror dhe dimëror.

Sipërfaqja totale e Razmës është 3680 hektarë. Zona turistike e Razmës, në ndryshim prej zonave të tjera turistike të alpeve, shtrihet mbi një pllajë karstike, e cila paraqet kontraste befasuese në reliev, midis majave piramidale në pjesën më të madhe të pyllëzuara dhe gropave karstike, akullnajoro-karstike të mbuluara nga kullotat alpine. Relievi i Razmës ndërtohet tërësisht prej shkëmbijve karbonatikë të mesozoit me një strukturë bllokore tipike të ngritur mbi 1500 m lartësi, shkalla e lartë e tretshëmrisë së këtyre shkëmbijve ka bërë që në relievin alpin të Razmës, vendin kryesor ta zëjë morfologjia karstike. Ky reliev përfaqësohet nga fushat (Razmës, Troshanit, Fusha e Zezë) në trajtën e gropave, hinkave dhe shpellave karstike ku këto të fundit përbëjnë një objekt turistik me vlerë për eksplorimin e tyre. Gjurmët e vepritmarisë së akujve të kuatërnarit i gjejmë në Fushën e Zezë, atë të Razmës, dhe depozitimeve midis Ramzës e Vrithit. Format më të mprehta të relievit me vlera turistike (alpinizëm, piknikë etj) në këtë zonë i përkasin kurrizit malor të Veleçik (1724) - Kunorë (1713) në veri të Razmës dhe Kunorës së Zagorës (1862) në lindje të saj. Relievi malor i Razmës me pyjet impresionuese të ahut dhe të pishës, ajrin e pastër dhe të freskët sidomos gjatë verës e dimrit, përmban në vetvete vlera turistike të veçanta. Larmia e kafshëve dhe e shpendëve të egër në këtë zonë, përbën një mundësi të mirë për zhvillim e gjuetisë.

Këtu ka disa eko-sisteme të pa prekura që shihen shumë thjeshtë.

Klima është mesdhetare-kontinentale, me një fluks mjaft të madh ndriçimi me diell, si në Dimër dhe në Verë. Temperaturat në (dimër) minimale zbresin nga minus 2 deri në minus 7 gradë celcius (radhë më poshtë), ndërsa temperaturat në stinën e verës kanë një maksimale prej 18-22 gradësh (ditën), por me një mesatare ditore që nuk i kalon 15-16 gradët, as në muajin korrik. Mesatarja vjetore e rreshjeve është rreth 2100-2200 mm, por me një shpërndarje më të "drejtë" për stinën e verës (Vjetari statistikor, Shkodër 1986, fq.19-30.)

Historikisht kjo zonë ka qënë bjeshka për veriun e zonës përreth fshatit Vrith dhe është shfrytëzuar edhe nga shumë tregtarë te qytetit të Shkodrës. Një nga vendet e bukura malore të Shqipërisë e cila është zbuluar që në shekullin e XIX nga të huajt. Të parët që e kanë vlerësuar për bukurinë dhe pasurinë e saj natyrore ishin botanisti italian Antonio Baldaci, austriaku Dofler dhe gjeologu Boran Nopce.

Rreth viteve 1920 filloi të shfrytëzohet nga barinjtë për stane verore dhe me rritjen e standarteve të jetesës, tregtarët shkodranë ndërtuan atje shtëpitë e tyre verore. Për herë të parë gjatë qeverisjes së mbretit Zog.I., mësojmë se rrafshnaltën e Razmës kanë filluar ta frekuentojnë disa "zotni" të Shkodrës, të cilët në vitin 1930 kanë ngritur edhe ndonjë ndërtim shtëpie që përdorej për familjet e tyre për të kaluar verën. Në vitin 1935 qeveria e atëhershme mbretërore vendos që Razmën ta konsiderojnë si pikë turistike për vlerat e saja klimaterike, ku për çdo ndërtim apo investim duhej të merrej leja tek autoritetet shtetërore (Komuna Dedaj dhe Prefektura Shkodër). Në vitin 1953 kjo zonë u shtetëzua dhe u krijua kampi i pushimit të punëtorëve i cili zgjati aktivitetin e vet deri në vitin 1990. Gjatë kësaj periudhe zona është shfrytëzuar si kamp pushimi veror për punëtorë dhe si pikë ekskursionesh për periudhën dimërore.

Ndër llojet e turizmit që mund të zhvillohen në këtë zonë, përmendim: Turizmi shkencor (gjeografik, turistik, historik, etnografik, biologjik, zologjik, spelologjik,) Turizmi gjeografik me larminë e objekteve gjeografike në majat e ndryshme të kësaj zone si maja e Veleçikut, maja e Kunorës.

Turizmi gjeologjik: Me karakteristikat gjeologjike të kësaj zone mund të themi se depozitimet e ndryshme të mesozoit, të kenozoit dhe në pjesën më të madhe të Kuaternarit si dhe thyerjet tektonike tërthore e afërogjatësore të kësaj zone kanë një interes studimor për studiuesit e kësaj fushe.

Turizmi historik: Popullsia e kësaj zone ka zhvilluar një luftë të vazhdueshme kundër pushtuesve të ndryshëm si kundër turqve, serbve, malazezve, etj., prandaj studimi i historisë së kësaj zone dhe evidentimi i saj kanë një interes shkencor e historik.

Turizmi etnografik: Zona e Razmës ofron vlera të papërsëritshme studimore për etnografët.
Vetë veshja karakteristike e kësaj zone, për burrat këmisha e gjatë me Dallomë (xhamadan prej shajaku) dhe për gratë e vajzat xhubleta 300-vjeçare, vetë karakteristikat e banesave ku ato shquhet për një zgjidhje të thjeshtë dhe drejtim arkitektonik dhe dekorativ të varfër. Ceremoniali i dasmës ku ishte zakon që dhëndërri ditën e dasmes të vishej me rrobat më të vjetra e të shkonte me bagëti ose të fshihej në shtëpinë e ndonjë shoku. Me zbritjen e nuses nga kali i vihej në prehër një djalë i vogël (që nusja të lindte sa më shumë djem) por edhe për ceremonite e tjera të jetës së përditshme mendojmë se interesi studimor është mjaft i madh, ka traditë këngën me lahutë, atë maja krahu (jehona), ninullat, fyellin.

Turizmi speologjik: Shpella e Majës së Veleçikut, është shpellë e madhe, 28 m e thellë vertikalisht, Shpella e Lugjeve në V-L të fshatit të Razmës, e cila ka një zhvillim gjatësor me ngritje prej 10º me gjatësi 79 m në fund degëzohet në dy drejtime të ngushta. Ujërat që rrjedhin këtu janë ujëra të pastra, të pijshëm, që formojnë burimet e grykës së Lugjeve mund të vizitohet edhe nga amatorë e vizitorë të thjeshtë.

Edhe sporti i gjuetisë mund të aplikohet këtu për turistët e apasionuar pas tij, sepse larmia e kafshëve dhe e shpendëve të egër me interes gjuetia në këtë zone është e përshtatshme. Në këtë zonë më se miri mund të aplikohen edhe sporte të veçanta si gara e shëtitje në kuaj, biçikleta (mountain bike), rrëshqitje në bar për turizmim veror etj. Ndërsa për periudhën dimërore ka mundësi të mëdha për skiim, sidomos në fushën e zezë, Razna, si dhe fushat sportive e kampit të Razmës.

Kjo zonë ofron mundësi të ndryshme të zhvillimit të turizmit familjar.

COMMENTS