Shiroka, Shirokë - Shkodër

shiroka shkoder albania
Një nga perlat turistike dhe klimaterike të Shkodrës, në bregun jugperëndimor të Liqenit të Shkodrës, e njohur që në shekullin e 19-të si zonë me cilësi të mirë shëndetësore në rang kombëtar, por edhe në Evropë, quhet Shirokë.

Janë disa personazhe dhe emra të shquar që përmendin fshatin Shirokë, por prej shumë vitesh nuk e trajton askush më si një fshat, por si një lagje e kryeqendrës Veriore të Shqipërisë. Ajri i freskët, që vjen nga thellësitë e alpeve, filtrohet në ujërat e liqenit dhe vjen i pastër këtu, rrëzë malit të Taraboshit. Pika turistike e Shirokës është padyshim një nga joshjet më të veçanta që të ofron një fundjavë për të qenë pranë saj. Një fundjavë, që përveç klimës dhe ajrit të pastër, ka brenda saj edhe kënaqësinë e të shijuarit të një dreke në lokalet e shumta që janë ndërtuar vitet e fundit në hapësirën turistike të kësaj zone.

Për të shkuar në Shirokë kalon urën e Bunës. Pas rreth 2 km rrugë që nga Ura e Bunës, mes ujit dhe malit, udhëton në rrugën rrëzë Taraboshit dhe mbërrin në Shirokë.

Pjesët më të frekuentuara janë ato të "rrasave", siç i quajnë prej vitesh shkodranët, në të majtë të qendrës së Shirokës, ndërkohë që vizitorë dhe pushues të shumtë ka pasur edhe në segmente të tjera. Banorët e Shirokës thonë që pjesa më e madhe e frekuentuesve të këtij plazhi përdorin biçikletat për të mbërritur deri aty, mundësi që e krijon afrimiteti i plazhit me qytetin. Ndërkohë, krahas pushuesve që mbërrijnë me automjete private, në dispozicion të qytetarëve janë edhe autobusët që qarkullojnë nga qendra e qytetit të Shkodrës drejt Shirokës.

Duke u ndodhur, pra, gjeografikisht shumë pranë qytetit bën që Shiroka të frekuentohet më lehtësisht dhe pa shpenzime ekonomike, siç mund të ndodhë me zonat e tjera turistike larg qytetit, si Velipoja etj. Përmirësimi i rrugës këto vitet e fundit ka bërë që një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të moshave të ndryshme, që zgjedhin Shirokën për të kaluar disa momente të ditës së tyre, preferojnë ta bëjnë rrugën Ura e Bunës-Shirokë në këmbë.

Në Shirokë na paraqitet një pamje mahnitëse të rreth 360 km katror ujë dhe e maleve në formë kurore, anash një kufiri të gjatë midis Shkodrës e Podgoricës dhe me shqiptarët nga ana e Krajës në Malin e Zi, dhe nga ana e Koplikut dhe Bajzës. Me të vërtetë që jeta në Shirokë është më e mirë sesa në Shkodër; ajri i pastër, natyra, liqeni dhe disa veçanti të tjera shëndetësore si sherbela në Tarabosh janë disa faktorë të cilët vlerësohen shumë nga mjekët dhe ua këshillojnë këtë zonë sidomos personave që vuajnë nga astma e alergji të ndryshme.

Pozita gjeografike e Shirokës pranë shpatit të Taraboshit dhe të liqenit të Shkodrës, ndikon në formimin e mikroklimave. Duke qenë buzë liqenit të Shkodrës përveç dritës direkte përfiton edhe nga reflektimi i thyerjes së dritës në sipërfaqen e ujit dhe asaj që thyhet nga shpatet e maleve. Sasia e reshjeve mesatare vjetore është rreth 1800 mm, temperatura maksimale e ajrit shkon deri 40°C dhe e ujit 27°C.

Në zonën turistike të Shirokës jetojnë në harmoni shumë lloje bimësh, peshqish, shpendësh dhe kafshësh. Ka mjaft lloje bimësh subendemike në formë shkurresh. Dallohet, gjithashtu, si zonë e pasur me bimë mjekësore si: trumza, balsami, primula (aguliçja) e verdhë dhe e kuqe e në veçanti është e pasur me sherbelë, me të cilën është e veshur pjesa më e madhe e malit të Taraboshit.

Fauna, si ajo tokësore ashtu dhe ajo ujore, është mjaft e pasur. Ndër llojet e kafshëve që gjenden këtu dhe që shfrytëzohen për gjueti janë derri i egër dhe lepuri. Gjithashtu gjendet ujku, dhelpra dhe disa zvarranikë. Pjesa më e madhe e faunës tokësore përbëhet nga shpendët. Numërohen rreth 240 lloje shpendësh, si: bajukla, shaptorja, karabullaku, fëllanza, zhytërrat, pata, rosa, etj. Tipike dhe shumë të bukura këtu janë pulëbardhat. Fauna ujore ofron rreth 52 lloje peshqish, si: krapi, gjuhca, ngjala, karasi, kubla, qefulli, skorta, njila, etj.

Kjo pasuri e faunës dhe florës, e bëjnë këtë zonë një ekosistem shumë të veçantë dhe tërheqës.

Fshati i Shirokës është mjaft i vjetër dhe kjo mund të vërtetohet nga disa zbulime arkeologjike që janë bërë në afërsi të tij, në vendin e quajtur "Ullini i Vetun", në vitin 1959. Këtu u gjetën disa spata bronzi të cilat ruhen në Muzeun e qytetit. Pikërisht në hyrje të fshatit, në bërrylin e rrugës pasi kalon furrën shumë të vjetër dhe të rikonstruktuar të gëlqeres e përballë ishullit të vogël shkëmbor, duken nën dhe mbi urë trakte muresh të periudhës romake. Toponimin e këtij katundi (Shirokë) e gjejmë në dokumentet e shkruara të vitit 1610 dhe në regjistra të ndryshëm të viteve 1745, 1760, kurse si patronazh e gjejmë në vitin 1416-1417.

Shiroka njihet edhe si një vend me kulturë e traditë. Shkolla e parë në Shirokë është hapur në vitin 1874, nga Dom Zef Ashta. Këtu kanë lindur e kanë ushtruar veprimtaritë e tyre njerëz të ditur që kanë bërë emër në histori e kulturë, si: Filip Noga, Atë Anton Harapi, Atë Viktor Volaj etj.

Shirokasit janë marrë kryesisht me gjuetinë e peshkut, por edhe me rritjen e krimbit të mëndafshit e me punimin e veglave të gjuetisë së peshkut. Njëkohësisht ata janë marrë edhe me blegtori. Bagëtitë e tyre i kullotnin në malin e Taraboshit që në atë kohë ishte i pyllëzuar. Mbasi Shiroka ka pasur afër qytetin e Shkodrës dhe Pazarin e vjetër, ata janë marrë edhe me tregtinë e peshkut. Duke qënë se mali i Taraboshit ka rezerva të konsiderueshme sherbele, u rrit numri i bletërritësve vendas. Gjatë periudhës së diktaturës komuniste, shumë shirokas u dyndën në qytet duke u punësuar në ndërmarrje të ndryshme. Shiroka ndonëse është vetëm pak kilometra larg nga Shkodra ka disa veçori etnografike që ndryshojnë nga ajo.

Në Shirokë shtëpitë ndërtoheshin duke iu përshtatur terrenit të thyer e duke zgjedhur sheshet pak a shumë horizontale, rrëzë malit me pamje përballë liqenit. Shtëpitë dhe kopshtet pranë lidheshin me njëra-tjetrën përmes rrugëve e rrugicave të shumta, shpesh të bëra me kalldrëm. Për të lehtësuar qarkullimin e këmbësorëve, por edhe të kafshëve, shpesh janë vendosur shkallë e pragje guri. Shtëpitë kanë qenë prej guri dhe në përgjithësi ishin përdhese, me dy ose me shumë ndarje të brendshme. Me kalimin e kohës disa familje filluan t'i ndërtonin ato dykatëshe, me ahure e hajate që të përshtatej me veprimtaritë ekonomike që kryenin.

Shiroka ofron shumë variacion, mund të bëni plazh, të merreni me peshkim, të bëni shëtitje me barkë e marshime në mal.

Shërbimi komunal, shëndetësor e tregtar është i pranishëm.

COMMENTS