Bik Pepa - satirik, artist e krijues i talentuar

bik ludovik pepa
Nga 8 gushti i vitit 1998 kanë kalue 15 vjet që se u nda prej botës së artit e letërsisë një nga personalitetet ma të shqueme të satirës dhe artit skenik të humorit shkodran e shqiptar, Bik Pepa. Figura dhe personaliteti i Pepës dominoi skenën e satirës e të humorit të kultivuem e atij popullor, për katër dekada me radhë, nga vitet '50 e deri në ato '90 të shekullit të shkuem. Personalitet poliedrik i letërsisë e artit, lirik, satirik, humorist, komediograf, përkthyes, aktor profesionist i skenës ai, si krijues dhe artist, "pushtoi" skenën shkodrane e shqiptare të humorit profesionist të estradave, kësaj gjinie kaq demokratike, të dashtun e të ndjekun me interes nga spektatori shqiptar.

I lindun në Shkodër, më 19 shtator 1925, i shkolluem në gjimnazin françeskan "Illyricum" dhe ma tej në Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë së Institutit të Lartë Pedagogjik dyvjeçar Tiranë, më 1949, Bik Pepa e nisi që i ri veprimtarinë e vet krijuese e artistike. Fillimisht u evidentue si poet lirik, tue demonstrue talent premtues në liriken intime e atë meditative, përmes poezish të tilla si, "Më ka ra mall", "Farkëtari", "Je vjeshtë e gjelbërueme, pranverë në vjeshtë" e jo pak të tjera të botueme në organet e kohës. Në poezinë "Vdekje përmalluese", kushtue vdekjes së muzikantit Gjon Kujxhia, Pepa 18-vjeçar shkruen: Në poezinë "Vdekje përmalluese", kushtue vdekjes së muzikantit Gjon Kujxhia, Pepa 18-vjeçar shkruen: "Zot se ç'lot, ç'vajtim kanë me lëshue / Nën peshë të mordes trup'i njomë po kputet / Për nën gurë e nder zhumile tue kërkue / O punëtuer ky i ri vdekun po t'lutet / Një grusht me dhe hidhja Atdheut n'robni / Vdekja ime u baftë dritë per Shqipni /".

Ndonëse në shpirt mbeti gjithnjë lirik, jeta e tij krijuese e artistike, do t'i përkushtohet teatrit të estradës, fillimisht si amator i trupës së zgjedhun amatore të teatrit të dramës e estradës të së parës Shtëpi Kulture të ngritun në Shkodër më 18 janar 1945, trupë kjo që, nën drejtimin e regjisorit Andrea Skanjeti, vuni në skenë pjesë të ndryshme teatrale. Filluen ato me "Bujtina e të vorfenve" e Maksim Gorkit, shfaq më 5 shkurt 1945, për të vazhdue vit mbas viti me të tjera drama e komedi nga autorë vendas e të huej. Ndër to edhe komedia "Një pulë ka këndue si gjel" e Ton Shoshit, ku u aktivizue për herë të parë si aktor edhe Bik Pepa. Me lindjen tek ne të artit skenik të estradës, në fillimet e viteve '50 të shekullit të kaluem, Bik Pepa aktivizohet si aktor dhe krijues materialesh letrare për shfaqjet e suksesshme që realizoi kjo trupë, ku u shquen sidomos premierat "E tashti do të dëgjoni" dhe "Estrada pa perçe". Me rolet e veta, por sidomos me deklamimt e satirave të tija me tema politike e sociale, Pepa u ba një ndër artistët ma të suksesshëm e të dashtun për spektatorin. Janë këto tregues që do ta inkuadrojnë Bik Pepën në trupën e parë të aktorëve të Estradës profesioniste të Shkodrës, krijue në korrik të vitit 1958. Së bashku me aktorë të talentuem si Tano Banushi, Hajrije Sula, Paulin Preka, Roza Xhuxha (Anagnosti), Hasan Smaja, Drita Tahja, Vera Prela e në vazhdimësi me të tjerë të talentuem si Zyliha Miloti, Jolanda Shala, Katerina Biga, Gëzim Kruja, Gjosho Vasia, Zef Deda e ma të ri, që do të vinin në vite me gjenerata të talentueme artistësh të humorit që Shkodrës nuk i munguen kurrë, Pepa dhe  Estrada e Shkodrës do të tërheqë respektin e adhurimin e shkodranëve e shqiptarëve. Që në premierën e parë të Estradës profesioniste, "Reparti i operacionit të zemrës", nandor 1958, suksesi i trupës dhe i Bik Pepës qe i plotë. Reagimi, jo vetëm nga opinioni artdashës, por edhe ai i mendimit të specializuem kritik në shkallë vendi, i pasqyruem në shtypin e kohës, qe veçanërisht entuziast. Mark Gurakuqi në gazetën "Zëri i Popullit", 13 dhjetor 1958, në mes së tjerash shkruen:

"... Hymja në vargjet satirike, shkrue e interpetue nga Bik Pepa, u pëlqyen me të drejtë nga publiku. Ato qenë ndër gjanat ma të bukura të shfaqjes".

Ndërsa, mbas suksesit të premierës së dytë, "Po ta këndoj kangen me saze", shkurt, 1959, Javer Malo në gazetën "Zëri i Popullit", 19 shkurt 1959 shkruen:

"Që një i Estradës e re të gjejë rrugën brenda pak kohe kaq të shkurtër, tregon se në gjirin e saj ka një kolektiv shumë të talentuar, i cili e di dhe e ka kuptuar mirë se ç'është Estrada ... Këtu duam të ndalemi veçanërisht në dy aktorë të këtij kolektivi, tek Tano Banushi e Bik Pepa, dy artistë të talentuar, të cilët sjellin diçka të re, jo vetëm në Estradën e qytetit të tyre, por në vetë artin e estradave tona... Bik Pepa, mesa na duket ne është i vetmi në gjininë e tij në estradat tona. Me anë të vargut të tij satirik, vë në lojë njerëz e ngjarje aktuale të kohës e të jetës politike ndërkombëtare. Vargjet e tij të njohura janë nga më të bukurat. Bik Pepa është duke e ngritur veprën e tij në nivelin e letërsisë artistike e sot mund të quhet me të drejtë vjershëtori i Estradës. Në qoftë se do t'i hidhnim një sy historisë së estradave të vendeve të tjera, do të vemë re se këngëtarë të tillë (Shansonie) kanë qenë shpirti i tyre".

Për nga vlerat artistike e përmbajtësore, satira e humori bikpepian mbeten realizime të veçanta e të papërsëritshme në llojin e vet. Pjellë e rrjedhë këto të një talenti e individualiteti krijues të spikatun, që zgjoi, si rrallë kush, interesin e adhurimin e spektatorit e lexuesit. Bik Pepa performoi dimensione madhore krijuese në fushën e satirës e të humorit të kultivuem, por edhe atij të improvizuem popullor. Ai qe njëkohësisht edhe komediografi i komedisë "Çifti i lumtun", një ndër komeditë ma të realizueme të letërsisë shqipe.

Pepa ishte dhe mbeti një legjendë e humorit shkodran.

Dy vite para krijimit të Estradës profesioniste të Shkodrës, ishte pjesë e trupës së Estradës profesioniste të Tiranës. Artistë e mjeshtra të mëdhej si Skënder Sallaku e kolegë të tjerë të tij shprehen me superlativa për Pepën satirik, artist e krijues i talentuem e me kontribute të konsiderueshme në sukseset e kësaj trupe të suksesshme.

Ndonëse jetoi e krijoi në një periudhë humoristësh të mëdhej, Pepa, me humorin e tij, ishte "primus inter paris" i çdo mjedisi skenik e shoqnor në të katër anët e vendit. Humori i Pepës, ai i vëllimeve të botueme ("Kamxhiku" - 1960, "Feja lakuriq" - 1967, "Drita dhe hijet e ngrime" - 1969, "Shpata e Skënderbeut" - 1973, komedia "Çifti i lumtun"), si dhe ai i kaq shumë materialeve e libreteve të estradave, pronë e Arkivit të Teatrit "Migjeni", ishte një humor, pjesë të të cilit jetojnë ende sot në mjedise të ndryshme artistike e shoqnore, tue mbetë pa dyshim pjesë e zgjedhun e biografisë krijuese humoristike të qytetit të vet.

Në letërsinë e artin humoristik, Bik Pepa solli një formatim të ri të lexuesit e spektatorit. Humori e satira e Pepës ngrihet në nivelet përfaqësuese të traditës që, si sekrecion librues, ishte kurdoherë një ndër faktorët e randësishëm të ruejtjes së individualitetit e të identitetit të dallueshëm të shoqnisë shkodrane. Përzgjedhjet që formëson e pasqyron Pepa në satirat e veta, janë ndër ma të veçantat e ma të spikatunat e realitetit jetësor. Tipikisht të tilla janë sidomos satirat me temën sociale, ku jo rrallë, konotacionet nëntekstuale tentojnë me e çue spektatorin deri tek shkaktarët e së keqes. Pepa realizon një komicitet të përkryem artistikisht. Ishte mjeshtër i këtij lloji të veçantë të artit satirik. Siç pat thanë Gorki për Eseninin që asht një organ i lindun për poezi, Bik Pepa ishte një qenie e lindun për humor, antenë gjithmonë në veprim, i aftë për të kapë sinjale në çdo skutë të jetës njerëzore.

Ndërsa si aktor kishte një instinkt të lindun aktoresk që realizonte një perfomancë me forcë të madhe depërtuese tek spektatori. Grotesku i tij funksional shpaloste aftësi të lakmueshme shpërthyese aktoreske. I falte gjithçka nga vetja interpretimit. E ç'nuk i bante ai me forcën e vet interpretative personazhit a fenomenit negativ që vihej në qendër të goditjes së komikes. Arenë gladiatorësh e kthente Biku skenën e satirës. "Mjerë" ai personazh a fenomen që kishte fatin e keq me ra pre e goditjes "shkatërruese" të satirës së Pepës. Si krijues e artist profesionist iu nënshtrue, veç së tjerash, edhe satirës së porositun politike në shërbim të sistemit të kohës, çka e dyzoi për keq personalitetin e tij krijues. Por, pavarësisht konformizmit me sistemin në këto satira, tek Pepa çmojmë një të vërtetë të madhe e të pamohueshme, konsekuencën e mrendshme të shëndoshë botëkuptimore, çka dëshmohet, jo vetëm nga miq e shokë, por sidomos nga poezitë disidente të Ditarit të tij të fshehtë poetik, poezi kjo që, për herë të parë do të bahet pronë e lexuesit përmes monografisë për Pepën të autorit të këtyne radhëve.

Ishte njeri i lirë, poet rebel, aq sa mund të ishte i lirë njeriu në atë kohë. Por që s'hoqi dorë kurrë nga një mënyrë e lirë jetese, model i keq ky për normat e rrepta të moralit konservator e të ideologjisë së kohës. Për këto Pepa pagoi shumë në jetë. Qe për pak kohë edhe i burgosuri politik i burgut të Rrëshenit, kur, mbas përfundimit të Institutit të Lartë Pedagogjik në vitin 1949, filloi në detyrën e mësuesit në Mirditë. Ndërsa në Estradën profesioniste qe edhe i dënuemi për një kohë të gjatë me punë "riedukuese" në bujqësi. Në këto pësime, sa kishte të vërteta qëndrimesh të Pepës, aq kishte edhe amplifikime spekulative instancash politike e shtetnore dhe egoizëm sadist kolegësh dashakeqinj e egoistë partiakë. Ai ishte ndër ma të talentuemit e trupës dhe padyshim ma i kulturuemi i institucionit. Por nuk mori kurrë vlerësimin e trajtimin që meritonte. Ai nuk u thirr kurrë as në këshillat artistike, në këto seleksione drejtuesish shtetnor, të cilëve nuk i konvenonte një artist me formim, kërkesa e kulturë të tillë. Asht kjo siç duket arsyeja që, në një kohë të mbasnandëdhjetës, kur s'ka mbetë artist shqiptar pa marrë tituj apo pa u dekorue, disa prej të cilëve edhe për merita ekstraartistike e aq ma keq politike, për Bik Pepën ende nuk gjendet kush të propozojë e miratojë.

Gjithsesi Bik Pepa mbeti artist i preferuem i spektatorit shkodran e shqiptar, ashtu si edhe i çdo mjedisi shoqnor, epiqendër e atij humori të spikatun dhe atyne batutave, politikisht të rrezikshme për kohën, me të cilat Pepa ndizte gazin e shëndetshëm në atmosferën e etun të shoqnisë së kohës. Ai pati fatin me hjedhë një hap edhe në krijimtarinë e viteve të mbasnandëdhjetës kur, përmes një krijimtarie të lirë pati edhe një cikël të vetin emisionesh humori në Radio "Shkodra". Në poemën "Balada e Shkodrës", Pepa, në mes së tjerash shkruen: "Dalngadalë herë fushës e malit / Ecë n'Shqipni demokracia / Do shqiptarë po kjajnë prej hallit / Se po mkambet Shqipënia". "Mos t'na ndajnë parja, kolltuku / Jem një rracë e jem një gjak / Po u ndame na ha ujku / Apo s'kemi ujqër pak". "Kem gabue, gabime rrashte / Muslimanë e të krishtenë / Kur i lypshim ujqit jashtë / Nsa ata i kishim mrendë"...

Bik Pepa qe përkthyes i talentuem i poezisë italiane. Asht ndër të parët përkthyes të dy kangëve të Kantikës së parë të Ferrit dantesk të Komedisë Hyjnore të Dante Alighieri. Për këtë asht shënue edhe ndër kumtesa konferencash shkencore. Ndërsa poligloti e leksikografi i njoftun Zef Simoni, përkthimin e "Kont Ugolinit" të Dantes nga Bik Pepa e konsideron ma të mirin përkthim të saj në shqip.

Si komediograf bani emën me komedinë "Çifti i lumtun" e realizueme kjo edhe në film nga regjisori i talentuem, Piro Milkani.

bik pepa zyliha miloti paulin preka hasan smaja
Bik Pepa, Zyliha Miloti, Paulin Preka, Hasan Smaja
Tue mbyllë këto rrjeshta në 15-vjetorin e vdekjes së Bik Pepës, poetit e artistit të madh të satirës e humorit shqiptar, padrejtësisht të lanun në harresë, po shkëpusim nga prononcimet e shumë figurave të shqueme të artit e kulturës shqiptare, një prej tyne, atë të kinoregjisorit, Piro Milkani, i cili për Pepën shprehet:

"Kur xhironim filmin, "Çifti i lumtur" me skenar mbi komedinë e Bik Pepës, kam pasë rastin të njoh nga afër natyrën e tij simpatike e gjeneroze, mjedisin e gëzueshëm që krijonte kudo, por edhe seriozitetin prej profesionisti në punën krijuese për skenarin e realizimin e filmit. Më ka befasuar sidomos kultura e tij e gjerë. Ai kishte një botë të madhe shpirtërore, që duhet dalluar pas një perdeje që ta vështirësonte depertimin në të vërtetat e tij të brendshme. Një natyrë e vëmendshme mund t'ia shquente begatinë e tij shpirtërore".

Nga Marian Z. Shestani

COMMENTS