Marie Qyrsaqi

Marie Qyrsaqi
Marie Qyrsaqi (Garxhola) lindi në Shkodër më 9 mars 1950, aktore e mirënjohur e teatrit dhe kinematografisë. Rrjedh nga një familje që artin e kanë në gen, gjyshi i saj ishte tenor i mrekullueshëm, babai i binte me mjeshtëri mandolinës.

Marie Qyrsaqi është mbesë e kompozitorit të shquar Pjetër Gaci, mbesë e aktorit dhe skenaristit Lazër Filipi. Edhe pjestarët e tjerë të familjes kanë ndjekur rrugën e artit, njëri vëlla që jeton në USA është piktor dhe skulptor, motra është violiniste në Orkestrën e Athinës dhe pedagoge në Universitetin Gjerman Muzikor po në Athinë, dy vëllezërit e tjerë, njëri i bie kitarës dhe tjetri është arkitekt.

*****

Na ishte njëherë një vajzë 25 vjeçe nga Shkodra, që e përzgjodhën të luante filmin "Çifti i lumtur". Që nga viti 1975 gati e kanë harruar. Por Marie Qyrsaqi jo vetëm jeton jetën e saj por na tregon emocionet e jetës së filmit në Shkodër. Është 57 vjeçe, por ende i ruan të freskëta emocionet e sheshxhirimit të një prej filmave më të pëlqyer të kohës së komunizmit, i cili për fat nuk kishte brenda tij ideologjizma.

Edhe pse kanë kaluar 39 vjet nga ditët e hershme kur xhironte filmin "Çifti i Lumtur", ende e thërrasin me atë "Ej, vajza e "Çiftit të Lumtur". "Ndihem mirë të më thërrasin kështu jo vetëm në Shkodër, por kudo ku kam qenë, edhe në Itali. Është vlerësimi më i mirë që mund të marr, megjithëse ka kaluar shumë kohë". Marie Qyrsaqi (Garxhola) nuk ka humbur shumë nga freskia e vajzës që dashuronte djalin e ish-fesë tjetër, dhe që në batuta e situata gazmore mundi të arrinte atë që donte. Është thuajse e njëjta, ndërsa jo pa krenari të tregon foton e Xhuljas, vajzës së saj, që është kopja e nënës të saj në kohën kur luante filmin, që është ndër më të dashurit për shqiptarët kudo që ndodhen. Megjithëse me pushime në plazhin e Velipojës, Marija ju përgjigj me shumë dëshirë ftesës të "Tirana Observer" për një intervistë. Vajza e "Çiftit të Lumtur", "Rina e Këshillit të Ndrikullave" tregon më hollësi detaje nga jeta e saj. "Ka qenë një ndër eksperiencat e mia më të bukura luajtja e atij filmi. Tre muaj punë dhe ankth, përkushtim, dëshirë, e pse jo, edhe shqetësim. Ndërsa pas tre muajsh, kur kam parë veten në film, nuk doja ta besoja", shprehet Marija. Që nga koha kur nisi të punojë në Teatër më 1968 dhe deri vonë ajo është ndër aktorët kryesore të Teatrit "Migjeni".

Si erdhi në art dhe në teatër Marie Qyrsaqi?

Nuk mund ta quaj rastësi që jam artiste. Vij nga një familje artistësh dhe nuk mund të dilja edhe unë jashtë kësaj rryme. Gjyshi im ka qenë tenor i mrekullueshëm. Im atë i binte aq bukur mandolinës. Jam mbesë e kompozitorit që la aq emër në muzikën shqiptare, Pjetër Gaci, mbesë e Lazër Filipit. Është një gjen artistësh nga ku nuk shpëton askush nga familja jonë. Unë u bëra aktore, im vëlla piktor e skulptor, sot është në Amerikë, motra ime është violiniste në orkestrën e Athinës dhe pedagoge në Universitetin Gjerman Muzikor në Athinë, njëri vëlla i bie kitarës, im vëlla tjetri është arkitekt, mbesat janë të lidhura me artin, njëra është për violinë në Athinë, tjetra studion violinë e balet. ndërsa një tjetër është për kanto. Fëmijët e mi, megjithëse ishin të talentuar, zgjodhën gjuhët e huaja. Sot janë në Itali dhe studiojnë atje. Unë mora drejtimin e artit dramatik. Kështu ndodhi, në 1968 unë punoja në Fabrikën e Letrës. Isha 17 vjeç dhe në një festival teatrosh amatore me dramën "Cuca e Maleve", ku interpretoja Cucën, fitova çmimin e parë. Çmim të parë fitova edhe me një rol tjetër. Pas kësaj me sa duket tërhoqa vëmendjen e drejtuesve të teatrit dhe më morën si probise, që do të thotë të jesh në provë për një vit. Në fakt ka qenë periudhë e vështirë. Nga një anë mentaliteti. Një vajzë e re, vetëm 17 vjeç të jetë aktore në një mentalitet fanatik është jo e lehtë. Nga ana tjetër edhe vështirësitë e punës. Megjithatë, duket se ja dola mbanë. Kam luajtur në një dramë të Fadil Paçramit.

Në plejadën e artistëve shqiptarë ju keni hyrë si nusja e "Çiftit të Lumtur".
Si erdhët te ky rol? A mund të na kujtoni diçka?


Çifti i Lumtur ka qenë komedi para se të jetë film. Ka qenë një komedi e Bik Pepës. Regjisor ka qenë Serafin Fanko. Sapo mori komedinë, e kishte të caktuar edhe ndarjen e roleve. Me një fjalë ka qenë zgjedhja e tij. Punuam shumë që të gjithë. Kam pasur fatin e mirë të punoj edhe në komedi dhe më pas në film me një trupë të mrekullueshme. Aktorë që ndihmonim njëri-tjetrin. Premiera ishte një mrekulli. Të gjitha biletat ishin shitur pa përjashtim. Dy orë para shfaqjes ishte mbushur i gjithë teatri. Ne aktorëve na pëlqen që me emocionet të përziejmë edhe kureshtjen. Qëndronin pas kuintave dhe shikonim ata që erdhën. Pas shfaqjesh, vlerësimi ishte maksimal. Spektatori që është edhe vlerësuesi më i mirë i punës tonë na dha notën më të mirë. Mbaj mend që isha në ankth për vlerësimet e regjisorit të nesërmen. Por edhe ai na dha maksimumin.

Emocionet natyrisht ishin të mëdha. I mbani mend?

Natyrisht. Në art para dhe gjatë premierës ka dy lloj emocionesh. Nganjëherë të mbërthejnë shumë dhe të bëhen pengesë. Nganjëherë të bëjnë të ecësh dhe të matesh mirë. Unë zakonisht i kam zotëruar emocionet, megjithëse kanë qenë të jashtëzakonshme. Te komedia "Çifti i Lumtur" kam patur shumë emocione. Por më bënë mirë.

Si u realizua më pas filmi?

Komedia ka qenë rreth viteve '70. Janë dhënë në Shkodër shumë e shumë shfaqje dhe më pas kemi bërë disa turne në të gjithë vendin. Në një nga këto shfaqje na ka parë edhe regjisori Pirro Milkani, i cili hodhi idenë që të bëhej film. U miratua, dhe më pas i gjithë grupi i xhirimit erdhi në Shkodër. Duheshin përzgjedhur aktorët. U bënë shumë kinoprova. Të them të drejtën për rolin në komedi kisha punuar shumë. E doja patjetër edhe në film. Më shumë se një javë janë bërë në sallën e teatrit kinoprovat për vajzën. Me dhjetëra vajza kanë bërë provat. Një javë kam përjetuar ankth. E doja shumë rolin. Pas një jave regjisori Milkani dhe operatori që ne e quanim Roshi më thanë se kisha fituar rolin. Ishte gëzim i madh për mua. Me pas erdhën xhirimet. Nuk mund të besohet, por kanë zgjatur 3 muaj. Ka qenë eksperienca e parë në një film. Ishte e vështirë, por edhe bukur. Më kujtohet që skenat e shtëpisë xhiroheshin në një ambient të improvizuar të Katedrales që aso kohe ishte Pallati i Sportit. Aty ishte improvizuar shtëpia. Xhirohej natën dhe kishte shumë qetësi. Kishte raste në skenat më masive me disa persona kur na duhej të bënim disa duble për një rol. E di se kur shija dublet më vonë nuk më pëlqente vetja, ndërsa regjisori lëvdonte punën time.

A u prit mirë filmi?

Dalja e një filmi në vitin 1975, ishte ngjarje. E kam parë filmin në Tiranë. Gjatë të gjithë kohës kam qëndruar e ngrirë. Shihja veten dhe nuk më dukej se isha unë në ato skena. E kisha të vështirë ta besoja veten. Pas filmit, shtrëngimet e duarve dhe përqafimet ishin treguesi se ishte pëlqyer. Ndërsa pas daljes së filmit në televizion, afeksioni i njerëzve ishte një mrekulli. Ka qenë diçka që zgjati për vite më radhë. Në fakt dikur filmi jepej shumë shpesh. Më pas për disa vite para 1990 nuk u dha. Pas '90 jepet me qindra herë. Shpesh duke qëndruar në shtëpi më bie telefoni, dhe miq, të njohur e të panjohur, më thonë, hape te ky a ai stacion dhe aty shoh ndonjë sekuencë të filmit.

Si ndiheni kur e shihni sot filmin pas shumë vitesh?

Mbase nuk duhet thënë, por mund ta kem parë filmin gjithsej një a dy herë nga fillimi deri në fund. Si ndihem? Kujtoj rininë time. Në fakt është një film që iu reziston kohërave. Personazhet nuk kanë emër në këtë film. Është thjesht djali, vajza, fanatiku, halla, nëna.

Po aq i famshëm është edhe interpretimi i Rinës tek Këshilli i Ndrikullave. Si e kujtoni?

Është një ndër pjesët më të bukura të historisë së teatrit shqiptar dhe më vjen keq që nuk jepet më. Komedia ishte pjesë e Sheri Mitës dhe u vu në skenë nga Serafin Fanko. Është brilant interpretimi i Tano Banushit. Kur autori erdhi të shohë shfaqjen tonë u habit. "Kjo nuk është ajo që kam shkruar unë", më kujtohet që tha. Më kujtohet një detaj. Gjatë kohës që kishim mizanskenat në prova, si për të luajtur në skenën kur unë, Rina, duhet të bëja prezantimin me Leon në shtëpi, dhe isha duke punuar, marr majmunin dhe e vendos në një karrige ku do ulej Tanoja. Në lodhjen e provave ishte si çlodhje dhe lojë. Kur Tanoja u ul, majmuni lëshoi një pi...i...i...p. Të shihje mimikën e Tanos, ishte një gjë e papërsëritshme. "Aty rri", më tha regjisori, dhe ky detaj u la, dhe është ndër më tërheqësit në komedi.

Po sot a jeni e lidhur me teatrin?

Natyrisht. Vazhdoj të jem aktore. Madje në vitet '90 kam realizuar një ndër rolet e mia më të mira. Ka qenë drama "Franku V", ku unë luaja rolin e një vajze që jeta e detyron të shesë trupin e saj. Regjisor ka qenë Arben Kumbaro, një nga regjisorët me të talentuar. Ishte shkurt, në kohën kur në Tiranë bëhej greva e urisë së studentëve. Megjithëse ishte shumë ftohtë, më dolën ata që ne në Shkodër u themi djersë e vdekjes.

Disa nga rolet kinematografike dhe teatrale: "Çifti i Lumtur", "Këshilli i Ndrikullave", "Franku i Pestë", "Fytyra e Dytë", "Shpartallimi", "Binjakët", "Vetëm për një L", "Fjalëkryqi", "Sa afër paske qenë".

Nga Zef Pali

COMMENTS