Palokë Kurti (1860-1920)

paloke kurti dirigjent i orkestrave, perpunues i kengeve popullore dhe kompozitor
Palokë Kurti lindi në Shkodër më 1860. Ishte kompozitori dhe muzikanti i parë që dha sinjalin е lindjes së artit të ri të kultivuar.

Më 1863, kur ishte tre vjeç i vritet i ati, Kola, që punonte në konsullatën angleze më parë. Vendi i ndodhisë ishte Rana e Hedhun pranë Ulqinin. Do të shkollohet në kolegjin Saverian. Me anë të krijimeve, përpunimeve е aranzhimeve të këngëve popullore, kryesisht qytetare, vuri gurin е parë në themelimin е evolucionit të formave të vjetra dhe të reja të muzikës së kultivuar shqiptare. Madhështia e figurës së Palokë Kurtit konsiston në gjerësinë e interesave të tij artistike, pa i ndarë në asnjë çast ato me patriotizmin, ndjenjë e cila e përshkon si një lajtmotiv gjithë veprimtarinë e tij.

Tre qenë drejtimet më të rëndësishme të veprimtarisë së tij artistike: dirigjent i orkestrave frymore, përpunues i këngëve popullore dhe kompozitor.

Palokë Kurti, mësimet e para të muzikës i mori në mjediset e ahengut të njohur shkodran dhe nga At Tommaso Merkos, françeskani i njohur në Shkodër me emrin Pater Toma. Në aftësitë e Palokës së ri ky frat i nderuar dhe muzikant i flaktë, shihte drejtuesin e bandës muzikore të qytetit, për të cilën u impenjua të organizonte. Bashkë me një numër veglash muzikore që solli nga Napoli, në vitin 1877, Pater Toma fton dhe mjeshtrin italian Giovanni Canale, i cili u mor seriozisht, për disa vite me edukimin muzikor të Palokës, duke i mësuar pianon dhe disa instrumenta frymorë. Në vitin 1878, nën drejtimin e po këtij mjeshtri, u krijua e para orkestër frymore e qytetit të Shkodrës e në fund të fundit e të gjithë Shqipërisë, ngjarje kjo që përkoi dhe me krijimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. 18-vjeçari Palok Kurti, do të ishte një ndër të 31 orkestrantët e këtij formacioni muzikor.

Dy vjet më vonë, në vitin 1880, drejtimi i saj kalon në duart e virtuozit të trombonit, Palokë Kurti, i cili u dallua ndër të tjerët edhe për aftësitë drejtuese dhe organizuese. Me "Daullen" e tij (siç u bë i njohur në popull), Palokë Kurti jepte koncerte në publik të hapun, në fillim një herë në muaj e pak nga pak, me konsolidimin e orkestrës, u arrit të jepeshin dhe koncerte çdo javë. Kështu dalja e kësaj orkestre frymore çdo të diele në lulishten e qytetit, ishte për kohën, një nga evenimentet ma të rëndësishme kulturore.

Duke qënë se repertori ishte i kufizuar, Palokë Kurti, iu vu punës për krijimin e një repertori të posaçëm për orkestrën e tij. Pikërisht këtij qëllimi do t'i shërbenin dhe ndërtimi i dy potpurive me këngë shkodrane "Argëtime muzikore të stërgjyshave tanë" (1890-1900), të dytën e bëri në F-maxhor.

Palokë Kurti martohet me të bijën e Anastas Papanikut, Angjelina, nga Parga e Çamërisë. Papanikët ishin me origjinë nga Suli. Anastasi kishte një djalë, Gjonin, i cili ishte sëmurë me tuberkuloz. Nuk zgjati shumë dhe vdiq, si amanet la që e motra të martohej me shokun e tij, Palokën. Kolë Idromeno i pat bërë një portret Angjelinës më 1925, që ruhet në Galerinë e Arteve. Nga kjo martesë ata do të kenë katër djem: Leci, Zefi, Salvatori, Ndoci dhe një vajzë, Tusha.

Për ndërtimin e materialit muzikor të kësaj vepre, kompozitori u mbështet kryesisht në këngën qytetare shkodrane, e veçanërisht në atë instrumentale. Duke i seleksionuar, aranzhuar dhe përpunuar për orkestër frymore dhe më pas duke i ekzekutuar, Palok Kurti synoi jo vetëm të përhapte e të propagandonte këngën popullore shqiptare në popull, por edhe ta spastronte atë vetë nga elementet e tepërt - rezultat i ndikimit të drejtpërdrejtë të formave dhe toneve orientale, të cilat ndiheshin dukshëm në ahengun shkodran. Në këto potpuri, trajtimi i këngës popullore shkodrane i është nënshtruar një përpunimi të vërtetë me pretendime artistike. Sidomos në potpurinë Nr. 1, shihen dhe tendenca krijuese nga ana e autorit.

Për këto arsye, Palokë Kurti, është i pari muzikant, i cili duke shpëtuar nga humbja traditën popullore, e mblodhi atë, e vuri në notë, e ekzekutoi, duke hedhur kështu bazat e krijimit të artit të kultivuar shqiptar. Aktivitetin si drejtues i bandave frymore, ai e zhvilloi nëpër formacione të ndryshme muzikore shkodrane, me bandën e Patër Tomës, me bandën e Popullit dhe atë të Institutit Tregtar, e cila kishte një trupë prej pesëdhjetë orkestrantësh.

Si drejtues dhe krijues i formacioneve korale, përmendim atë të Kishës Françeskane, Meshës se Madhe, të Kishës Ortodokse shkodrane, formacioni koral i së cilës, pati jehonë në kohën e vet. Do ta linim të paplotë figurën e Palokë Kurtit, pa folur për krijimtarinë e tij si kompozitor. Krijues i më shumë se 17 këngëve popullore, ai solli ndryshime rrënjësore në muzikën e ahengut shkodran. E pikërisht, tiparet e saj të reja, përbëjnë edhe vetë drejtimin e ri që muzika shqiptare mori në Periudhën e Rilindjes Kombëtare dhe në atë të mëvonshme, të Pavarësisë.

Me cilësinë e rapsodit, poetit dhe këngëtarit të apasionuar të këngës popullore shkodrane, Palok Kurti arriti që nuancat më të holla të kësaj kënge t'i mishërojë në mënyrë të përsosur në krijimet e tij të pavdekshme: marshin "Bashkimi i Shqipërisë" më 1881 kushtuar Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, "Marshallah bukurisë sate", "Ta dish, ta dish", "Për mue paska kenë kismet", "Karajfil të zgjodha", "Kur fillon drita me dalë", "Të due, moj të due", "Karajfili i kuq si gjaku" etj., këngë të cilat, në gojën e këngëtares Marie Kraja, do të arrinin majat ma të larta të krijimeve popullore shqiptare.

I ndikuar nga format e reja të muzikës evropiane, Palok Kurti shkroi vepra të tilla si: kuadrilja "Saksi im", polka për klarinete "Dallëndyshja", marshin "Turqit në Maqedoni" etj. Përsa i përket muzikës liturgjike, më të njohura që ai shkroi janë: "Mesha për ndër të Shna'Ndout", "Litani" etj. Gjithashtu, Palokë Kurti përshtati për formacion orkestral pjesë nga literatura botërore, nga "Trovatore", nga "Ballo me maska", "Norma" etj.

Raporti i vazhdueshëm i Palokë Kurtit me historinë e kohës në të cilën jetoi, shpjegon dhe faktin që vepra e tij mundi t'i rezistojë kohës dhe të vijë deri në dita tona. Krijimet më të rëndësishme të këtij kompozitori, pa dyshim dhanë sinjalin e nisjes së një periudhe të artë për historinë e muzikës shqiptare. Gjithashtu, me veprimtarinë e tij, Palok Kurti i hapi rrugën bashkëkohësve dhe pasardhësve te tij. Pasuria dhe larmia e veprës së tij zë pa dyshim një vend të nderuar në historinë e muzikës shqiptare.

U dëbua dy vjet, me shumë mundësi për shkaqe politike. Mbasi u kthye në Shkodër më 1890 angazhimi i tij më i madh ishte kompozimi. Krijon Bandën e Katedrales me ndihmën e Imzot Jak Serreqit, që e drejtoi Frano Ndoja. U dëbua dhe dy herë tjera, herën e fundit në Korfuz më 1919. I rraskapitur vdes më 1920, në varrimin e të cilit morën pjesë shumë bashkëqytetarë të tij.

Intervista që vijon - "Mjeshtri i madh Palokë Kurti: një monografi mbi jetën dhe veprën e tij përgatitur nga artisti e regjisori Lec Shllaku" - është marrë nga sq.radiovaticana.va. Shtypni butonin për të dëgjuar intervistën.


COMMENTS