Fotografi Shan Pici

Në historinë e fotografisë shqiptare, emri i Shan Picit lidhet me periudhën e gjysmës së parë të shekullit të kaluar. Ai përmendet në të si një nga fotopeizazhistët më të hershëm e më të suksesshëm e, po ashtu edhe si fotoreporteri i parë i sportit shqiptar.

fotografi shan pici shkoder
Shan Pici (emri i pagëzimit Mark) është lindur më 5 gusht 1904, në Shkodër, atje ku rreth gjysmë shekulli më përpara kish ardhur në jetë edhe fotografia shqiptare. Ai filloi punë qysh në moshë të njomë (rreth vitit 1914) si çirak , me ndërhyrjen e Luigj Gurakuqit, mikut të familjes Pici, tek "Foto-Studio Marubi". Njihet miqësia e madhe ndërmjet Gurakuqit dhe Kel Marubit. Aty, pranë fotografit tanimë të njohur, atij i lindi kureshtja e veçantë dhe tërheqja nga mjeshtëria e fotografimit. Vemë në dukje se edhe trajtimi i ustait për çirakun e ri i kalonte caqet e zakonëshme të rasteve të tilla. Kështu, djali dita-ditës aftësohej duke zbuluar të fshehtat e profesionit e, po ashtu duke fituar besim në vetvehte se këtë punë një ditë mund t'a kryente edhe vet ai. Ndoshta po përsëritej historia, tanimë me aktorë të tjerë, kështu e kishte mësuar më herët edhe mjeshtër Keli profesionin nga ustai i tij Pjetër Marubi.

Pas disa vitesh punë tek "Foto Studio Marubi", rreth moshës 20-vjeçare, Shani, kështu kish filluar të thirrej tanimë e përgjithmonë, hap bashkë me dy vëllezërit e tij, Ndrekën dhe Tefën, një studio private në qytet. Ajo u vendos në vendin e quajtur "Fusha e çelës" dhe me emrin "Fotografia Pici". Ndarja nga Marubët, nuk ndërpreu lidhjet miqësore të ngjizura në marrëdhënie pune, por përkundrazi ato vazhduan gjatë. Të filloje atëhere një aktivitet artizanal vetjak, ishte një veprim i guximshëm, sidomos po të mendohen vështirësit e kohës për pajisjen me mjetet e nevojshme për një punë sa më të mirë. Natyrisht në studion e tij fotografohej me dritë diellore, e cila futej në mjediset e saj, nga lartë nëpërmjet një baxhe me xham, ndërsa anash nga një dritare e madhe. Ndërkohë, Shani nuk u kufizua vetëm në fotografimet rutinë për komunitetin brenda studios, por filloi të dilte jashtë saj, të magjepsej nga peizazhet e rralla të natyrës, por sidomos të Alpeve të Veriut. Ai nisi të shpërfaqte në fotografitë e natyrës shpirtin e tij lirik e me ndjenja të holla për të bukurën. Mjaft nga këto fotopeizazhe janë shtypur edhe si kartolina në Itali dhe Austri e, në faqen e prapme të tyre shkruhej "Rishtypja asht e ndalueme. Fotografia "Pici" Shkodër, Shqypni" e më sipër "Kartposte Shqypniet". Ato kanë qarkulluar për shumë kohë ndërmjet shqiptarëve, brenda e jashtë vendit. Me ato, Pici ka kontribuar në një farë mënyre në atë që do të quhej më vonë "fotografia turistike" shqiptare.

Kështu, ai nisi të fotografojë jo vetëm peizazhet tërheqëse të natyrës, por edhe njerëzit e atyre anëve, të cilët megjithë varfërinë e tyre, shpërfaqnin tipare të veçanta fiziologjike dhe psikologjike. Madje, Pici fotografoi, përveç fotoportreteve mjaft tipizuese të banorëve edhe mjediset e tyre, ku varfëria shoqërohej edhe me bujarinë dhe fisnikërinë karakteristike të malësorëve. Ishte edhe natyra shumë komunikuese e shkodranit që krijonte atmosferën e ngrohtë ndërmjet fotografit dhe subjektit, aq e nevojshme për këto lloj fotosh. Gjithsesi ai nuk i shihte dhe trajtonte ata që fotografonte (malësore e malësorë) si subjekte kalimtarë, por si njerëz me ndjenja e shpirt fisnik, kësisoj, atij i dridhej disi gishti tregues para se të shkrepte aparatin. Pici është, ndoshta fotografi i parë që u ngjit aq lartë bjeshkëve për të paraqitur sa më mirë karakteristikat e banorëve të atyre trevave të thella. Disa fotoportrete të fshtarëve të krahinave të Shkodrës, hyjnë në fondin e zgjedhur të portretit fotografik shqiptar. Shumë foto të kësaj periudhe i dëshmojnë mirë e bukur këto karakteristika të aftësive krijuese artistike të Picit. Vlen të shënojmë këtu, se kur realizonte këto foto, natyrisht atij i duhej të largohej nga dyqani për disa ditë. Kjo do të thoshte më pak të ardhura ekonomike, por pasioni i tij i madh për fotografinë i mbikalonte të gjitha interesat e tjera. Kështu ai i pranonte me vetëdije të plotë pasojat dëmtuese financiare për të dhe familjen, faturë e rëndë për kohën.

Me rëndësi të veçantë në periudhën e parë të veprimtarisë fotografike të Shan Picit, është shoqërimi më 1925, i Rrethit të Parë Ciklistik të Shqipërisë (rreth 1300 km), duke qënë njëkohësisht edhe anëtar i jurisë. Kjo ndodhi kur ai ishte vetëm 21 vjeç. Sipas gazetarit të njohur të sportit, Besnik Dizdari, historikisht, kjo është veprimtaria e parë zyrtare sportive në vend, si dhe rrethi i parë çiklistik në Evropë për amatorët. Fotografitë e këtij rrethi të realizuara nga Pici, kanë tërhequr disa vite më parë, vëmendjen e studiuesve japonezë të fotografisë si dhe qarqet çiklistike europiane për nivelin e lartë të tyre dhe moshën relativisht të vjetër të fotografisë sportive shqiptare. Duke e pasqyruar në shumë foto të gjitha etapat e këtij rrethi prej fillimit e deri në fund të aktivitetit, ai mbetet fotoreporteri i parë sportiv në historinë e fotografisë shqiptare. Kësaj veprimtarie sportive shqiptare atëhere i bëri jehonë edhe një pjesë e shtypit europian. Vlen të kujtojmë me përfytyrim gjendjen primitive të rrugëve të Shqipërisë së asaj kohe, që të vlerësojmë më mirë edhe punën vetmohuese e plot pasion të Picit. Shënojmë se Rrethi çiklistik i vitit 1925, filloi në qytetin e Shkodrës, kaloi në mjaft qytete të Shqipërisë dhe përfundoi në Tiranë. Ai ishte ideuar dhe organizuar nga veprimtari i njohur i qytetit, Palok Nika dhe është fituar nga çiklisti i "Vllaznisë" së Shkodrës, Jonuz Gjylbegu.

Shan Pici, ka lëvruar edhe reportazhin fotografik në shtypin e zhvilluar shqiptar të viteve '30. Në këtë suazë, ai është ndër fotografët që ftoi Mbreti Zog për të pasqyruar e përjetësuar veprimtaritë festive në Tiranë, më 28 nëntor 1937, me rastin e 25 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare. Nga këto kremtime, Pici ka lënë një fotografi, edhe kjo me vlera historike, në Oborin Mbretëror, ku paraqitet "çeta" e fotografëve, secili i armatosur me aparatin e vet në gjoks. Në të shihen Geg Marubi, Vasil Ristani, Ali Bakiu, Mihal Popi, Ded Jakova, Ymer Bali, Mandi Koçi, Kolë Maca, si të thuash pjesa më e madhe e ajkës e së fotografëve shqiptarë të kohës. Gjithashtu, vlen të përmendim këtu se, Shan Pici ka realizuar edhe mjaft fotografi të familjes mbretërore të Mbretit Zogu I.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe vendosjes së komunizmit në Shqipëri, filloi shtetëzimi i veprimtarive të ndryshme ekonomiko-shoqërore private. Kështu, më 1949, i erdhi rradha dhe fotografisë. Në një foto historike të këtij viti paraqitet me buzqeshje të hidhura, "pesshja" e njohur e fotografëve shkodranë, Ded Jakova, Shan Pici, Geg Marubi, Pjetër Raboshta dhe Angjelin Nenshati. Ata qëndrojnë krah për krah me njeri-tjetrin, duke ditur se të nesërmen do punonin në kooperativa artizanati bashkë me profesione të tjera që s'kishin fare lidhje me artin. Natyrisht kjo gjë edhe Shan Picin e brengosi, ai nisi të fotografonte jo si më parë, por t'i kushtonte më tepër vëmendje fondit të tij të pasur e të larmishëm fotografik.

Siç është përmendur dhe më herët, mjeshtëria e fotografimit në Shqipëri, përgjithësisht është përcjell brenda familjes, nga i vjetri tek i riu, kryesisht nga babai tek djali. Shan Pici, përbën një rast të pastër të kësaj dukurie. Nikolini, djali i tij, ka mbuluar për një kohë të gjatë (vitet '70 e '80), veprimtaritë e ushtrisë sonë me fotografi në shtyp, madje me punime të goditura. Vlen të kujtojmë këtu edhe punën cilësore të Nikolin Picit si fotograf i Galerisë Kombëtare të Arteve. "Zbresim" më poshtë në mosha dhe më afër në kohë. Marketini, djali i Nikolinit ka vite që ushtron artin e fotografisë. Ky, ka marrë pjesë në disa edicione të konkursit kombëtar të fotografisë "Marubi", madje aty dhe është vlerësuar me çmim për foto me nivel artistic. I përmendim këto fakte për të treguar se tek fotografia shqiptare nuk mungon dhe kriteri gjenetik, po ashtu edhe për keqardhjen që shumë emra të shquar të saj nuk kanë lënë pasardhës që mund t'a çonin më tej punën e paraardhësve.

Duke fotografuar për një hark kohor prej gjysmë shekulli, Shan Pici ka lënë një arkiv personal prej rreth 80.000 ekzemplarësh bardhë e zi, në letër, xhama dhe celuloid, që ruhen në "Fototekën Marubi" të Shkodrës. Kjo është shoqëruar edhe me një mangësi, jo rrallë, fotove të Picit u tjetërsohet autorësia, duke ia faturuar ato dikujt tjetër. Një pjesë tjerë e krijimtarisë së tij ndodhet në arkivat e pasardhësve të tij. Gjithashtu ekziston mendimi se në pronësi të familjeve të vjetra shkodrane, që ndoshta kanë njohuri modeste arti, gjenden perla nga shpirti, mendja dhe dora e Shan Picit të ngjizura në letrën fotografike e të panjohura nga publiku artdashës i fotografisë shqiptare.

Shan Pici është ndarë nga jeta në qytetin e Shkodrës, më 2 shkurt 1976. Ai iku nga kjo botë me një farë lehtësimi se profesionin e tij e kishte përcjell si duhet tek i biri, që ndoshta do linte dhe ai gjurmë në historinë e fotografisë shqiptare. Për Shan Picin është shkruar në shtyp vetëm pasi është ndarë nga jeta, karakteristikë e kohës së diktaturës, kur krijimtarinë e tij ai kishte kohë që kishte mbyllur.

Duke vërejtur me vëmendjen e duhur fondin fotografik të Shan Picit, veçanërisht larminë e temave dhe nivelin estetik të tyre, mendoj se ka ardhur koha që krijimtaria e tij të përmblidhet në një album retrospektiv fotografik, detyrë kjo edhe e institucioneve që merren me artet pamore. Në këtë botim, dashamirët e këtij arti do t'i prekin drejtpërdrejt me shikimet e tyre arritjet më të mira të Shan Picit, një nga fillnisësit e peizazhit fotografik natyror të vendit tonë dhe fotoreporterit të parë të sportit shqiptar. E, pse jo, më pas të botohet edhe një album i tre përfaqësuesve të "Shejzës Pici", Shanit, Nikolinit dhe Marketinit.

Nga Qerim Vrioni, Studiues i fotografisë

COMMENTS