Thethi, Turizmi në Theth

theth thethi albania
Thethi është një fshat në komunën Shalë në rrethin e Shkodrës dhe është i vendosur në një gropë në lartësi që shkon nga 700 m deri 950 m mbi nivelin e detit.

Thethi për herë të parë në dokumenta paraqitet në vitin 1485, me emrin Fusha dhe kishte 7 shtëpi (Defteri i rregjistrit të Sanxhakut të Shkodrës i vitit 1485, vëllimi I-rë, botim i 1974, fq.150). Në shekullin XVI-të, kjo zonë nuk përfshihej në sistemin e timarëve. Turqit me qëllim që ta izolonin këtë krahinë nga Malësia e Madhe dhe Shkodra e bashkuan administrativisht me Sanxhakun e Dukagjinit, që e kishte qendrën në Pejë. Në fillim të shekullit XIX-të, Can Deda nga Thethi (fis i Ahcajve) mundi që këtë zonë ta bashkojë me Bushatlinjtë e Shkodrës. P.Coronelli është i pari që përmend Thethin në hartën e vitit 1688. Ne vitin 1887, ishin kolegjiarët françeskan që veruan në mënyrë të organizuar për herë të parë në Theth. Në vitin 1905 Thethi u vizitua nga studjuesja e Ballkanit Miss Edith Durham e ashtuquajtura krajlica e maleve. Në vitin 1916-1917, si meshtar gjendet At Gjeçovi, i cili hap shkollën e parë Shqipe për fëmijët e Thethit. Në vitin 1936 hapet rruga automobilistike. Në vitin 1937 hapet një agjensi turistike. Më 18 korrik të vitit 1956 krijohet lëvizja e parë alpinistike në vendin tonë. Në vitin 1956 hapet qëndra turistike në godinën e një hoteli, kryesisht për pushimet e punëtorëve dhe të alpinistëve.

Klima e Thethit është mjaft favorizuese për turistët. Karakeristikë e saj është dimri i ftohtë dhe me dëborë deri në 2 metër, dhe vera e freskët. Në disa maja të larta të maleve dëbora nuk shkrin gjatë gjithë vitit.
Rreshjet vjetore arrijnë deri në 2921 mm.

Në Theth ka shume qafa (gryka malesh) të larta: Qafa e Pejës që e lidh Thethin me Plavën e Gucinë, Qafa e Valbonës që lidh Thethin me Rragamin dhe me Valbonën në Tropoje, Qafa e Derzave që lidh Thethin me Currajt e Sipërm të Nikaj Mërturit, Shtegu i Dhenve dhe Qafa e T'thores që lidhin Thethin me Bogën, Rrethi i Vizhëns që është ndërmjet majës së Radohimës dhe Qafës së Pejës, që lidhë Thethin me Kelmenin e Malësisë së Madhe, në një peisazh mahnitës për të apasionuarit e ecjes në male. Nga këto qafa dhe shtigje malesh, amatorët dhe profesionistët e Alpinizmit mund të kapin gropën e Thethit. Majat e kësaj kurore diferencohen nga fundi i gropës përreth 1000-1500 metra. Ato ndërtohen nga shkëmbinj gëlqerorë dhe dolomite me ngjyrë të bardhë, gri ose trëndafili dhe gëlqerorë ngjyrë hiri të errët. Në veri ngrihet pirgu i mprehtë me ngjyrë gri të errët dhe krejtësisht i zhveshur i majës së Harapit 2217,2 metër mbi nivelin e detit, mjaft e preferuar nga alpinistët për vështirësitë e saj të njohura në shkallë ndërkombëtare. Aty ngjitur nga lindja mund të dallojmë "Gropën e Bukur" nga ku mund të shkelësh parajsën e maleve të Shqipërisë, Jezerca, 2692 metër, majën e Alisë 2471 metër dhe majën e Papllukës 2569 metër. Nga kjo anë ngjitesh mbi majën e Boshit 2416 metër, mbi atë të Drenit ku shihen majat e tjera deri edhe maja e Hekurave 2559.4 metër dhe Ershelli 2125.5 metër. Të gjitha vijnë njëra pas tjetrës si kështjella të bardha me forma të ndryshme dhe mbi zona të larta alpine me plot dukuri akullnajore e karstike. Në këtë mënyrë kapen edhe majat në perëndim të majës së Harapit, si ajo e Rriskullit 2431 metër, Maja e Madhe 2552.5 metër, Radohima 2570 metër, ku zbret në majën e Zorgjit 1663.8 metër. Pika më panoramike nga ku mund të shohësh Bjeshkët e Nëmuna dhe alpet në përgjithësi deri edhe Korabin, në krahinën malore qëndrore të vendit është Radohima. Me një fjalë një "det" malesh, ndër më të bukurat dhe më të veçantat në alpet e Europës e rrethojnë Thethin si kurorë mbretërore, duke i lënë nga Jugu një lidhje të natyrshme me luginën e Shalës. Kjo lidhje është ngushtuar nga pirgjet shkëmbore të majës së Drenit si Kuji Trup, Kuji i Zharjedhave, Kuji i Lopëve dhe Gumnari, nga i cili mund të shohësh një pamje të jashtëzakonshme të të gjithë luginës së Thethit si dhe rrëpirat e pyllëzuara të Majës së Zorgjit. Në këtë ngushticë është formuar edhe kanioni madhështor i Grunasit me gjatësi 2 km dhe pjerrësi 76 metër në 1 km.

Shpellat: Thethi ka edhe monumente të tjera natyrore siç janë shpellat. Speleologu mund të shohë disa shpella të vogla dhe me bukuri të jashtëzakonshme në Theth: Shpella e Qyqes, Shpella e Lugut të Shakujve, Shpella e Kuqe, Shpella e ndërgurëve në Fushë të Thethit "mbi Ulaj", Shpella e Pepes në Okol dhe birën e Ujit në qafë të Pejës. Bira e Ujit në qafë të Pejës, në kohë shirash, nxjerr ujin që furnizohet nga liqenet akullnajore nëntoksore si ato të Vuthajve dhe të Jezercës. Por ato që kanë tërhequr vëmendjen e shumë specialistëve alpinistë, speleologë, gjeografë dhe gjeologë, janë shpellat vigane të Harapit mbi Okol dhe shpella e Rrathëve mbi Ulaj. Përmasat e mëdha dhe dukuritë interesante të këtyre shpellave, liqene nëntokësore, sifone, galeri stalaktitesh e stalagmitesh etj., kanë qenë burim frymëzimi për krijimin e legjendave të ndryshme nga banorët e zonës ndër shekuj.

Burimet: Vendimtare për të gjitha llojet e turizmit janë ujërat e shumtë që burojnë në Theth. Të rralla janë vendet me ujëra të bollshme si Thethi në të gjitha alpet e Europës. Ujërat takohen në çdo vend që të shkelësh në Theth, nga lartësitë e maleve, në qendër, dhe ruajnë prurje të konsiderueshme në të gjitha stinët e vitit. Ujërat në Theth kanë pastërti të përhershme dhe temperatura shumë të ulta. Thethi ka një lumë që kalon përmes fshatit, me temperaturë në burim 6°C - 7°C dhe me troftë të shijshme. Në Theth numërohen mbi 80 burime e përrenj që shuajnë etjen, tretin ushqimin dhe kalitin trupin. Burimet sipas lagjeve janë:
  • Në Okol: Gurra e Shtrazës që është burimi i lumit të Thethit, dhe ajo e Gjarpërit.
  • Në Gjelaj: Gurra e Rupës së Thepit, e Hithave, Gurra e Breishtës, e Kajgjonës, e Ligatës, e Qafës së Valbonës, dhe e Shkallës së Valbonës.
  • Në Gjeçaj: Gurra e Micanit (e njohur për vetitë e saj të mira nga analizat e kryera në Austri në vitin 1915), Gurra e Rranxave, e Balçinës, e Praçes e Gjelaçinës, e Lymyshkës, e Qukave, Gurra e ftohtë e Thanës, kroi i Ndre Markut dhe i Praçes.
  • Në Nikgjonaj: Gurra e Dardhës, e Mollës, e Shkafes dhe e Surrlave.
  • Në Kolaj dhe Ulaj: Gurra e Dudve, e Majashpellave, e Bjeshkës, e Lugut të Ashtit, e Lugut të Birës, në fushë.
Atraksionet Kulturore: Thethi mbart atraksione kulturore të larmishme duke filluar nga veshjet tradicionale, kishat, shtëpitë karakteristike të ndërtuara me gurë, të forta e të larta, që dallohen për karakterin e lartë mbrojtës, etj.

Vendbanimi prehistorik i Grunasit: Grunasi është lagjja më e vjetër e Thethit, ku është zbuluar një vendbanim parahistorik që daton në periudhën e hekurit. Ai shtrihet në skajin më ekstrem të kësaj lagje, në një hapsirë prej disa hektarësh të quajtur Gerlë. Këtu ndodhet edhe një ndër bukuritë natyrore më të veçanta në alpet Shqiptare, ujëvara e Grunasit e cila me Vëndimin e Qeverisë Nr.676, dt 20.12.2002, është shpallur monument natyre që mbrohet nga shteti.

Kulla e Ngujimit: Ndodhet po në të njëjtën lagje të fshatit. Është ndërtesë trekatëshe prej guri me frengji të ngushta e karakolle. Ngjason me të parën në shumë aspekte, por duke patur një tjetër funksion, atë të shërbimit për persona të ngujuar nga gjakmarrja, është shumë më e ngushtë dhe e lartë. Vetë funksioni i saj, që lidhet me rregullat e Kanunit të Dukagjinit dhe afërsia me rrugën automobikistike, e bën atë tepër të frekuentueshme për vizitorët, që janë të shumtë gjatë gjithë sezionit turistik.

Kisha e Thethit: Kisha e Thethit është kishë e vjetër e françeskanëve që i kushtohet Shna'Ndout. Në të kanë shërbyer figura të shquara të kulturës shqiptare. Ka një arkitekturë tepër interesante të tipit njëanijatëshe, me absidën gjysëmrrethore drejtuar nga lindja, përbri së cilës lartohet një kumbanore elegante.

Mullinjtë e ujit: Thethi ka disa mullinj me ujë, dy prej të cilëve ende në gjendje pune (Nikgjonaj e Kolaj), por që kanë nevojë të restaurohen e të mirëmbahen, kurse ai në Grunas, poshtë kataraktit, pothuajse është dëmtuar rëndë por mund të restaurohet. Ata kanë një vlerë të veçantë etnografike dhe janë një pasuri e vërtetë kulturore.

Veshjet tradicionale në Theth janë xhubleta për gratë dhe për burrat tirq dhe xhamadani. Gratë mbulojnë kokën me shamitë e tyre tradicionale, për nuset shamitë me trëndafila dhe ngjyra të çelta dhe për ato që mbajne zi me shami të zezë. Burrat mbajnë në kokë kësula (qeleshe) të bardha prej leshi.

thethi parku kombetar
Parku Kombëtar i Thethit
Me vendim të Këshillit të Ministrave, me Nr. 96, datë 21.11.1966, zona malore e Thethit, me sipërfaqe 2630 ha, nga e cila 1680 ha pyje dhe pjesa tjetër kullota dhe sipërfaqe shkëmbore, shpallet "Park Kombëtar" dhe administrohet nga D.SH.P, Shkodër. Parku Kombëtar ndodhet në pjesën qëndrore të Alpeve të Shqipërisë, ndërmjet bllokut të Bjeshkëve të Nëmuna në perëndim dhe bllokut të Jezercës në lindje. Parku kufizohet nga të gjitha anët me maja të larta shkëmbore të dy blloqeve më të sipërme, të cilat bien thikë në luginë dhe formojnë pamje të jashtëzakonshme të tilla si: maja e Radohimës, (2570 m), Arapit (2217 m), Paplukës (2569 m), Alisë (2471 m), etj.

Gjeomorfologjia e Parkut: Parku Kombëtar i Thethit përbëhet nga tre luginat më të bukura të të gjithë alpeve shqiptare. Duke filluar me luginën e famshme të Valbonës, që vazhdon deri në Rragam të Shalës me një bukuri të rrallë të shtratit të lumit Valbonë të gjatë 14 km, në kuotën mesatare 600-700 m, pastaj duke vazhduar me perden ndërmalore të luginës malore të fshatit Curraj i Epërm (që është në Tropojë) në kuotën 800-1300 m, e gjatësi 12 km. Lugina e tretë që bëhet fjalë është lugina e Thethit që nuk lë prapa edhe dy luginat e tjera ndër malore njëkohësisht dhe si vazhdim në horizont i luginës së Vermoshit. Në anën gjeomorfologjike "Parku Kombëtar i Thethit" me sipërfaqe 2630 ha, ka rëndësi të veçante. Ai ndodhet rreth 45-50 km nga qyteti i Koplikut dhe 72 km nga Qyteti i Shkodrës. Shtrueshmëria kryesore e tij është në grykërrjedhën e lumit të Thethit. Në veri është maja e Jerzercës 2679 m e lartë. Nga lindja është qafa e Valbonës 1876 m, në jug maja e Zorgjit 1663 m, në perëndim maja e thatë 2543 m. Lugina e Thethit, si vazhdim i luginës së Lumit Shalë, ka këto karakeristika gjeomorfologjike.

Morfologjia: Parku Kombëtar i Thethit përbëhet nga lugina kryesore me bukuri të rrallë të lumit Shalë, që buron rreth 3 km në veri të Thethit dhe në jug shkon deri te maja e Zorgjit, me gjatësi lineare 8 km. Faqet e pllakatës në dy anët e luginës kanë gjatësi 3 km në lindje dhe 4 km në perëndim. Lugina përshkohet nga disa tarraca lumore dhe shpatore. Aksi i vetullës së lindjes është shumë i thikët dhe përkon me reliev të lartë ku vazhdojnë njëra pas tjetrës, Qafa e Valbonës deri tek maja e Radohimës 2570 metër mbi nivelin e detit, rreth 4 km me kuota nga 1968 m në 2217m. Ai shërben si vijë ndarje dhe si pikëvështrimi mbi luginën e Valbonës, luginën e Nikçit (livadhet e Bogës) përroit të thatë, dhe luginës së shalës. Faqja perëndimore është pak më e qetë, në jug-perëndim vazhdon me kuotat 1663.5 maja e Zorgjit dhe në veriperëndim Buni i Tërthores 1775.5 m. Kemi reliev me thikë të aksidentuar që ka kuota 2104 m të Shtegu i Dhenve, 2313 m gropa e Radohimës. Kuota mesatare e luginës është 700-900 m, e cila është e banueshme dhe ka bukuri të rrallë që shtohet nga majat dhe kreshtat që e kurorëzojnë. Faqet janë me pjerrësi të madhe dhe të thyera me kend 16°-35° por ka raste edhe të pakalueshme 45°-60° e deri në 90° (në majën e Harapit 2221 m). Kuota më e ulët e parkut është në jug të Thethit 668 m dhe më e larta maja e Radohimës 2570 m mbi nivelin e detit.

Morfometria e luginës së Thethit: Lugina ka formë pjesërisht korite dhe në veri formën e V-së. Faqet janë pak asimetrike nga vetë formimi dhe kushtet gjeologjike të formimit. Në faqe ka reliev të ulët dhe terraca me trashësi deluvionesh që variojnë nga 2 deri në 4 m, që përbëjnë edhe koren sipërfaqësore për ndërtim pikash turistike. Vërehen gropa të vogla ndërmalore, shpella gëlqerore me gjatësi të konsiderueshme. Nuk kemi ndonjë lëvizje horizontale të kores së siperfaqes që paraqet rrezikshmëri, kjo e lidhur me trashësinë e deluvioneve. Vërehen aty-këtu shkarje të dheut. Vetë lugina është e vendosur në krahun e një moloklinali me rënie të butë të formacioneve shkëmbore dhe rënie 15°-35°-40°. Rënia e lehtë e shtresave nuk favorizon rënie por rrëshqitje në këtë luginë.

Rrjeti ujor i Parkut Kombëtar Theth: Zona përshkohet nga një rrjet ujor që rrjedh nga dy shpatet lindore dhe perëndimore në Luginë. Lumi kryesor që përshkon parkun është ai i Shalës, i cili furnizohet nga përrenj në të dy anët e lumit. Drejtimi i rrjedhës është nga Veriu për në Jug. Lumi buron në afërsi të Qafës së Pejës, në Okol të Thethit. Përrenjtë kryesorë të luginës dhe lumit të Thethit janë ai i Shan Dedës, i Dhenve, i Ded’ Lulës, i Gurrës, i Shkafit, i Valit, i Kufirit dhe Përroi i Belonës. Këto përrenj rrjedhin në territor malor e janë të rrëmbyeshëm gjatë dimrit. Në Theth ka edhe shumë burime të cilat mund të shërbejne si ujësjellësa të pikave turistike.

Klima: Parku Kombëtar i Thethit ka klimë të ashpër në dimër me reshje që shkojnë nga 1.5 metër në dimër në vende me reliev të ulët dhe maksimumin e arrijne në Qafën e Majave me 3-4 metër. Në dimër e vjeshtë ka rreshje më të shumta. Tipike kemi rreshjet e shiut në qershor që ndikojnë për bujqësinë. Tempraturat luhaten nga -14°C deri në 20°C. Aksi kryesor i luginës nuk mbulohet shumë me dëborë në dimër. Dëbora qëndron më shumë në shpate, kryesisht në pjesën që dielli bie më pak gjatë ditës, në perëndim.

Aktivitetet që mund te zhvillohen janë: notim, peshkim, kanotazh, shëtitje, marrshime dhe turrne të ndryshme.

COMMENTS