Bujar Qamili, Mjeshtri i Madh i Artit

bujar qamili kengetar i muzikes popullore
Bujar Qamili lindi në Shkodër më 20 tetor 1963. Që në bankat e shkollës Bujari filloi të frekuentonte Shtëpinë e Pionierit dhe më vonë Shtepinë e Kulturës.

Fillimisht Bujari ishte aktivizuar në grupin e valleve por me këmbenguljen e këngëtarit popullorë Ferid Selmani, i cili kishte vënë re te Bujari zërin e ti shumë të mirë dhe me tingëllim baritonal, e prezantoi me kompozitorin dhe drejtuesin e orkestrës së Shtëpisë së Kulturës Xhavit Ujkani dhe me drejtorin e muzikëz Tonin Daija. Atyre iu pëlqeu shumë ky talent i ri dhe e aktivizuan që në koncertin e parë që organizuan në Shkodër me këngë popullore. Aty Bujari këndoi "Këngë për Naim Frashërin" dhe në duet me Ferid Selmanin këngën "Kur ti shof dy syt e shkruem". Publiku shkodran e priti me ngrohtësi dhe e duartrokiti gjatë këtë këngëtar të ri në atë koncert.

Bujar Qamili vazhdon të jetë pjesë e skenës duke na dhuruar kënaqësi dhe emocione. Vlerësimet dhe duartrokitjet e shoqërojnë kudo, në Shqipëri dhe jashtë kufijve.

*****

Intervistë me "Mjeshtrin e Madh të Artit", Bujar Qamili


- Nga Ermira Babamusta

Qyteti i Shkodrës është një qendër mjaft e rëndësishme kulturore dhe muzikore e Shqipërisë, e cila paraqet ndër shekuj lashtësinë e traditave artistike shqiptare, me folklorin muzikor, këngëtarët, valltarët, instrumentet dhe veshjet tradicionale. Artisti i madh Bujar Qamili "Mjeshtri i Madh i Artit" nëpërmjet krijimtarisë së tij artistike ka pasuruar më tej artin shqiptar, në veçanti folklorin muzikor me këngë popullore. Mjeshtri i madh i la gjurmët e tij në potpurinë shkodrane, muzikën e Shqipërisë të mesme, të jugut si dhe të trevave të tjera, duke përcjelle para popullit dhe botës vlerat e bukura të muzikës popullore.

Figura e shquar e muzikës popullore shqiptare, Bujar Qamili ka marrë pjesë si figurë kryesore në festivale folklorike lokale dhe kombëtare. Në vitin 1974 Bujar Qamili për herë të parë u ngrit në skenë para publikut shqiptar në koncertin e fëmijëve në Shkodër. Veprimtarinë e tij e vazhdoi në koncerte rinore në Shkodër dhe festivale të ndryshme. Deri më sot ka kënduar muzikën e bukur popullore shqiptare në vendlindje dhe në shumë vende të botës.

Gjatë karrierës së tij të larmishme Bujar Qamili mbetet për të gjithë shqiptarët ikona më e dashur e muzikës popullore, i cili është vlerësuar me disa çmime si: "Këngëtar i Urdhërit, Naim Frashëri i Artë", "Mjeshtri i Madh" nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, çmim të parë në festivalet me emër si Festivali i Këngës Shkodrane, Maratona e Këngës Popullore Shqiptare, Festivali Mbarëkombëtar i Këngës Popullore Shqiptare në Elbasan, çmimin e publikut në Folk Univers, fitues i Diskut të Artë të Këngës Popullore Shqiptare, etj.

Shqipëria krenohet me veprat e pakrahasueshme dhe interpretimet e përsosura të të madhit Bujar Qamili si pjesë e kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar. Melodia e bukur shkodrane dhe veprimtaria krijuese e Bujar Qamilit do mbeten gjithmonë në kujtesën e qytetarëve shkodran dhe popullit shqiptar. Për Evropën dhe botën muzika popullore shqiptare dhe traditat artistike të saj mbeten një pasuri e çmuar etnologjike, që hedh dritë mbi gjurmët e lashtësisë.

bujar qamili mjeshter i muzikes popullore

E.B: Kënga shkodrane është një mjeshtëri popullore që pasqyron qytetërimin, traditat dhe artin e popullit shkodran. Cilat kanë qenë disa nga zhvillimet më të rëndësishme që kanë pasuruar folklorin muzikor?

B. Q: Kënga popullore shkodrane është një thesar tepër i çmuar jo vetëm për Shkodrën po për gjithë Shqipërinë. Është më se e vërtetë që populli shkodran bashkëjeton me kangën. Fëmija i porsalindur nuk qan por këndon.
Faktikisht ka kohë që në qytetin e Shkodrës nuk bahet asnjë festival ose koncert me kangë popullore shkodrane dhe për këtë kan faj institucionet në Shkodër që nuk i bjen në mend a ka kun kangë popullore.

Si mendoni se ka ndryshuar muzika shkodrane ndër vite?

Megjithatë është populli ai që nuk e harron këtë perlë. Po me tranzicion që kemi kalu edhe mund të ketë mbet pak mbrapa por jemi ne këngëtarët popullor që kemi dal nga një brez shumë i dashur i kësaj kënge si: Bik Ndoja, Shyqyri Alushi, Naile Hoxha, Xhevdet Hafizi, Ibrahim Tukici, etj etj që i kemi qëndru besnik kësaj kënge dhe amanetin e të parëve tanë do qojmë deri sa të kemi frymë dhe za.

Keni në zemër potpuri shkodrane, këngë të Muzikës së Mesme dhe të Kosovës. Si mund ta përshkruani traditën artistike shqiptare?

Ajo që më bën të ndjehem shumë mirë dhe rehat është kënga e bukur shkodrane po duke pas parasysh se Zoti më ka dhanë dhuratë zërin. Unë kam kënduar edhe trevave të ndryshme si Shqipëria e Mesme dhe ato të Kosovës pa lënë jashtë repertorit tim edhe këngën e jugut.

Kohët e fundit kam pas bashkëpunim me këngëtarë kosovarë tepër të suksesshëm si: Shkelzen Jetishi me një duet ku tek Zhurma Show fituam çmimin e parë. E veçanta e kësaj kënge ishte se tre komponentë të kangës ishin shkodran, si autori i tekstit Ramazan Qeka, kompozitori Zaim Merkulaj dhe orkestruesi Roland Guli.

Kena një traditë të shkëlqyer ku ansablet tona e kanë treguar vendin para botës se ne jemi dikushi.

Muzika ka qenë pjesë e pandarë e jetës tuaj. Që nga prezantimi i parë në skenë në vitin 1974, në koncerte rinore si dhe në festivalet e mirënjohura në Shkodër, Elbasan etj, keni shfaqur talentin në muzikën popullore. Cili interpretim ose festival ju ka lënë më shumë mbresa në Shqipëri?

Po është e vërtetë që muzika është pjesë e jetës time. Unë jam rritur me të dhe sidomos me kangën e bukur shkodrane. Po që nga ky vit ku unë kam hypur në skenë për herë të parë dhe kam vazhduar deri në këto momente kam marr pjesë shumë në koncerte rinore dhe festivale ku në Elbasan jam fitues i këngës popullore mbarë kombëtare, fitues i maratonës së kangës popullore, fitues i shumë çmimeve të organizuara nga RTSH, fitues i Folk Univers, i dekoruar nga Presidenti i Republikës me urdhrin "Naim Frasheri i Artë" dhe "Mjeshtër i Madh", si dhe mirënjohja e qytetit të Shkodrës.

Mbresat më të forta i kam pas kur kam konkurruar gjithmonë për kangën popullore dhe gjithmonë në festivale. Koncerti që më ka lënë përshtypje ishte ky i fundit në prill 2013 recital në Pallatin e Kongreseve me 2500 spektator. Jashtë vendit ku kam shku si në SHBA, në Nju Jork, Nju Xhersi, Detroit, Çikago, Filadelfia, Boston, Las Vegas, Florida, Ohio, Dallas si dhe në Australi, në Melborn, Sidney, Adelajde, Brizban, Pertha, Kambera si dhe në Angli, Itali, Gjermani, Luksemburg, Belgjikë, Francë, Danimarkë, Kroaci, si dhe në Ulqin, Maqedoni dhe në të gjithë Kosovën jam pritur si një këngëtar me vlera shqiptare.

Më të preferuarat janë të gjithë sidomos ato shkodrane por ka fillim dhe nuk ka fund.

Cili është projekti juaj i fundit që po merreni aktualisht?

Po pregaditem për një recital në Shkodër ku do të dominojë kanga e bukur shkodrane ku do të kem të ftuar edhe miqtë e mi këngëtar nga Kosova.

Me cilin produksion po bashkëpunoni?

Me të gjitha produksionet kam bashkëpunim të mirë qofshin ata të Shqipërisë ose të Kosovës, të cilët i falënderoj për kujdesin që tregojnë për mu.

Cilat kanë qenë aktivitet tuaja kryesore të muzikës për 2013?

Aktiviteti më i rëndësishëm i imi ka qenë në vitin 2013 ku në Pallatin e Kongreseve unë së bashku me të ftuarit e mi si nga Shkodra, Tirana, Kosova e Vlora, një trup që përbëhej prej 38 vetesh ishin të pranishëm në koncert. Koncerti zgjati më shumë se 3 orë. Ishte me të vërtetë një spektakël madhështor.

Ku do e kaloni festën e pavarësisë të Kosovës? Mesazhi juaj me këtë rast?

Në radhë të parë unë i uroj të gjithë shqiptarëve ku do që janë që festën e pavarësisë të Kosovës të gjithë së bashku ta festojmë si një ditë e shumë pritur nga të gjithë siç thuhet dhe te kënga "xhamadani vija vija asht Kosova dhe është Shqipëria". Besoj se në këtë festë do jem i pranishëm në Kosovë.

COMMENTS