Gjyzepina Kosturi

gjyzepina kosturi
Gjyzepina Kosturi këngëtare lirike, soprano, Artiste e Merituar. Gjyzepina Kosturi (Misloca) lindi më 12 prill 1912 në një familje shkodrane në Tivar. I ati i saj quhej Gjokë Misloca, ndërsa e ëma Paolina Kodheli (Marubbi). E ëma ishte motra e fotografit shqiptar Kel Marubbi (Kodheli). Familja Misloca është një familje e vjetër shkodrane. Gjoka ishte i pari i katër vëllezërve: Gjokë Misloca - me dy vajza dhe një djalë (Aneta, Antoni, Gjyzepina). Pashk Misloca (me djalë Karletin) dhe Nush Misloca me dy vajza (Gjyljana Curani dhe Manda Mala).

Artikull nga gazeta "Phoenix - Qendra e Studimeve Shqiptare "Ernest Koliqi" Shkodër shkruar nga Willy Kamsi - i pari ambasador i Jashtzakonshëm i Republikës së Shqipnisë pranë Vatikanit. Në artikullin "Pjetër Ndoc Daragjati Pioner i Tregtisë Shqiptare" shkruhet: "Në kohën e Luftës së Parë Botnore, tue qenë n'Itali, qe i internuem nji vjet me gjithë familje në Kozencë, sepse, tue qenë Shkodra n'atë kohë e pushtueme prej trupave të Austri-Hungarisë, Italia i mbante me një orientim pro-austriak. Disa miq italjanë me autoritet banë që me gjithë familje ta ndërronte selinë e internimit nga Kozenca në Romë. Në të njëjtën kohë qenë internuar në Isili (Sardenjë) edhe Gjokë Misloca, Filip e Zef Guraziu me familjet e tyne."

Gjokë Misloca është një fytyrë e pastër atdhetare që njihet pak. Në kohën kur banonte në Mal të Zi dhe merrej me tregti, u kërkua nga Krajl Nikolla që shqiptarët, të cilët zhvillojshin veprimtarinë e tyne n'atë vend, të veshin "kapicë" në krye, d.m.th. të merrshin nënshtetësinë malazeze. Gjoka si shqiptar e si atdhetar, nuk ndigjoi ta bante. Mori çka kishte mundësi të merrte dhe erdhi në Shkodër, tue lanë nji tregti në lulzim, vetëm për hir të atdheut. Gjithashtu si djalë të djalit hallës është kompozitori i parë shqiptar Atë Martin Gjoka. Nga ana e nënës (duke pasur dajë Kel Marubbin), djali i vajzës së dajës është kompozitori Tonin Harapi.

Gjyzepina kryen shkollën e mesme në Itali (Bari) dhe në vitin 1931 kthehet me gjithë familjen në Shqipëri. Në vitin 1932 fiton një bursë për në konservatorin "Santa Cecilia" në Romë dhe fillon konservatorin. Pas përfundimit të konservatorit qe e fejuar me Rexhai Kosturin (atëherë drejtori i parë i Turizmit të sapo themeluar shqiptar).

Vdiq në janar të vitin 1985, në Tiranë. "Rruga Gjyzepina Kosturi" në Tiranë mban emrin në nder të saj.

Gjyzepina Kosturi në kujtimet e Prof. Ferid Nuh Bala


Ishte bijë e familjes së Mislocëve, mbesë e familjes patriote e kulturore të Marubëve dhe një artiste e madhe që asnjëherë nuk u vlerësua për vlerat e vërteta vokale që ajo shfaqi. Pas studimeve të mesme e të larta në Konservatorin "Santa Cicilias" në Itali në vitin 1937, u kthye ne atdhe si të gjithë artistët e tjerë lirik shqiptar. Rexhai Kosturi (1905-1968), ishte burri që i mori mendjen Gjyzepina Mislocit, të cilët u martuan me gjendje civile në Shqipëri. Piktor amator me virtyte të larta morale, pasionin e tij për artet figurative ja kaloj të bijve të tij. Ridhte nga familja e përmendur e Kosturve të korçës. Ishte përkthyes i shumë teksteve të operave që u vunë në skenën shqiptare deri në vitet '60.

Kur Gjyzepina ishte në vitin e dytë të studimeve Gazeta Korça, shkruante:

"Është një gëzim për neve kur shohim që shpeshherë në shtyllat e shtypit të huaj që përmenden emra artistësh shqiptarë duke përshkruar në sukseset e tyre që korrin ndër shfaqjet e ndryshme ose audionet shkollore. Ja pra pardje më ra në dorë një program dhe një gazetë artistike italiane e cila përshkruan suksesin e shfaqjes "Saggio di classe" që ka dhënë me 1 Maj 1935, konservatori "Santa Cecilja"-s në Romë , ku midis pjesmarrësve përmend edhe emrin e bursistes shqiptare që studion në shkollën e sipërpërmendur, Zonjushës Gjyzepina Misloci. Sipas programit studentja shqiptare ka kënduar disa copa midis të cilave e shënon suksesin që korri me "Duettin" (Schuman) dhe "Serenata" (Batt. Pasanni)... Theksojmë kualitete e saja vokale ,sidomos timbrin e ëmbël që posedon dhe posaçërisht kurajon që pati në sallë, ndonëse Zonjusha Misloci është në vitin e dytë". (Sotir V. Kamo)

E sollëm me qëllim të plotë këtë shënim të zbuluar kohët e fundit në bibliotekën e Korçës për të nënvizuar vlerat e larta që pati këngëtarja gjatë viteve të studimeve. Pas kthimit në atdhe, ajo u angazhua me koncerte të ndryshme nëpër qytetet kryesore të Shqipërisë. Këtë aktivitet e zhvilloi edhe pas çlirimit të vendit. Ishte ndër pedagoget e para në Liceun Artistik Jordan Misja që në vitin 1947. Deri në vitin 1952 përgatiti artistët e ardhshëm për T.O.B-in. Gjithashtu ajo me zërin e saj të bukur prej sopranoje dramatike të përmasave të mëdha, me një mjeshtëri të rrallë, interpretoi në disa koncerte të ndryshme duke patur një repertor të gjërë nga literature botërore operistike ashtu edhe nga ajo shqiptare, kryesisht popullore. Me krijimin e T.O.B–it me 1953, Gjyzepina Kosturi është nder solistet e para të kësaj trupe që dha kontributin e saj të çmuar në konsolidimin e ngritjen e nivelit cilësor dhe artistik të këtij teatri. Merr pjesë që në vënien në skenë të parë të operas Rusalka e Dargomizhskit, në rolin e Princeshës, (1956), Kavaleria Rustikana, Santuza (1958), Evgjeni Onegin, Tatjana (1959), Madam Baterflaj, Co-Co-San (1961), që ishtë edhe kulmi i realizimeve të saja operistike, ku tregoi vlera të padiskutueshme interpretative dhe muzikore, me një teknikë të lartë vokale, si aktore me një dimension të gjërë logjik të zhvillimit artistik e skenik, me një të brendshme të fuqishme dramatike që edhe sot e kësaj dite është e papërsëritshme në ato linja që e zhvilloi rolin e Baterflaj, Kosturi.

Ajo është e papërsëritshme edhe në vlerat vokale që paraqiti në ato vite. Megjithëse në moshë të thyer (mbi dyzetvjeçare) ajo i tregoi artistave të ri, se si duhet përdorur vokali e çfarë mund të përfitosh nga ai kur atë e përdor me kulturë e me shije të lartë. Ajo kishte vokal me dimension të madh dramatik, me një vibracion të shkëlqyer që mbështetej nga një ndjenjë e fuqishme dhe e brendshme. Kishte shumë të zhvilluar teknikën e dhënies së vokalit që nga forte e deri tek pianissimo, thuajse dreit shuarjes së plotë të zërit, si një puhizë që vjen pas një stuhie. Do të mbetet i paharruar dueti i aktit të I-rë me tenorin Stavri Rafael, në rolin e Pinkertonit. Co-Co-Sani i Gjyzepina Kosturit ishte i përkryer në të gjitha drejtimet. Shtypi i asaj kohe shumë i entuziazmuar për realizimin e kësaj premiere, shprehej në mënyrë superiore për Co-Co-San–in e Kosturit.

Artisti i Popullit Ramiz Kovaçi, shprehej kështu për Gjyzepina Kosturin: "Për mua dhe për këngëtarët e brezit tim, ka qënë një fat i vërtetë që kemi qënë dëshmitarë të interpretimit skeniko-vokal të Gjyzepina Kosturit, që kemi qënë partner të saj në role të rëndësishme, që kemi jetuar në një kolektiv pune .... Unë kam interpretuar me Gjyzepina Kosturin në operan, Madam Baterflaj të Puçinit... Ajo që më bënë përshtypje shumë, është aftësia e saj për të kapërcyer kufijtë e moshës dhe për ta lujatur rolin në përshtatje të plotë me kërkesat interpretative. Kam parasysh sidomos realizimin e operas Madam Baterflaj, ku ajo realizoi figurën e heroinës së operas me një vërtetësi e pasion të thellë."

Kritiku i mirënjohur i asaj kohe, Fadil Kokomani, që vdiq në burgjet e monizmit, shkruan: "... Nuk mbaj mend qe artistja t'i ketë përdorur në mënyrë kaq të përpiktë aftësitë e saja artistiko-skenike, madje as në operan Traviata të Xhyzepe Verdit, në operan Baterflaj në skenë zbërtheu e zbuloi nuance deri dje të fashitura, shtoi sinqeritetin në interpretim, e bëri gjestin e saj skenik më bujar, të bukur e të përmbajtur. Së pari Gjyzepina Kosturi, gëzoi suksesin se e meritoi atë. Ajo qysh në prezantimin e parë paraqitet si Co-Co-San e vërtetë, e zgjuar, e pastër... Ëmbëlsia lirike e shpirtit të Baterflaj të Kosturit pa të nuk mund të përfytyrojmë njërën prej figurave më poetike puçinjane, shpërthen në finale tragjike me një dramatizëm të thellë të natyrshëm."

Kompozitori Çeska Zadeja, në një tjetër artikull shkruan: "... Publiku ynë u dashurua me artisten tonë të shquar Gjyzepina Kosturi, e cila interpretoi rolin kryesor. Kjo ka pretendime të mëdha nga ana vokale dhe jo vetëm për kantilenen e saj, e cila kërkon qoftë teknikë të lartë vokale, qoftë muzikalitet të hollë... spektatori bindet për një rrjedhshmëri pa sforcime vokale të saj e cila nuk dëmton aspak melodinë e Puçinit. Edhe në notat akute të saj, edhe në ato më të ulta, ajo di të ruaj ngjyrën e zërit."

gjyzepina kosturi soprano
Në mendjen tonë që e kemi njohur në punë dhe në marëdhënie artisten me studentët mbetet si shembulli i punës dhe i virtyteve të vërteta të një artisteje të madhe. Mësuese e mrekullueshme e brezave të tërë këngëtarësh, ajo paralelisht dha edhe koncerte të shumta si brenda e jashtë shtetit.

Ajo e deshi shumë këngën popullore ndër të cilat më tepër këndonte vazhdimisht në shfaqjet e saja si: "Marshalla bukuris sate", "Gjylvatani", "Jar të du dhe këngën", "Mori drandofillja e vogë", janë një shembull që tregon se artistja edhe në këtë gjini kishtë pikësynime të qarta të një analize të hollë artistike. Ajo dijti që tu jepte vlera origjinale vokale këtyre këngëve që nuk u regjistruan kurrë. Për kontributin e saj të madh pedagogjik, në Liceun Artistik e më vonë në Konservatorin e Tiranës dhe kontributin e çmuar në fushën e artit operistik në T.O.B., ajo është nderuar me urdhëra e çmime dhe mban titullin Artiste e Merituar. Gjyzepina Kosturi i la pas vetes një emër të nderuar që do të kujtohet gjithmonë e do të nderohet brez pas brezi. Vdekja e saj në Tiranë, ishte edhe nji homazh përcjelljeje nga qindra, koleg dhe artist, ish-studentë e dashamirë të muzikës operistike, kjo edhe në shenjë falënderimi për atë çfarë i dha artit Shqiptar.

COMMENTS