Kisha e Shirqit

Kisha e Shirqit, fshati Shirq, Njësia administrative Dajç, (Bashkia Shkodër - Rrethi Shkodër). Objekt kulti i shek. XIII, Monument kulture i Kategorisë I.

kisha e shirqit church in shkodra

Bizhuja e humbur e Shirqit


- Nga Aurel Plasari

Kisha e moçme kushtuar shenjtërve Sergji dhe Baku në Shirq të bregut të Bunës pranë Shkodrës, që njihej në popull edhe si "e Shna Prendes", ka përfaqësuar mbetjen ndoshta më të shquar të arkitekturës mesjetare në Shqipëri. Të mbahet parasysh se në Mesjetë Shirqi pati funksionuar si skela e Shkodrës dhe si doganë. Sikurse e shumta e hulumtuesve të saj e kanë pranuar, kisha i përkiste një stili të përzier romanik-gotik. Mbështetur në njërin nga dy mbishkrimet në gur, që pati regjistruar, lexuar dhe transliteruar Theodor Ippen, atij që në kohën e tij ndodhej në fasadën ballore, kisha delte e ndërtuar në vitin 1290 prej mbretëreshës frënge Helenë. Mbretëresha Helenë ishte bijë e perandorit Baldovin II, grua e mbretit të Rashës Urosh I dhe regjente e mbretërisë së Rashës gjatë miturisë së bijve të saj Stefan (Dragutinit) dhe Urosh (Milutinit).

Për t'u habitur që Ippen-i nuk i ka kushtuar vëmendje të plotë përmbajtjes së këtij mbishkrimi të parë, në të cilin thuhet shtjellimisht "edificavit de novo istam ecclesiam" (pra: "e rindërtoi së rishti këtë kishë"), çfarë do të thotë që Helena pati bërë një rikonstruksion/rindërtim të një kishe paraekzistuese, e cila është e besueshme t'i ketë përkitur kohës së Justinianit, kur kulti i Sergjit dhe Bakut martirë u përhap në Siri, Arabi, Irak, Kostandinopojë, Peloponez, Maqedoni etj. Mbështetur në tekstin apokrif Jeta e Justinianit (Apocrypha Vita Justiniani), autorët e Acta-ve janë përpjekur të saktësojnë që kisha në fjalë lidhet me një manastir aty paraekzistues të urdhrit të Shën Benediktit themeluar nga vetë perandori Justinian në shek. VI (Acta, I, nr. 76).

Simbas mbishkrimit të dytë, që ndodhej mbi arkitraun e portës kryesore, kisha del edhe e ndërtuar nga mbreti Urosh (Milutini), pa përmendjen e s'ëmës Helenë, por me ndihmën e një abati shkodran të quajtur Pjetër Dochne. Bllokun e gurit Ippen-i e gjeti të dëmtuar rreth mesit të tij, pikërisht aty ku duhej të ishte edhe viti, dhe e dha vitin me hamendje 1293. Por mbishkrimet qenë botuar më 1875 edhe nga Augustin Theiner-i (Monumente të vjetra, II, 218), i cili i jepte simbas një relacioni që e konsideronte të Pjetër Bogdanit, dhe ky mbishkrim i dytë në këtë relacion rezulton i vitit 1318. Po kështu e kanë dhënë më 1879 Jireèeku (Rrugët tregtare, 66 shën. 210) dhe më mbas Jastrebovi, i cili edhe e vizitoi kishën e rrënuar (Serbia e Vjetër dhe Arbëria, 160). Duke qenë se në botimet në fjalë (në relacionin) nuk përmendet ndonjë thyerje guri, duhet besuar që të jetë i saktë 1318-a. Ka gjasë që në këtë mbishkrim të jetë fjala për një ndërtim të dytë (ose të tretë të kishës nga Uroshi për shkak të dëmtimit të saj prej ujërave të Bunës dhe nevojës së tërheqjes në një kishë tjetër, më në brendatokë.

Dëmtimet që kishte pësuar kisha me pushtimin osman gjenden të përshkruara, ndër të tjerë, prej Imzot Marin Bizzi-t në Relacionin e tij të 1611-s. "Ishte me një strukturë të madhërishme, - shkruan ai për të, - në gjendje të nxinte brenda 3.000 vetë dhe stolisur me piktura shenjtërish të cilëve turqit ua kishin nxjerrë sytë, përpos Shën Gjergjit dhe Shën Mhillit, mbasi këta dy shenjtër nderoheshin edhe prej muslimanëve" (Zamputti: Relacione, I, 103). E ka përshkruar në një relacion të vitit 1622 edhe Ipeshkvi i Shkodrës Imzot Domeniku (Qytetërimi katolik, 6 korrik 1929, 16). Edhe Arkipeshkvi i Tivarit, Imzot Vinçenc Zmajevici, e ka përshkruar në Relacionin e vet të vitit 1702: me tri nefe të zbukuruara, 24 hapa e gjatë dhe 24 e gjerë, e stolisur e gjitha në mermere të holla dhe e pikturuar a fresco mbas mënyrës së vjetër, por e zbuluar prej turqve që kishin nevojë për tjegulla dhe në rrezik shembjeje në shumë vende, me sakristinë pa çati dhe gjysmë të rrënuar, si dhe me kambanaren të rrëzuar (Bartl: Quellen, 41-42). Edhe tjetri arkipeshkëv i Tivarit, Imzot Vladagni, i kushtonte vëmendje asaj në Relacionin e vitit 1772, duke dhënë njoftime për të të përmbledhura (Zibaldone, I, 380). "Kambanarja e saj është shembur, muret mbahen ende, por në gjendje të keqe", ka shënuar ai. Po kështu ka dhënë njoftime për të, në një relacion të vetin po të 1772-shit, Imzot Gjergj Radovani, Ipeshkëv i Shkodrës (Zibaldone, I, 157).

Në kapërcyell të shekujve XIX-XX dhanë e morën me studimin e kësaj kishe hulumtues shumtë, si Schwatz (Mali i Zi, Leipzig 1888, 204), Matkovic (Përshkrim, 251), Mijatovic (Kumtari, XLIX, 128), Karl Patsch (Njohuri, Sarajevo 1907, V, 9 dhe vij.) etj. dhe, me sa duket njëkohësisht, konsulli frëng në Shkodër Degrand dhe konsulli austro-hungar po aty Ippen. Në Kisha të vjetra dhe rrënoja kishash në Shqipëri (1900) Ippen-i bëri inventarin e saj të asaj kohe, regjistroi, lexoi dhe transliteroi dy mbishkrimet, përshkroi teknikën e ndërtimit dhe llojet e materialeve të ndërtimit. Me rëndësi për historinë kishëtare dhe kulturore vërejtja e tij: "Mbretëresha Helenë mbeti një katolike besnike, ndonëse ajo nëpërmjet martesës kishte ardhur në një familje dhe në një vend që lëkundej midis besimit katolik dhe atij grek [ortodoks]" (230). Ippen-i u shqetësua edhe për të ardhmen e rrezikuar të këtij monumenti të rrallë: "Mjerisht ky monument i bukur, për shkak të parregullsisë së trishtueshme dhe gjendjes së keqe të sistemit lumor në provincën e Shkodrës, mund të ruhet vetëm për pak kohë.

Ujët e lumit përparon paprerë drejt kishës, saqë fasada anësore që sheh andej tani është nën ujë, e rrëzuar në shtratin e lumit. Ekziston rreziku që Buna të shkëpusë nga bregu atë copë toke mbi të cilën ngrihet kisha, duke e shpëlarë më mbas ndërtesën, që do të mbetej si ishull, me vërshimet e njëmbasnjëshme. Në këtë rast zona e Bunës do të humbiste një simbol, i cili nga kurora e drurëve shekullorë që rrethojnë kishën spikat që së largu përmbi fushë" (229). Degrand-i, nga ana e tij, e ka lënë të pëshkruar në Kujtime nga Shqipëria e Epërme (1901, 95-96). Ai regjistroi shumë mbetje, që mund të gjendeshin ende në kohën e tij: një shtyllëz, një basoreliev (me një shqipe me krahë të hapur përmbi), kupën e ujit të bekuar me stolisje të veçanta, por edhe mbetje pikturash me figura shenjtërish, madje në një pjesë të paprishur të kupolës një figurë të madhe me mjekër të zezë, ndërsa nëpër muret shenjtër tre nga tre (96).

Në vitet '30 u mor me përshkrimin e saj edhe E. Armao, në veprën e vet kërshërore Vende, kisha, lumenj, male dhe toponime të ndryshme të një harte të lashtë të Shqipërisë veriore (1933). Hulumtuesi tjetër italian Sergio Bettini, që e vizitoi dhe e studioi atë po në vitet '30, bëri mjaft matje dhe përsaktësime sa i përket stilit të saj, mënyrës dhe materialeve të ndërtimit. Ai vinte re edhe: "Duke ardhur nga veriu, të duhet të bartesh më not me kalë nëpër ujët gjithë baltë të lumit. Për t'iu ngjitur bregut, kafsha çukërmon dhe rrëshqet mbi grumbuj tullash dhe rrasash guri, që janë mbetjet e krejt nefit të majtë të kishës, e gërryer në themele dhe e tërhequr poshtë nga ujërat e lumit, që në stinën e shirave depërton edhe mes pilastrave të mbetur në brendësi dhe që për një kohë të shkurtër do të shkatërrojë çdo gjurmë të asaj që është ndoshta mbetja më e shquar e arkitekturës mesjetare në mbarë Shqipërinë" (Dëshmi, 113-114).

Po në vitet '30 me historikun e saj u mor përimtisht historiani At Marin Sirdani në punimin Mbretnesha Helena de Francia dhe Kisha e Shna Prendes në Shirq ("Hylli i Dritës", II, 1930). Ky bëri matje të reja të reja të kishës, përshkrim të hollësishëm gjithashtu me dhëna të reja të saj, dhe pati mendjen e hollë të vinte re elementet bizantine në stilin e saj (81). Çfarë ka më rëndësi, ai ia doli të ndante mirë dy kishat pranezistuese njëra me tjetrën aty: atë të Shna Prendes me mbishkrimin përkatës dhe atë të Shna Bakut ose, si e thërrisnin vendësit, Shna Baftit, me mbishkrimin e saj (83-84).

Në vitin 1953 gurët me mbishkrime i gjeti në ujët e Bunës Theofan Popa, i nxori së andejmi dhe ata u vendosën në Muzeun e Shkodrës (Mbishkrime, nr. 914). Sa u përket dy mbishkrimeve, Popa ishte i mendimit që rindërtimi i Uroshit (Milutin) mund të jetë bërë eventualisht në vendin e ndonjë kapele të vogël paraekzistuese të Shna Prendes, përderisa në popull kisha vijonte të quhej "e Shna Prendes" dhe, në këtë mënyrë, gjen shpjegim edhe ekzistimi i dy mbishkrimeve të ndryshme në të njëjtën ndërtesë (Mbishkrime, nr. 914); teza e tij qe pak a shumë ajo që kishte shtjelluar Sirdani më 1930-n (Mbretnesha Helena, 75-90). Nga vitet '60 e këndej u interesua për këtë kishë posaçërisht Willy Kamsi, i cili madje ia doli të shpëtonte ndonjë mbetje, por edhe t'i parashtronte përfundimet e hulumtimeve të tij në kumtesa, si Një kishë e stilit romanik-gotik në Shqipërinë e Veriut (1984) dhe Kisha e kuvende të Shkodrës me rrethina në Mesjetë (2000) etj.; prej tij pritet edhe monografia e plotë për këtë monument.

Kamsi gjithashtu ka sqaruar se kisha në fjalë, si dhe ajo e Shtojit apo ajo e Vaut të Dejës etj., kanë qenë kisha me kuvende të Urdhrit benediktin, prandaj është pa vend mëtimi që ato t'i kenë përkitur ortodoksisë sllave; edhe fakti që ndonjë prej tyre, si kjo e Shirqit, u pat ndërtuar prej Helenës, së shoqes së Uroshit II, nuk provon gjë, mbasi ajo ishte katolike dhe vetëm më vonë, së toku me të bijtë, do të kalonte në ortodoksi (Kisha, 123). Po shtoj se kjo gjendje vërtetohet edhe prej burimesh dokumentare, ndër të cilat një letër e 23 marsit 1291 (pra një vit mbas rindërtimit të kishës së Shirqit) me të cilën papa Nikollë IV lavdëron "mbretëreshën katolike" Helenë që, nëpërmjet Marinit arkipeshkëv i Tivarit, e ka bërë me dije se do të punojë për të kthyer në katolicizëm edhe Perandorin e bullgarëve (Cordignano & Valentini: Regesti, nr. 75-76).

Guri me mbishkrimin e vitit 1290 ruhet sot në Muzeun Kombëtar, Tiranë, ndërsa ai me mbishkrimin tjetër, të 1318-s, ndodhet në Muzeun Historik të Shkodrës. Prej monumentit në fjalë mbetet gjithnjë më pako-gjë: një gjysmë mur që ende mbahet, rrënojat thuajse më të shumtat nën ujërat e Bunës dhe, fatmirësisht, fotot dhe skicat e bëra nga një Ippen, një Degrand, një Cordignano, një Bettini etj. Në këtë mënyrë shqiptarët panë se si erdhi e humbi para syve të tyre, dalngadalë dhe shekull mbas shekulli, mbetja ndoshta më e shquar e arkitekturës mesjetare për Shqipërinë: bizhuja e Shirqit.

COMMENTS