Lukë Kaçaj

luke kacaj
Lukë Kaçaj lindi më 19 korrik 1926, në Bajzë të Malësisë së Madhe. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në Gjimnazin e Jezuitëve në Shkodër, me mësues At Martin Gjoka dhe që në këtë kohë ai shfaqi dhunti të pazakonta muzikore.
Nga një copë fushë mes malesh, nga Bajza e Kastratit, do të zbriste edhe Luk Kaçaj për në shkollën e etërve dhe falë zërit të tij do të bëhej pjesë e korit të At Filip Mazrekut, At Martin Gjokës e Prenkë Jakovës, së bashku me ata emra që e themeluan muzikën shqiptare si Çesk Zadeja, Tonin Harapi, Simon Gjoni, Tish Daija etj. Mësuesit françeskanë, metaforikisht malin po e afronin me detin në një shkollë qytetase, e thënë kjo me gjuhën e Koliqit.

Lukë Kaçaj ra në sy vrullshëm dhe u dërgua të studionte në konservatorin "Çajkovski", ku shkëlqeu në mënyrë të pakrahasueshme në skena të ndryshme të botës. Shumë herët iu desh të mbante barrën e krahasimit me të madhin Shaljapin, ose "Albanskij Shaljapin". Muzika e varfër shqiptare duket e kishte të vështirë ta kapërdinte këtë kafshatë të madhe. Në kursin e Belkantos spikaste shqiptari Luk Kaçaj, bullgari Nikolai Ghiaurov dhe rusi Sasha Vedernikov.
Pas çlirimit, në vitet 1947-1950, punon në Korin e Përgjithshëm të Shtetit dhe në Ansamblin e Ushtrisë si solist dhe si korist.

Në vitet 1950-1955 kryen studimet e larta për kanto pranë Konservatorit P. I. Tchaikowsky, në Moskë dhe që në atë vit emërohet solist në TOB. Ndërkaq, që në kohën e studimeve Kaçaj ishte aktivizuar dhe në disa aktivitete ndërkombëtare, duke marrë edhe çmime.

Në TOB realizon mjeshtërisht role të paharruara nga operat shqiptare dhe botërore, duke u bërë një ndër artistët më të njohur e të preferuar në Shqipëri. Në vitin 1966 emërohet pedagog i kantos në Institutin e Lartë të Arteve dhe jep kontributin e tij të çmuar në përgatitjen e brezit të ri të këngëtarëve.

Kjo karrierë ndërpritet në vitin 1973, kur Lukë Kaçaj burgoset nga regjimi i asaj kohe. Del nga burgu në vitin 1991 dhe vazhdoi të aktivizohet në jetën muzikore shqiptare.

Lukë Kaçaj vdiq më 7 shtator 2001 në Laç.

Pas vdekjes, Presidenti i Republikës Bamir Topi ka nderuar Lukë Kaçaj me dekoratën "Nderi i Kombit".

luke kacaj dhe ana jakova
Lukë Kaçaj me bashkëshkorten Ana Jakova

Poema e dramës të shpirtit


- Kujtimit të baritonit me famë ndërkombëtare, Llukë Kaçajt, nga Perikli Jorgoni)

Sa forcë karakteri edhe ç'durim i rrallë
Të duhet, mos përfillësh kaq zgjyrë, llohë e baltë,
Që vjen e të përplaset në zverk e në fytyrë,
Kur shpifja e mashtrimi të sulen bulçifryrë,
Kur laro e zuzarë, spurtdhjakë e zagarë
Jetojnë në mes pallatesh si princa e pashallarë.

Si nuk të plasi zemra, s't'u ça plot mllef prej dhimbje
Si zhgualli i breshkës, si boçja e një pishe,
Kur pe me sy papritur, me ngjethje e i habitur,
Mes skuthash e tinëzarësh finokë e të lajthitur
Dhe ndonjë shok a mike, që shpirti yt i pastër
Kujtonte se i kishte të besës e të afërt,
Se me ta shpesh ke qeshur, ke bredhur e ke pirë
Diku në një gosti, raki apo një birrë.

Nuk prisje që ky gjyq, i ngrehur e i shtirë,
Të nxirrte pa një njollë, shëndoshë e të dëlirë,
Kur trupin në qelitë kallkan në errësirë
Ta kishin rrahur rëndshëm, sa sytë t'i kishin nxirrë,
Ndaj brinjët e kokallat të thernin e s'bëje gjumë
I shembur në mes rreckash plot pluhur edhe zhul.

Gjithçka do të duroje, edhe pse mjaft i tretur,
Me sy të futur thellë, pa gaz e si të mekur,
Mos dilje nëpër rrugë pa nder e si cofëtinë,
Sa njerëzve t'u ngjallje keqardhje e lemerinë,
Më mirë në llum kënete, në puse e minierë,
Edhe pse larg muzikës, që fort deshe ngaherë.

Prandaj përpara gjyqit, që nisi të gjykonte,
Teksa gjindja e lodhur e shtangur po dëgjonte,
S'u theve si një degëz e njomë e për mëshirë
S'u lute i tmerruar nga kthina e zinxhirë,
Por kur pe nënë Tonen të mbledhur e të ngrysur,
Tek fshihte tinës lotët, tek rrekej për të mbytur
Rënkimet e gulçimet, që s'mund t'i ndrydhte brenda
Në shpirtin e munduar shkallmuar keq nga brenga,
Kur pe si Ana e dashur, ia plasi vajit e qeshi
Dhe ra përdhe si zogëz nga shqota e rrebeshi,
Nuk munde të përmbahesh, por brofe shpejt që pranë,
Ti ndodheshe, por rojet t'u turrën e s'të lanë.

Bërtitën, u xhindosën, sikur po ngjante gjëma,
Sikur shembej kupola e po i zinte brenda,...

*****

Një natë para se të ndërronte jetë, Perikli Jorgoni ishte ulur, siç bënin shpesh, në tavolinën e punës me bashkëshorten Elidën. "Ai tha që do të bëj një poemë për Llukë Kaçaj, basin e famshëm", - tregon Elida, bashkëshortja e poetit dhe përkthyesit që u nda nga jeta aksidentalisht më 12 dhjetor 2012.

Ajo tregon: "Ai e nisi dhe unë e shtypja në laptop. Përjetimet e tij ishin të fuqishme dhe ne hodhëm aq sa mundi, për të vazhduar ditën e nesërme, por ja që të nesërmen nuk mundi...". Në fund të poezisë automatikisht laptopi ka regjistruar orën e saktë, kur është ndërprerë puna me shkrimin e kësaj poezie për të vijuar ditën tjetër "Date modified: 11/12/2012 - 20:15".

Por atë ditë poeti nuk u kthye dot në shtëpi, për shkak të aksidentit tragjik. Vargjet për fatin tragjik të Lukë Kaçaj i kanë jehuar në kokë deri në çastin e fundit, sepse do të vazhdonte pjesën tjetër aty ku e kish lënë...

COMMENTS