Tinka Kurti

Tinka Kurti, Kurti Tinka Thani
Aktorja Tinka Thani, e njohur gjerësisht nga publiku me emrin Tinka Kurti, lindi më 17 dhjetor 1932 në Sarajevë, Bosnjë Hercegovinë. Tinka është fëmija më i madh ndër katër fëmijët e familjes së Ded Thanit. Motra e Tinkës ishte Mjeshtrja e Merituar e Sportit Pina Thani, e cila u nda nga jeta në vitin 2007 në Bernë të Zvicrës. Bashkëshorti i Tinka Kurtit ishte Palokë Kurti, nipi i kompozitorit dhe drejtuesit të Bandës së Shkodrës Palokë Kurti.

"Zoja e randë" e teatrit dhe kinemasë shqiptare, Tinka Kurti u ngjit për herë të parë në skenë kur ishte vetëm 14 vjeç. Për disa vjet u aktivizua në teatrin amator në Shkodër. Më 1947 u përjashtua nga Liceu Artistik i Tiranës dhe nuk mori asnjëherë ndonjë diplomë shkolle, por kjo nuk e pengoi të bëhet një aktore e madhe dhe e shumë e kulturuar.

Që nga viti 1949 e deri sa doli në pension ishte aktore e teatrit "Migjeni" të Shkodrës, ku interpretoi rreth 120 role. Veçanërisht e suksesshme në rolet e forta dramatike të nënave, por po kaq e suksesshme në komedi. Shkëlqen me role protagoniste në "Gjaku i Arbrit", "Histori Irkutase", "Toka Jonë" - ku luan në fillim Filen e pastaj Loken, "Fisheku në pajë" apo "Fejesa e Çehovit". Si rrallëkush, Kurti rikonfirmon talentin e saj edhe në kinema, duke interpretuar në rreth 35 filma artistikë, duke filluar me filmin e parë të metrazhit të gjatë, "Tana", më 1958.

Të paharruar kanë mbetur Nënë Pashako tek "Yjet e netëve të gjata" (1972), nëna tek "Çifti i lumtur" (1975), Sinjorina Mançini tek "Vajzat me kordele te kuqe" (1978), gjyshja tek "Zemra e nënës". Rolet e arrira i sigurojnë çmime të ndryshme, si në festivalet kombëtare të filmit, ashtu edhe ato të teatrit, të cilat kulmojnë me çmimet e karrierës në të dyja fushat. Këtyre çmimeve u shtohen edhe vlerësime të tjera të rëndësishme, si medalja "Mjeshtër i Madh i Punës", akorduar nga Presidenti i Republikës.

Disa nga filmat në të cilët ka interpretuar Tinka Kurtin janë: Tana (1958), Guximtarët (1970), Yjet e netëve të gjata (1972), Operacion Zjarri (1973), Lumë drite (1975), Çifti i lumtur (1975), Emblema e dikurshme (1976), Vajzat me kordele të kuqe (1978), Gjeneral gramafoni (1978), Nusja (1980), Mëngjeze të reja (1980), Si gjithë të tjerët (1981), Qortimet e vjeshtës (1982), Besa e kuqe (1982, Hije që mbeten pas (1985, Në emër të lirisë (1987, Zemra e nënës (1995, Nata (1998, Etjet e Kosovës (2006, Mira (2008), Ne dhe Lenini (2009), Familjet (2009), Gjallë! (2009), Në kërkim të kujt (2012).

COMMENTS