Xhamia e Plumbit, Shkodër

xhamia e plumbit shkoder
Xhamia e Mehmet Pashë Bushatit ose Xhamia e Plumbit është një monument kulture i kategorisë së parë në Shkodër. Ndër veprat e shumta të ndërtuara në Shkodër nga trashëgimtarët e njëpasnjëshëm e sundimtarë të mëdhenj siç ishin Bushatllinjtë, është dhe Xhamia e Plumbit, e cila njeh si datë të lindjes së vet, vitin 1773. Kjo vërtetohet edhe me shqipërimin e shkrimit të gdhendur në pllakën e vendosur mbi derën kryesore të kësaj xhamie, ku thuhet: "Viti 1187 Hixhri është data e ndërtimit të xhamisë së madhërishme prej Mehmet Pashës, zot i bamirësive." Dhe më poshtë: "Viti 1280 është data e riparimit të xhamisë prej kujdestarit të saj Haxhi Mahmut Berberi". Respektivisht, këto dy data të kalendarit islamik, përkojnë me vitet 1773 dhe 1863.

Ajo çka është për t'u shënuar mbi jetën e kësaj xhamie, krahas asaj se ky institucion i rrallë kulti tipik i stilit turko- arab është tregues i një stadi të lartë mirëqënieje të lagjes së vjetër Tabakë në gjysmën e dytë të shekullit të 18 dhe gjatë shekullit të kaluar, është historia e dhimbshme e kubeve prej plumbi, të cilat, më se një herë u bënë objekte vjedhjesh e grabitjesh.

Kështu, menjëherë pas shpërthimit të kufijve të qytetit të vjetër drejt asaj zone ku sot shtrihet Shkodra, xhamia ra prè e individëve të ndryshëm, të cilët, për arsye tregtie, hoqën shtresat e konsiderueshme të plumbit nga kupolat e xhamisë. Megjithatë, viti 1913 e gjeti Xhaminë e Plumbit me disa shtresa plumbi, por ushtria e Vjenës e vazhdoi edhe më tej shkretimin e objektit, duke i hequr dhe mbetjet e fundit. Është plotësisht e vërtetë se Xhamia e Plumbit është "fundosë", veçse kjo "fundosje" - siç i thonë shkodranët - nuk ka ardhur për arsye të zhytjes së ndërtesës në thellësi shkaktuar nga paqëndrueshmëria e shtresave të dobëta me përbërje kryesisht gëlqerore. E vërteta flet me gjuhë tjetër: Ajo fushë ku kalon Drini, në kohën e ndërtimit të Xhamisë ishte shumë me e thellë nga ç'është sot. Mjafton të thuhet se Xhamia e Plumbit kishte 8 "dhëmbë" shkallë për të kuptuar se prurjet e Drinit në këtë fushë e kanë ngritur nivelin e tokës, por jo se kanë ulur atë të xhamisë, minarja e së cilës, pas riparimit të fundit rreth vitit 1920 nga Xhelal Pasha, nipi i Vezirit Plak të Bushatllinjve të Shkodrës, u shëmb prej një rrufeje në vitin 1967. Po në këtë vit, Xhamia e Plumbit u mbyll, por për çudi, ajo është ndër të paktat xhami në krejt Shqipërinë që nuk u shkatërrua nga ateizmi i çmendur komunist.

xhamia e plumbit shkoder
E tërë Shqipëria, por sidomos Shkodra, është dëshmitare e shkatërrimit të mjaft objekteve të kultit mysliman, mes të cilave, edhe ndërtime të jashtëzakonshme, si Xhamia e Parrucës, e Kirasit, e Selvisë, etj... Ndërsa po ndërtohej xhamia, vetë Mehmet Pasha mori pjesë në punimet; ky gjest shpjegohet me përkushtimin e tij fetar dhe me qëllimin që me i tregue popullit se puna është e madhërishme, aq më tepër në vepra publike. Në lidhje me pjesmarrjen e Mehmet Pashës në këto punime ka një anektodë: Një fshatar donte t'i paraqiste një ankesë personale Pashës; mori vesh se ndodhej mes punëtorëve, por nuk e dallonte, sepse ai ishte i veshur thjeshtë. Rastisi që vetë personi ta pyeste vetë (vetë Pashën) se ku gjendej Pasha dhe mori përgjigje që të priste pak. Pas përfundimit të punës, Pasha u vesh zyrtarisht dhe i doli para hallexhiut që mbeti i prekur nga thjeshtësia e tij. Pritet që xhamia të restauroet së shpejti.

COMMENTS