Bashkia Shkodër, Qarku Shkodër

bashkia shkoder rrethi shkoder qarku shkoder
Bashkia Shkodër është njëra nga dy bashkitë e Rrethit të Shkodrës që bën pjesë në Qarkun e Shkodrës. Siperfaqja territoriale e Bashkisë Shkodër është prej 16,46 km2 me popullsi 114 800 banorë. Bashkia Shkodër kufizohet si më poshtë:

  • Veri me Komunën Rrethina.
  • Jug me Komunën Berdicë dhe Komunën Gur i Zi.
  • Lindje me Komunën Rrethina dhe Komunën Guri i Zi.
  • Perëndim me liqenin e Shkodrës.

Historia: 1865-1990

Fillimet e institucionit të bashkisë në Shkodër datojnë në vitin 1865. Deri në vitin 1913 ajo u quajt "Beledie", "Përlimtare" deri në vitin 1920 dhe "Bashki" pas këtij viti. Deri në shpalljen e Pavarësisë këtë institucion e kanë drejtuar: Ibrahim Idriz Hoxha, Selim Çoba, Isuf Golemi, Bektash Kazazi, Shaqir Bushati, Riza Kopliku e Muharrem Gjylbegaj. Ky i fundit, përveç të tjerave, ka meritën që ngriti flamurin kombëtar më 28 nëntor 1913 në institucionin që drejtonte, si simbol i bashkimit të Shkodrës e krahinave të saj me qeverinë e parë shqiptare të krijuar në Vlorë nga Ismail Qemali një vit më parë. Po ashtu edhe për ngritjen e këtij flamuri në Kalanë e Shkodrës më 19 mars 1914.

Më 1916, Kryetar i Bashkisë Shkodër u zgjodh Musa Juka, i cili, në këtë vit, rikonstruktoi ndërtesën, që sot ashtë selia e Prefekturës së qytetit. Këtë funksion, Musa Juka e mbajti gjatë periudhës së sundimit austro-hungarez (1916-1918), në atë të protektoratit të forcave ndër-aleate (1918-1920) dhe atë të qeverisë shqiptare që doli nga Kongresi i Lushnjes (1920-1924).

Në periudhën qershor-dhjetor 1924, kryetar i bashkisë ishte Muhamet Gjyrezi, ndërsa në janar 1925, Mehmet Shpuza. Më 24 gusht 1928 në këtë post vjen Rustem Ymeri, që pas disa muajsh, zëvendësohet nga Izet Dibra (deri në qershor 1930). Prej kësaj kohe (deri në janar të vitit 1931) vjen në këtë detyrë Zenel Prodani. Për dy vjet (janar 1931-mars 1933) kryetar i bashkisë së Shkodrës rikthehet Rustem Ymeri. U zëvendësua nga Zenel Prodani gjatë periudhës prill 1935 - gusht 1937). Për dy vjet (gusht 1937 - qershor 1939) në këtë post ishte Ndoc Çoba.

Për tre vjet (1939-1942) ishte Mark Kakarriqi e pas tij Zef Shiroka (maj 1942 - shkurt 1943), Loro Suma (Shkurt 1943 - prill 1943), Zef Gjeta (prill 1943 - korrik 1944) dhe Dhimitër Bojaxhiu (deri në 1945). Struktura e bashkisë, në formën më përparuar të paraluftës (1928-1939) përbëhej nga Kuvendi i Bashkisë, Këshilli i Bashkisë, Kryetari i Bashkisë dhe Personeli i Bashkisë.

Më shndërrimet demokratike të viteve '90, zgjedhjet e para pluraliste për postin e kryetarit të Bashkisë së Shkodrës (26 korrik 1992), në mes të 5 grupimeve politike, fitoi kandidati i PD, z. Filip Guraziu.

COMMENTS