Biblioteka Marin Barleti, Shkodër

Biblioteka e Shkodres
Biblioteka publike "Marin Barleti" në qytetit Shkodrës u themelua në vitin 1931 në një lokal të thjeshtë në qendër të qytetit që nga shkodranët thërritej "Milet Bahçe". Fondi fillestar i librave të kësaj biblioteke u financua nga vetë Bashkia e Shkodrës. Librat e parë të kësaj biblioteke mbajnë vulën e Bashkisë së atëhershme. Krijimi i kësaj biblioteke ishte frut i një tradite të vyer të qytetit tonë, traditë e filluar që në mesjetë, e vijuar më pas me bibliotekën Bogdani, dhe atë të Myftiut të Tabakëve. Biblioteka të rëndësishme të Shkodrës kanë qënë edhe ato të institucioneve fetare siç ishte biblioteka e Medrezes së Naltë pranë Kalasë Rozafa, bibliotekat e çmuara të etërve Jezuitë (1858) dhe atyre Françeskanë (1875).

Krijimi më 1917 në Shkodër i bibliotekës së Komisisë Letrare duhet të konsiderohet si djepi i krijimit të së parës bibliotekë publike shqiptare. Në vitin 1921 kjo bibliotekë e transferuar në Tiranë do të bëhej bërthama e Bibliotekës Kombëtare të sapongritur. Në historinë e gjatë të traditave bibliotekare të qytetit të Shkodrës një rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe bibliotekat e shoqërive kulturore dhe ato private. Në vitin 1945 me mbylljen e institucioneve fetare dhe organizimeve shoqërore, një pjesë e fondit të bibliotekave të tyre i kaluan në zotërim bibliotekës publike. Nuk mund të lëmë pa përmendur edhe ndihmat e qytetarëve shkodranë për pasurimin e fondeve të saja. Biblioteka e qytetit ka lëvizur disa herë në godina të ndryshme. Në vitin 1946 vendos tek Muzeu i Vjetër apo Sahati i Inglizit siç cilësohet në gjuhën e popullit, e më vonë në ndërtesën e sotme të Bashkisë. Në vitin 1968 u vendos në godinën që është sot dhe mori emrin Marin Barleti. Biblioteka ruan në fondet e saj libra të shekullit XV-XVI të shtypur në qendra të mëdha të Europës si: Gjermani, Zvicër, Paris, Itali etj., të cilët dallohen nga teknika e shtypjes dhe bukuria e tyre në paraqitje.

Koleksionet e çmuara që ka biblioteka e kanë kthyer atë në një qendër të rëndësishme shkencore, sidomos sa i takon shkencave humane dhe filologjike. Bazuar në fondin e librave në gjuhën shqipe, në fondin e periodikut, në bibliotekën e fëmijëve si dhe në mjetet e kërkimit, biblioteka është kthyer në një qendër promovimi dhe garantimi të edukimit të vazhdueshëm të qytetarëve. Ambientet e bibliotekës shpesh herë përdoren edhe për veprimtari kulturore, promovime librash, hapje ekspozitash etj. Numri i vizitorëve në bibliotekë gjatë vitit është rreth 9000. Numri i lexuesve me kartela në vitin 2007 ishte 5000. Ata, tërhoqën 26.500 libra. Çdo vit në bibliotekë zhvillohen rreth 13 aktivitete të ndryshme. Veprimtarinë e saj biblioteka e mbështet edhe në lidhjet e vazhdueshme që ka me një rrjet të tërë bibliotekash që veprojnë në Shkodër, ku mund të veçojmë bibliotekën e re të Universitetit "Luigj Gurakuqi", atë të Muzeut Historik, Bibliotekën "Gjergj Fishta", Bibliotekën e Seminarit Ndërdiocezan , Bibliotekën e Myftinisë, ato shkollore si dhe bibliotekat personale.

Biblioteka Marin Barleti ka lidhje edhe me biblioteka të tjera brenda dhe jashtë vendit. Ajo është e përfshirë në projektin Interreg IIIA dhe "Hadriati-cum" duke synuar të përfshihet edhe në projekte të tjera.

Një proçes i plotë ristrukturimi ka filluar në bibliotekë duke synuar kthimin e saj në parametrat bashkohorë të bibliotekave moderne.

Historiku i bibliotekave të Shkodrës

Tradita e librit lidhet me Shkodrën si qëndër e rëndësishme administrative, fetare dhe ekonomike. Shkodra mban në vehtvehte historinë e librit dhe të bibliotekave. Në morinë e shumtë të fakteve të nxjerra nga studiuesit e kësaj tradite shënojmë: Që në 1563 flitet për ekzistencën e një shtypshkronje pronë e një farë Shtjefni prej Shkodre, në të cilin u shtyp një libër fetar serb. Nga gjysma e dytë e shekullit XIX -të deri në vitin 1944 ekzistonin rreth 11 shtypshkronja. Vetë sundimtari i Shkodrës Mustafa Pasha thoshte: "Më mirë drejtor shtypshkronje se vali në Anadoll" Sa i takon bibliotekave, e para njihet ajo e 1638 e Pjetër Bogdanit, por konstatimet e Injac Zamputit, rreth relacionit të 1332 të Brokardit që i shikonte librat si pjesë përbërëse e veprimtarisë qytetare; thënia e Barletit mbi ekzistencën e analeve të shkruara në gjuhën e popullit, si dhe vërejtjet e Vinçenc Malajt për ruajtjen në bibliotekën e Dubrovnikut të librave koralë të shekullit XV-të shkruara në përgamenë dhe të disa inkunabulave të domenikanëve shqiptarë, të lë të kuptosh ekzistencën më herët, ndonëse jo virtuale të bibliotekave.

Vështrim paronamik mbi bibliotekat e traditës: Bibliotekat e Institucioneve fetare Muslimane Biblioteka e Vakëfit, pronë e Mustafa Pashë Bushatit, dhuruar Vakëfit në 1834. E pasur me libra teologjie, jurisprodence, tekste shkencash natyrore. Biblioteka e Myftisë së Tabakëve e fundit të shek. XVIII. E krijuar nga vëllezërit Këllici me një fond 2000 librash. Gjëndeshin në të Abc-ja shqipe (1900) me dy tabela astronomike te H.Tahsinit. W. Kamsi njofton edhe për dy fjalorë shqip- turqisht e turqisht-shqip litografue ne Stamboll më 1880.

Bibliotekat katolike Jezuitëve: U formua në vitin 1858. Ishte një sistem bibliotekash. Në të u ruajtën vepra të rëndësishme albanologjike të autorëve të huaj dhe vëndas. Në rastin e 25 vjetorit të Pavarsisë u formua biblioteka albanologjike me më tepër se 1000 libra në gjuhën shqipe, koleksionin e revistave të botuara, dokumente historike të mbledhur për një periudhe 60 vjeçare, 800 fotografi të pabotuara etj. Në këto mjedise u botua revista "Leka" dhe e para enciklopedi albanologjike shqiptare e titulluar: "Nomeklatorë".

Biblioteka Franceskane: Njohu lulëzimin në vitin 1921 në saj të përkushtimit të Gjergj Fishta, P. Dodaj, Shtjefen Gjecovi, P. Bardhi e sa të tjerëve. Në bibliotekë ruheshin dorëshkrime me vlerë të Zarishtës, Gjeçovit, Marlaskajt etj

Bibliotekat e shoqërive dhe private: Bibliotekat e shoqërisë: "Bashkimi", "Agimi", "Gjuha shqipe", "Komisia Letrare" etj. Biblioteka e Pashko Vasës, Zef Jubanit, Filip Shirokës, vëllezërve Ivanaj, familjes Kamsi, Hamid Gjylbegu, Hamdi Bushati, Ll. Karafili, K. Idromeno, K. Gurakuqi, M. Krujës, E. Koliqit, J. Kastrati, etj.

Bibliotekat publike: E para bibliotekë publike dhe ndër të parat biblioteka albanologjike, e njohur si biblioteka e "Komisisë letrare", u krijua në Shkodër në vitin 1916, me drejtues Hilë Mosi.

Vetë Biblioteka Kombëtare e Tiranës (28 nëntor 1922) u krijua me një fond librash prej 6000 njësish të ardhura nga Shkodra. Drejtori i parë i kësaj biblioteke ishte Karl Gurakuqi.

Në Shkodër deri në vitin 1944 u botuan rreth 60 revista, gazeta e kalendarë.

Familjet shkodrane krijuan biblioteka të pasura të cilat do të shërbenin më vonë si baza të bibliotekave albanologjike jo vetëm në Shqipëri, por edhe Itali, Kroaci, Gjermani etj. Një pjesë e bibliotekave ndoqën fatin e pronarëve.

Drejtues të bibliotekave ishin firmat më të njohura të filologjisë shqiptare si: Hilë Mosi, Gjergj Fishta OFM, Zef Valentini S. J, H. Bushati, T. Kakarriqi, K. Kamsi etj. Po kështu u dalluan edhe një plejadë e shquar bibliografësh.

Bibliotekat mund të ishin më të shumta. Mustafa Pasha i fali Vakëfit librat e vet dhe ndërtoi ndërtesën. Gjergj Fishta sa herë që udhëtonte blinte libra me vlerë në dyqanet e antikuarëve. Fishta është edhe arkitekt i bibliotekës françeskane që mbante emrin e tij. Zonja Buhler (zvicerane) realizoi projektin për ndërtimin e bibliotekës françeskane në vitin 1930. Lumo Skëndo, I.M. Qafëzezi, Tihomir Gjiorgjevici i dhuruan bibliotekave vepra të rralla.

Bibliotekarët shkodranë u dalluan në hulumtimet e librave e dokumenteve shqip në biblioteka të tjera jashtë Shqipërisë.

Bibliotekat sot: Veçoritë e bibliotekave qytetase

Ka një rritje sasiore dhe cilësore në infrastrukturë dhe shërbime.
Janë 4 biblioteka të ndërtuara tërësisht të reja në këto dhjetë vitet e fundit.
Një pjesë e tyre janë formuar, nga fondet me vlerë të ardhura në formë dhuratash nga njerëz të shquar të kulturës shqiptare.
Janë të specializuara dhe plotësuese të njëra tjetrës.
Kanë filluar proçesin e automatizimit.
Në qytet ka tanimë një sistem të konsoliduar të bibliotekave shkollore, sidomos atyre që mbahen nga kleri dhe të huajt.
Ka një interesim të veçantë të kategorive të ndryshme sociale për librin. Nga viti në vit shënohet rritje të numrit të lexuesve.
Ekziston tendenca e shitjes së bibliotekave jashtë atdheut. Janë shitur disa biblioteka te njohura të qytetit, por gjithsesi zotëruesit e tyre i kanë blerë për interesa shkencore.

Biblioteka Marin Barleti: Është e formuar në vitin 1931. Ka në zotërim një pjesë të ish bibliotekave të vyera të Shkodrës. Në fondet e saj ruhen mjaft libra të shekujve XV-XVI, shtypur në qendrat më të mëdha të Europës. Koleksionet e çmuara e kanë kthyer atë në një qendër të rëndësishme shkencore, sidomos sa i takon shkencave filologjike. Mban edhe kopje unikale.

Ruan koleksione speciale, si dorëshkrime (150), harta, antikuarë.
Ka traditë të hershme në botimet referenciale dhe informuese.
Përpiqet të ecë me ritmet e kohës ndonëse me mjaft vështirësi.
Ka një buxhet të mjaftueshëm për pasurimin e fondeve.

Biblioteka e Universitetit "Luigj Gurakuqi": Tërësisht e re e ndërtuar në vitin 2006. Ka hapësira të domosdoshme për një bibliotekë moderne, me fonde të hapura, salla leximi, mediatekë e mirëpajisur, salla mbledhjesh etj. Ka rreth 250.000 njesi librare. Megjithëse e krijuar per të mbuluar fushat didaktike, ajo është edhe një bibliotekë e pasur albanologjike, e formuar tërësisht nga shitjet e familjeve shkodrane. Mban një pjesë të bibliotekës së Th. Ipen, diplomat i shquar austriak, që shërbeu në Shkodër për shumë vite. Mes librave është edhe kopja unikale "Doktrina e Krishterë" e Gjon N. Kazazit. Ka shumë revista të traditës mes të cilave veçohet kopja e plotë e revistës "Albania", të Faik Konicës.

Biblioteka françeskane Atë Gjergj Fishta: E ndërtuar terësisht e re ruan tiparet e bibliotekës së mëparshme. Mbledh koleksionet e bibliotekave të tre etërve françeskanë, që jetuan jashtë Shqipërisë: Paulin Margjokaj O.F.M, Jakob Marlekaj O.F.M, Daniel Gjecaj O.F.M. Biblioteka është tërësisht e specializuar në shkencat filologjike, glotologjike, albanologjike dhe balkanologjike. Mban qindra dorëshkrime të rilindasve dhe të personaliteteve të shquara.

Biblioteka e jezuitëve: Mund të flitet për një rrjet bibliotekash si ajo e Seminarit Ndërdiocezan, biblioteka shkollore e shkollës së mesme jo publike "Atë Pjetër Mëshkalla", si dhe biblioteka albanologjike që mban mes të tjerave edhe bibliotekën e plotë të F. Cordognano S.J.

Biblioteka e Myftinisë: E krijuar rishtasi me kujdesin e Myftinisë së Shkodrës. Ruan vlera të veçanta të librave fetare. Ka një fond tepër të pasur librash të kulturës orientale. Biblioteka po pasurohet çdo ditë me libra që trajtojnë krahas problemeve fetare dhe probleme që lidhen me historinë dhe kulturën e popullit tonë.

Biblioteka të tjera: Janë shumë të pasura një sërë bibliotekash private. Veçori e tyre është natyrshëm specializimi i këtyre bibliotekave në përputhje me interesat e zotëruesve si dhe bibliotekat shkollore që po ripërtrihen.

COMMENTS