Gëzim Uruçi, ndër intelektualët më të shquar në botë

Shkodra njihet si qyteti që ka nxjerrë emra të shquar në fushën e artit, kulturës dhe të shkencës. Një prej tyre, që gëzonte respektin e elitit kulturor të Shkodrës dhe të tërë Shqipërisë, është Gëzim Uruçi.

gezim uruci
Gëzim Uruçi indi në Shkodër më 30 Korrik 1949. Ishte vetëm 5 vjeç, kur në vitin 1950 së bashku me babanë e tij Myftar Uruçi, zbuluan shpellën e Gajtanit pranë fshatit Gur i Zi në Shkodër. Ky ishte vetëm fillimi i një pasioni të madh në fushën e speleologjisë. Gëzim Uruçi ka qenë pjesë aktive në mjaft konferenca dhe ekspedita ndërkombëtare. Është eksplorues i rreth 3200 shpellave në të gjithë botën dhe mban titullin Profesor Honoris në shkencat speleologjike. Federata Bullgare e Speleologjisë dhe Unioni Internacional i Astronomisë, e kanë nderuar me medalje. Në vitin 1994, Unioni Internacional i Speleologjisë në Bruksel i dha titullin Profesor dhe po në këtë vit, në Spanjë, iu dha çmimi "Juri Gagarin". Në vitin 2001, Instituti Biografik i Kembrixhit (International Biographical Centre, of Cambridge, England) e përfshiu ndër intelektualët më të shquar të botës. Prof. Gëzim My. Uruçi njihet mediatikisht edhe si shqiptari i parë që ngriti flamurin kombëtar në Polin e Veriut gjatë një ekspedite. Pasionin për zbulime e kërkime e ka trashëguar nga babai i tij. Myftar Uruçi i diplomuar në Perëndim, në vitin 1936, krijoi në Shkodër me disa shokë të tij, shoqërinë e bjeshkatarëve e shpellarëve, si pjesë e shoqërisë "Vllaznimi". Po nga babai, Gezim Uruci trashëgoi dhe pasionin për alpinizmin. Në vitin 1970, ai krijoi grupin e parë të speleologëve shqiptarë. Por sipas urdhrit të dhënë nga qeveria e asaj kohe, ky grup speleologësh duhet të shkonin vetëm në disa shpella për eksplorim, si në atë të Jubanit dhe Zhylës në Shkodër; Pirogashit në Jug dhe e Piratëve në Dhërmi. Zhvillimi i speleologjisë do i çonte arkeologët në zbulime të rëndësishme; si mbishkrime të lashta; instrumente litikë; piktura neolitike, siç janë ato në shpellat e Dukagjinit e Kelmendit në Shkodër; në shpellën e Trenit në Korçë; në shpellat e Karaburunit; Dhërmiut e Himarës. Në vitin 1972, zbulimet e tij bëhen prezent në Akademinë e Shkencave, ku Gëzim Uruçi pranohet si bashkëpunëtor për speleologjinë, ndërsa punonte si teknik i mesëm në uzinën mekanike "Drini" në Shkodër.

Eksplorimet në shpellën e Gjolajve në Bratosh të Bajzës, atë të Bijës së Husit në Bogë, shpellën e Majës së Harapit në Theth, shpellat e Konispolit e Karaburunit, janë ato që kanë lënë dhe mbresat më të pashlyeshme tek speleologu Uruçi. Duke rrëfyer për emocionet dhe rrezikshmërinë, ai tregonte se mjetet që përdoreshin ishin mjete primitive empirike, pasi mungonin pajisjet e posaçme dhe teknika përkatëse. "Këto mjete prodhoheshin nga ne, si gozhdët për shkëmbinj, ganxhetat, shkalla prej litari etj. Përdornim dhe mjetet e alpinizmit. Për kaskë mbrojtëse merrnim kapele minatorësh, të cilat i gjenim privatisht me anë të lidhjeve shoqërore e miqësore me minatorë". Gjithashtu tregonte se ishte tepër e rrezikshme futja e lëvizja nëpër hapësirat e sifoneve, të cilat janë gropa në formë omega, si vezore të mbushura me ujë, në pozicione të ndryshme nën tokë, në thellësi 150-300 m. "Të gjitha pajisjet e zhytjes prodhoheshin nga ne. Maskat e fytyrës i bënim me lozen e gomave të vjetra të makinave, të cilat nuk përdoreshin më. Tek sytë vinim xham të zakonshëm, tubat lidhës i modifikonim me tuba gome të ndryshëm, dhe këto i bënim në fshehtësi. Kjo për faktin se nuk lejohej përdorimi tyre, pasi mund të përdoreshin për arratisje". Të dhënat që grumbullonin ia dorëzonin Akademisë së Shkencave. Në mjaft raste të studimeve, anëtarët e kësaj akademie u referoheshin të dhënave të speleologëve. Gëzim Uruçi vdiq më 17 dhjetor 2012.

Prof. Gëzim Uruçi, enciklopedia e gjallë e Shkodrës


- Nga Kadri Ukaj

Në epokën e hapjes dhe të integrimit, veçmas brenda vetes, për cilido intelektual, krijues apo studiues serioz, shanset e njohjes sa me vetveten, sa me të tjerët, janë nga më brilantet. Dhe, në këtë vështrim, njohja me individë të spikatur, në domethënien e tyre ekzistenciale, për një vullnet dhe guxim permanent, përballë sfidave në fushën e vet, padyshim dhe patjetër artikulohet brenda teje si një kënaqësi e veçantë. E kisha dëgjuar këtë emër përmes shokëve dhe miqve të tij, por asnjëherë nuk më kishte qëlluar rasti të shkëmbenim qoftë edhe dy fjalë me njëri-tjetrin. Në një kontekst sa real, sa sureal do të takoheshim për të mbetur si dy miq dhe për të mos u ndarë deri në ditët e fundit të jetës së tij, me Profesor Gezim My. Uruçin qytetarin shpirtmadh dhe hulumtuesin serioz, që urrejtjen "nuk e njihte", edhe pse i dallonte qartë ata që nuk u gëzoheshin sukseseve të shkëlqyera, sfidave të fituara prej tij, si pak kush në Shkodër, Shqipëri dhe në Evropë, në fushën e studimeve speleologjike. Vërtet ai jetonte shpirtërisht me malet dhe shpellat, por po ashtu jetonte edhe me statusin e fjalës si vlerë universale: Gezimi ishte edhe një poet që të mrekullonte. Në studion e tij ruante, si gjëra të shenjta, rreth 200 poezi të krijuara prej tij, në të cilat spikaste niveli artistik, larmia e strofave dhe vargu klasik deri tek ai modern. Me orë të tëra më ka takuar të ndiqnim, bashkë, në kompjuterin e tij gjithë atë dokumentacion të fotografuar, arshivuar dhe të mbajtur me kujdes, ku mbaheshin model mbi 80 mijë negativa të skeduara sipas sistemit të mirënjohur të Fototekës "Marubi" si dhe afro 100 mijë fotografi të realizuara me aparatin e tij në veprimtari të ndryshme kulturore, patriotike, shkencore.

Profesor Gëzimi fliste, mirë, disa prej gjuhëve të huaja, çka kam arritur ta kuptoj sa nga të afërmit e tij, sa nga ndjekja me 3-4 orë rresht në kompjuterin e tij të punës, të veprimtarive të zhvilluara: konferenca shkencore, me dialogje e polemika, deri kongrese jashtë shtetit, me studiues gjermanë, norvegjezë, italianë, rusë, anglezë, serbë, bullgarë etj. Përvoja të tilla me të huajt, të jepnin mundësinë që të kuptoje që ai fliste mjaft mirë: gjermanisht, anglisht, italisht, serbisht, bullgarisht dhe rusisht.

gezim uruci
Profesor Gëzim My. Uruçi gjatë viteve '90-të, që banonte në Kassel Trier, në Bon të Gjermanisë, krahas përgatitjes vullnetare, për rreth 4 vite, të studentëve për trajnerë të huaj, speleologë, në Universitetin e Bonit, do të jepte një kontribut të shquar prej patrioti edhe në përgatitjen speciale të trupave të UÇK-së së Kosovës. Rrjedhimisht, ai njihte nga afër, ruante raporte konfidenciale dhe takohej me raste, krejt miqësisht, me ish-liderët e njohur të UÇK-ës: Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Ramush Haradinajn etj. Megjithatë fusha pasionante e tij qenë hulumtimet në speleologji, ku arriti të eksplorojë rreth 3200 shpella, brenda dhe jashtë vendit, duke merituar, kështu, në vitin 1994 sodisfaksionin e titullit "Profesor Honoris" në shkencat speleologjike nga Unioni Internacional i Spileologjisë në Bruksel. Viti 2001 një tjetër sfidë e arritur në spiralen e arritjeve të Profesor Gezim My. Uruçit: Instituti Biografik i Kembrixhit e përfshin në elitën e intelektualëve më të shquar të botës. Shtoji këtij suksesi edhe vlerësimet e bëra me medalje bronzi dhe ari, në vitet 1993 dhe 2004, nga Federata bullgare e Speleologjisë, çmimin "Juri Gagarin", në fushën e astronomisë, dhënë në Salamanka të Spanjës, në 1994-ën etj., dhe do të bindesh pse Prof. Gezim My.Uruçi do të përfshihej me aq dinjitet profesional, si njëri nga speleologët brilantë, në 8 enciklopedi ndërkombëtare.

Jo rastësisht, në vitin 1995, Qendra Nacionale e Spileo-alpinëve të Shqipërisë do t'i jepte titullin "Eksploratori më i madh shqiptar i të gjitha kohërave", sikurse më 10 maj 1989 i akordohej titulli "Laureat i çmimit të Republikës" si projektues i të parit shatërvan në Shkodër. "Në shtëpinë e tij një muze, por edhe një bibliotekë me mbi 6000 vëllime, në 17 gjuhë të huaja, krahas shumë librave në dorëshkrim, që presin të botohen, do të gjesh edhe thesare të rrallë si vegla prej koci dreri për mbushjen e dhëmbëve, bile edhe dhëmbë të mbushur me pluhur kocke, zbulime fenomenale të vetë atij. Ai ishte gjithashtu edhe themeluesi i Shoqatës Kombëtare të Speleo-alpinëve të Shqipërisë në vitin 1991, sikurse edhe njëri nga anëtarët dhe bashkëpunëtorët, me të drejta të plota, i disa federatave dhe unioneve ndërkombëtare si atyre të: Gjermanisë, Anglisë, Austrisë, Italisë, Spanjës, Rusisë, Kinës, Japonisë, Meksikës, Portugalisë, Afrikës së Jugut, Greqisë, Maqedonisë, Kosovës, Norvegjisë, Jugosllavisë, Francës dhe Greqisë çka do të bënte që miku i tij, i mirënjohur prej nesh, "Mjeshtri i Madh" Fadil Kraja ta vlerësonte Profesor Gëzim My. Uruçin "Enciklopedia e gjallë e Shkodrës" (Seminari i 6-të shkencor ndërkombëtar "Shkodra në shekuj", fq.123).

Nuk e kam kuptuar asnjëherë se çfarë i mungonte këtij personaliteti të shquar të speleologjisë shqiptare, evropiane dhe më gjerë, që institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë të mos i akordonte, pas gjithë kësaj karriere brilante, titullin "Mjeshtri i Madh". Megjithatë, këtij njeriu që s'kurseu asgjë nga jeta e tij, vetmohuese, për të përfaqësuar si pak kush në botë vendin e tij, Shqipërinë dhe Shkodrën që e deshi aq shumë, edhe pse kjo e fundit, borxhlije për jetë ndaj nderimit të merituar për njërin nga bijtë e saj më të denjë, si Profesor Gezim My.Uruçi, nuk do të denjonte t'i vinte në dipozicion asnjërin nga institucionet publike, pale më Teatrin "Migjeni", në ceremoninë mortore, të përcjelljes në banesën e fundit, më 17 dhjetor 2012, të djalit të Saj. Megjithatë, le të shpresojmë që në nderim të 64-vjetorit të lindje së tij, 30 korrik 2013, këshilli bashkiak i qytetit të Shkodrës të ketë dinjitetin e duhur të reflektimit, në liri të plotë brenda vetes, siç i ka hije një parlamenti lokal, për ta nderuar hulumtuesin enciklopedik, speleologun e shquar shkodran "enciklopedinë e gjallë të këtij qyteti", Profesor Gezim My. Uruçin, me titullin "Qytetar Nderi i Shkodrës".

COMMENTS