Hysen Koçia, një nga themeluesit e Teatrit të Operës dhe Baletit

hysen kocia kengetari
Hysen Koçia lindi më 1 korrik 1940, në Shkodër. Kontaktet e para me muzikën i mori në kohën që kryente shërbimin ushtarak pranë Ansamblit Artistik të Ushtrisë në vitin 1960, por studimet e mirëfillta i kreu vetëm kur u hap Konservatori Shtetëror i Tiranës (sot Akademia e Arteve), në vitin 1962. Hysen Koçia është ndër të parët studentë që vazhdoi studimet për kanto në klasën e Avni Mulës.

Në vitin 1967, një vit pas përfundimit të studimeve, emërohet solist pranë TOB, dhe në vitet 1972-1973 specializohet pranë Akademisë "Santa Cecilia", në Romë Itali në klasën e T. Gobi. Gjatë karrierës artistike deri në vitin 2000 kur doli në pension, Hysen Koçia realizoi në skenën e TOB me dhjetëra role dhe kryerole të literaturës operistike shqiptare dhe botërore si dhe qindra koncerte vokale, recital me këngë popullore të inkuadruara në turne koncertore të organizuara nga ky institucion, brenda dhe jashtë Shqipërisë, në Itali, Kinë, Bullgari, Rumani, Austri, Kanada, USA, Greqi, Gjermani, Turqi etj. Hysen Koçia ka marrë pjesë aktive në pothuaj të gjitha aktivitetet kryesore, të jetës muzikore shqiptare, në Koncertet e majit, konkurset e këngëtarëve lirikë, festivalet e romancave dhe Festivalet e këngës në RTSH etj. Për aktivitetin e tij është nderuar me shumë çmime lokale dhe kombëtare si dhe me titullin "Artist i Merituar".

Hysen Koçia ndahet nga jeta më 30 mars 2014. Vepra e tij do të mbetet gjithmonë e paharruar.

Disa nga interpretimet kryesore janë: Marin Shpendi te opera "Skënderbeu" (1968), Mazllemi te opereta "Brigada e Grave" (1969), Viktori te operetta "Dhëndri u transferua" (1974), Doda te opera "Mrika" (1975), Pali te opera "Zgjimi" (1976), Loni te opera "Karnavalet" (1978), Dhimitri te Opera "Lulja e Kujtimit" (1979), Leka te opera "Toka Jonë" (1981), Muji te opera "Vjosa" (1980), Eskamilio te opera "Karmen" (1984), Galan Lugapasi te opera "Borana" (1984), Petriti te Opera "Nëna e Trimave" (1987), Turidu te opera "Cavalleria Rusticana" (1988), Monrico te opera "Trovatore" (1991), Alfredo te opera "La Traviata" (1994), Canio te opera "I Pagliacci" (1989).

COMMENTS