Kamerat e survejimit në Shkodër: Një mënyrë biznesi për Këshillin e Qarkut të Shkodrës?

Para se të shkruaj për kamerat që janë vendosur në qytetin e shkodrës, që me sa duket Këshilli i Qarkut Shkodër po i shfrytëzon për biznes, dëshiroj t'ju flas pak për Adf.ly.

Adf.ly është një shërbim që ju lejon të krijoni URL të shkurtër (url: është adresa e një faqe web në internet), në mënyrë që sa herë që dikush viziton një nga URL tuaj të shkurtuara do të jetë para një faqe adf.ly, ku do shfaqen disa reklama. Për të kaluar në faqen që vizitori dëshiron të vizitojë, ai është në njëfarë kuptimi i detyruar të pres 5 sekonda dhe pastaj të klikojë mbi "Skip Ad" e cila ndodhet lart, në të djathtë të faqes Adf.ly. Nga reklamat që do të shfaqen ju mund të fitoni disa para, të cilat do të dërgohen përmes Paypal ose AlertPay. Ky ishte një shpjegim i shkurtër rreth këtij shërbimi, për detaje tjera dhe për interesat e përfitimit vizitoni faqen në internet.

Kamera, Godina e Qarkut Shkoder
Si shumë qytetarë shkodranë, në kërkim të informacioneve të ndryshme, edhe unë vizitoj shpeshherë faqen zyrtare të Këshillit të Qarkut Shkodër në internet si dhe faqen zyrtare në rrjetin social Facebook. Ka disa kohë (2 javë pak a shumë) që me lajmërime të tipit "Vizitoni kete rruge ne LIVE STREAM ketu", nxisin vizitatortët të klikojnë në një adresë interneti. Siç mund ta keni kuptuar, adresa e internetit fillon me "adf.ly/". Tani le të shohim se si Këshilli i Qarkut Shkodër po i përdorë këto kamera survejimi, në veçanti atë që është vendosur në godinën e Qarkut Shkodër.

Në faqen zyrtare të "Këshilli i Qarkut Shkodër" në facebook (shiko një screenshot këtu: http://archive.is/noi3Y) nxisin vizitorët të klikojnë në një adresë interneti që fillon me "adf.ly/".
Në faqen zyrtare në internet të "Këshilli i Qarkut Shkodër" (shiko një screenshot këtu: http://archive.is/C9VIP) po të klikosh mbi imazhin ku është shkruar: "PAMJE LIVE NGA RRUGA 28 NENTORI" të dërgon në një subpage (shiko një screenshot këtu: http://archive.is/ZcHMw) ku, po të klikojmë në një nga KAMERA 2 - KAMERA 3 - KAMERA 4 - KAMERA 5, të dërgojnë po në atë adresë interneti që fillon me "adf.ly/".

Duke kliku sa në një faqe tek tjetra, në internet apo sociale, më lindi pyetja, retorike kuptohet: Mos vallë këto kamera survejimi Këshilli i Qarkut Shkodër po i përdorë për biznes? Po të ishte kështu, ndani fitimet edhe me ne qytetarët e thjeshtë duke qënë se jena çdo ditë protagonistë të këtij "reality show".

Sa i përket anës ligjore mbi mënyrën e përdorimit dhe menaxhimit të këtyre kamerave të survejimit nuk kam çfarë të shtoj por le t'i hedhim një sy se çfarë thotë ligji: http://www.qbz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2010/PDF-2010/177-2010.pdf

UDHËZIM
Nr.3, datë 5.3.2010
MBI SISTEMIN E VIDEO-SURVEJIMIT NË NDËRTESA, LOKALE E AMBIENTE TË NDRYSHME

Mbështetur në shkronjën "c" të pikës 1 të nenit 30 dhe shkronjave "ç" e "f" të pikës 1 të
nenit 31 të ligjit nr.9887, datë 10.3.2008 "Për mbrojtjen e të dhënave personale", Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale

UDHËZON:

1. Një nga mjetet e rëndësishme të përpunimit të të dhënave personale është dhe video-survejimi (regjistrim me kamera). Përdoruesit e këtij mjeti konsiderohense përpunojnë të dhëna me anë të këtij mjeti nëse përveç imazheve të kapura nga vetë video-survejuese kanë regjistruar ose grumbulluar informacione në pajisje regjistrimi dhe në të njëjtën kohë regjistrimet, ose informacioni i zgjedhur, që përbën një sjellje të caktuar, shërben për identifikimin e individëve.

2. Të dhënat e ruajtura në një pajisje regjistrimi, imazhe apo tinguj, janë të dhëna personale, me kusht që një individ të mund të identifikohet drejtpërdrejt apo tërthorazi në bazë të këtyre regjistrimeve (p.sh. informacion nga imazhi ose prej regjistrimeve të mundshme të tingujve, kur në mënyrë të tërthortë identifikohet një person). Një individ është i identifikueshëm, nëse imazhi në të cilën ai është regjistruar zbulon shenjat e tij dalluese (sidomos fytyrën e tij) dhe mundëson identifikimin e plotë të tij kur këto karakteristika krahasohen me të dhëna të tjera në dispozicion. Një e dhënë personale në tërësinë e saj përbëhet nga ata faktorë identifikues që bëjnë të mundur lidhjen e një personi të caktuar me një sjellje të kapur nga një sistem video-survejimi.

3. Përpunimi i të dhënave personale me anë të një sistemi të kamerave regjistruese të video-survejimit është i ligjshëm:
a) për përmbushjen e detyrave të përcaktuara me ligj të veçantë; Në këto raste është e nevojshme që të respektohen dispozitat e ligjit në fjalë.
b) me pëlqimin e subjektit të të dhënave, por praktikisht kjo është e mundshme vetëm në raste shumë të kufizuara, atëherë kur identifikimi i një grup personash që janë brenda zonës së kamerës bëhet në mënyrë të qartë;
c) pa pëlqimin e subjektit, por gjithnjë duke respektuar kriteret e përcaktuara në nenin 6 të ligjit "Për mbrojtjen e të dhënave personale" (më tej do të quhet "ligji").

4. Detyrimet e një kontrolluesi, i cili operon me një sistem të kamerave regjistruese të video-survejimit, janë:
a) Sistemi i kamerave regjistruese të video-survejimit nuk duhet të teprojë ndërhyrjen në jetën private të individëve. Një sistem video-regjistrimi në thelb mund të instalohet, nëse qëllimi nuk mund të arrihet në një mënyrë tjetër (një pronë, për shembull, mund të mbrohet nga vjedhjet me kyç). Për më tepër, instalimi i një sistemi video-regjistrimi nuk është i pranueshëm në dhoma që përdoren ekskluzivisht për qëllime private (p.sh. tualete, dushe, zhveshje). Është e mundur t'u ofrohet subjekteve të të dhënave mundësia për të zgjedhur midis alternativave, si për shembull, të monitorohen dhomat e zhveshjes së një pishine, me kusht që të lihet një hapësirë e rezervuar për ndërrimin, e cila nuk është e monitoruar.
b) Qëllimi i regjistrimit duhet të specifikohet qartë dhe të jetë në përputhje me interesat ligjorë të kontrolluesit (p.sh. mbrojtja e pronës nga vjedhjet). Regjistrimet mund të përdoren vetëm për hetimin e një ngjarjeje që ka sjellë dëmtimin e këtyre interesave të mbrojtura me ligj. Legjitimiteti i përdorimit të regjistrimeve për qëllime të tjera duhet të jetë i kufizuar për një interes të rëndësishëm publik, p.sh. luftën kundër kriminalitetit.
c) Periudha e mbajtjes së regjistrimit duhet të jetë e përcaktuar. Periudha e mbajtjes së të dhënave nuk duhet të kalojë kufirin maksimal të afatit të lejuar, për përmbushjen e qëllimit të video-survejimit. Të dhënat duhet të ruhen brenda një harku kohor, për shembull, njëzet e katër orë, nëse një pronë ruhet vazhdimisht, ose për një periudhë më të gjatë por jo më tepër se 7 (shtatë) ditë dhe pas kalimit të kësaj periudhe të dhënat duhet të fshihen (këto periudha kohore justifikohen të shtuara vetëm me përfshirjen në to të ditëve të pushimit dhe festave). Kjo nuk vlen për regjistrimet e bëra nga policia në përputhje me një ligj të veçantë. Vetëm në rastin e ekzistencës së një aksidenti sigurie, të dhënat duhet t'u jepen autoriteteve ekzekutive, gjykatave ose institucioneve të tjera të ngjashme.
ç) Masat e sigurisë duhet të jenë të tilla, në mënyrë që të mbrohen sistemet e regjistrimit, mënyrat e transferimit dhe mjetet transmetuese, në të cilin gjenden regjistrimet duke i mbrojtur nga aksesi i paautorizuar apo aksidental, ndryshimi, shkatërrimi, humbja ose përpunimi i paautorizuar.
d) Të dhënat personale të mbahen të sigurta dhe të mos keqpërdoren apo korruptohen në ndonjë mënyrë. Siguria nuk ka të bëjë vetëm me marrjen e masave fizike, megjithëse këto janë shumë të rëndësishme. Siguria gjithashtu ka të bëjë me organizimin e punës, në një mënyrë të tillë që risku të minimizohet, për shembull, duke siguruar që personeli të mund t'i shohë të dhënat vetëm kur kjo është e nevojshme që ata të kryejnë punën e tyre në mënyrën e duhur dhe duke e trajnuar personelin në lidhje me çfarë duhet dhe nuk duhet të bëjë.
dh) Subjektet e të dhënave duhet të informohen qartësisht që një sistem video-regjistrimi është në veprim, duke vendosur njoftimin e shkruar në hapësirën e monitoruar me përjashtim të rastit kur një e drejtë e veçantë dhe detyrimet që rrjedhin nga një ligj i veçantë janë duke u ushtruar.
e) Të drejtat e tjera të subjektit të të dhënave duhet të garantohen, përkatësisht e drejta për akses dhe e drejta që të kundërshtojnë përpunimin e tyre.
ë) Përpunimi i të dhënave personale duhet të njoftohet pranë Zyrës së Komisionerit,përjashtuar rastet e parashikuara në pikën 2 dhe 3 të nenit 21 të ligjit.
f) Instalimi dhe përdorimi i sistemit të video-survejimit duhet të bëhet në atë formë që përpunimi i të dhënave të kryhet në përputhje me të drejtat themelore të njeriut, të drejtën për privatësi dhe të drejtën për jetë private dhe familjare. Këto të drejta janë të mbrojtura nga neni 12 i Kartës së të Drejtave dhe Lirive Themelore dhe nga neni 8 i Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, si dhe ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.
g) Një sistem video-survejimi dhe lidhja me ndërhyrjen në jetën private konsiderohet i arsyeshëm ose i përshtatshëm për të arritur objektivat e kontrolluesit, por gjithmonë pa cenuar mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të individëve.
gj) Interpretimi korrekt i konceptit të privatësisë. Koncepti i privatësisë dhe jeta private familjare, nuk zbatohet vetëm në hapësira, të tilla si: dhoma gjumi, tualete, ose hyrje në apartament ose ndërtesë. Privatësia kupton një sferë të caktuar të paprekshmërisë për individët dhe të afërmit e tyre, që i rrethon kudo që ata mund të jenë. Në një hapësirë të nevojshme të afërt, si një apartament banimi ku një person jeton dhe harxhon pjesën më të madhe të jetës së tij, shkalla e privatësisë është padyshim e madhe.
h) Kontrolluesit dhe përpunuesit (personat e autorizuar) që vihen në dijeni me të dhënat e përpunuara nëpërmjet sistemit të video-survejimit, gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre, detyrohen të ruajnë konfidencialitetin dhe besueshmërinë edhe pas përfundimit të funksionit apo mbledhjes së të dhënave. Këto të dhëna nuk përhapen, përveç rasteve të parashikuara në ligj.

5. Kontrolluesit duhet të zbatojnë rregullat e mëposhtme për vendosjen e sistemit të video-survejimit në godinat zyrtare ose të biznesit, ambientet e punës dhe godinat e banimit.
a) Sektori publik dhe ai privat mund të vendosin video-survejime në hyrje të godinës zyrtare ose të biznesit, nëse kjo është e nevojshme për sigurinë e njerëzve dhe të pronës, për të siguruar dhe mbikëqyrur hyrjet dhe daljet në ndërtesë, ose nëse nga natyra e punës ka një kërcënim potencial për punëdhënësit.
1. Vendimi në këtë rast mund të merret nga organi kompetent zyrtar, drejtuesi i zyrës ose nga persona të tjerë kompetentë.
2. Vendimi duhet të jetë i shkruar dhe duhet të shpjegojë arsyet pse do të futet në përdorim video-survejimi.
3. Video-survejimi mund të vendoset edhe nga rregullimet e ligjit ose akteve të tjera.
4. Të gjithë punonjësit që punojnë nën vëzhgimin e kamerave duhet të njoftohen nga punëdhënësi me shkrim.
5. Sistemi i të dhënave të vëzhgimit/survejimit duhet të përmbajë regjistrime të individëve (imazhin, zërin), datën dhe kohën e hyrjeve dhe daljeve nga ndërtesa, emrin dhe mbiemrin e personit, adresën e rezidencës së përhershme ose të përkohshme, punësimin, numrin dhe tipin e dokumentit personal (të identifikimit) dhe arsyet e hyrjes.
b) Kamerat e sigurisë në ambientet e punës vendosen vetëm nën kushtet dhe mënyrën e parashikuar nga ligji.
1. Ato mund të vendosen në raste të veçanta, kur nevojitet mbrojtja e sigurisë së njerëzve.
dhe pronës, për të mbrojtur të dhënat sekrete ose sekretet tregtare dhe kur ky qëllim nuk mund të arrihet me mënyra të tjera më të arsyeshme.
2. Kamerat e sigurisë mund të vendosen vetëm në ambientet e punës që duhen vëzhguar për arsye sigurie.
3. Është e ndaluar të monitorohen në ambientet e punës, veçanërisht dollapët, sirtarët, ashensori dhe ambientet sanitare.
4. Paraprakisht, për vendosjen dhe funksionimin e video-regjistrimit, punëdhënësit e sektorit publik dhe të sektorit privat duhet të konsultohen me përfaqësuesin e sindikatës së punëtorëve, si dhe duhet të njoftohen punonjësit që ambientet survejohen me kamera.
c) Kamerat e sigurisë në godinat me apartamente banimi, vendosen me konsensusin/pëlqimin e shkruar të më shumë se 70% të pronarëve të tyre.
1. Kamerat e sigurisë (video-survejimet) në godinat e banimit (pallatet) vendosen vetëm për të mbrojtur sigurinë e njerëzve dhe të pronës.
2. Në këto raste lejohet vetëm monitorimi i hyrjeve, daljeve dhe hapësirave të zakonshme.
3. Është e ndaluar të vëzhgohen me kamera sigurie banorët e apartamenteve, veprimtaritë/aktivitetet e pronarëve të apartamenteve, ose hyrjet në apartamente të veçanta.
4. Është e ndaluar të mundësohet kontrollimi i regjistrimeve nëpërmjet televizorëve të brendshëm (individual), televizioneve publike, internetit, ose me mënyra të tjera të telekomunikimit, të afta për të transmetuar këto regjistrime.

Për zbatimin e këtij udhëzimi ngarkohen të gjithë kontrolluesit publikë e privatë në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Ky udhëzim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

KOMISIONERI
Flora Çabej (Pogaçe)

(shkodradaily.com)

COMMENTS