Lahuta e Malcis - Lugati

lahuta e malcis lugati
Knjaz Nikolla, 'i burrë me kokë,
Kà ndollë sande disì n'qokë
E po i kandet me ligjrue,
Ndêjë te votra bashkë me grue,
Mbasi darka kà marue,
E shkuen fmija n'shtrat me rà,
Kush tuj cîjzë e kush tuj kjà.

Si, pra, bukë nji here kà ngrânë,
Per urë voters pshtetë m'njan' ânë,
Zhdeshun brez' e ashtû n'e t'holla,
Kallë kamishin Knjaz Nikolla,
Edhè rrin aj si zotnië,
Tash duhan, tash vênë tuj píë
- Poçin nget e kà n'frangíë -
Tash tuj ngrânë do kshtêja t'xeta
Qi Milena me duer t'veta
Ja qiron e ja vên para,
Si per grue qi e lypë e mara.

Atŷ, at herë, tue bisedue,
Po zên grues aj m'ju levdue,
- Se kshtû Turkun un e theva:
Ktû ja bâna, atjè ja ktheva:
Se edhè Krajlat mue më duen:
Serbi e Greku mue me druen:
S'e mârr n'dorë un per Bullgarin:
Do t'a mârr edhè Mostarin:
Do t'mârr Shkodër e Prizrend:
Krajl do t'bâhem pernjimend,
Edhè n'Shkodër do t'zâ vend.
Tyë do t'bâj un nji Mbretneshë:
Mâ dollamë nuk kè me veshë,
As do t'vêshë mâ kacilitë,
Por krejt n'ari kè me shndritë,
E do t'vêsh kunorë mbì krye,
Nji ditë udhë larg me t'shkelxye;
Pse mâ trim se mue nuk kè,
Kahdo shkrepë dielli mbì dhè. -
Qeshë Milena me 'i gjysë gazit
Per këto makllada t'Knjazit,
E as s'i bâhet, jo, me i ndië,
Persè i dajnë t'tâna kllapíë,
Qi i flet Knjazi, vênë tuj píë;
Prandaj rrin ajo pa zâ,
Me gjylpnyr çarap tuj bâ.
Por mâ vonë nisë me kuvendë:
- Qyqja, nieri, shka me kênë!
Me mzì fmíën kam vûë me rà,
Pse, me gjasë dishka kan pà
E kaq fort t'mjerët janë trishtue,
Qi s'ndigjojnë me fjetë pa mue.

- Shka kan pà, Knjazi po e pvetë,
Qi s'ndigjojnë vetun me fjetë,
Mbasì na, edhè, ktû po jena? -

- Nuk e dië, pergjegjë Milena;
Veç, si fmija duen me thânë,
Sa kem' kênë na bukë tue ngrânë
E nper kthina atà tuj luejt,
Paskan pà nder shtâma t'ujët,
Strukë te stjolli, ndêjë kacuk,
Nji me çallmë, si me kênë Turk,
Me tesbih e me çibuk,
Edhè krahve lshue nji qurk,
Qi, zbè n'ftyrë e buzkerveshë,
Tuj qitë flakë nper sŷ e veshë,
Rrite fmiëve t'u ngerdheshë.
A mos t'jetë, qyqja! lugat?
Pse po flitet neper fshat,
Qi nji turk kamataxhië,
Msue me pië vênë e rakië,
Dikû atjè prej Samoborrit,
Kênka çue lugat prej vorrit,
Hokubet me u pá me sye. -

- Hik! mo', i thotë: a i kè mendt n'krye?...
Se lugat n'shekull nuk kà.
Kush e di se shka kan pà,
E u âsht bâ ferra "Brahim":
A se, ndoshta, ndoj kulim
Do t'jèt bâ nder ta surrat
E u âsht shtîe tjerve lugat.
Kush kà dekë e hîè n'dhè,
Aj nuk kthen, jo, mâ nder nè.
Veç se jeni, po, ju gràt,
Qi kto dokrra i qitni m't'thàt,
Kuer të mlidhni ju të hîni,
Edhè fjalë e halë mos t'gjîni,
Per me folë per shoqe t'ueja.
S'kà lugat as shtrigë, lum grueja,
E un jam n'hall, po, me të gjallë,
Se per t'dekun po t'bâj pallë. -

- Si?... s'kà shtriga e s'kà lugeten?...
Ja nisë grueja prap n'e t'veten.
Per lugeten nuk e dië,
Pse gjâ kurr s'kam pà me sye,
Veç nper gjind un shka kam ndië:
Por per shtriga s'kè shka m'thue,
Pse un t'a njof mâ se nji grue,
Qi ktû mbrendë, po, në Cetinë,
(Ndoshta, ndoshta ndoj kushrinë...)
Dalin naten porsi shkndija,
Edhè futen mbrendë nder shpija,
Prej pullazit nper oxhak,
E ja u zânë gjindës frymen njak;
Qi, mandej, kta duen me thânë,
Se n'gjumë "Ankthi" atà i kâ zânë,
E s'âsht tjeter veç se shtrigat,
Qi ja u lshojnë të mjerve t'ligat,
Ke shkojnë naten rreth e okolla. -

- Prralla! prralla! thotë Nikolla,
T'tana prralla - edhè kopalla;
Persè shtriga s'kà kurrkund,
As n'gjytet as në katund...
A din shka, ti moj burrneshë?
Zên mâ vonë Knjazi tuë qeshë:
Mbasi shtriga kà po thue,
A m'i lshon kto shtriga mue
E, perzèt! le t'm'perpîjnë gjallë...
Por m'i zgidh me dhâmë e tmallë,
E jo rrole per brîë hînit,
Qi s'mund t'brejnë as gjeth purrînit... -

- Hajt, he i ngratë! Si të shkoj jeta
Me pallavra e fjalë të shkreta,
I pergjegjë Milena at herë...
Un jam n'hall per fmië të mjerë,
Qi i kà kapun sande friga,
E ti m'qet dokrra per shtriga;
Jo kshtû i due - jo kshtû s'i due...
Çou me rà, pse vonë kà shkue,
Se edhè fmija janë tuj m'pritë,
E un do t'gdhîëj neser me dritë,
Per me i bâmun rangët e shpíës:
Pse, po kje qi e zojashpíës
Vetë s'u del punve perpara,
Atŷ s'reshet kurr e mara. -

Kshtû i thotë gruja si n'merzíë.
Mandej zjarr' e mlon me hî;
Shputë e lamsh i qet në shportë,
E pa tjerrë fjale tjera tortë,
Me nji zâ si n'gjysë t'marazit,
"Të mirë natë" ajo i thotë Knjazit
(Do gjûhë t'cillit xjerrë kisht' pija,)
Edhè shkon me rá te fmija:
Me 'i tubë djelm e me 'i varg vasha,
Shtrîë nên petka rresht si brâsha.

Qeshë Nikolla nên mustak;
E per t'vûem punve kapak,
Mêrr e mûshë edhè nji gotë,
Edh' e shpikë e e bân zollotë.
Mandej poçin ndryen n'frangíë;
Ndênë kamishin nên sergjíë,
Mbasi llullen shkundë ja kà,
Edhè shkon n'odë t'vet me rà.
E si lodhë qi kishte kênë,
Kû me punë kû me at pikë vênë,
Qi pat pië sande mê teper,
Me 'i herë mendt ju bâne leper
Edhè fjet, e pa ja ngjatë,
Nisi t'madhe me gerhatë.

Kuer, qe, atŷ t'u bâ mjesnatë,
Po i del gjumi Knjaz Nikollës,
Edhè shef aj n'mjedis t'odës
Nji si nieri ndêjë në kamë,
Me nji mjekërr gjatë nji pllamë,
Edhè barkun sa 'i fund sheke,
Pshtjellun shtatit n'pelhurë deke:
Qi, si surflli ftyret zbè
E tuë i ardhun era dhè,
Rrite Knjazin tuë e shikjue,
Me do sŷ qi me t'trishtue,
Si gastarja cangullue.
Neper ftyrë, mande', e mbí duer,
Atŷ ktû edhè mbì pelhurë
Kisht' do njolle gjaku t'zí,
Qi per mnerë m'tê kishte ngrië
E me qelb bashkë ishte thà.

U trêm Knjazi kur e pà
E t'perqethtë shtatit i rà.
Flokët ju çuene shllungë perpjetë;
Nisi frýma m'ju zatetë
E e mloj djerza. Kishte metë
Tuë kqyrë m'tê, e as nuk isht tuë mujtë
Prej trishtimit m'vend me lujtë,
Pse edhè m'kryq disi ishte kputë,
Kaq per mnerë qi 'i herë kje tutë.

Por kamë kamë, qe, nisë lugati
Me ju avitë Nikollës kah shtrati.
Knjaz Nikolla atŷ i rrin gati
E fíll doren çon m'kubure,
Qi e kisht' vjerrë nên nji figure,
Edhè don aj zjarm me i dhânë.
Kuer lugati nisë me i thânë:
- Mos e vên doren m'ngaskeqe!
Nuk t'kam ardhë me mende t'keqe,
As me t'çartë as me t'trazue:
Un kam ardhë ktû me t'kallxue
Disà punë, qi tash kan bîjtë
E qi mirë per tyë âsht me i diëjt,
Ashtû mue si m'dán neshtrasha -
Un jam Mèhmet Alì Pasha,
Qi m'pat nisë Mbreti n'Shqypníë,
Per me i lshue Malit të Zí
Hot e Grudë, Plavë e Gusíë,
Si n'Berlin kje bâ pleqníë.
Por, kuer mrrina në Gjakovë,
Atŷ e zezë mue m'gjet nji provë;
Persè Krènt e Shqyptariës,
Me Alì Pashen e Gusíës
Nji bè t'madhe po e ki'n bâ
Plak e i rí në luftë me rrâ:
Burrë e grue - po, n'luftë me u shue
E ato Male mos me i lshue.
Prandaj vetë atŷ kur shkova,
T'u çue m'kâmë të tanë Kosova,
Peja e vogel 'dhe Rrogova,
Edhè mue m'rrethuen nji rendit
Shi në shpíë t'Abdullah Drenit:
Kû mue t'mjerin më kan vrà,
Të tanë n'gjak mue më kan là,
Si me sŷ qi jè tuj pà.
Prà, tash tjeter tyë s't'kà metë,
Veç kto male me i mârrë vetë,
E me i mârrë me pushkë per faqe;
Pse, pa i bâ njadisà gjaqe,
Per pa i djegë disà bajraqe,
Tokë Shqypnijet n'dorë nuk qet:
Sod Shqypnija âsht bâ "Milet" -

- Besa, at herë, po i thotë Nikolla,
Mbasi vetë s'mûjtka Stambolla
Këto Male me m'i lshue,
Puna gjatë, thom, kà me shkue;
Pse, si vetë kè mûjtë me pà,
Qysh se n'gjak krejt kenke là,
Me pushkë n'dorë s'mêrret Shqypnija. -

Vrâ në ftyrë Mehmet Alija
E prej pezmit tuë qitë shkndija,
Tuë kercnue dhâmët prej marrazit,
- E vertetë, po i thotë aj Knjazit,
Se, medjè, kà me t'u dashtë
N'lufté me thye mâ se nji rrashtë
E me hjekë shûm e shûm zí,
Para se të hîshë n'Shqypníë;
Pse, Shqyptarët, e dië edhè vetë,
Se janë trima e per ket jetë
Atà rob s'i shtrohen kujë;
Por me pasë me i msŷë pa bujë
Edhè n'moh naten me u rà,
Tash qi atà 'i herë janë shperdà,
Un kujtoj se me pak gjaqe
Puna tyë të del per faqe,
Edhè hînë ngadhnyes n'Shqypníë.
Prandej mlidhe shpejt nji ushtríë,
Edhè lshoë n'Plavë e n'Gusíë,
Naten n'terr befas t'u rà,
E si n'gjak Plaven t'keshë là
Edhè zhbîë t'a keshë Gusíën,
At herë mêrr e msŷëj Malcíën,
Me tagan, me unë në dorë,
Edhè shkimi atà Malcorë;
Pse, pa i shkimë atà Malcorë,
Shkodra tyë s'të bje në dorë.
E as s'kè ngaë, jo, me u hutue,
Pse Shqyptarët kan nisë me u zgjue,
Kan nisë shqyp këtà me shkrue:
Kan nisë t'flasin per kombsíë,
Per kombsíë - e per liríë,
Per liríë - e autonomië,
Edhè gjatë, thom, nuk do t'shkojë,
E Shqypnija do t'kerkojë
Me dalë m'vedi, si Serbija,
Si Greqija e Bulgarija:
Mbasì kà edhè ndonji Mbret
Qi Shqyptarët aj po i gerget,
Kû me pare e kû me fjalë
Turkut dore atà me i dalë.
Prande' at herë ti s'ké me mujtë
Gurt mbas dishirit t'and me i lujtë;
Pse do t'dalë kushdì se kush,
Qi e kà vûë kahdit m'rabush
Shqyptaríës me i dalun zot,
Edhè gurt aj tyë t'i lot.
Por, po mujte nji herë sot
Këto Male me i pushtue,
(Qi tyë dheskë të janë perore,)
Jo veç kto mâ s't'dalin dore,
Por, me kohë e me dredhíë,
Edhè n'Shkoder kè me híë.
Pse do t'diëjsh ti, lum Nikolla,
Qi e kà bâ pleqníë Stambolla,
Tyë mâ para, edhè Serbíës,
Si edhè Krajlit të Greqíës
Me ja u lshue tokët e Shqypníës,
Se me u dhânë liríën Shqyptarvet.
Mbreti vetë i do Shqyptarët:
S'kisht' me dashtë, ndoshta, me i çartë
E liriën aj kisht' m'ja dhânë.
Por aj s'di shka do me thanë
"Pis Arnaut", si e di Kapija:
Prandej duhet t'hupë Shqypnija. -

Kshtû Nikollës i tha lugati;
Edhè tjeter nuk ja ngjati,
Por u zhduk aj neper kthinë,
Tuë lânë mbrapa nji qelbsinë,
Qi dèr vonë u ndië n'Cetinë.

Knjaz Nikolla at herë u çue,
Shpejt u vesh edhè u shterngue,
Edhè duel naten per hânë,
Por me u pjekë m' at Mark Milan':
M' Mark Milan' aj per me u pjekë,
Me tê fjalët per me i perpjekë,
Se kuer n'Plavë me qitë ushtríën,
Se kuer n'gjak me là Gusíën,
Se kuer flakë me ndezë Malcíën,
E se si m'e hupë Shqypníën. -

I huptë Zoti pernjimend
Knjaz Nikollë edhè gjithkend
Qi mendon e sharton zì
Per të bukren Shqyptarìë.

COMMENTS