Ndoc Shllaku, një nga nismëtarët e shkollës së muzikës në Shkodër

ndoc shllaku
Ndoc Shllaku lindi më 27 dhjetor 1919, në Shkodër. Drejtues i parё i shkollёs sё muzikёs, anёtar i Filarmonisё sё qytetit, koncert-maestёr i Orkestrёs Simfonike tё Shkodrёs, bashkёpuntor dhe mik i ngushtё i kompozitorit Prenkё Jakova, drejtues dhe anёtar i disa formacioneve tё muzikёs qytetare dhe asaj tё kultivuar duke filluar nga viti 1945.

Ndoc Shllaku rrjedh nga një familje qytetare shkodrane me tradita artistike e atdhetare. Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes poashtu studimet e mesme i vazhdon në kolegjin françeskan "Illyricum". Aty u aktivizua në shoqërinë "Rozafat", në vitet 1936 -1939, si dhe në orkestrën e Kìshës Françeskane, "Schola cantorum", nën drejtimin e Prenk Jakovës. Në këtë orkestër aktivizoheshin gjithashtu Emil Miloti, Çesk Jakova, Angjelin Kuinxhia, Filip Jakova.

Gjithë familja e Ndoc Shllakut është e lidhur ngushtë me muzikën.
Motra e tij, Neta, ka qenë këngëtarja e parë qe interpretoi rolin e nënës Mare në operën e parë shqiptare, "Mrika" të Prenkë Jakovës. Bashkëshortja e Ndocit, Margerita, bënte pjesë në korin e Shtëpisë së Kulturës të Shkodrës.
Dy vajzat, Klaudia e Çeçilia, ndoqën shkollën artistike për violinë e për piano.

Djali i tij, Gjon Shllaku, ka përfunduar në vitin 1979 me rezultate të larta Liceun Artistik "Prenkë Jakova" të qytetit të Shkodrës, duke u diplomuar si pianist. Në vitin 1984 diplomohet në degën e kompozicionit me Pedagog Çesk Zadejën, mbasi ka realizuar me sukses Baletin "Nuse Arbana", në përfundim të studimeve pranë Akademisë së Arteve në Tiranë. Zhvillon aktivitetin e tij profesional si mësues i lëndeve të Harmonisë e të Analizës së Formës pranë Liceut Artistik "Prenkë Jakova", ku kryen edhe detyrën drejtuesit të Sektorit të Lëndeve Teorike. Zhvillon aktivitet koncertal, kryesisht si koncertmaëster i solistëve të shquar shqipëtarë. Në rolin e Dirigjentit, aktualisht është i angazhuar pranë Korit Polifonik "Prenkë Jakova", të cilin e ka krijuar në vitin 1997. Është President i Shoqatës Kulturore Artistike "Prenkë Jakova" që nga themelimi i saj.

Ndoc Shllaku që në fëmijëri u rrit me ahengun shkodran, që e ka njohur si rrallekush. Ka kompozuar disa këngë me karakter popullor si "Kënga e lamës", "Besën kur ta dhashë", "Nën hije" si dhe disa këngë për fëmijë për shkollën e muzikës.

Ndoc Shllaku ishte një nga nismëtarët e shkollës së muzikës, që u ngrit në Shkodër në vitin 1960. Ai hodhi themelet e krijimit tё klasёs sё violinёs nё qytetin e Shkodrёs, gjithashtu pjesёmarrёs si violinist nё Orkestrёn e Filarmonisё sё Shtetit në Tiranё.

Ndoc Shllaku ndahet nga jeta në vitin 1995, në moshën 76-vjeçare.

COMMENTS