Pjetër Gaci

Pjeter Gaci, Tamara Gaci (Kudrickaja)
Pjetër Gaci lindi më 27 mars 1931, në fshatin Shtiraj të rrethit të Shkodrës. Në qytetin e lindjes kreu arsimin fillor. Studimet për violinë i nisi në Liceun Artistik "Jordan Misja", në vitet 1948-1952, për t'i vazhduar në Konservatorin e Moskës "Pjotr Iliç Çajkovski" (Pyotr Ilyich Tchaikovsky) në të cilin edhe u diplomua në pranverë të vitit 1967.

Në vitin 1967, bëhet drejtor i cirkut të Tiranës, i Estradës dhe i Teatrit të Kukullave të qytetit.
Në vitin 1970, është kompozitor në krijimtari të lirë dhe pas vitit 1976 vendoset përfundimisht në Shkodër, ku krahas kompozimit u përkujdes edhe për klasën e violinës në shkollën e mesme artistike "Prenk Jakova" të këtij qyteti.

Pjetër Gaci ka meritën të ketë kompozuar të parin koncert për violinë në historinë e muzikës shqiptare, të parën baladë për violinë dhe piano, si dhe të jetë anëtar i Trios së parë instrumentale (pranë TOB, 1956).

Prirja kryesore në krijimtarinë e tij do të mbetet muzika vokale, në të cilën ka lënë shembuj të paharruar veprash që nga kënga e deri tek opera, si opera "Toka jonë", "Përtej mjegullës", kantata "O moj Shqipni, e mjera Shqipni", "Për ty Atdhe".

Në vitin 1989, Pjetër Gacit iu akordua titulli "Artist i Popullit". Vdiq më 27 mars 1995.

Pjetër Gaci dhe pianoja e tij - Nga Besi Bekteshi

Kompozitori i madh shet pianon që të blejë biletën gruas së tij, e ndarë nga familja për dekada.

Nga fondet e shumta familjare të arkivit të Muzeut të Shkodrës një nga më prekësit, nga më lënduesit në konceptin e një jete e cila ka pulsuar midis muzikës dhe sakrificës familjare, është ajo e kompozitorit të madh shkodran Pjetër Gaci. Talenti dhe njohja e madhe e muzikës, por edhe përkushtimi janë një veçori e të qenit kompozitor, por Pjetër Gaci në fakt, nuk e ka nisur shkollën dhe jetën e tij si një i tillë. Pjetër Gaci ka mbaruar në Moskë konservatorin për violinë, së bashku me shumë studentë shqiptarë të asaj kohe në Bashkimin Sovjetik. Në atë kohë, ai njohu edhe një vajzë ruse shumë të re, Tamarën, e cila me kthimin e studentëve, dhe prishjen e marrëdhënieve me shtetin e madh komunist, vazhdoi jetën e saj familjare së bashku me Pjetrin në Shqipëri. Tamara është një nga gratë ruse e dashuruar me burrin e saj shqiptar, e cila duroi edhe kalvarin e persekutimit të qenies së saj ruse. Kjo edhe pse burri i saj ishte një gjeni i muzikës, dhe pse burri i saj ishte një njeri tepër i dashur për publikun. Në të vërtet, izolimi në katër dekada me familjen e saj, dhe rropatjet shpeshherë nëpër katakombet e një shteti armik me të tilla bashkime, e kanë bërë këtë grua të devotshme, një ruse të vërtetë besnike të bashkëshortit të saj, por edhe Pjetër Gacin, një burrë i cili nuk harroi, nuk u përkul në dashurinë dhe respektin ndaj asaj vajzës së re, e cila u betua një herë dhe qëndroi deri në fund me njeriun e jetës së saj.

Gjithsesi në të mirë dhe në të keq, në frikën e regjimit dhe arritjet e sukseset në art, jeta e dy bashkëshortëve kaloi me mjetin që të jep postulati "kemi muzikën për të mos vdekur nga..."!! Gjithsesi vjen momenti që Shqipëria nuk është më vendi i izoluar dhe patjetër që krijohet mundësia që Tamara të mund të udhëtojë për në Moskën e saj. Ajo aty kishte prindërit, por edhe vëllanë. Sikleti i madh dhe pamundësia e jashtëzakonshme e një kompozitori si Pjetër Gaci, janë vendosur edhe një herë në qëndër të universit të tij jetësor. Tashmë rruga për njeriun e dashur të jetës së tij është e lirë, por mungojnë mjetet financiare për këtë udhëtim. Një gjigand si Pjetër Gaci që nuk ka financa mbas një prodhimi dhe një suksesi të madh... po, kjo ka qenë në ato vite në përgjithësi edhe morali i shoqërisë dhe kështu dolën shumë e shumë gjeni të artit, kulturës, dhe pse jo të sportit dhe profesioneve mbas një regjimi i cili i trajtoi në mënyrë të tillë. Një nga dëshmitë më të bukura në arkivin e Muzeut të Shkodrës për këtë moment është edhe ajo e zotit Qamuran Kaduku, një profesionist shkodran, i cili tregon se si ka komunikuar kompozitori i madh, kur i ka shitur pianon me qëllimin e vetëm që e shoqja Tamara, të shkonte në Moskë, të shkelte dheun e saj, dhe të shikonte njerëzit e saj. Kaduku tregon se: Në vitin 1991, Pjetër Gaci ka nxjerrë në shitje pianon e famshme të tij, atë, me të cilën janë kompozuar kryevepra të muzikës shqiptare. Arsyeja e deklaruar dhe e pranuar plotësisht, ka qënë blerja e biletës së avionit, me të cilën do të udhëtonte për në Moskë e shoqja Tamara Gaci (Kudrickaja). Mirëpo kjo është vetëm pjesa e vogël e një tragjedie, që kishte filluar që në vitet kur Shqipëria dhe Rusia u prishën politikisht. Zoti Kaduku në vitin 2010, ka dhënë si informacion në muze, pranë arkivit, dhe porosinë e Pjetër Gacit që i ka lënë blerësit. Kjo porosi është e shkurtër dhe e qartë. Ajo thotë: Kur të vish me e marrë pianon, më njofto më parë orën, që të mos gjindem aty ...!! E kështu ka ndodhur, blerësi ka marrë tashmë mallin e tij, kurse Pjetër Gaci ka dalë për të mos qënë prezent në çastin kur pianoja e tij, do të shkonte në tjetër vënd. Në fondin për Pjetër Gacin, ka shumë reperte interesante të tjera, ka letra nga miqtë e tij në kohë të ndryshme, personalitete nga më të mëdhatë si gjatë jetës, dhe në momentin e vdekjes, e cila ndodhi shumë afër momentit të ndarjes nga pianoja. Por një nga më të bukurat është edhe një letër nga një nxënëse e prof Papavramit si violiniste, e quajtur Isabelle Berquir, e cila që nga Argjentina e siguron se duke luajtur koncertin e prof Gacit në "si minor" ka pasur shumë sukses. E kjo letër ka ardhur në vitin 1992, si për ta gëzuar profesorin e madh të muzikës shqiptare, i cili vdiq vetëm pak vite më vonë.

Pjetër Gaci ka edhe një koinçidencë tepër sinjikative dhe të trishtë. Ai ka lindur në 27 mars të vitit 1931, dhe ka vdekur në pikërisht 27 mars të vitit 1995. Normalisht unë edhe në disa intervista me bashkëshorten e tij, kam evindetuar kalvarin e jetës të njeriut të 300 veprave muzikore, për të cilin sot nuk janë kujtuar kaq shumë në përvjetorin e tij të vdekjes, dhe të lindjes, as në Shkodër dhe as në Tiranë. Jemi në 80-të vjetorin e lindjes, por asgjë nuk është bërë pikërisht në këtë përvjetor. Pasuria muzikore e këngës "Për Ty Atdhe", e operave "Toka Jonë" dhe "Përtej Mjegullës", i këngëve të mrekullueshme "Shqiponjë e Lirë", "Gryka e Kaçanikut", "Ky merak", "Qytetit tim", "Lahutari" etj ... është shumë shumë e madhe, dhe normalisht nuk duhet të lejojë harresën e përvjetorit të lindjes, dhe të vdekjes, së autorit të madh shkodran. Sot luhen në botë veprat e autorit të parë të këtij lloji në Shqipëri, si ato për violinë e orkestër, që janë "Fushave" dhe "Elegji".

Tamara, e shoqja e kompozitorit të madh, ka lënë gati dy copa të një fotografie, të cilat do të jenë bashkë edhe në banesën e fundit. Ajo më demostron edhe "Diskun e Artë", të vetmin ndoshta në Shqipëri, të një viti mbas vdekjes i cili është për Pjetër Gacin. Ky disk, nuk është demostruar dhe ndodhet në bibliotekën e çiftit Gaci, dhe Tamara e ruan me një dashuri të madhe.

Qindra dhe mijëra reperte, shirita dhe pjesë origjinale, që ndodhen në fondin e tij, tashmë janë në rrezik, dhe për këtë nuk është hera e parë që Tamara Gaci flet, por akoma nuk është i gjithë interesi në rrugë të mbarë. Kërkohet një ruajtje dhe hedhje e tyre në mënyrë profesionale në hard disk, e këtë, e vetme Tamara Gaci, nuk ka mundësi ta kryejë. Një harresë e tillë për një kompozitor kaq të madh nuk është aspak normale, dhe për më tepër Shkodra nuk duhet t’ia lejojë vetes, duke qenë se ka edhe institucione me emrin e gjeniut të muzikës shqiptare.

Pjetër Gaci është "Artist i Popullit", por më tepër se sa kaq, është një fenomen muzikor i artit shkodran dhe shqiptar.

COMMENTS