Salih Myftia

salih myftia
Salih Efendi Myftia lindi në vitin 1891 në Shkodër në një familje të njohur ulemash të Shkodrës. Ai shërbeu si imam dhe myderriz në Shkodër dhe në vitin 1927 shërbeu si myfti në Krujë e më vonë si kryemyfti i prefekturës së Shkodrës dhe Kosovës. Gjatë pushtimit fashist ai luftoi me armë në dorë gjer në internimin e tij në Gjirokastër. Pas vendosjes së regjimit komunist, ai arratiset nga vendi e pasoi aktivitetin fetar në shumë vende të botës, në katër kontinente. Më pas ai vendoset në ShBA, pranë të birit, Dr. Fuad Myftiut (1924-2007), i cili kishte doktoruar në Firence për drejtësi e më pas qe vendosur në ShBA ku imam Salihu nisi të shërbejë si udhëheqës shpirtëror i myslimanëve shqiptarë në New York.

Më 16 maj 1966, në Sheraton Atlantic Hotel të New York-ut, nën udhëheqjen e Salih Efendi Myftiut u mbajt mbledhja e Kuvendit të Qendrës Islame Shqiptaro-Amerikane në të cilën u vendos krijimi i qendrës islame shqiptaro-amerikane për New York dhe New Jersey.

Në moshë të shkuar, pas një jete shërbimi shpirtëror e veprimtarie poltike kundra fashizmit dhe komunismi, në vitin 1972 ai pret shiritin e xhamisë shqiptare në Brooklyn.

Në mesin e të ftuarve gjendeshin edhe Baba Rexhebi i Teqesë Bektashiane nga Detroit dhe Dr. Rexhep Krasniqi, Kryetar i Komitetit "Shqipëria e Lirë" si dhe dalloheshin edhe përfaqësuesit e mediave amerikane si Joseph Pascal nga Zëri i Amerikës në Washington, Robert Kessler i gazetës The New York Times, si dhe reporteri i Daily News.

Salih Efendi Myftiu shërbeu si imam në Qendrën Islame Shqiptaro-Amerikane të Brooklyn, New York deri sa ndrroi jetë dhe u kthye tek Krijuesi me 19 maj 1978, në moshën 87 vjeçare.

Imam Salih Myftija dekorohet pas vdekjes, nga ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bamir Topi, me motivacion: "Për kontributin e dhënë në krijimin e institucioneve fetare të emigrantëve Shqiptar në SHBA, në mbështetjen e tolerancës fetare dhe të bashkëpunimit në dobi të interesave kombëtare".

Më 6 mars 2011 i është akorduar titulli "Qytetar Nderi" pas vdekjes.

COMMENTS