Sandër Prosi

sander prosi aleksander prosi
Aleksandër Prosi, i njohur nga publiku si Sandër Prosi, lindi në Shkodër më 6 janar 1920. Pasi mbaroi shkollën fillore vazhdoi gjimnazin e Tiranës. Merr pjesë në dramën "Vilhelm Teli". Shkon për studime në Austri për stomatologji, të cilat nuk i mbaroi. Më 1947 merr pjesë në konkursin pranë Teatrit Popullor dhe e fiton atë. Që këtu fillon dhe veprimtaria e tij e gjërë dhe e larmishme artistike. Sandër Prosi bën pjesë ndër ata aktorë ndihmesa e të cilëve është e lidhur me krijimin e artit tonë profesionist të skenës dhe ekranit, si dhe me arritjet e tyre më të shënuara. Sandri krijoi mbi 85 role në 75 vepra të autorëve tanë si Andon Zako Çajupi, Kolë Jakova, B. Lëvonja, L. Papa, Ismail Kadare, T. Laço, R. Pulaha, Dritëro Agolli, Dh. Xhuvani dhe të autorëve të huaj si Shekspiri, Shileri, Çehovi, Karaxhale, Gorki, Brehti etj.

Në kinematografi krijoi role të tilla që kanë hyrë në fondin e qëndrueshëm të teatrit dhe kinematografisë tonë. Përvoja që ky aktor krijoi dhe përpunoi gjatë këtyre 35 vjetëve në krijimin e mëse 100 roleve, bashkë me përvojën e aktorëve të tjerë të këtyre përmasave, përbëjnë atë "Universitet" nga lindi e u zhvillua shkolla jonë kombëtare e interpretimit skenik e filmik, prandaj tiparet karakterizuese të artit të Sandër Prosit kanë tërhequr vëmëndjen e kritikëve dhe të shikuesve. Ato janë studiuar e do të vazhdojnë të zbërthehen më tej, mbasi janë të pasura me vlera të mëdha kombëtare. Si të tilla zënë një vënd të rëndësishëm në ndihmesën që teatri dhe filmi ynë japin në thesarin tonë të kulturës përparimtare si dhe në atë të nivelit botëror të interpretimit. Prandaj krijimet filmike të Sandër Prosit zbulojnë jo vetëm vlerat e artit të aktorit në ekran, por edhe mjeshtërinë e tij të lartë skenike.

Sandër Prosi vdiq në Tiranë më 25 mars 1985 ndërsa bashkëshortja Filomena, me të cilën ishin martuar prej vitesh e që ishte 10 vite më e vogël se Sandri, vdiq 18 vjet pas tij në moshën 73-vjeçare.

Sandër Prosi, gjatë karrierës së tij, është nderuar me titullin e lartë "Artist i Popullit" si dhe me shumë medalje, urdhëra e Çmime të Republikës.

Në 25 vjetorin e vdekjes, Presidenti i Republikës e nderon aktorin Sandër Prosi me Urdhrin "Nderi i Kombit" për kontributin e madh në zhvillimin e artit tonë skenik e kinematografik.

Interpretimet në teatër dhe kinematografi:

"Cuca e maleve", "Orët e Kremlinit", "Hamleti", "Fytyra e dytë", "Doktori pacient", "Otello", "Makbethi", "Epoka para gjyqit", "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", "Familja e peshkatarit", "Çatia e të gjithëve", "Revizori", "14 vjeç dhëndër", "Gratë gazmore të Uindsorit", "Rrënjët e thella", "Xhaja Vanja", "Debatik", "Detyrë e posaçme" (1963), Vitet e para (1965), "Oshtimë në bregdet" (1966), "Horizontet e hapura" (1968), "Plagë të vjetra" (1968), "Guximtarët" (1970), "Gjurma" (1970), "I teti në Bronz" (1970), "Mëngjese lufte" (1971), "Yjet e netëve të gjata" (1972), "Shtigje lufte" (1973), "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" (1975), "Në fillim të verës" (1976), "Përballimi" (1976), "Fijet që priten" (1977), "Njeriu me top" (1977), "Gjeneral Gramafoni" (1978), "Udha e shkronjave" (1979), "Yje mbi Drin" (1979), "Vajzat me kordele të kuqe" (1980), "Plumba perandorit" (1980), "Plaku dhe hasmi" (1981), "Qortimet e vjeshtës" (1981), "Nëntori i dytë" (1982), "Dora e ngrohtë" (1983), "Kush vdes në këmbë" (1984) dhe "Pranverë e hidhur" (1985) filmi i regjisorit Muharrem Fejzo që ai la në mes.

Kuriozitet: Janë dy filma, në të cilët interpreton Sander Prosi, të ndaluar gjatë kohës së komunizmit.

"Oshtimë në bregdet" është një film i prodhuar në vitin 1966 nga regjisori Hysen Hakani. Sandër Prosi interpreton në këtë film rolin e Brunos. Tema e filmit lidhet me Luftën e Dytë Botërore. Patrioti Jonuz Bruga ka konflikte me djalin e tij më të ri, Selimin, i cili bën një jetë të shthurur dhe tradhton atdheun e tij duke mos u pajtuar me Luftën Antifashiste. Ndërkohë vëllezërit e tij Dini, Petriti dhe Vehipi, luftojnë duke drejtuar grupet guerile të qytetit. Ky film, me skenar të Sulejman Pitarka dhe Hysen Hakani, u ndalua, për shkak të dënimit të aktorit kryesor, Kujtim Spahivogli.

"Gjurma" është një film i prodhuar në vitin 1970 me regji të Kristaq Dhamo dhe Peçi Dado. Në këtë film Sandër Prosi interpreton në rolin e profesor Besimit. Në role të tjera në këtë film interpretonin aktorët Naim Frashëri, Margarita Xhepa, Demir Hyskja, Pjetër Gjoka dhe Ndrekë Luca. Ky film u ndalua për shkak të dënimit të aktores Edi Luarasi.

Sander Prosi ka thënë:

- "Pas disa vitesh gjimnazi në Tiranë, me nismën e rinisë antifashiste vuri në skenë dramën e Shilerit "Vilhem Tel". Më besuan rolin e Vilhem Telit. Ky qe një kulm në jetën time artistike, por për fat të keq shfaqja u anulua për shkak të frymës së saj kryengritëse, që i frikësoi autoritetet fashiste...".

- "Kur shkonim në kinema, në pushimin e filmit jepeshin shfaqje nga grupi amator i drejtuar nga Mihal Popi. Unë futesha në kinema jo vetëm për të parë filmin, por edhe për të vëzhguar me dëshirë lojën e aktorëve, e cila më pëlqente. Pak më vonë pashë në Shkodër një pjesë teatrale ku luante dhe Loro Kovaçi. Më bëri përshtypje të madhe temperamenti i tij i vrullshëm, zëri i fortë, forca e interpretimit. Thellë në shpirt dëshiroja të luaja në skenë dhe të isha aktor".

- "Mund të them se mua kinematografia më rizbuloi si aktor. Kjo është edhe arsyeja përse spektatori më njeh mua më tepër si aktor filmi sesa në skenë. Debutimi i parë imi në film është roli i drejtorit të shkollës në filmin "Debatik".

- "Mund të them se mua kinematografia më rizbuloi si aktor. Kjo është edhe arsyeja përse spektatori më njeh mua më tepër si aktor filmi sesa në skenë. Debutimi i parë imi në film është roli i drejtorit të shkollës në filmin "Debatik".

COMMENTS