Adnan Bala

adnan bala
Këngëtari i Muzikës Popullore Shkodrane Adnan Bala lindi në Shkodër më 22 korrik 1965. Adnani i takon brezit më të ri të këngëtarëve popullorë shkodranë. Deri tani është shëmbulli më pozitiv, si për cilësinë vokale ashtu edhe për përpjekjet që bën ai për ruajtjen të pastër të trashëgimisë popullore si në karakter edhe në interpretim.

Shkollën fillore (1979) dhe të mesmen (1984) i kreu në vendlindje. Talentin për muzikën, Adnani e shfaqi që i vogël, ai dëgjonte me vëmendje këngëtarët në radio e më vonë në televizor. Prindërit e tij i qëndruan afër Adnanit dhe e inkurajuan vazhdimisht duke i dhënë rrugë dëshirës së djalit të tyre për t'u afruar me grupe të ndryshme popullore. Babai i Adnanit, Haki Bala, u interesua shumë për ta futur në shkollën e muzikës për kanto, por komisioni nuk e pranoi për arsye se ishte i dobët dhe i pa zhvilluar fizikisht. Megjithatë Adnani, pa drejtimin e ndihmën e askujt, me kohë u bë i aftë dhe i kërkuar në shumë mjedise familjare e shoqërore për zërin e tij të bukur dhe të ëmbël. Ai gjithnjë e më tepër po merrte karakteristikat e një tenori-lirik të mirëfilltë, me një timbrikë shumë të ngrohtë dhe të pastër. "Fillimi im si këngëtar, - kujton Adnani, - ka qenë vetëm pasioni im si dhe frymëzimi i prindërve të mi". Lutfi Muça ishte mësuesi i parë i muzikës dhe këngës, që Adnani pati në shkollën tetëvjeçare, i cili e aktivizoi shumë herë në koncertet e shkollës. Për herë të parë dhe në mënyrë zyrtare Adnani aktivizohet nga Klubi i Rinisë "Herojte e Vigut" me këngë popullore, në vitin 1983.

Kur mbaroi shkollën e mesme, u fut në punë në ndërmarrjen e duhan cigares dhe vazhdimisht jepte shfaqje më këtë ndërmarrje, nga ku thirret për të marrë pjesë edhe në premierat e Estradës Profesioniste të qytetit. Merr pjesë vazhdimisht në dasma dhe në estrada të ndërmarrjes, në ndonjë konkurs ose festival lokal, ku gjithnje e më tëpër spikat zëri i tij si këngëtar me perspektivë të mirë.

Që nga viti 1993 e deri në vitin 1996, Adnan Bala, me formacionin e tij instrumental punon si këngëtar në disa lokale private në Zvicër. Atje u prit shumë mirë dhe pati sukses kudo që shkoi.
Kur kthehet nga Zvicera, rregjistron për të parën herë një audio-kasetë me këngë popullore shkodrane. Disa muaj më vonë realizon edhe video-kasetën e tij të parë me 12 këngë, e cila u prit shumë mirë nga publiku për vlerat e saja interpretative. Adnan Bala në ketë video-kasetë konfirmoi se është këngëtari më serioz dhe më me perspektivë i këngës ppullore shkodrane, ndër të rinjtë.

Në dhjetor të vitit 1999, thirret nga T.V.SH në koncertin e madh me këngëtarët më të mirë popullorë shqiptarë ku këndoi me nivel të lartë artistik i shoqëruar nga orkestra sinfonike e Radio Tiranes. Po në këtë muaj këndon në Teatrin "Migjeni", i shoqëruar nga orkestra sinfonike e shkollës së muzikës.

Adnani ështe i vendosur që edhe në të ardhmen të punojë me ngulm për të ruajtur më tej vlerat e pamohueshme të trashigimisë sonë popullore duke e interpretuar atë me pathos të vërtetë artistik, duke e pasuruar me vlera gjithnjë e më kombëtare dhe elemente të reja, të kohës, pa lejuar që të degjenerohet e të prishet nga individë të pa përgjegjëshëm.

Tek Adnan Bala, gjejmë disa tipare që rrallë të bie për t’i takuar ndër këngëtare të tjerë. Ai punën përgatitore e bën vetë, si për gjetjen e repertorit ashtu edhe të përpunimit të tij teknik dhe artistik. Ai dëgjon dhe këshillohet vazhdimisht me shokët e miqtë e tij muzikantë, vjel mendimet e specialistëve për probleme të ndryshme të këngës, tekstit dhe vërtetësisë melodike duke kërkuar gjithmonë atë çfarë është më e bukura dhe më e mira, për të dhënë edhe ai kontributin e tij në ruajtjen të pastër të trashëgimisë tonë popullore.

Fragmet nga libri "Në lulishten e këngës Shkodrane dhe të Këngëtarëve", nga Ferid Bala.

COMMENTS