Piktori Andrea Kushi

andrea kushi portret
Piktori Andrea Kushi lindi në Shkodër në vitin 1885. Fëmijërinë e kalon në vendlindje ku dhe merr impulset e para për artin përmes pikturave të piktorit të shquar Kolë Idromeno. Në vitin 1912 shkon për të studiuar në Beograd, në Shkollën e Arteve të Bukura, por në vitin 1914 detyrohet të ndërprejë studimet për shkak të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore. Pas luftës shkon përsëri në Beograd dhe përfundon me sukses studimet në vitin 1920.

Kthehet në Shqipëri dhe fillon punën si mësues në Gjimnazin e Elbasanit, dhe më vonë në Tiranë, duke dhënë një ndihmë të çmuar në përgatitjen e piktorëve të rinj.
Në vitin 1931, me iniciativën e piktorit Andrea Kushi u çel kursi i parë i vizatimit në Tiranë. Pak muaj më vonë, në vitin 1932 hapet Shkolla e Vizatimit, e para shkollë arti në Shqipëri.

Gjatë viteve 1937-1943 Andrea Kushi jetoi në Korçë, ku ishte në kontakt me piktorë të tjerë të njohur si Vangjush Mio dhe Foto Stamo.

Në vitin 1944 shkon në Elbasan dhe më vonë në vitin 1947 kthehet në Tiranë, ku dhe qëndroi deri në vdekjen e tij në vitin 1959.

Andrea Kushi ishte një nga organizatorët e ekspozitës së parë kombëtare në historinë shqiptare, e cila u zhvillua në Tiranë në Maj të vitit 1931 në mjediset e "Kafe Kursal". Suksesi i madh i kësaj ekspozite bëri që Andrea Kushi dhe piktorë të tjerë të krijonin Shoqatën "Miqtë e Artit", që është gjithashtu e para shoqatë artistike e themeluar po atë vit në Tiranë.

Në punimet e Andrea Kushit spikasin portret dhe peizazhet. Pikturat më të famshme të tij janë "Portret vajze" dhe "Bariu me shkop". Pikturat e tij mund të admirohen në Galerinë Kombëtare të Arteve Figurative të Shqipërisë në Tiranë dhe Galeria e Arteve në Shkodër.

(Portreti "Portret vajze" nga Andrea Kushi, 1930)

shkodradaily.com

COMMENTS