Fadil Kraja, një nga penat me të ndritura të dramaturgjisë shqiptare

Fadil Kraja lindi në qytetin e Shkodrës, në vitin 1931, në një familje patriotike e arsimdashëse. Nëna e tij, e njohur si "Hajrije hanëmi", qe mësuese e shkollave të para publike në këtë qytet, duke thyer një tabu e duke i hapur rrugë emancipimit femëror.

fadil kraja
Fadil Kraja ka përfunduar Universitetin e Tiranës, në degën e letërsisë dhe të gjuhës shqipe. Karrierën e mësuesisë e nisi në fshatrat e rrethinave, për ta vazhduar në gjimnazin e qytetit dhe për ta mbyllur si pedagog i letërsisë së huaj në Universitetin "Luigj Gurakuqi" të Shkodrës e si shkrimtar në profesion të lirë. Ndërkohë drejton rrethin e letrarëve të rinj në klubin e rinisë "Heronjtë e Vigut", nis të botojë në shtypin letrar të kohës, më pas vëllime poetike, madje me librin e parë "Kënga ime" fiton çmimin e parë, në Konkursin Kombëtar të 10 vjetorit të çlirimit të Atdheut, në vitin 1954. Pas këtij vëllimi ka një bum botimesh në poezi e prozë e për këtë kontribut zgjidhet, për dy dekada, kryetar i degës së lidhjes së shkrimtarëve e artistëve për Shkodrën. Këto vëllime, me poezi, tregime e romane e shoqërojnë deri në ditët tona.

Kontributi i tij më i spikatur është në dramaturgji. Është autor i më shumë se 50 dramave e komedive të shfaqura në thuajse të gjitha skenat e teatrove në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe në diasporë. Mes tyre: "Fisheku në pajë", "Sinjalet e natës", "Shpartallimi", "Baca i Gjetajve", "Gjaku i Arbërit" etj.

Këshilli bashkiak i qytetit të Shkodrës i ka dhëne atij Titullin "Krenaria e qytetit".
Për kontributin i tij të çmuar, Fadil Kraja është vlerësuar nga Presidenti i Shqipërisë, Rexhep Meidani, me titullin e lartë "Mjeshtër i Madh".

Në folenë me blerim të Fadil Krajës - Nga Riza Lahi

- "Nëna të keqen. Po a më the se do të rrish sot pasdreke vetëm me mua?"
- "Dua të shkoj për të intervistuar Fadil Krajën. Sivjet ai mbushë tetëdhjetë vjeç. Do të shkojmë me profesor Ahmet Osjen... Ti e njeh moj nënë Profesor Ahmetin..."
- "Si, more nuk e njoh? Po ai asht shtyllë e Shkodrës tande; na e kena edhe "ilaka" ... Bani të fala prej meje ... Po, te Fadil Kraja po shkoni? Që ka ba tanë ato drama? Uuuu... prit - prit ... Më duket se ai asht i biri i Hajrie Hanemit, që e ka pasë mbajtë ballkonin gjithmonë përplot me lule. Ajo ka pasë kenë mësuesja e parë në Shkodër ..."

Pas kësaj bisede me nënën time 86-vjeçare, drejt e te Profesori, që do ta bënte të ulte kokën me nderim cilindo dijetar. Ai nuk e kishte njoftuar shkrimtarin e shquar për vizitën që po e bënim në një orë të gjumit të drekës. Në Shkodër ende njerëzit shkojnë e vijnë te njëri-tjetri pa e njoftuar dhe që në tërësinë e saj, kjo pjesë e traditës, ka bukuri të pashoqe.

Derën na e hapi vetë shkrimtari; pas një çasti habije, të tëra nervat e fytyrës së tij, sidomos sytë, ndrinin nga përzemërsia.

Banonte në një shtëpi dykatëshe të përmbytur në blerim ("që baba e ka pas ble kur ka kenë "jerevi", por asht ba nji kështu, dykatëshe, në vjetin 1938 dhe e ka projektue ai arkitekt që ka projektue "Xhaminë e Parrucës").

Ahmet Osja pa në një cep të oborrit. Ishte diçka që ia kishte dhuruar ai shkrimtarit tonë të madh, dhuratë e natyrës së tij, pra, një pemë. Ai, duke zënë vend me hijeshi në anë të tavolinës, tregoi ndërsa Fadili qeshte me shpirt, se në këtë oborr ka patur tetëdhjetë lloje trëndafilash, përfshirë edhe nga ata me petale të zeza.

Trëndafila me petale të zeza… Ky lloj trëndafili që unë e kam përshkruar në një tregim, në një moment kur një rojë partizane po ngrin në borë dhe është në prag të vdekjes . Ky trëndafil ka qenë krijesë e fantazisë sime, lidhur me vdekjen e një adoleshenti 16 vjeçar, por, ja, që paska ekzistuar vërtetë ky lloj petalezi.

Edhe në oborrin e shkrimtarit tonë, kjo specie qenka shfarosur, por, jo, jo, krejt jo, sqaron mjeshtri i blerimit, Ahmet Osja, në një familje shkodrane është. Do të përpiqem…

"Se sa asht niveli i kulturës së një familjeje a të një populi, shiko se si sillen ata me lulet, fëmijët dhe këngët", pëshpërit Ahmet Osja duke zënë vend plot modesti.

Po qëndroja përball njeriut që tërë jetën kishte qëndruar para letrave dhe para njerëzve të përzgjedhur për të hyrë në botën e letrave përmes penës së tij të zhdërvjelltë, të dashur shumë, transparente dhe plot ornamente e befasira. Këtë radhë me letra përpara isha unë. Ai më njihte që fëmijë kur i ngjiste një bahçevani letrarësh. Më kujtohet që pat ndërhyrë të botohej në revistën "Ylli" hartimi i maturës së një gjimnazisteje që, për fat, nuk u pa më në botën e letrave. Unë personalisht i përkisja një gjimnazi tjetër dhe, nuk isha "kontingjent i tij".

E shoqja, një mjeke shumë e njohur shkodrane, doktoreshë Zyli, siç e njeh e tërë Shkodra, u duk të na shërbente. Nga sytë e gjallë dhe ecja dinamike, mendova se ajo mposhti një kërshëri të veçantë të ulej në tavolinën mes të oborrit ku po rrinim ne të tre. Më vonë mësuam nga shkrimtari, që ajo kishte pajën nga i shoqi, deri edhe t'u vinte kryqin fjalive të tëra a faqeve të shkruara nga ky burrë që pi duhan papushim, ha pak dhe përlotet menjëherë.

Profesor Ahmeti po shëtiste vështrimin herë nga unë e herë nga Fadil Kraja, i cili, hahahahah, kishte ardhë dita që ta intervistonte dikush, për më tepër, një që e kishte njohur që buzëqumësht, që kur i binte "micës" me lugë. "Hë, more "rrush i kuq, i bukur, o", prej kah don me ia nisë? E mësove se çfarë uji i jepet gomarit, ujë i ftoftë a i ngohtë?"...hahahaha... sa i emociunuem duket... si shkojnë vitet...!", folën sytë dashamirës të njeriut që kishte ndenjur me letra a diktofon përpara qindra e qindra personalitetesh e njerëzish të thjeshtë dhe që i di hiletë e gazetarisë prej kohësh, kur nëpër Shkodër kalonin gratë e mbyllura me perçe.

Vendosa t'i jap "goditjen e parë" mjeshtrit, me pyetjen që e kisha menduar tërë rrugës. Për të marrë zemër, pashë nga Profesor Ahmeti. Ai qeshi ëmbël. Unë duhej të kisha besim të plotë te vetja; ai më kishte përzgjedhur mua të kisha privilegjin të intervistoja Fadil Krajën me rastin e tetëdhjetë vjetorit, kur më kish telefonuar.

"Profesor Fadili. Çfarë ju kujton emri Hajrie Hanëmi"?

"...???? ... !!!! Po... ajo asht nana jeme."

Krajani Ahmet Beqi kishte mundur të punonte bahçevan në vendin e bahçeve, në Bahçisaraj. Paratë që fitonte si shpërblim për përkujdesjen plot pekule për galaktikën e luleve të sarajeve të bahçeve, shkodrani i investoi te bija e tij - që ajo, pra, nëna e shkrimtarit të ardhshëm, të merrte arsim evropian. Hajrije Beqi mbaroi shkëlqyeshëm kolegjin "Robert Kolegj", që rron edhe sot e kësaj dite dhe, ishte viti 1919, kur ajo me një avullore, po kthehej në atdhe. Veshur si një zonjushë evropiane, siç ishte edukuar në kolegj, vajza shkodrane asnjëherë nuk tregoi nëse i kishte pikasur apo jo dy palë sy që e ndiqnin sikur të kishin dallgë dhe diell, ndërsa ajo i binte "ud"-it dhe vapori çante shkumbët mbi blu përdrejt portit të atdheut, Shëngjinit.

Djaloshi i ri bëri çmosin t'i tërhiqte vëmendjen mësueses së bukur, "hoxhanëmin", qoftë edhe duke i rënë mandolinës së tij; duke i rënë i shushatur. Djaloshi ishte dhe ai nga Shkodra, nga rrethinat e saja, Kraja, quhej Myrto. Myrto Kraja, djalë hoxhe, thuajse me kërcënim, këmbënguli më pas për dorën e vajzës së bahçevanit, së cilës ende I skuqnin sytë nga të qarat papushim për javë të tëra pas mbërritjes në atdhe.

Sapo kishte arritur prej Shëngjinit, sapo kishte mbërritur te "Ura e Bunës" që ishte e lundrueshme dhe nën sytë e përgjëruar të djaloshit të ri me mandolinë, që nuk kish guxuar t'i thoshte qoftë dhe një fjalë në vapor; sapo kish takuar babin që po e priste, ai, e kish mbuluar bijën e tij me "byrde".

Tanimë jeta e zonjushës evropiane të ardhur nga Stambolli, nga "Kolegji i Robertit" e që i binte aq bukur "ud"-it e që këndonte sa të merrte në qafë, tanimë do të ishte krejt tjetër. Do të ishte nën perandorinë, nën dallgët e zeza të "byrdes". Të byrdes së trashëguar nga natës osmane.

Ishte viti 1919 dhe bota sapo kishte dalë nga lufta e saj e parë. Luigj Gurakuqi, ky madhështor i tolerancës, shpirtbutësisë dhe erudicionit, atëherë ministër Arsimi i qeverisë së Lushnjës - ishte viti 1920 - donte të hapej shkolla e parë femërore. Le të hapej ajo në Shkodërlocen e tij. Po kush do të jepte mësim atje? Ja, një këndez fonde do të rregulloheshin gjithsesi. E ku kishte kandidaturë më të mirë, për më tepër, e vetmja, sesa "Hoxhanëm" Hajria (që, duket, më vonë i mbeti "hanëm", zonjë, nga shkurtimi i "Hoxhanëm", mësuese)? Po ajo tanimë ishte reja e hoxhë Krajës. E, si mund të pranonte një hoxhë që reja e tij, të bëhej mësuese? Makar edhe vetëm për vajza shkodrane? Gurakuqi ia qau hallin Hafizit të Shkodrës, Hafiz Abaz Golemit dhe ky e mori përsipër t'i mbushte mëndjen vjehrrit me çallmë të nuses së re, që priste si një zog në kuvli pret fluturimin.

"Në dhjetor 1920, nana jema u ba mësuese e shkollës së parë femnore në Shkodër".

Populli shkodran e ka dashur pa fund arsimimin e tij, kulturën, tolerancën. Vitin e parë, vajzat shkodrane merrnin mësim nga mësuesja e bukur në " Xhaminë e Shaban Efendisë", si përfundonte hoxha ritin e zakonshëm të fesë. Vitin e dytë morën një shtëpi me qera.

"Tre vitet e para, nana, shkonte me dhanë mësim në të pesë klasat e shkollës së saj, me karrocë. Karrocën, kishte raste, që ia gjujshin me gurë fanatikët ", vazhdon i menduar Fadil Kraja, duke ndezur cigaren që I zgjas unë, me atë që e ka në përfundim.

Bija e bahçevani të "Bahçisarait", ajo që e mbante ballkonin dhe oborrin vetëm me lule, "Hajrie Hanëmi", është ajo që hapi në dhjetor 1944 kursin e parë kundër analfabetizmit me nënat dhe gratë e dëshmorëve të luftës. Më vonë u emërua kryetarja e "Luftës kundër analfabetizmit" dhe doli në pension me titullin "Mësuese e merituar", duke rritur pesë fëmijë, katër nga të cilët u bënë mësues; që të gjithë duke i rënë nga një vegle muzikore, me përjashtim të Fadilit, që ende pretendon se këndon shumë bukur dhe se ka vesh absolut muzike.

Por, Fadili, nisi të vargëzonte; që në bankat e vogla të fillores.

Ende vazhdon të kujtojë me mirënjohje atë burrë të mirë, Jup Kastratin, që e ndihmonte, e nxiste dhe ia pëlqente vjershat që botonte në gazetën e gjimnazit "Letrari i ri". Sot, eh, nuk ndeshë aq dendur burra aq të mirë, si brezi i shkrimtarëve të Prof. Jupit, Agollit, Kadaresë, vetë Fadilit, por ndesh jo rrallë përbindësha që merren me poezi, me këngë, më gazetari; aq, sa të krijohet përshtypja se kanë krijuar një racë, që nuk të vjen mirë ta përmendësh, ndërsa ke privilegjin të rrish mes blerimit dhe këtyre përfaqësuesve të një brezi idealist, le të kenë qenë ato ide fetare, komuniste apo thjesht të një edukimi familjar apo qytetar.

Fadil Kraja, 23 vjeçar, një banor i Shkodrës me nuance anadollake ende dhe nga, për të shkuar për Tiranë, me zi gjeje mjet për t'u drobitur katër - pesë orë, ka mundur të fitojë dy çmime të para në shkallë kombëtare për "një dorë". 23 vjeçari nga Shkodra paraqiti në konkursin kombëtar një fletore me poezi të shkruara me dorën e tij, të cilat, juria e kohës, jo vetëm që pati mirësinë t'ia lexonte, por dhe i dha çmimin e parë në republikë.

Kjo gjë mund të duket jashtë përfytyrimit për kaçatorrat e sotëm të sferës së artit e letrave, të cilët nëna letërsi ende ka shpirt t'i mbajë, por, ja që ka ndodhur. Në vitin 1954 Fadil Kraja, përveç çudisë së çmimit të parë në shkallë kombëtare, ka marrë edhe një tjetër çmim të kësaj natyre, por organizuar nga Komiteti Qendror i Rinisë i asaj kohe.

Plot pasion, mjeshtri nis të tregojë se, n.q.s drejtuesit e rinisë ia kishin dërguar letrën për të shkuar në Tiranë e për të marrë dhuratën shoqëruese të çmimit të parë - "Nji aparat i mrekullueshëm fotografik, qi e varshe në qafë"; dhuratë që e kishte fituar poezia "Mjeku i Malësisë", me çmimin tjetër... Hmmm... Fadili i ri ishte arsimtar diku në një fshat periferik dhe, e kush të jepte lejë të shkëputeshe nga puna? Përse? Pse nuk kishin ardhur paratë e çmimit të parë, more Fadil? Për atë don me marrë leje, the? Tash të vijnë... Hajt, hajt... Mirëpo. "Qe ku e kam letrën me shkue e me marrë aparatin fotografik". Disa shkodranë ishin shpërblyer me çmime të parë, por vetëm Fadilit nuk i kishin ardhur paratë e çmimit të tij e që ishin shumë... më shumë.

Me lezet, siç rrjedhin dramat apo poezitë e mjeshtrit, ai vazhdon të tregojë aventurën deri në Tiranë, peripecitë "me xanë hotel" e deri te shkaku, përse i qe "çarë daullja". A? Ti, ore, qenke ai Fadil Kraja? Ë? ëhëëëë... Ik te posta restante... Ata ditë qe futur në burg për një krim ordiner një tjetër njeri me emrin e mbiemrin e tij dhe... "Partia lart" kishte ngurruar. E si mund t'i jepej çmimi i parë në poezi një hajni? Nji farë hajni që na shkruakërka vjersha? Dakord, more, të bukura, por hajn!!! Ai në burg e na me i dhanë paret e çmimit? Po si dreqin more ia dhamë çmimin e parë nji hajnit? Unë hajn? Unë? Fadil Kraja hajn? Po unë nuk kam vjedhë kurrë as kumbulla kur kam kenë fëmijë, e ti... Po, jo more ti, jo, por një Fadil siç je ti Fadil e me mbiemër si ti... "Dhe unë me aparatin në qafë mora paret dhe i struka në xhepin e brendshëm të teshave që nuk i hoqa në hotelin me nja dhjetë vetë brenda në dhomë. E ku më xete gjumi atë natë? Pa le mandej që gërhisnin... Atë natë nëpër terr kam shkrue nji poezi kushtue Mjedës... Me ata pare bleva nji orë për vëllanë e nji për vedi, nji biçikletë qi e vuna përsipër autobuzit... Ju bleva edhe këtyne të shtëpisë…Pah! Tana more i harxhova për dy ditë".

Kraja kujton kur ka punuar gazetar në Gjirokastër ende pa mbaruar shkollën e lartë, më pas, patjetër mësues, në Mjedën e pranë Shkodrës, ku "unë hapa shtatëvjeçaren, kurse filloren e kishte hapë Kolë Jakova", më pas në Mjedë, tre vjet të tjera dhe, megjithë ngarkesën, pa e hequr për asnjë çast nga dora penën e gazetarit dhe të poetit, fushë ku ka ndjerë dashurinë dhe ndihmën e mjeshtrit tjetër shkodranë të poezisë, të burrit të mirë Llazar Siliqi, që ka qenë dhe redaktori i tij i parë.

Tek kundroj të notojë në kujtime Fadil Kraja, ndihmën e të cilit e kanë ndjerë kushedi se sa e sa djem e vajza, që disa nuk u bënë, por disa morën emër në shkallë kombëtare a më tej, si Visar Zhiti, Petrit Ruka, Luan Rama etj, them me vete: Vallë, ne që shkruajmë sot, që punojmë redaksive e shtëpive botuese, a ka për të na kujtuar dikush kur të mplakemi a të mos rrojmë më? Të thotë "më ka ndihmuar kur kam hedhur çapet e parë ...eh, sa burrë i mirë ka qenë, rahmet pastë".

Jeta e Fadil Krajës në periudhën kur rindërtohej vendi, kur sulmohej analfabetizmi, kur zakonet prapanike, kanuni i egër i maleve ndrydhte dhe vriste personalitete, sidomos atë të gruas, e tëra kjo ka reflektuar në dramat e tija, sidomos në ato. Që të shkonte deri te drama e parë, atij iu desh të bridhte arsimtar andej e këndej ("kam fjetë në Boks Dragoç, në të njëjtën ndërtesë e familje ku ka pas fjetë gjyshi jem"), të drejtonte Klubin e Rinisë së Shkodrës, të shkonte ushtar në marinë, të mbaronte edhe Universitetin, gjithnjë për gjuhë - letërsi dhe, sidomos, e theksojmë këtë "sidomos", kudo ku ka shkelur këmba dhe ka stolisur prezenca e tij, duke ngritur rrethe letrare a duke mbajtur pranë pasionatë të botës së bukur të letrave. Kur ka qenë ushtar ai ka mundur të botojë vëllimin poetik "Melodi malësore"

Më tregonin miqtë e mi që u ka dhënë mësim Fadil Kraja, në klasë atij nuk bëhej kurrë zhurmë, megjithëse "profesor Fadili", nuk kërcënonte njeri as me notën, pa le ta qëllonte ndokënd me shpullë. Ai grishte, ëmbël e bukur me forcën e fjalës, siç i grish të çelin dielli lulet e pranverës, duke sajuar tema të këtilla hartimesh që të hapnin hapësirë pafund, si "Erdhi postieri" dhe duke bërë të mundur biles, si rrallë kush në atë kohë, të bëhej e mundur botimi i një vëllimi me hartime nxënësish.

Ndërkohë, Kraja kishte nisur të merrej me prozë. Me gjininë më të vështirë të saj - dramën. Ishte viti 1967. Njerëzit lexonin ngado nëpër afishe "Fisheku në pajë". Regjisor i saj ishte artisti polivalent, mjeshtri Serafin Fanko me të cilin, autori kishte bërë me fjalë që të dy ata do të bashkëpunonin në dramën e parë. Drama po ndiqej me turma të panumërta. Një vajzë e kishin martuar me "fishek në pajë", ngaqë kishte "patur fjalë" para kësaj lidhjeje. Kjo donte të thoshte se atë mund ta vriste i shoqi kur të dëshironte me atë fishek të dhënë nga babai i vajzës. Brezi i ri sot, kur ka vajza që deklarojnë se është anakronike të martohesh e virgjër apo të kesh vetëm një të dashur; kur lexojmë në mediat italiane se 37 përqind e prostitutave "me patentë" figurojnë "albaneze" sigurisht, duke lexuar kësisoj, habitet për kësi transformimesh të pashembullta që kanë ndodhur në jetën shqiptare. Një nga motorët e transformimeve drejt emancipimit të gruas, të shkëputjes nga prangat shekullore të kanunit dhe të konsolidimit të jetës qytetare edhe në zonat më të thella të vendit, sigurisht që ka qenë pena e Fadil Krajës. Megjithatë, drama e tij e parë e ka bërë të dridhej nga frika atë.

Një personalitet i kulturës (më vonë ndëshkuar rëndë nga PPSH) e kish sulmuar dramën publikisht se: "Fadil Kraja po e ndëshkon kanunin me kanun!!!". Pas kësaj tronditjeje të madhe, qe, një tjetër, nga gazeta lokale "Jeta e re". Ajo e kish cilësuar këtë dramë si "stisje", ndërsa biletat për ta parë atë shiteshin nën dorë. Njerëzit e guximshëm, regjisori Serafin Fanko, punonjësit e aparatit të Komitetit të Partisë së Shkodrës, Xhemal Dini e Zina Frania vendosën t'ia servirnin dramën për ta parë njeriut të stërfuqishëm, Enver Hoxhës, me rastin e ardhjes së tij në Shkodër.

Biletat - me autorizim. Njerëz - nga më të zgjedhurit në qytet, të cilët, duke ndjekur dramën me sytë katër e veshët pipëz, si me komandë, nuk duartrokitnin për asgjë. Drama ecën. Aktorët janë brilantë. "Unë, Serafini dhe Zina Frania po dridheshim mbas kuintave. Si do ta priste Enver Hoxha këtë dramë të re të teatrit "Migjeni", që i kishin dalë edhe fjalë". Kur në një moment të tmerrshëm psikologjik të dramës, malësori plak tha për fishekun në pajë që "hidhe atë plumb atje ku e ka vendin, në pleh!". Befas... u dëgjuan nga një llozhe një palë duartrokitje. Të vetmet. Ishin të Enver Hoxhës. E tërë salla shpërtheu më pas papushim dhe drama vazhdoi të shfaqej mbi 500 herë ngado nëpër Shqipëri e trojet shqiptare, kjo, njëra nga 56 dramat e komeditë e shkrimtarit shkodran Fadil Kraja, që përsërit me sy të menduar: "Asnjë shfaqe timen nuk e kam pa në sallë; gjithmonë mbas skenet se jam shumë emocional".

Poeti ynë mendon me dashuri për poezinë e sotme, të cilën e nëpërkëmbin deri edhe librashitëset. Ai e cilëson atë si më filozofike, ani se i ka ikur rimës, rrokjeve e kadencës që aq mjeshtërisht e ka ushtruar ai, ndërsa shprehet me ca dhimbje se po shfaroset poema.

Ja edhe zana e tij mbrojtëse, shqipja e tij shkodrane, e shoqja. Kjo i sjellë Fadilit të saj kur është përmbytur mes tymit të duhanit dhe halleve të të shkruajturit, kafe papushim, cigare prapë, qumësht e lëng frutash dhe, me siguri, edhe një puthje të fshehtë dhe papandehur. Kur e shikon të stërlodhet ia sjell atje peshkun, patëllxhanat me djathë shoqëruar me speca djegës e erëza gjithfarëshe. Por jo vetëm kaq. Doktoreshë Zyli merr të lexojë e para çfar ka shkruar i shoqi atje përmbyllur në mbretërinë e duhanit dhe, kur i mbushet mëndja - dhe të shoqit i bëhet se ajo ka gjithnjë të drejtë - merr penën e i heq rreshta e fjali të tëra. Fadil Krajës nuk i mbetet tjetër, veçse të shtrohet e të korrigjojë ata që ia ka "ngrënë shqiponja". Gjatë jetës së tyre, kur ka parë të shoqin e saj të trishtuar a të mërzitur, si është informuar mirë, Zyli, është sulur drejt atyre që e kishin mërzitur shkrimtarin e saj, duke u kërkuar pa shumë takt dhe pa llogaritur asgjë, që ta linin të qetë burrin e saj dhe të mos e tepronin me kritika.

Në këta ditë të tetëdhjetë viteve të poetit, dramaturgut dhe romancierit Fadil Kraja, teatri "Migjeni" ka një tjetër dramë të mjeshtrit. Kraja nis të na e tregojë atë, që e ka vënë në skenë Fatbardh Smaja, të na e tregojë duke vënë theksin te jeta e një gruaje që ka çarë jetën e mjerë. Kraja gjithmonë ka qenë në anën e gruas, dhe, personazhet negativë i ka përherë nga bota maskiliste, ajo botë nga vjedhin, vrasin, dhunojnë e përdhunojnë. "Përbindëshi" i Krajës është një kriminel e kohës së komunizmit që ka veshur rroba demokratësh. Pjesa është plot efekte dhe me siguri që shkodranët dhe jo vetëm ata, kanë për ta pritur me dashuri dhe duartrokitje.

Sot, Fadil Kraja, që mban tituj të shumtë, si "Mjeshtër i Madh", "Krenaria e Shkodrës", "Laurant i çmimit të Republikës", vazhdon të shkruajë pa pushim. Ai pi një kafe "te tullat e kuqe" nga ora njëmbëdhjetë deri në një me ambientin e shokëve të tij gazmorë dhe kthehet pastaj në folenë e tij mes blerimit, ku e prêt shqiponja e tij e bukur dhe zemërbardhë që ia ka bërë gjithçka gati anash dhe përmbi tavolinën e punës...

Teksti vjen nga faqja e internetit
http://www.tiranaobserver.al/v1/ne-folene-me-blerim-te-fadil-krajes/

COMMENTS