Vinçenc Prennushi - Grueja Shqyptare

vincenc prennushi gruaja shqyptare
Ka rà rrezja ndër bajâma!
T' bîn e vet kshtû e pvetë e âma:
- Ç'kè, moj bì, qi kjàn e fshân?
Kjàn e fshân, e vetllat vrân?

- Kjava shumë, mori lum nâna,
Tuej qindisë e m' rà gjylpâna;
M' râ gjylpâna nën balkue,
E jam ulë tash me e kërkue.

- Po çka kje qi lott t' i xori?
Kû kje dhima, a kû kje zori?
A por, drue, moj, m' jè harlisë,
Qysh se kjàn - o tuj qindisë.
Pasha nânen nuk mûnd t' bari,
Qi të më ndezet bija zhari!
Do t' a dijë e zeza nânë,
Pse ti vetllat shpesh m' i vrânë;
Pse ç' kah mot, moj, buza s' t' qeshet
E n' argtime zêmra s' t' ndeshet.

- Nuk â' gjâ, moj nânë s' â' gjâ;
Por po t' tham, se as kot s' jam vrâ:
Diçka vlon n' ket çerdhe zânash;
Vlon dashtnì, si n' bija nânash!
Nânë, dashtnija m' kà molisë,
Prandej kjàj - o tuej qindisë!

- T' u thafët goja, bì, ç' po thue?
A kaq shpejt ti m' je tërbue?
Po shikjo, moj, bì kercûna,
Se, po bâna 'i herë e t'xûna,
Bâna e t' pava tuej m' dalë n' derë,
Nuk m' kè pshtim, jo, metsha e mjerë!

- Jam shqyptare e bì shqyptari,
E ato fjalë, nânë, s' mûnd i bari:
S' kè me m' pà, jo, tuej dalë n' derë,
Si kujton, pse m' kè për nderë;
As, moj nânë, nuk jam harlisë,
Veç pse kjàj - o tuj qindisë,
Pse ajo dashtnì qi m' kà pengue,
Asht e dêjë, o nânë, për mue.

Fillon nâna tash me u vrâ:
Diçka nakel së mjerës i âsht bâ:
Don me çilë të ngrîten gojë,
Por dro e mjera mos t' gabojë:

- Fol, moj bì, mos m' lên ndër grepa,
Mos më m' sheh gjâ, moj, se do djepa
I kam luejtë dèr tash e m' kè
Dhelpën t' vjetër: Ty sot bè
T' paça lshue, tash, me m' diftue,
Se pse zêmra peshë t' âsht çue.

- Nânë, dashtnija m' kà molisë,
Prandej kjàj - o tuej qindisë.

Bindej nâna - gjâ s' kuptote,
Por, të miren kah ia dote
Muer me t' âmël e i tha e mjera:

- Mori, bì, moj si prêndvera,
Pàsh njat diell e pàsh njat hânë,
Pàsh njat Zot qi kthiell e vrânë,
M'difto sot, ç' sokol ke xânë?

- Ç' farë sokolit thue, moj nânë?
T' thaçë, moj, t' thaçë se s' m' a bàn ndera,
S' m' a bàn shpija, as s' m 'a bàn dera
Me luejtë mêndsh, moj nânë, mas kuej:
S' i kam dhânë, jo, fjalë kurrkuej.
E po t' tham: Se n' t' êndun t' motit,
Po t' tham, po, me besë të Zotit,
Se due fjalët me t' i ndigjue,
As s' kam mênd, me t' u largue.
Zêmrën dysh un s' mûnd e dàj:
M' lên t' qindisi, m' lên të kjàj!

U ngrî nâna, lott i pshtuene;
Para t' bìs fort sŷt i u xuene.

Kaluen dit e kaluen net,
Vajza mâ me gojë s' po flet:
Me gojë s' flet edhe na â smue,
Ràt e mjera â tuj lingue.
Lingon keq n'at shtroje deket.
E shpesh paket edhe meket.
Ftyra e sajë porsi flok bore;
Mndàsh, gjylpânë s' i hjekë prej dore;
Por pûnon e tuj pûnue,
Shef pelhurën se â marue:
I lshon sŷt mî tê me mâll,
Edhe e puthë e e vên në bàll.

Nâna vajzen tuej dihatë
Shpesh e ndîn e: - Mori e ngratë,
A njimênd s' don me m' diftue,
Se pse zêmra peshë t' âsht çue?

- Nânë, dashtnija m' kà molisë;
Kjava mjaft - o tuej qindisë!
Kjava mjaft... - Mâ desht t' ligjrojë,
Por i u kput ksajë fjala n' gojë.

Si fjalë tjera nuk mûnd xori,
Mndàsh, gjylpânë prap n' dorë i mori;
Por dy duert porsi florîni,
Mî pelhurë deka i a ngrîni.

- Kukû nâna kjàn me lot,
Se ç' me gjet mue t' mjeren sot!
Se ç' e gjet të zezën nânë,
Nên ket diell e nên ket hânë!

Mêrr pelhuren, qi pat ênë
Bija e sajë; kishte pasë kênë
KUQ E ZI e m' tê qindisë
Gjet dashtnìn qi e kisht' molisë.
N' krye t' flamurit kisht' pûnue,
Për rreth shqypje, m' dorë prarue,
Fjalët e hershme, fjalët e të Parve:
Se Shqypnia asht e Shqyptarve;
E nder skâje fjalët "Liri".
Me ket flamur kuq e zì
Mêrr nânë-shkreta e pshtiell at bì,
Qi, pà njoftë tjetër dashtnì,
Ishte shkrî veç për Shqypnì.

Eni bija, zâna malit,
Ju qi kjani n' dekë t' njaj djalit,
E, permysë mî ket bujare,
N' tê nderoni bìn shqyptare.
Ju, tuej puthë e mâll e vajë
Njat flamuer, qi dora e sajë
Diejti aq bukur me qindisë,
Pse dashtnija e kisht' molisë;
Lidhniu tok: Përherë dashtnija
Për vênd t' uej t' u jèt stolija;
Pse, po kjè qi si kjo bì,
Rriten varzat në Shqypnì,
N'vênd do të shkojë - o fjala e t'Parve,
Se Shqypnia âsht e Shqyptarve.
Lidhniu tok, si bâjshin motit
Ato bijat e Kastriotit,
E broh'ritni n' gzim e n' vajë:
Rrnoftë Shqypnija e flam'ri i sajë.

COMMENTS