Kushtrimi i Skanderbeut.., Ernest Koliqi

kushtrimi i skenderbeut ernest koliqi
Ç'asht moj Zanë kjo gjamë nga malet,
Ç'asht kjo ushtimë që kurr nuk ndalet,
L'shon kushtrimin Skanderbeu,
Dridhet toka, tundët dheu.

N'kambë shqiptarë ju me u çue,
Me ngjesh armët me luftue,
Ka ardhun dita e Lirisë,
Dërmen me ia dhanë Turkisë.

N'kala t'Krujës valon krenar,
Njaj flamuri fitimtar,
Njaj flamuri kuq e zi,
Që në shekujt veç ka pri.

N'Lezhë shpejt mblidhet nji kuvend:
Flasin princat rend me rend,
Skanderbeu nji fjalë ka thanë:
Të bashkuem t'jemi të tanë.

Lezhë qytet i Ilirisë,
Mblodhe burrat e Shqipnisë,
N’krye qëndron Gjergj Kastrioti,
I Shqiptarve Princ Kryezoti.

Pa ndigjo Sulltan Murati,
Për njat kryq që mbaj në gji,
Me marrë Krujën je ba gati,
Gjithë ushtrinë kam me ta gri!

Fort tërbue asht Sulltani,
E ka dyndun gjithë ushtrinë,
Rrethim Krujës veç i bani,
Ban hesapet pa hanxhinë.

Se jo, Kruja nuk dorzohet,
Skanderbeu fort e mbron,
Njaj Murati krejt tërbohet,
Prej trishtimit ma nuk rrnon.

Gjith Evropa n'kamb asht çue,
Mbretën, Roma e Venediku,
Skanderbeu qoftë nderue,
Na ka mbrojt prej çdo rreziku.

Emni i tij me shkronja t'arta,
Rrin i shkruem në Histori,
Me levdatat ma të larta,
Përjetsisht i qoftë lavdi!

Çdo shqiptar për të krenohet,
Për kët Princ e luftëtar,
Brez pas brezi do të kujtohet,
Si ma i Madhi Hero Kombëtar!

__________

Piktura nga Llazar Taçi

COMMENTS