Ernest Koliqi - Kushtrimi i Skanderbeut

kushtrimi i skenderbeut ernest koliqi
Ç' asht moj Zanë kjo gjamë nga malet,
Ç' asht kjo ushtimë që kurr nuk ndalet,
L'shon kushtrimin Skanderbeu,
Dridhet toka, tundët dheu.

N' kambë shqiptarë ju me u çue,
Me ngjesh armët me luftue,
Ka ardhun dita e Lirisë,
Dërmen me ia dhanë Turkisë.

N' kala t' Krujës valon krenar,
Njaj flamuri fitimtar,
Njaj flamuri kuq e zi,
Që në shekujt veç ka pri.

N' Lezhë shpejt mblidhet nji kuvend:
Flasin princat rend me rend,
Skanderbeu nji fjalë ka thanë:
Të bashkuem t' jemi të tanë.

Lezhë qytet i Ilirisë,
Mblodhe burrat e Shqipnisë,
N' krye qëndron Gjergj Kastrioti,
I Shqiptarve Princ Kryezoti.

Pa ndigjo Sulltan Murati,
Për njat kryq që mbaj në gji,
Me marrë Krujën je ba gati,
Gjithë ushtrinë kam me ta gri!

Fort tërbue asht Sulltani,
E ka dyndun gjithë ushtrinë,
Rrethim Krujës veç i bani,
Ban hesapet pa hanxhinë.

Se jo, Kruja nuk dorzohet,
Skanderbeu fort e mbron,
Njaj Murati krejt tërbohet,
Prej trishtimit ma nuk rrnon.

Gjith Evropa n' kamb asht çue,
Mbretën, Roma e Venediku,
Skanderbeu qoftë nderue,
Na ka mbrojt prej çdo rreziku.

Emni i tij me shkronja t' arta,
Rrin i shkruem në Histori,
Me levdatat ma të larta,
Përjetsisht i qoftë lavdi!

Çdo shqiptar për të krenohet,
Për kët Princ e luftëtar,
Brez pas brezi do të kujtohet,
Si ma i Madhi Hero Kombëtar!

__________

Piktura nga Llazar Taçi

COMMENTS