Nanë e përbashkët.., Ernest Koliqi

shkodra shkoder shqiperia albania foto
Atdheu asht pronë e përbashkët. Shqipnija asht nanë e të gjithë Shqiptarvet. Të gjithë e kanë detyrë t'a duen. E të gjithë kanë të drejtë të ken dashunin e saj në masë të njinjishme. Kush mendon se në Shqipni ka ma shumë të drejta se të tjerët ai ja asht i krisun në mend ja nën emën të Shqipnis përfshin nji grumbullim gjindje qi s'kanë të bajnë me te. Këta të dytët përziejnë e ngatrrojnë konceptin etnik me ndiesina e parime pa kurrnji lidhje me dhe e qiell të Shqipnis. Janë Shqiptarë vetëm pse dolen nga prehni i Nanës Shqipni, por thithne gjit e nji nanshorje së huej. U llanë me nji qumësht idhnak e idhnues qi, shpesh edhe padashtë, i ngacmon të bajnë dallime ndër Shqiptarë.

Këtu mundet qi dikush na sjell vërejtjen se na jemi kah mohojmë, tue ra në kundërshtim me pohimet t'ona të përherëshme, mundësin e nji Shqipnije shpirtnisht e fizikisht gangullore (integrale). Jo, lum miku, për sa i përket gjallnis e prandej lulzimit n'ardhëmeni të nji Shqipnije shqiptare, çerdhe e nxehtë e të gjithë bijve të Shqipes pa dallime e dasina, na qindrojme njellamirë (optimiste). Koha punon dhe palci i shqiptarizmit, qirish unjisues i mrekullueshëm, deshten s'deshten shumicat e pakicat e sotshëme, ka me ngadhënjye mbi të gjitha çavarrit të mbrendëshme e të jashtme e ka me e ndritë i papeçatun (pa njollë) në prendvernat e ardhëshme të kombit. Ka me ndritë, natyrisht, shum ma heret po e ndihmuem na tue u pastrue nga resa e mënija e tue kërkue marrëveshje në mes nesh. Përndryshej shtyhet vone, po vazhduem m'u ngujue në barrikadat e paragjykimeve, prej kah do të na nxjerri të koritun hovi i pazaptueshëm i breznive të reja.

COMMENTS