Restaurimi dhe Muzealizimi i Fototekës Kombëtare Marubi

Ka përfunduar konkursi ndërkombëtar për projektin "Restaurimi dhe Muzealizimi i Fototekës Kombëtare Marubi", në qytetin e Shkodrës. Në këtë konkurs është shpallur fitues projekti i prezantuar nga studioja hollandeze "Casanova Hernandez".

Në fazën finale të konkursit merrnin pjesë pesë studio nga të cilat dy nga Shqipëria - "Atelier4" dhe "Lorenco&CO", një nga Gjermania - "Zvi Hecker", një nga Italia - "Testa" dhe një nga Holanda - "Casanova Hernandez".

Nëpërmjet këtij projekti, Ministria e Kulturës synon ta transformojë Fototekën Kombëtare "Marubi" në një institucion kulturor bashkëkohor, duke vendosur standarde të reja për funksionimin dhe drejtimin e saj.

Ky projekt do të evidentojë dhe do rrisë vlerat historike, urbanistike, arkitektonike, etnografike e kulturore  të Fototekës Kombëtare "Marubi". Nëpërmjet zbatimi të këtij projekti pritet që Muzeu të tërheqë një numër të madh vizitorësh vendas dhe të huaj, si dhe profesionistë nga fushat e ndryshme. Kostoja për punimet e restaurimit pritet të bashkëfinancohet nga Komunitetit Europian nëpërmjet Projektit IPA Adriatic që po zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Muzeumi Kombetar i Fotografise Marubi
Fototeka Kombëtare "Marubi" u krijua në vitin 1970, pas dhurimit që i bëri Gegë Marubi arkivit të tij personal prej tre brezash, me rreth 150 mijë negativë, shtetit. Fotot e realizuara i përkisnin viteve 1858-1959. Galeria u pasurua më tej me foto të tjera, duke arritur në rreth 500,000 negativë fotosh, si edhe me dokumente historikë e objekte të fotografëve të mëparshëm. Fotot e ruajtura në muze kanë një rëndësi unike jo për dokumentimin e historisë, etnografisë, ngjarjeve, mënyrës së jetësës në zonën e Shkodrës por paraqesin interes edhe në një rang më të gjërë rajonal.

Aktualisht ruajtja dhe ekspozimi i fotografive kryhet në disa zyra në qytetin e Shkodrës, në kushte shumë të papërshtatshme. Për këtë arsye, pak vite më parë, Ministria e Kulturës e Shqipërisë bleu një ndërtesë dykatëshe e cila u rindërtua pjesërisht në kuadër të një projekti për rivitalizimin e rrugës pedonale dhe ndërtesave të qendrës historike në qytetin e Shkodrës. Ndërtesa e re e Fototekës Kombëtare "Marubi" gjendet në qendër të qytetit të Shkodrës, në rrugën pedonale. Ajo është pjesë e strukturës së qendrës historike dhe zonës së mbrojtur të qytetit të Shkodrës. Ndërtesa është monument kulture e cila mbrohet nga shteti për vlerat historike, urbanistike, arkitektonike, etnografike e kulturore që ajo mbart.

Sipërfaqja e truallit mbi të cilin vendoset fototeka "Marubi" është 404.8 m2. Në Fototekën Kombëtare "Marubi" ruhen rreth 500,000 negativë fotosh prej të cilavë rreth 150,000 negativë janë të tre brezave Marubi.

Inventari
  • Negativë Fotosh: 493,760 (copë)
  • Dokumente historike: 200
  • Objekte historike: 150

Fototeka Kombëtare "Marubi është pjesë e qendrës historike dhe e zonës së mbrojtur në qytetin e Shkodrës. Të gjitha objektet që janë pjesë e kësaj zone duhet të restaurohen duke pasur parasysh rregulloren e administrimit të qendrës historike dhe të zonës së mbrojtur.

Qendra historike është pjesa më me vlerë e qytetit të Shkodrës. Ajo ruhet në tërësinë e saj si kompleks monumental me vlera historike, urbanistike, arkitektonike dhe ambientale. Këtu bëjnë pjesë ndërtesat në të dy anët e rrugëve dhe vetë rrugët, trotuaret, muret e avllive, portat, si dhe strukturat e ndriçimit, dekori, gjelbërimi.

Në këtë zonë nuk lejohen ndërtime të reja, por lejohen vetëm ndërhyrjet restauruese dhe konservuese, si dhe rikonstruksione të ndërtimeve ekzistuese, vetëm pasi projekti i ndërhyrjes të jetë miratuar më parë në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve. Plotësimi i nevojave më të domosdoshme për të realizuar funksionet administrative dhe social-kulturore, zgjidhet duke shfrytëzuar monumentet e kulturës që ruhen brenda kësaj zone, pa cënuar vlerat për të cilat ato janë vënë në mbrojtje.
Punimet e konservimit dhe restaurimit në ansamblet arkitektoniko-urbanistike të ndodhura në qendrën historike apo në zonën e mbrojtur, duke përfshirë këtu trotuaret, pamjet e ndërtesave që dalin në rrugë, muret e avllive, portat e jashtme dhe elemente të tjera urbanistiko-arkitektonike, kryhen nga DRKK-ja Shkodër ose/dhe nga persona fizikë apo juridikë të licencuar për këtë qëllim.

COMMENTS