Rikthejeni Fishtën në tekstet shkollore

Fishta Gjergj Fishta Girgio Fishta

Në praktikën e leximeve të rekomanduara në shkolla, e cila miratohet nga Ministria e Arsimit, Fishta përfaqësohej barabar sa një poet. Emri i tij nuk është më shumë familjar për rrethet e leximit, sesa rrethi i miqve të tij.

Në nëntorin e vitit 2001, në panairin e përvitshëm të librit, që atëherë bëhej te Piramida, Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, ne promovonim nismën tonë për botimin e kolanës së plotë të veprës së Fishtës. Si fillesë ishte vëllimi i parë me lirika, "Mrizi i Zanave". Një nismë, realizimi i së cilës zgjati dhjetë vjet, e natyrisht mes peripecish e travajësh jo të pakta, që të hap një projekt i tillë, i madh në lëndë e në kohë. Por, tani nuk përbën vlerë të flasësh për ato, aq më tepër tani kur, kanë kaluar 3 vjet që projekti është përmbushur, vepra është në qarkullimin publik, në dorë e në dispozicion të lexuesit që e dëshiron. E plotë, e përgatitur nga një redaksi me studiues seriozë të letërsisë dhe njohës të thellë të autorit, e pajisur me shënimet e shpjegimet e nevojshme gjuhësore, pra një aparat i plotë filologjik. Prandaj, po kthehem përsëri te fillimi. Ndër të ftuarit, në atë promovim ishin Dritëro Agolli, Pjetër Arbnori, Ali Podrimja e plot të tjerë, poetë, shkrimtarë, dashamirës të Fishtës e kureshtarë gjithashtu... Po përpiqem të perifrazoj fjalët që thanë në atë takim, përpos të tjerëve, Dritëroi dhe Pjetri i ndjerë.

Dritëroi: "Unë, sigurisht nuk i mbaj mend shumicën e vjershave që kam shkruar, sidomos ato të viteve të mia të hershme, por vjersha të Fishtës, që i kam mësuar në klasat e para të shkollës, kur isha fëmijë, i kujtoj edhe sot...", tha Dritëroi, dhe recitoi nja dy strofa nga "Lahuta e Malcis", nuk më bie ndër mend saktësisht se prej cilës këngë, nga e para tek e tridhjeta, recitoi poeti ynë ikonë.

Pjetri: "Ka shumë që thonë se nuk kuptohet Fishta..., por s’kanë si ta kuptojnë Fishtën, në veprën e të cilit ka ma shumë se 19 mijë glosa, ata që në fjalorin e tyre kanë në përdorim jo ma shumë se 3 mijë fjalë...", foli Pjetri i dashur, me atë sarkazmën e tij të njohur, të cilën edhe për pak kohë shqiptarët e brezit të mesëm, nuk do ta harrojnë lehtësisht. Kanë kaluar prej atëherë 13 vjet, sigurisht për Fishtën është folur e shkruar, jo rrallë. Edhe vepra e tij është botuar. Gjithnjë e pjesshme, por shpesh... Përveç botimit të sipërpërmendur, "Fishta-vepra", në dhjetë vëllime, i cili padyshim është unik për nga përfshirja në të gjithë krijimtarinë e autorit. Por për më shumë se kaq, për atë aparatin shpjegues gjuhësor. E megjithatë, prapë në zhargonin e rëndomtë, Fishta ndjehet i pakuptuar. Në shkollat e mesme studiohen, a më shumë përmenden dy prej veprave të tij "Mrizi i Zanave" kur flitet për poezinë lirike dhe "Jerina ase mbretnesha e luleve" (kështu e titullon autori në vitin 1914 poemthin e tij melodramatik), kur flitet për dramaturgjinë dhe kaq. Kurse në praktikën e leximeve të rekomanduara në shkolla, praktikë e cila, deri para nja dy vjetësh miratohej nga Ministria e Arsimit, nën okelion: "Libra të rekomanduar për lëndën e letërsisë", në ato lista zyrtare, Fishta përfaqësohej barabar sa një poet, emri i të cilit nuk është më shumë familjar për rrethet e leximit, sesa rrethi i miqve të tij.

Po kështu, pak njihet, sepse pak lexohet a studiohet Fishta edhe në universitete. Një vit më parë në Fakultetin e Gjuhës e Letërsisë të UT-së, në Ditën Ndërkombëtare të Librit, më 23 prill, në një ekspozitë në korridoret e atij fakulteti kam shquar vështrime habitore për librat e tij, që ishin të ekspozuar aty, prej studentëve, por edhe një qëndrim dyzues midis shpërfilljes dhe habisë, nga disa prej mësimdhënësve të tyre. Nëpër qarqet e atyshme shpërfillja është e disamënyrshme... Një kandidate për master shkencor nga Lezha në Universitetin e Shkodrës "Luigj Gurakuqi" nuk gjen një pedagog të lirë, që ta udhëheqë për punimin e saj shkencor mbi veprën e Fishtës... Por kam ndeshur edhe sjellje të kundruallshme, ca kohë më parë një tjetër studente e vitit III (Universiteti i Tiranës), Erla A.Velaj, kishte përkthyer nga italishtja, një shkrim të botuar në fund të vitit 1940, "Si e fotografova për herë të fundit Fishtën", shkuar nga Allesandro Serra dhe po e përgatiste për ta botuar. Studentja e kërshëruar prej Fishtës, në "gërmimet" e saj studimore kishte ndeshur artikullin në formë reportazhi të italianit Serra, i cili shkruan i mrekulluar për Fishtën, pasi kishte lexuar "Lahutën...", pasi ishte njohur me të dhe pasi e kishte fotografuar. (Revista "Shejzat" e Koliqit... Titulli në italisht, A Scutari con p. Fishta il grande poeta albanese. Alessandro Serra.) Nuk po përmend emra malësorësh, që kanë mundur të recitojnë me orë vargje të "Lahutës..."

Fishta dhe një kujtesë për ministren e Arsimit

Një dyzim i vërtetë ndërmjet "Fishtës së pakuptuar" dhe alibisë për ta paraqitur të tillë. Një pakuptimësi që zgjat edhe njëzet vjet të tjera, pas gjysmëshekullit të shkuar. Dhe a do të zgjasë e zgjasë përsëri? Këtë pyetjen e fundit e kam si kujtesë për Ju, zonja ministre e Arsimit. Tani që keni premtuar se do të bëni reformë në arsim, rikthejeni Fishtën meritueshëm në tekstet shkollore dhe te nxënësit e studentët. Fshijeni, kështu "njollën" e të pakuptuarit, që e "fitoi" prej ndërprerjes zyrtare, gjysmëshekullore të leximit. Poeti kombëtar, do të mund të zërë vendin që ka, nëse, duke u mësuar në shkolla, njohja dhe vlerat që mbart si thesar i kulturës sonë, do t’u transmetohet brezave. Thjesht do të mund të bëhej kështu, ajo që bëhet prej shekujsh në kombet e tjera të qytetëruara, ajo që bëhet në Itali me Dante-n, ajo që bëhet në Britani me Shekspirin, ajo që bëhet në Spanjë me Servantesin, në Gjermani me Gëten ...

Nga Frano Kulli

COMMENTS