Dr. Sandër Ashta

Gjatë vizitave në atdhe befasohem nga ndryshimet e mëdha. Ndër ditët e qëndrimit, sidomos kur dielli shndritë rrugicat shekullore, por edhe fasadat e pallateve modern të qytetit tim të lindjes Shkoder, të vjen dëshira për ndonjë shetitje nga bregu i liqenit për të soditë natyrën e për të sjellë në kujtesë vitet e shkuara. Sa kujtime janë ruajtur në memorien e qytetit tim, për ngjarje nga më të ndryshmet; histori luftrash e pushtimesh, ngjarje artistike e patriotike, gëzime e tragjedi familjare; sa kujtime për personazhe shumëngjyrësh të cilët kanë ndikuar kulturën dhe humorin e qytetit; sa kujtime për dijetarë e specialistë të fushave të ndryshme që nderuan e lartësuan emrin e qytetit të Shkodrës.

Në qytet, rrugët shtruara e të gjëra (nganjëherë me emërtime të çuditëshme) të bëjnë një përshtypje të mirë, aq sa ke deshirë t'u shkosh deri në fund, por kur të lind nevoja për një pushim (nga mosha) të vjen keq që mundësia për t'u ulur në ndonjë lulishte është e paktë ose nuk ekziston.

Më rastisi të kaloja përgjatë rrugës gjarpëruese ku gjendet shtëpia muze e Pashko Vasës, dhe prania e një derë të vogël prej hekuri, mu përballë saj, më ringjalli kujtime dhe emocione të cilat dëshiroj t'i ndaj me lexuesin .... Dikur kjo derë e vogël mbi të cilën ishte e fiksuar një tabelë treguese, mbyllte pas saj ambientet e një ndërtese të vogël me terracë betonit. Për çdo shkodranë kjo godinë ishte shumë e njohur, ndërsa syrin kureshtar të ndonjë vizitori e befasonte përmbajtja krejt e veçantë e shkrimit mbi derë:

KLINIKË PRIVATE
Dr Sandër Ashta, Neurolog, Psikiatër
Orari i Vizitave: nga .... deri .... ora ....
VIZITOJ EDHE PA PAGESË

U shtanga për disa minuta para kësaj porte bujare, që për qytetarët e Shkodrës (por edhe të shumë vendeve të tjera mbrenda e jashtë Shqipërisë), ishte si vend pelegrinazhi... ku çdo njëri që trokiste këtu gjente ngushëllim nga fjalët e ëmbla dhe optimiste, gjente trajtim të kualifikuar dhe ngrohtësi, si dhe shërim shpirtëror e fizik nga mjeku humanist Sandër Ashta ...

Dikur, rrugës për në shkollë kaloja para kësaj dere, ku po thuajse çdo ditë qëndronte dikush që priste, ... një taksi që transportonte ndonjë të sëmurë, ... apo ndonjë karrocë që kish sjellë për vizitë dikë nga fshati. Njerëzit i drejtoheshin doktor Sandrit në shtëpi, mbasi në spital ishte "zor për ta kapur" ngaqë ishte shumë i angazhuar. Përveç vizitave ditore të pavionit, si specialist atij i duhej të ishte pjesë dhe e shumë komisioneve apo ekspertizave mjekësore apo mjeko-ligjore.

Dr Sander Ashta Sandër
Dr. Sandër Ashta

Doktor Sandër Ashta lindi më 6 janar 1936 në një familje të mesme e cila ishte e njohur për ndershmëri dhe atdhedashuri. I ati Kolë Ashta, një burrë shumë i dashur e gazmor, kishte lindur në Dubrovnik në familjen e një tregtari shqiptar. Ai në rininë e tij ushtronte zanatin e argjendarit e më vonë për të mbajtur familjen filloi të punojë edhe si rrobaqepës në Kotorr. Për të gjithë njerëzit që e njihnin, Kola ishte i lindur për ato mjeshtri.

E ëma e Sandrit, Zina (Shllaku) Ashta vinte nga një familje artistësh e intelektualësh nga gjiri i së cilës doli aktori e regjisori i njohur Lec Shllaku dhe shqipëruesi i Homerit, i madhi Prof. Gjon Shllaku. Që në rininë e tij Sandri pat shumë ëndërra dhe dëshira për të ardhmen, por fati e solli që në vend që të bëhej balerin, mësues letërsie apo historie (siç ai ëndërronte), për nevojat e kohës shteti i dha një bursë për mjeksi.

Filloi studimet për mjekësi të përgjithëshme, në Fakultetin e mjeksisë në Tiranë, në vitin 1954 dhe pasi i mbaroi ato në vitin 1959, kërkoi të bëjë një specializim të cilin ia dhanë jashtë dëshirës së tij për otorinolog. Pas shumë përpjekjesh arriti të shkojë në drejtimin që dëshironte dhe të bëhet mjek për psikiatri dhe neurologji. Nga rezultatet shumë të mira e sukseset që pat në studimet pasunivesitare në degën e neuropsikiatrisë, i propozuan një vend si pedagog në fakultetin e Tiranës.

Edhe pse ky propozim ishte shumë intrigues, doktor Sandri shprehu dëshirën e tij që t'i shërbente popullit të Shkodrës duke marrë përsipër detyrën e specialistit të neurologjisë në spitalin civil të këtij qyteti. Ato që e njohën nga afër Sandrin e dijnë që natyra e tij e qeshur e plot humor, mënyra e komunikimit me njerëzit dhe pacientët, thjeshtësia e respekti për tjetrin, por edhe autoriteti (aty ku nevojitej) qenë bazat e suksesit të punës së tij shumëvjeçare.

E kush në Shkodër nuk i njeh batutat dhe anektodat që la "trashëgim" Sandër Ashta? Tregojnë që njëherë, ndërsa lëvizte rrugës nga spitali për në ambulancë ku do të kishte komision mjekësor, një nga figurat e njohura të partisë pushtet në Shkoder (M.T.), një burrë që binte në sy jo vetëm për pozicionin në parti, por edhe për përmasat e mëdha të trupit e të kokës, e ndalon dhe fillon t'i ankohet për një dhëmbje të përherëshme e të padurueshme koke e cila i shtohej sidomos kur ai lëvizte ... Sandri me shikimin e tij karakteristik që të depërtonte dhe me cingaren e përherëshme që i varej në buzë ... e sheh "pacientin" nga koka deri te këmbët dhe ... si pa rëndësi i përgjigjet: ... Mos u ban merak, krejt e thjeshtë ... a din çka ke ... ti shoku M... për fat të keq ke kryet e madh e mbrendë tru pak, e kur ecë me ngut, trutë shkojnë tuj u perplasë ... e kjo të shkakton dhimbje...

Sandri ishte shumë konsekuent në zanatin e tij e për këtë shpesh i duhej që të "ndeshej" edhe me miq e shokë, por "pa i lëshuar pe" nga mendimet e tij. Meqë ai njihte shumë njerëz edhe ndërhyrjet tek ai për probleme të ndryshme ishin të shumta. Njëherë një i njohur i kërkoi që, meqenëse ai jepte mësim në shkollën e infermierisë në qytet, t'i bënte nderë duke i kaluar klasë një mbese të tij që ishte nxënëse e dobët. Sandri i cili i dinte mirë aftësitë e vajzës nuk pranoj, por shoku vazhdonte të ngulë këmbë (pasi kishte shumë afërsi me të) ... e Sandri vazhdonte të kundërshtonte. Kur miku u bë ... i padurueshëm, Sandri i përgjigjet: Sikur të më kërkoje që t'i gjeja burrë, do ta bajsha me knaqësi se e njoh që është vajzë e mirë, por diplomën nuk mundem me ja dhanë se merr njerzit në qafë ...

Ai nuk i thyente kurrë dhe ishte kokëfortë në parimet e tija edhe pse rrezikonte ndonjëherë. Ndodhi që gjatë një mbledhje analizë vjetore ku gjendeshin pothuajse të gjithë mjekët e qytetit, drejtuesi i mbledhjes (A.B.) i cili ishte dhe drejtues i institucionit dhe njëri me shumë "kontribut në parti" e përfundoi mbledhjen me fjalët: ...LE TË JETË MOTOJA E JONË ...PARTIA MBI TË GJITHA ... e Sandri e korigjon me "kujdes" ... PËR NE MJEKËT ... NJERIU MBI TË GJITHA ...

Si në të ftohtin e dimrit, ashtu edhe në zhegun e verës, me kapelën e tij karakteristike "Borsalino", përshkonte Dr. Sandri rrugët e qytetit mbi biçikletën e tij të vjetër ... nga njëri cep në tjetrin, aty ku e kërkonte puna, aty ku kishin nevojë njërzit. Nga goja e tij nuk u dëgjua asnjëherë fjala ... JO, ... NUK MUNDEM, ... NUK KAM KOHË ...

Më rastisi njëherë që ta shoqëroja me makinën time në një lagje periferike të qytetit ku ai nuk kish mundur të shkonte për një vizitë në biçikletë ... - Me vjen keq që do të vonohemi pak - u përpoq të më kërkonte falje pasi doli nga vizita, ... duhet të shkojmë në farmacinë e Parrucës për të blerë ilaçet e këtij pacienti pasi është burrë i vobegët dhe i vetëm ...
Nuk ishte rasti i parë që dëgjoja që ai i paguante nga xhepi i tij ilaçet e personave të varfër e në nevojë.

Doktori i donte shumë lulet ashtu dhe kafshët. Oborri i tij ishte gjithmonë i mbushur me lule të shumëllojshme e shumëngjyrash. Njëherë në mes të njerëzve që i kishin ardhur për t'u vizituar në shtëpi, njëri që ishte tepër i dobët fizikisht po i "ankohej"...
- Allahile doktor çka ka me mue ky qeni i jot, që m'asht qep' e më leh ma shumë se të tjerëve?
- E kam mësue me koca - iu pergjegj doktori plot humor.

Si çdo shqiptar edhe mjekët krahas punës së tyre humanitare me njerëzit, thirreshin në shërbimin ushtarak (zbor) për "t'u aftësuar në mbrojtjen e vendit". Një herë në muaj (gjatë viteve 70-80), edhe pse ishte i mbytur në punët e spitalit e problemet shëndetësore të qytetarve, Dr. Sandrit i duhej të shkonte në zbor, që të ruante depon e armatimit që gjendej në fabrikën e cingareve të Shkodrës. Ndërsa për të tjerët kjo ditë ishte një mënyrë për t'u shkëputur nga rutina e punës, për Sandrin "dita e zborit" ishte ditë e mirëfilltë pune pasi njerëzit i shkonin tek depoja e armëve për t'u vizituar. Atë ditë çanta me aparatin e tensionin, çekiçin e neurologut dhe karabina ishin pajimet e tij.

Kisha dëgjuar nga kolegët e tij që atë kohë (nga viti 1972 e më pas) Dr. Ashta, arrinte të kishte 70 deri 90 vizita në ditë, për të cilat nuk pranonte të paguhej, megjithëse nganjëherë i mungonin lekët për të blerë duhanin që nuk mund ta ndante për asnjë çast nga vetja. Pavarësisht nga lodhja ditore, humanisti Sander Ashta, edhe trokitjeve në derë në orët e vona të natës, i përgjigjej menjëherë. Për këtë punë vetëmohuese ai ishte vlerësuar me shumë urdhra pune dhe nderime profesionale nga shteti.

Një miku i tij që banon në Vekshar të Shkodrës tregon këtë ndodhi: ... një ditë Sandri ndodhej në shtëpinë time për të na bërë një vizitë mjekësore. Pas vizitës, teksa po pinim kafe dhe bisedonim në oborr, afrohet pranë nesh një komshi i imi, burrë në moshë të thyer, dhe e pyet doktorin: ... m.q.s. je mjek dëshiroj me të pyet ... a din gja a rron Sandër Ashta? ... Jo ka vdekë, i përgjigjet Sandri, duke mbajtur pamje serioze ... po pse po pyet? ... Më ka shpëtuar jetën, i përgjigjet i moshuari ... Kishte ardhur familja të më marrë nga spitali i cili më nxori jashtë për të vdekë në shpi ..., por fati e solli që të takoj Dr. Sandrin në shkallat e spitalit, i cili me ktheu në repartin e tij e ja ku jam sot ...

Një herë pata rastin të takoja Dr. Prezën të cilin Sandri e pat profesor, më vonë koleg, por edhe mik të madh. Kur i tregova që ishim të njohurit e Dr. Ashtës na këshilloi që të mos merrnim më rrugën për në Tiranë, pasi është Dr. Sandri në Shkodër. Unë - më tha ai -, të gjithë të afërmve të mij i rekomandoj Dr. Sandrin për problemet që kanë. Më pas për të treguar aftësitë dhe profesionalizmin e Dr. Ashtës kujtoi nga e kaluara: ... e kam njohur qysh student, ishte shumë i vëmendshëm dhe i talentuar. Punonte gjithë ditën në spital që të përfitonte nga mjekët më të vjetër. Në pavion patëm një herë një paciente nga Shkodra të cilën ai e njihte. Pasi kishte konstatuar që ajo po trajtohej gabim, me lejen shefes së repartit (një mjeke ruse) i ndërroi mjekimin gruas e cila u përmirësua dukshëm dhe u shërua.

Është për t'u përmendur që për njohjet e tij, respektin që gëzonte në popull, si dhe përkushtimin dhe ndershmërinë në punë, në fillimet e demokracisë një mjek koleg dhe politikan, i propozoi që të futej në politikë e të bëhej deputet. Ato ditë Sandri ndjehej i shqetësuar dhe këtë ua thoshte të gjithë miqve të tij: ... si thoni ju ... unë jam për mjekësi, që të ndihmoj njerëzit e jo për politikë ... dhe ai vendosi të ishte aty ku mund të ndihmonte më shumë popullin e Shkodrës, vendosi për mjekësinë.

Po në ato ditë, më kujtohen vizitat e përditëshme që i bënte, ish të burgosurit politik Pjetër Arbnori, i cili sapo kishte dalë nga burgu ku kishte kaluar një jetë plot trauma dhe keqtrajtime. Doktori e kuptoi që ai kishte nevojë për ndihmën e tij profesionale dhe e trajtoi me dëshirë e durim mikun e tij të mirë. Gjatë kohës së diktaturës si dhe në ditët kur filluan lëvizjet për demokraci, Dr. Sandër Ashta ndihmoi me dhjetëra të burgosur politikë që kishin mbushur birucat e degës së punëve të mbrendëshme në Shkodër. Edhe pse ishte shumë e rrezikshme, ai shkruante në kartelat e të burgosurve diagnoza të pakundërshtueshme nga ndonjë "mjek i partisë", që t'ua lehtësonte sadopak vuajtjet, apo të pengonte internimin ose dërgimin e tyre në kampet famëkeqe të punës.

Shkodra nuk mund të harrojë që me këmbënguljen e tij u ndërtua spitali psikiatrik në Shkodër i cili sot mban emrin e tij. Me eksperiencën e tij të gjatë si specialist i kësaj fushe, ai bashkëpunoi me ndërtuesin, që ta bënte spitalin e ri sa më funksional dhe bashkëkohor. I gjithë kolektivi i këtij spitali i njeh mirë përpjektjet e tij, duke shfrytëzuar edhe njohjet përsonale, për ta pajisur spitalin me një kaldajë të fuqishme që do të plotësonte nevojat për ngrohje. Në ato ditë të vështira, ai angazhohej personalisht për të siguruar lëndën djegëse për ngrohje e kur ajo mungonte, me tagrin e drejtorit të spitalit, i lejonte pacientët të mbanin reflektor në dhomë.

Përveç spitalit psikiatrik, Dr. Ashta drejtonte edhe shtëpinë e të moshuarve të qytetit, ku ai shpalosi vlerat e tij të larta morale e sociale, duke u sjellë me këtë shtresë si me prindërit e tij që i adhuronte. Nuk mund të harrohen ditët kur në sallën e ngrënies tavolinat mbanin mbulesa tipike shkodrane, kur kafja e mëngjezit i shkonte çdo banori te shtrati. Së bashku me kolektivin e shërbimit, ai dëshironte që t'i krijonte të moshuarve ngrohtësinë e familjes.

Me vlerat e tij të larta morale si njeri dhe specialist, Dr. Sander Ashta ka hyrë në të gjitha shtëpitë e qytetit, për t'i shërbyer njerëzve të çdo moshe, në çdo kohë. Ai ishte i lidhur miqësisht me qindra familje të cilat i frekuentonte edhe në raste gëzimesh familjare.

Duke kërkuar të dhëna për Dr. Sandër Ashten në Shkodër tek të njohurit e tij, kolegët, të afërmit, mora vesht një lajm që më la shije shumë të keqe. Një nga koleget e reja të Dr. Sandrit nga spitali psikiatrik (Dh. U.), duke respektuar proçedurat e këshillit bashkiak në Shkodër për emërtimin "qytetar nderi", kishte kërkuar aplikimin për Dr. Ashten.

Përgjigjja kishte qënë e menjëhershme dhe negative pasi mjekja i përkiste jo shumicës partiake të këshillit bashkiak. Ndjeva neveri e turp pasi Dr. Sandri ishte kujdesur edhe për shëndetin e vetë këshilltarëve e familjeve të tyre, pa pagesë, duke sakrifikuar edhe kohën për familjen e vet, pa shikuar ngjyrë apo ideologji partiake. Shkodra e shkodranët ishin si familja e tij. Mendova me vete: mjerë Shkodra e qytetërimi i saj për këto mbeturina partiake që pengojnë përparimin. Mjerë ai komb (qytet) që nuk ngre në piedestal heronjtë e vet ... Deri kur?

Kushtuar mjekut humanist, neurologut Sandër Ashta
- Nga Pjeter Logoreci, Wien, me 12.2.2014

COMMENTS