Ndre Mjeda - Vllavrasi

ndre mjeda poezi vellavrasesi
Neper terr qi lëshote nata,
Ngarkue teshat kaliboç,
Neper nji pýllë kû s' rá kurr spata,
Ndiqte rrugen nji djaloç.

Landët e pýllës si 'j ujk ju dukshin,
Qi prei ûjet n' mal luron;
Cuba t' rrebtë, qi n' prit' u strukshin,
Gjethët e lisave kujton.

Oh Shqypnî! gjimote i shkreti,
Male, mbushë me gjuetarë plot;
Kësoll' e bardhë, kû porsì mbreti,
Shkon barija dit e mot.

O ju lugje të Prevezes!
Këtû mue zêmra po m' vajton;
Te ju hâna me dritë t' rrezes,
Shtigjt udhtarit ja kallxon.

Fis i dashtun, kû n' dritë dola,
Afer détit t' pápshtjellim;
Shpí e bardhë kû s' parit fola,
N' prêhen t' nanës tui gjetë pushim.

Njeshtû thot' e me trimnië,
U nis udhës shtegtari prap;
Fishklloj landa tu' u perzië,
E prei frigës ngau djali vrap.

Por n' nji cub mbas gardhit hasi;
Ndalu, i thotë, nuk ké kah mba!
Nji kubure n' brî ja rrasi,
E mbi tokë perbyz e la.

Ah, nanë shkreta! i shuemi briti,
E permbyz u lëshue mbî 'j curr;
Per tre muej e shkreta m' priti,
E tekëndej nuk m' shef mâ kurr.

Por jot' âmë, si per qestië,
Ja bân gjaksi me idhnim plot;
Ti m' diftò kû rri me shpië,
Fjala e jote nuk hupë dot.

N' skâj t' Shqypnís shkon vorfnisht jeten,
E pá djelm e mjera mbet;
Dy mâ t' mëdhajt nder luftna mbeten,
E këtû i treti qe po jet.

Pat nji tjetrë..., fija e zânit
Ju kput djalit e gjimoj;
U dridh gjaksi, e aj farë luânit,
Pushken n' tokë me 'j herë e lëshoj.

Pat nji tjetrë, qi ajò e dote,
Permbî dritë të syve t' vet;
Kurr prei prehnit nuk e lëshote:
Shokë nder cuba vojt e gjet.

Vllá, i përgjegji zêmervshtiri,
Njitû t' vrava e këtû po des;
Nuk kam sy me m' pá mâ njeri,
Ngryk' me tý njitû po jes.

Jo, ti shëndosh! e fíll te shpija,
Te nanë zeza fluturò;
Pa asnji fëmij, e mbytë vetmija,
E mbëlon skami: mos e lëshò.

Shka t'i tham mandej nanës ngratë,
N' kjoftë se pvetë per tý ndo 'j sênd?
Thuej se mora nji rrugë t' giatë,
Se bashkë n' qiell dikur xâm vênd.

Shqipëroi nga italishtja Ndre Mjeda
Portreti nga Pjerin Sheldija

__________

Vllavrasi: Vëllavrasës

COMMENTS