Çka do t' jet Shkodra.., Lazёr Shantoja

Shkodra Shkoder Scutari, Albania

« Nё piken e tretё e kam dà t'ju zhvilloj se çka do t'jèt Shkodra: çka do t'jèt e jo çka kà me kênё, pse as jam as s'due tё jem profetё.

Shkodra, o zotёnì, do t'jèt kryeqyteti i Shqipnìs! Jo vetem kryeqyteti moral, por edhè kryeqyteti fizik i Shqipnìs.

Âsht faret punё e kotё qi une kёtû t'ju parashtroj provёt e argumentat qi i japin Shkodres ket tё drejtё posё qytetevet tё tjera.

Kёto argumenta e provё keni mujtё me i lexue n' Oren e Maleve e âsht kot t'i persris, âsht kot pse nё kjoftё se Shkodra nuk bâhet kryeqytet nuk âsht pse nuk kà tё drejtё m'u bâ; nuk âsht pse i mûngojn argumentet e provat mbî tё cilat m'u pshtetё kjo e drejtё, por vetem pse nuk don ndokush qi tё bâhet: nuk e don ndoj i huej e ndoj i jonё qi per interesat e veçanta tё vetat âsht bâ vegel qorre e e ndytё e tij.

E ky fakt, o zotёnì, tham un, âsht argumenti mâ i madh qi do tё perdorin nacjonalistat e vertetё per me bâ Shkodren kryeqytet. Shkodra do tё bâhet kryeqytet jo pse kà kênё gjith herё, jo pse âsht qyteti mâ i lulzueshem e perparimtàr, jo pse po rrenohet ekonomikisht; jo ne e mram pse lypim na Shkodranёt, por fillё pse nuk e duen t'huejt e interesat e tyne. Me deklarimin e Shkodres kryeqytet Kuvêndi Kushtetues kishte me i lanё nji êmen tё paharrueshem vedit e kishte me mujtё m'u quejt me tё vertetё Kuvênd Kombёtàr.

Na kà bâ me qeshё artikulli i nji deputatit nga Kruja nё « Shqiptarin e Amerikёs » me tё cilin diftote se Shkodra nuk mûnd t'u bâte kryegjytet per arsye tё Bunёs e Drinit qi aj barasote me dy kulshedra. Jo, zotёnì! tjera janё kulshedrat qi ja ndalojn ket tё drejtё Shkodres: kёto kulshedra po e persris, janё t'huejt. Une me ket fjalё nuk due me thanё se gjith ata qi kundershtojnё tё drejtat e Shkodres, janё tё gjith tё shitun polikes s'huej, tham se tё gjith, dashtё o pà dashtё, bajn politiken e huej.

Kёtû rrî soni i punёs, e prandej na Shkodranёt kemi tё drejtё me vûe « pregiudiziali » kuer âsht fjala per kryeqytet. Nuk jemi na Shkodranёt ata qi per nji plesht jemi gadi me djegё jerganin; nuk jemi ata qi thonё se kuer tё mbaroj un, batall fort per tjerё; nuk jemi na shkodranёt qi lypim Shkodren per me hupё Shqipnìn por duem Shkodren kryegjytet pse vetem me Shkodren kryeqytet kà me na u mbushё mêndja se kà Shqipnì, se kà Shqipnì pernjimênd!

Kёtû mё duket se ndokush do me mё pvetё: Mirё po, tё tana fjalёt e mira e tё bukra; por fûndi, a po bâhet a s'po bâhet Shkodra kryeqytet?

Zotёnì kёsajё pvetje s'mûnd t'i pergjegjem. Do t'i pergjegjem vetem tuj protestue n'emen tё gjith juvet, tё fyemvet qi nji fletore e ndyet, e poshter, guxoj me i bâ Shkodranvet e Deputetvet tё Shkodres.

- Mbas kёtyne fjalvet konferencjeri xjerrё prej xhepit fletoren «Shpresa Kombёtare» nё tё cilen kёndon: « Shkodra po mbaron pёr faqe tё zezё tё gjith Shkodranvet. Ata qi kan marrё besimin t'onё, ata qi na perfaqёsojnё, ata e vetem ata e kan nё dorё me bâ Shkodren me lè per sё dytit e sè me e gjykue per vdekje. »

Protestojmё, o Zotёnì!

Zoti mos e thashtё! Por nё kjoftё se Shkodra mbaron nuk mbaron pse e gjykuene pёr vdekje deputett t'onё, deputett e popullit, tё zgjedhun me djersen e popullit, por pse e gjikuene pёr vdekje deputett e BEGUT tё zgjedhun prej BEGUT e prej pares.

Zoti mos e thashtё! Por nё kjoftё se Shkodra mbaron, nuk mbaron per faqe tё zezё tё gjith Shkodranvet, por vetem per faqen e zezё t'atyne faqezezvet e trathtarvet shkodranё tё cilёt êmnin e tyne e kan lidhё per mot tё motit me êmnin Koplik!

Zotnì! Tuj ju pà kёtû nё ket ças âsht tuj mё ngà mêndja tu nji shenё e zakontё nё kohen e rromakvet kur tё gjykuemёt per dekё para se tё shkoshin me marrё ndeshkimin do tё kaloshin para perandorit e nji lajmtàr n'êmen tё tyne, i thotё: « Ave, Caesar, morituri te salutant! » Rrnosh o Mbret, tё gjykuemёt per dekё tё falen.

Nё ket ças mё duket se kam para vedi me pranì fizike tё tanё Shkodren e rrethet e saja: mё duket se shoh kёtû malcorёt t'onё, burrat e Kosovёs a t' Hotit e tё Grudёs: mё duket me pà tё ngjalluna hijet e martirvet tё lirìs kombёtare, mё duket me pà tё njallun para mejet fatosin e Traboinit Ded Gjo Lulin, e mё duket se prej kёtyne gjindvet sot çohet nji zâ i nâltё e i madh qi mrrînё deri nё Tiranё e jehon nё Kuvêndin Kushtetues: « Ave, morituri te salutant! »

Ndînje, o zotёnì, zânin t'onё, kёqyrni tё drejtat t'ona! Per hater tё Zotit, per hater tё Shqipnìs, per hatrin e kombit shqiptàr, mos e dёnoni Shkodren, persè Shkodra do tё rrnojё! persè Shkodra edhè trup i dekun ne u baftё prej jush, kà per tё kênё « das lebende Leichnam » - kufomё e gjallё - Dinje se Perendija Shkodren e kà bâ per Shqipnì, sikur kà bâ Shqipnìn per Shqiptàr!

Ora e Maleve, 19 prill 1924, nr. 17 - Shkodёr

COMMENTS