Dy lot e nji betim.., Padër Anton Harapi

Mbi eshten të dishmorve t' Atdheut Çerçiz Topullit e Mustafa Qullit.

Kjo kje ligjirata e permotshme, qi Redaktori i "Hylli i Dritës", Padër Anton Harapi, me nji shprehje të gjallë e terhjekse, të zgiedhun e të permallshme, majti diten 14 Shtatuer 1936 në Shkoder, në Fushen e Çelës, perpara arkivolave, kû ndrýheshin eshtent e ktyne fatosave të komit, tuj u percjellë prej gjytetit t'onë per Gjinokaster e Leskovik...

anton harapi dy lit e nji betim

Ndalniu! Kû veni, burra ?!...
Çerçiz e Muço, dý fjalë ka me jú Shkodra kreshnike, ktú në log të kuvendit, para se të daheni.
Doni t'a lêni Shkodren, të shkoni e të pushoni atje, kû së parit pát t' amblat rreze të diellit, kû, si filiza të shndoshtë, gzueshem e rritët shtatin, atje, prej kah Shqypnija u qiti edhe u ndriti!

Le të lavdohen, po, per jú Gjinokastra e Leskoviku, vendet kû ju u lindët per jetë, por grimë mâ pak s'do të gzohet me jú Shkodra, vendi, kû ju, nuk diqtë, por u lindtë per Atdhé.
Njimend se ato u dhanë tamblin e gjiut e u janë nana të natyrshme, por ju tashmâ, nuk jeni nierëz të zakonshem, nuk jeni çë fardo shqyptarësh, ju jeni heroj, jeni burrat Shqyptarë; e si të tillë u priti e u mbajti, si të tillë, sod me gzim u percjellë Shkodra, lama e nana e heroizmit t'uej.

Jo, nuk u lshon jú Shkoder lokja, ambel pa u puthë në të dyja faqet, thekshem pa u lmue të dý krahët, permallshem pá u derdhë dy pika lotsh, lot gzimi e pikllimi, mbí eshten t'uej.
Eshten të pamort, u falem! Të pavdekshëm, po, pse nder vême t'ueja rueni nji visár të çmueshem, njat idé e cilla e patrandun do të jesë nder né dér të jetë Shqypnija.

E udha e mbarë u kjoftë!
Veç, o burra, qi, dekun, flitni; të metun, njalleni; të hupun, sod ndritni, kah rreth e rrokull t'i bini Shqypnís, deh, lshonie nji zâ, at zânin t'uej kumbues si të luâjve, diftoni djelmnís shqyptare shka u ushqei idealin, shka u mbajti karakterin, shka u bâni të padekshëm.

Diftoni, po, se ká e do të ketë Shqypní dér të kemi e të mbajm nji Zot mbí veti; ká, po, Shqypní dér të dalin Shqyptarë fatosa; ká e ká me pasë Shqypní dér gjaku i juej i kerthnestë e i gjallë të vlojë në kujtim e nder ndiesí të shqyptarve, dér qi në Shqypní, pá ndryshim krahine e besimi, të çmohen e të madhnohen thëmeluesat e Atdheut. Kemi pse të jemi e të mbahemi shqyptarë, dér shêjte të ruhen besë e burrní.

Me tanë fuqín t'uej vigane m'i a bâni nji urim Shqypnís: m'i niellni të marë e perparim, pagjë e ngallnim.
Por edhe 'i namë, si rrfeja, m' i a lshoni kulsheders së ré, rrymve dermuese, qi po e bréjn jeten shqyptare: atyne po, të cillt, thonë se po bashkojn e na shkatrrojn; lavdohen per dashní, e na qesin mnín e fitmen, duen të na msojn e po na zhburrnojn. Heu! ata mos kjoshin, e Zoti i vraftë njata, të cillt duen t'i lâjn shqyptarët pâ besë nder veti, duen t'i qesin moralit e karakterit, familjet e historijet.

Nuk po u pves kush jeni as kah po veni. Kûdo shkojshi, të bardhë kjofshi; kû ndêjshi, florî ndritshi. Ideali i juej më tregon se kush jeni, deka e juej më dishmon se kû dueni. Nuk më duhet gjâ kush u vrau, por knaqem, kah mârr me mend ata per shka ju rát preja e dorës mizore. Nuk mârr para sŷsh çë krahine kjét e çë besim patët, më mjafton të dij se besuet më nji Zot, e si kristal i kulluet rrodh nder dej t'uej gjaku shqyptár.

Ju msŷt Shkodren per azil atdhetarizmi, per lamë veprimi, per strehë sigurije. Edhe Shkodra me knaqe u priti e u dha nderimin qi u perkitte: pa ndryshim u rreshtoi nder fatosat të vet, nder të dekunt e padekshëm, krahas me 'i Dedë Gjo Lul e tjerë sokola.

Eh, moj Shkoder, moj mizore! Si s'u ngîne mâ nji herë me gjak? Dér kúr mâ do t'm'i a kndojsh kangen dekës e shemtimit? Shka âsht më tý, qi dán si të ngallnojshe mâ fort mbí dekë se mbí jetë, si të gzojshe má fort per të metun se per të gjallë? Me shka mâ mund do të shuehet ajo etja e yte, qi tash sá mot të rreshkë e të pervlon?...

Ti, mizore njimend, por fatose, pse si në djep t'and perkunde burrat e maleve, ashtû në prêhen t'and mlodhe, në voten t'ande rreshtove herojt e kombit. Mizore po, por trimneshë, pse kurdoherë në dekë pae pshtimin; në therorí, fitimin; në burrní, forcen. Mizore po, por fisnike, pse nderë e burrní i pate gjithmonë per piri.

Zotní të ndritshëm! Nuk due t'u ndali mâ. Keni udhë të gjatë. Merrni kto visare të çmueshme, e shkoni. Por para se të niseni, eni ktû, e mbí kta eshten, symbol ideali, force e bashkimi, t'i a shtrîjm doren shoqishojt, Toskë e Gegë, muhamedan e kristjan e me besen e burrave, me besen shqyptare të lidhemi per t'i a majtë shqyptarit të paprekun nji Zot të vertetë, nji Atdhé të lum, per të bâ Shqypnín e ré, të fortë e të madhnueshme, të dêjë per Skanderbén. T'i diftojm, po, botës, se shqyptarët janë njimend burra; se mund të jemi Toskë e Gegë, muhamedanë e kristjan, e njiherit shqyptarë të njimendtë.

Zoti i vertetë e Atdheu le të na bashkojn, Zoti e Atdheu të na mbajn: Me Zot e me Atdhé të lumnojm!

Hylli i Dritës, 1936, nr.9

COMMENTS