Kantautori Gjokë Vata

gjoke vata gjok vata
Duke lexuar për jetën dhe veprën e muzikantes së verbër austriake Maria Theresia Paradis, mbi famën e saj si pianiste, këngëtare, kompozitore apo pedagoge muzike, m'u duk sikur jeta e saj më ngjasonte e më sillte ndër mend një artist të njohur shqiptar. Rastësia më solli sqarimin e kësaj dileme, ndërsa po ndiqja një program muzikor në një televizion shqiptar ku doli për të kënduar këngëtari-autor Gjokë Vata. Vërejta që në mes të dy personazheve kishte shumë ngjashmëri. Sikurse Maria Theresia Paradis edhe Gjokë Vata e humbi dritën e syve pas një sëmundje foshnjore, që për kohën ishte shumë e vështirë të shërohej.

Talenti, dashuria për muzikën, zotërimi i instrumenteve muzikore, shumëllojshmëria e muzikës së kompozuar, miqësia dhe kontaktet me personalitete të muzikës e të artit, janë një emërues i përbashkët për të dy artistët. Meqenëse Maria Theresia Paradis, falë aftësive e talentit të saj zë një vend të rëndësishëm në enciklopedinë e personaliteteve austriake, mendova që është një shembull i mirë për mua që të pasqyroj sadopak (duke e parë nga ky këndvështrim) për publikun shqiptar edhe jetën e një artisti të shumanshëm si Gjokë Vata, i cili megjithëse me aftësi të kufizuara, është shumë i njohur për talentin dhe veprat e tij që kanë lënë gjurmë në muzikën tonë.

Ashtu si vjenezja Maria Paradis, pati njohje e lidhje arti me muzikantë të njohur të kohës si Mozarti apo Joseph Haydn, artisti Gjokë Vata gjatë jetës së tij pat kontakte pune apo miqësi me shumë personalitete të njohura të shumë sferave në vendit tonë. Po përmend këtu kontaktet me muzikantët Preng Jakova, Tonin Harapi, Pjetër Gaci, Marie Kraja, Lukë Kaca, Abdullah Grimci, Alqi Kareco... apo instrumentistet Gjovalin Lazri, Ida Melgushi, Gjovalin Doda, Gjon Halili, Gjovalin Xhanxhafili, Gjosho Vasia, të cilët ndikuan pozitivisht në botën shpirtërore e krijuese të artistit.

Një histori e shkurtër e jetës të pashembullt të artistit Gjokë Vata

Gjokë Vata lindi në Vermosh me 15 korrik 1935. Malësia e Vermoshit është një krahinë e begatë dhe shumë e përmendur për patriotizëm, burrëri e bujari, që e përmbledh rrethi i Shkodrës. Fati e deshi që i ati i Gjokës, Marku, u martua tri herë pasi dy gratë e para i vdiqën. Gruaja e tretë Drandja pat vetëm një djalë, Gjokën, i cili (nga babai) ka edhe një vëlla e dy motra. Kur Gjoka ishte 5 vjeç, familja u shpërngul për një jetë më të mirë në qytetin e Shkodres.

... nana më zbriti prej Vermoshit e m´i kande gjithmonë krenarisë teme me e përmend si vend të origjinës time. Sa herë ndigjoj emnin e vendlindjes time, më duket i afërt si emni im. Vetë përbamja e malit më ban krenar. (Gj.V. Ditari i kujtimeve të mija, fq. 49)

Për nënë Dranden, jeta në qytet ishte e shumë e vështirë pasi mundësitë e saj ekonomike ishin shumë të kufizuara. Për të mbajtur e ushqyer fëmijën jetim e me aftësi të kufizuara, ajo u detyrua të bënte punë të ndryshme ndër familjet e qytetit apo në fshat.
... Ndonji herë nana, tregon Gjoka, - tue mos pasë mundësi me gjetë tjetër mënyrë jetese, gjatë kërkimit të lëmoshës, më merrte me vedi si me dashtë me iu paraqitë njerëzve nëpërmjet meje, portretin e mjerimit, që e shtrëngonte me dale me shkop e me shtrajcë...

Mungesa e shkollave speciale si dhe e ligjeve në përkrahje sociale për të verbrit, bëri që Gjoka që në fëmijëri të përjetojë vështirësi e sakrifica të mëdha. Ndërkohë edhe vetë qyteti i Shkodrës përballej me një gjendje të rëndë ekonomiko - shoqërore. Papunësia, injoranca, mjerimi e bënin të zymtë jetën e qytetit e banorëve të tij.

Falë zërit e sjelljes së tij, Gjoka u bë shumë shpejt fëmija më i njohur i qytetit. Për të fituar diçka, që të ia lehtësonte sado pak jetën vetes e nënë Drandes, ai përshkonte çdo ditë rrugët e qytetit duke u takuar me njerëzit dhe duke kënduar për to këngë të njohuratë kohës të cilat i kishte mësuar nga muzikantë bamirës që asokohe luanin ndër lokalet e shumta të qytetit. Djali i vogël fukara, rrobat e të cilit mbuloheshin vetëm nga arnat e qepura nga nëna sa për të mos i lanë vend erës të fshikullonte trupin e tij të njomë, zotëronte karakter të fortë malësori dhe besim të madh te Zoti. Ai nuk donte të qëndronte para derës së kishës apo në ndonjë cep rruge për të lypur bukën e tij të përditshme.

... një herë, tregon Gjoka në librin e tij biografik, ...për me u përshëndet me Mehill Delinë, të verbërin tjetër të lagjes tonë, shkova te kandi i qëndrimit të tij të zakonshëm ku u lyp lëmoshë kalimtarëve. Motoja therëse si një vetëplagosje: "FALNI QORRIT PA SY" ...mu duk si zani ma i vrazhdë i mjerimit ...mendova: "Sa e tmerrshme asht përsëritja e panumërt e kësaj fjalie, çdo përsëritje e së cilës e ban ma pak therëse dhimbjen e shqiptimit të saj, deri sa bahet aq e zakonshme sa e shqipton në mënyrë të pavetëdijshme, sikur të ishe nji robot...

Lufta për jetën e për bukën e gojës bëri që të shpërthenin talentet e tij, dhuratë e Zotit. Qysh në moshën 8-vjeçare ai filloi të hedh në vargje emocionet e revoltën që i buronin nga shpirti i tij i trazuar... e po ashtu filloj të ishte i përhershëm e të aktivizohej sa mundej në ambientet e aktivitetet e kulturës që organizonte qyteti. Falë dashamirësisë së mjeshtrit Preng Jakova, Gjoka fillon të mësojë në mënyrë autodidakte notat muzikore dhe pianon duke u munduar të provojë sa më shumë ndër ato pak instrumente që kishte shteti. Fati e solli që në saj të ngjyrës së të zërit unikal e tonalitetit të tij të veçantë, dëshirës së tij për artin dhe falë ndërhyrjes së Preng Jakovës tek autoritetet, ti jepet mundësia për të vazhduar Liceun Artistik të Tiranës për piano.

Me ndihmën e mësuesve dhe të nxënësve dashamirë, Gjoka filloi të ambientohet me muzikën, instrumentet e jetën e kryeqytetit. Në vitin 1952 ai shkruan këngën e tij të parë "Dashuri Baritore" (tekst e muzikë), e cila u vlerësua shumë nga Komiteti i Arteve dhe Abdulla Grimci. Bukuria e zërit të tij, vullneti dhe këmbëngulja për të ecur përpara, befasuan të madhen Marie Kraja, e cila kërkoi nga drejtori i shkollës që Gjoka të filloj njëkohësisht me pianon edhe leksionet për kanto. Kërkesës së saj drejtuar drejtorisë të Liceut drejtori iu përgjigj me këto fjalë: ... Zonja Kraja, me gjithë respektin e madh që kam për ty, kriteri i vendosur për të nxjerrë në skenë njerëzit me të metë fizike më detyron ta refuzoj kërkesën. Kjo direktivë, vërtetë nuk është e shkruar, por megjithatë është vendosur normë e shoqërisë tonë. Ne kemi porosi nga lart ta nxjerrim Gjokën vetëm një herë në fund të këtij viti shkollor për të pasqyruar përkrahjen e shtetit e stop. Daljen në skenë të njerëzve me të meta fizike shteti jonë e konsideron ngacmim emocional, i papreferueshëm nga politika jonë. (Gj.V. Ditari i kujtimeve të mija, fq. 177)

Në kryeqytet Gjoka njihet me personalitete të botës akademike, me të cilët diskuton për letërsinë, muzikën, autorët e huaj. Ka kontaktet me Jorgo Bllacin, Mihallaq Luarasin, Robert Schëarcin, Hysen Pelinkun, me përkthyesin Vedat Kokona, nga i cili merr idenë t'i hyjë botës së përkthimeve. Edhe në shumë ambiente muzikore e shoqërore të Tiranës, Gjoka me këngët e tij që ishin hit-et e muzikës italiane, spanjolle apo angleze, u bë shumë i njohur, gjë që e dëmtoj shumë "reputacionin politik" të tij. Pas paralajmërimeve të autoriteteve të shkollës, atij ju hoq bursa për të vazhduar studimet në Çeki, ndërsa filloi të përgjohej nga sigurimi i shtetit "për qëndrim të keq politik".

Ndërkohë me revolucionin hungarez, situata politike në Europën lindore pësoi një goditje të madhe dhe ngjalli shpresa për çdo shpirt të lirë të shtypur nga diktatura. Duke përfituar nga verbëria e tij, sigurimi i shtetit përgjonte Gjokën edhe gjatë udhëtimeve të tija në Shkodër ku ai në takimet me shokët i fliste atyre për muzikën bashkëkohore, poezinë, lirinë e fjalës e të artit, ku ai shprehte simpatinë e tij për revolucionin hungarez apo për poetin "reaksionar" Gjergj Fishta. Kjo solli që në vitin e tretë ai të përjashtohej nga Liceu dhe të arrestohej e të keqtrajtohej në hetuesi nga sigurimi i shtetit për të pranuar 3 akuza të sajuara: Agjitacion e propagandë, Tentativë arratisje me grup, Përpjekje për të përmbysur pushtetin popullor.

Lirohet nga hetuesia për mungesë provash si dhe me motivin, ...se "pushteti i popullit" nuk dënon në burg njerëz me aftësi të kufizuara si Gjok Vata. Këtu fillon për Gjokën kalvari i mundimeve, papunësisë dhe i izolimit të plotë nga shoqëria. Në Shkodër ai diskriminohet nga zyrtarët lokalë të partisë dhe shtetit nëformat më të egra. Nuk e lejojnë të punojë, të këndojë, të ketë kontakte me shokë dhe miq të cilët sigurimi i kërcënonte, nuk lejohet të hyjë në ambientet e kulturës (klubin e rinisë, teatrin Migjeni, shtëpinë e kulturës). Persona të rëndësishëm partiak, por edhe spiunë të regjimit e fyejnë apo e kërcënojnë publikisht.

Për të treguar "zemërgjerësinë e partisë" ndaj një njeriu si Gjoka të cilit po i cenohej ekzistenca, gjendet mënyra nëpërmes gjeneral Hilmi Saitit, kryetarit të degës së punëve të brendshme në Shkodër. Gjeneral Hilmiu, një komunist fanatik me "fytyrë njerëzore" i ofron Gjokës punë në vatrën e kulturës Fushë-Arrës, ku punëtorët dhe banorët e qytezës e shohin si armiku i klasës. Më pas, ekstremistët e kuq të Komitetit të Partisë në Pukë e largojnë "për të ruajtur të pastër artin komunist". Edhe në momentet më të vështira të jetës, Gjoka ka gjetur frymëzimin të shkruaj poezi, të kompozojë muzikë dhe të këndoje duke gëzuar me tingëllimën e shpirtit të tij festa të ndryshme familjare në qytet. Ai është këngëtari i dëshiruar, instrumentisti, bejtexhiu, humoristi që mahnit me barsoletat e tij.

Me ndihmën e shokëve e miqve, bëhet pjesëtar i grupit të famshëm të estradës në fabrikën e cingareve në Shkodër, ky punon për tri dekada. Ky grup ku bënin pjesë humoristët e mirënjohur Gëzim Kruja, Gjosho Vasia, Muharrem Nurja, apo këngëtarët Fatmira Puka e Tonin Tershana, kishte marrë disa çmime kombëtare në lëvizjet amatore për interpretim dhe humor. Gjatë shfaqjeve dhe turneve të ndryshme, Gjoka mahnit spektatoret si solist apo në duet me këngëtaren Fatmira Puka.

Gjatë lëvizjeve për demokraci, Gjoka ishte shumë aktiv me artikuj në gazeta, intervista apo biseda të ndryshme në radio, televizion e në publik. Së bashku me familjen, vajzat e tij Venona dhe Sidola, ai u gjind kurdoherë në ballë të revoltave popullore për liri, në Shkodër. Më 11 nëntor 1990, në ngjarjen e madhe të rihapjes së institucioneve fetare, Gjoka mahnit me zërin e tij të gjithë të pranishmit vendas e diplomatet e huaj, me AVE MARIA të Schubertit me të cilën u hap mesha e që u transmetua nga Zëri i Amerikës. Ai nuk u kursye asnjëherë për të dhënë ndihmesën e tij të vyer edhe për shoqatën e të verbërve të Shkodrës ku disa kohë ishte edhe kryetari i saj (1992).

Artisti Gjokë Vata

Në vitet e rinisë, mbi libretin e Nikollë Dakës e koreografinë nga Filip Gjergjit, Gjoka kompozon tablonë muzikore "Klasë e Lavdishme" e cila u nderua me çmim në lëvizjen kulturore të qytetit dhe më vonë në atë kombëtare në Korçë. "Çuditërisht" ndër afishet e shfaqjes shkruhej nga kompozitori Kolë Vata. Njëkohësisht ai vazhdon të shkruaj poezi të cilat i botonte në rubrikën e poetëve të rinj në revistën kulturore NËNTORI. Në një konkurs me rastin e përvjetorit të vdekjes së poetit Naim Frashëri, ai merr çmim të parë me një poezi prej 20 vargjesh. Në vitin 1963, me nxitjen e Preng Jakovës, kompozon (tekst e muzikë) disa këngë për fëmijë për festivalin kombëtar si "Pema dhe fëmija" e një vit më vonë "Mirë se vjen dallandyshe", ku vlerësohet me çmime të dyta. Gjatë jetës së tij artistike, Gjoka ka kompozuar rreth 100 këngë, dy nga të cilat i ka kënduar duet me të bijën në festivalin e këngës.

Në vitin 1993 ai kompozon "Baladën e Mërgimtarit" (tekst e muzikë) si kolonëzanore të dokumentarit "Armiku im" që është xhiruar në Shqipëri për TV – në italiane RAI, që më pas bëri xhiron e Europës duke u vlerësuar shumë nga kritika gjermane. Më vonë, në Radio - Shkodra, në një projekt të ideuar nga kompozitori Zef Çoba, Gjoka drejtoi dhe komentoi rreth 40 emisione mbi historikun e muzikës klasike.

Me 17 korrik të vitit 2000 ai u nderua nga bashkia e Shkodrës me titullin: "Mirënjohja e Qytetit" me motivacionin: Për cilësi të lartë në fushën e krijimtarisë muzikore dhe te interpretimit, duke dhënë një kontribut të çmuar në fizionominë e artit tonë kombëtar.

Aktualisht ai këndon në emisionin muzikor "Kënga ime në TV-Klan".

Si përkthyes, Gjoka ka shqipëruar 10 këngë nga Komedia Hyjnore, pjesë poetike nga Kipling dhe vargje prej veprës Filozofia e Dashurisë nga Shell.

Librat e tij që panë dritën e botimit janë:

Ditari i kujtimeve të mia / Autobiografi
Nata e dhimbjeve / Poezi (1995)
Veshtrim kritik mbi shkrimet e realizmit socialist / Kritikë (2008)
Gjuha e Thimcit / Satire ( 2009)
Vendim i jashtëligjshëm kundër gjuhës shqipe / Linguistike (2012)
Frymëzime mendimesh / Poezi (2013)

Nga Pjetër Logoreci

Shënim i autorit: Referimet e fotot e përdorura në këtë shkrim janë marrë nga shënimet e një bisede që unë bëra me artistin Gjokë Vata në Shkodër, si dhe disa paragrafë nga libri i tij: Ditari i kujtimeve të mia.

COMMENTS