Hamid Gjylbegu, shkodrani me bindje antikomuniste

Ese për liridashësin, mendimtarin e lirë, ushtarakun, politikanin, filozofin dhe poetin Hamid Gjylbegaj.


Ndër trojet e Skenderbeut
Kur "Virtyti" t' bahet "Besë"
Përparimi i këtij Atdheut
"Ideal" i gjallë do t' mbesë!

Hamid Gjylbegaj, poezia "Monumenti i Atdheut"

1. Hamid Gjylbegajn e kam takuar dy herë në jetë. Në të dyja rastet nuk kam biseduar qoftë edhe një fjalë me të, por e kam fiksuar portretin e tij me sytë e fëmijërisë.
Shumë vite më vonë dëgjova si nën zë shumë ngjarje e histori paksa të çuditshme që lidheshin me emrin e këtij burri, që unë shumë e shumë vite më parë e kisha njohur. Këto ngjarje e histori që lidheshin me të si protagonist e që tregoheshin me zë të ulët, me siguri përkonin me këtë moment që historiani Dashnor Kaloçi shkruan në një shkrim të tij: "... nga viti 1945 e deri në vitin 1979 ai nuk mori pjesë asnjëherë në votime, duke i bojkotuar rregullisht ato. I gjithë populli i Shkodrës dhe i Elbasanit, ku ai jetoi, e mbajnë mend fare mirë se Hamidi nuk shkoi asnjëherë pranë kutive të kuqe të votimit.

"Ai ngrysej dhe gdhihej i vetëm në shtëpinë e tij, duke kaluar netët e gjata dhe të acarta të dimrit pa kushtet minimale të jetesës. Hamid Gjylbegu, shkodrani me bindje antikomuniste, që mbahet mend si rast i rrallë në të gjithë Shqipërinë për bojkotimin e rregullt që u bënte zgjedhjeve gjatë viteve të regjimit të Enver Hoxhës, ..." (Kaloçi Dashnor: "Gjylbegu, njeriu që s'votoi kurrë", Gazeta Shqiptare, 12.10.2003)

Shumë vite më vonë, lexova e rilexova gjithë librat e tij (me nga 16 faqe, a diçka më shumë), dhe sytë e fëmijërisë sime nuk e kishin tjetërsuar atë portret. Imazhi qëndronte i gjallë, i paprekur si atëherë...

Dhe... portreti i Hamidit, sipas mikut të tij të ngushtë dhe studiuesit Izet Bebeziqi: "Vetun, në një karrikë, vrashëm në vedi, në ballë të rrudhun e me sye të tretun në kurrgjë, si i tretun n'agonie mejtimesh e andrimesh po pushote Hamidi. Burrë i naltë, i shëndoshë, ezmerë, me mustaqe të zie, me dukje t'errët, por me shpirtë të çelët e syni i tij shkëndie e pa-plakrueshëme e në të shtjerrun rrëfente nji bujarië të veçantë."

Dhe... portreti i Hamidit, siç e njoha unë shumë e shumë vite më vonë: "Ishte serioz. Serioz tërë kohën. Të dukej sikur i kishte humbur buzëqeshja, sikur nëpërmjet bisedave e kërkonte atë... Fliste rrallë, duke tundur kokën. I ulur në një karrige shpesh meditonte në vetminë e ditëve fatin e shkruar dhe të pashkruar... I vrazhdë në vetvete. Me ballë të rrudhosur e sy të tretur deri aty ku s'arrin dhe pik'e lotit. Shpesh kërciste dhëmbët si shenja nervozizmi për t'i bërë sfidë kohës që e mundoi dhe e plagosi shumë për fjalën e lirë, për peshën e lirisë, për karakterin e vendosur e të admirueshëm. Esmer, me mustaqe që iu zbardhën në pleqëri, por me një shpirt të çelur që rrëfente një bujari të vërtetë. (Të mos harrojmë që ai shpirt mbante dramën që ia shkaktoi egër e torturuese diktatura e egër dhe e pashpirt, që ai shpirt qante në heshtje e mbante të ndezur dritën e shuar të të birit të vetëm, Virtytit, që e donte më shumë se sytë e ballit). Reflekset e tundimit shpirtëror, të krizës morale i gjejmë dukshëm të pasqyruara në librat "Zana e shitueme", "Fyelli i barive" e "Harpa e thyeme", botime të vitit 1943.
Një bardhësi e bukur i mbulonte kokën. Siç duket kjo bardhësi si një lirizëm fatlum ishte krijuar enkas për të zbutur pamjen e zemrën e këtij njeriu që më shumë mendonte se sa fliste, që kishte rënë 27 herë në luftë e ishte plagosur 2 herë. Të dukej sikur Hamid Gjylbegaj me një botë poeti, jetonte diku mes kufijve të ireales me realen, të legjendës me mistiken, të amëshimit me pafajësinë, të ëndrrës që nuk arriti kufijtë e realitetit... Jetonte vetëm me "ajrin e atdheut", të cilin e deshi aq shumë."

Hamid Gjylbegu, Hamid Gjylbegaj
2. Hamid Gjylbegu lindi më 28 shkurt të vitit 1889 (ndonëse ka versione të ndryshme) në një familje me emër e nga më të vjetrat të qytetit të Shkodrës, siç ishte ajo e Gjylbegajve. Shkollën fillore dhe të mesme ushtarake i ndoqi në vendlindje. Vitin e fundit e bëri në Manastir. Akademinë Ushtarake e përfundoi pas tre vjetësh studimi në Stamboll. Në korrik të vitit 1912 emërohet instruktor i rekrutëve të regjimit të 38-të në Selanik. Gjatë Luftës Ballkanike u gjend në koopormatën e Selanikut në frontin me serbët dhe mori pjesë në luftime në Kumanovë, Qyperli, Perlep, Manastir e pastaj në front me grekët në Bilisht, Korçë, Janinë. Më 6 mars 1913 Janina ranë duart e grekëve dhe Hamidi dërgohet rob lufte në ishullin Zanta. Në tetor të vitit 1913 lirohet e kthehet në Stamboll. Më pas vjen në Shqipëri për të punuar për forcimin e shtetit shqiptar. Zgjidhet anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Klubit "Lidhja Kombëtare". Me krijimin e Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen e Kosovës, më 1918 zgjidhet anëtar i Kryesisë së atij Komiteti. Bën pjesë në grupin e atyre që caktoi Komiteti për përgatitjen e Kongresit të Lushnjës. Në mars të vitit 1920, u emërua nënprefekt në Pukë. Drejton veprimet luftarake në fazën e parë të Luftës së Koplikut (korrik-gusht 1920).

Qeveria e Fan Nolit e nxori në pension. Hoqi dorë nga veprimtaria politike. Arsyen e mbulon heshtja.
Vdiq në Elbasan, tek e bija, më 24 shkurt 1979, katër ditë para se të mbushte moshën 90-vjeçare.

3. Hamidi zotëronte: turqisht, italisht, gjermanisht, frëngjisht. I pajisur me një kulturë të gjerë ushtarake, filozofike e letrare, të cilat reflektuan në punën e tij, bënë që gjithë herë të udhëhiqej nga bindjet nacionaliste.
Poezitë e para i botoi në revistat "Agimi" dhe "Afrimi". Më pas botoi librat: "Flutura ndër lule" (1924), "Pak a shum" (1925), "Fjala e Virtytit" (1929), "Monument i Atdheut" (Shtypshkronja "Saide" Elbasan, 1930), "Kunora e Lumnis / Caku i filozofis" (Shtypshkroja "Ora e Shkodrës", 1931), "Fletra e jetës" (Shtypshkroja "Ora e Shkodrës", 1932), "Drita e S'vërtetës" (1933), "Kopje origjinale" (Shtypshkroja "Ora e Shkodres", 1933), "Fyelli i Barive", Tiranë, 1943), "Zana e shitueme", 1943, "Harpa e thyeme", 1943) etj.
Në dorëshkrim i mbetën poezi të bëra pas çlirimit e disa përkthime. Mblodhi këngë lirike në trevat e Malësisë së Madhe. Një pjesë i botoi. Ka shkruar dhe artikuj politikë në gazetat "Populli" në Shkodër, "Dajti" në Tiranë, herë me emër, herë me pseudonim...

4. Kritiku Izet Bebeziqi në studimin e tij mbi krijimtarinë e Hamdi Gjylbegajt në mes të tjerave thotë: "Po, po, koha do të vijë dhe penda (pena) e tijë do të çmohet". Krahas këtij vlerësimi, kritiku në fjalë e ka njohur shumë mirë kulturën, filozofinë dhe karakterin e Hamidit. Në analizën që i bën shumë poezive të tij, evidenton këto dukuri që i krahason me poezitë e poetit gjerman Storn-i. Aq më shumë kjo gjë përforcohet, kur sipas autorit Bebeziqi poezia e Hamidit gjen pika takimi me të Storn-it. (me sa duket ky emër ka qenë një preferencë e Hamidit dhe ndikim i tij, e, në bisedat e ndryshme me Bebeziqin, duhet ta ketë përmendur shumë herë).

Dhe Bebeziqi vazhdon të thotë kështu: "Me nji fjalë: Storn-i asht nji poet i lindun, kurse Hamidi nji vjershtor i përbamë ndëpër rymë të kohës, të rrethanave e t'ambientit me mendime të shndoshta të nji pende të pjekun."
Dhe për ta përligjur mendimin e mësipërm, nga studimi i I. Bebeziqit shkëpusim këtë fragment si argument: "Vjershat e tija janë vende-vende me një frymë lyrike nja që të kandëshëme e të natyrshme, sa që n' "Urata e Dashtnisë", "Vera", "Vjolca", "Bylbylit", "Vegimi i sajë" etj., të thueshë se flet Storn-i. Si ky ashtu dhe Hamidi nuk dijnë t'i veshin ndjenjat e tyne me lule e fjalë pompoziteti, por i shprehin siç i ndijnë: Me za të popullit".

5. Jeta e Hamid Gjylbegajt i ngjan një deti të trazuar, valët e të cilit e rrahën egër dhe në mënyrë të pamëshirshme, por nuk e gjunjëzuan dot. Kantian nga filozofia. Karakter i një edukate gjermane. I prerë në vendime si ushtarak i Akademisë turke, të cilën e kreu. I heshtur gjer në dhembje. E gjitha kjo ishte bota ku shëtiste Hamidi, parimet e së cilës nuk i cenonte, por nuk lejonte t'ia cenonte askush. Dhe ëndërrisht, në poezinë: "Kuptim i jetës", Gjylbegu shprehej: "Në kjoftë qellimi i jetës "Jeta" / Si e shtremba, si e drejta, / Të gjitha ngjarjet janë të shkreta / S'asht kurrëgja, as e vërteta."

Shënim: Të gjitha citimet e Izet Bebeziqit janë marrë nga studimi i tij me titull: "Hamid Gjylbegu prej Izet Bebeziqit", botuar në gazetën: La Nouvelle Albanie, Constantza Roumanie, No. 525, DIRECTEUR: Mihal S. Xoxe.

Nga Xhahid Bushati


Virtyti

Gjith madhshtija e ksaj bote
Asht si vesa para diellit,
Veç virtyti t' jenë i plotë
Aj do t' shkruhet në libër t' Qiellit.

Lum kush bani mirë n' kët jetë
Se në t' amshueshmen i kallxohet,
Sado pak asht e vërtetë
Qi n' peshim tash i peshohet.

Pra, virtytit e mirsisë
As kerkush mos t' i pendohet,
Si ndaj Zotit e njerzisë
Përgjithmonë e jetës lëvdohet.

Hamid Gjylbegu - "Vëllime me poezi", 21-XII-1924.

***

Tregtija Kombëtare

Krye zyrtari shqiptar,
Kje kusari ma i par;
Qi vodhe bashkë me do tregtar;
Si n' botore, n' doganore,
N' të gjitha punët qi i vejnë përdore;
Si ndër t' vogla, n' banka t' mdha,
E ropë kombin pa i a nda,
N' sa me t' marë vaji me qa;
Ky vajë ndonse duel prej meje,
Peshku qelbet, veç, prej kreje;
Se shkon nji dreq, e vjen nji tjetër,
Shqipnija e re: Turki e vjetër!...

Hamid Gjylbegu - 1933.

COMMENTS