Jak Serreqi

jak serreqi
Jak Serreqi lindi në Nenshat të Zadrimës më 2 dhjetor 1861. Në moshën 10-vjeçare futet në Seminarin Papnor në Shkodër, ku kreu studimet për Filozofi e Teologji, dhe në qershor 1884 bëhet meshtar. Shërbeu si famullitar në Dajç, në Kllezen, e në Rrencë, prej nga u thirr si ndihmës e më pas si famullitar efektiv në Shkodër.

Si famullitar katolik në Shkodër tregoi besimin që i dha Parija Kishtare. Emri i tij nisi të bëhej popullor, emër tek i cili përfaqsohej një famullitar gjithë zell e dashuri për Kishën e Shenjtë, e me iniciativë të veten ndër sa e sa punë të mbara e diftoi vedin aty ku e lypte puna. Në çdo çështje, për çdo rast, fjala "ka thanë Dom Jaku" ishte e mjaftueshme me shngatrrue edhe ngatrresat nga më të kapërthyemet. Ndërtoi qelen, ku më tej shërbeu si zyrë famullie, e bashkë me Emzot Doçin u bë shkaktari më i forti, e mbrojtësi më i përzemërt i Akademisë Letrare "Bashkimi".

Papa Piu X në vitin 1905 e emëroi Ipeshkëv në Zadrimë, shugurimin e mori në Kishë të Madhe më 29 tetor të atij viti. Më 29 prillit 1910 Selija e Shenjtë e vendosi Arqipeshkev Metropolit në Shkodër. Kur hyri në Shkodër, në qytet gjendej Turgut Pasha, i cili, mbasi kishte pasë shtruar Kosovën, vinte me mbledhë armët popullit. Më 24 mars 1911, të parat pushkë që u shprazen te qela e Trabojinit ishin shenja e asaj kryengritjeje e cila do të vijonte deri në gusht të atij vit. Ndikoi shumë në rrethanat e rrethimit nga malazezët, me korrierët e tij u mundësua mobilizimi i malësorëve katolikë, që të ndihmonin Hasan Rizan në rrethim. Jo rrallë shpëtonte njerëzit për të cilët malazezët bënin gati lakun, aq sa qarkullonte fjala se "kush ka pshtue gjallë në rrethimin e Shkodres, prej lakut, duhet t'ia dijnë Zotit në qiell e Emzot Jakut në tokë". Më tej, mbajti një fjalim, me të cilin i dha kushtrimin Shkodrës e mbarë krahinës që t'i shkonte në ndihmë Princ Wied-it. Më tej i kërkoi Vatikanit që t'ia heq postin, më 1921, ngaqë u lodh nga ndërmarrja madhore në ato vite kur nuk e pau njëherë Shkodrën të paokupuar nga ushtritë e huaja, por edhe pse shëndeti po e linte nga pak. Vdiq më 11 prill 1922.

I varrosur tek Zoja e Shkodrës, sipas amanetit të tij, e më vonë i zhvarrosur në kohë të regjimit komunist, eshtrat e të cilit u hodhën në lumin Drin.

COMMENTS