Prof. Jup Kastrati

Jup Kastrati Jup
Jup Kastrati lindi në Shkodër, më 15 prill 1924. U shkollua në Shkodër, më 1942 studioi pak kohë në Liceun Shkencor "Galileo Ferraris" në Torino. U kthye shpejt në Shqipëri.

Gjatë pushtimit italian, si antifashist, ka qenë i përsekutuar, i burgosur, i internuar në kampin e përqendrimit, në kodrat e Tepes në Shkodër, pastaj është mbajtur si peng në Kosovë, në burgun famëkeq të Prizrenit gjatë muajve korrik-shtator 1943. Pas çlirimit ka kryer studimet e larta në fakultetin e filologjisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Tema e tij e diplomës titullohet: "Kontribute për studimin e Ndre Mjedes" më 1958. U bë Doktor i Shkencave Filologjike më 1982 me disertacionin "Historia e gramatologjisë shqiptare" (1935-1944) me 1500 faqe daktilografike. Më 1987 i është akorduar titulli Profesor.

Jup Kastrati ka shërbyer në arsim 47 vjet (1946-1993) nga të cilat 37 vjet në shkollën e lartë. Është një nga themeluesit e Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës, më 2 shtator 1957, dhe ka punuar shumë për themelimin e Universitetit të Shkodrës. Është dekoruar me urdhrat "Mësues i Popullit" si dhe "Mjeshtër i Madh i Punës". Ka qenë shef i Katedrës së gjuhës shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës më 1973-1990.

Jup Kastrati ka mbajtur ligjerata shkencore në universitetet e Tiranës, Prishtinës, Shkupit, Tetovës, Kalabrisë, Napolit, Salernos, Peruxhias, Nju Jorkut, etj. Është autor i shumë librave. Ndahet nga jeta në shtator 2003, në moshën 79-vjeçare.

Prof. Jup Kastrati dhe tradita shkodrane e studimeve albanologjike


- Nga Prof. Begzad Baliu

Vështirë është të shkruhet për të gjallët. Është vështirë të shkruhet, posaçërisht, kur merr obligim të bësh një sintezë të veprës së tij jetësore, ndërkohë që subjekti për të cilin shkruan ka zhvilluar një jetë jashtëzakonisht të bujshme shkencore e kulturore. Aq më tepër, që për autorin e këtij shkrimi, a besoj edhe për studiuesit që po hyjnë në rrjedhat shkencore, bënë kurorëzime marramendëse në jetën shkencore.

Profesor Jup Kastrati, për të cilin pretendojmë të themi ndonjë fjalë, gjithnjë në kontekst të një tradite shkodrane të studimeve albanologjike dhe të zhvillimeve kulturore-historike në përgjithësi, na obligon sot shumë dhe do të na obligojë edhe më shumë nesër. Na obligon sot shumë, kur është mes nesh dhe për çdo dyshim mund t'i kërkojmë shfajësim, por më shumë se sot, korrektësia e tij njerëzore, kulturore dhe shkencore, na bën me borxh posaçërisht nesër, kur vepra e tij kërkon nivelin e përgatitjes profesionale për vlerësuesin e saj, përqendrimin trishtues të hulumtimit dhe ngulmimin e padurueshëm të klasikut.

Biobibliografia

Sikur është e zakonshme në raste të tilla, për të vënë një pikë përqëndrimi në qëllimin e studimit, tekstin tonë po e fillojmë me biografinë e përgjithësuar të objektit tonë, sepse edhe si objekt edhe si subjekt, Prof. Jup Kastrati e arsyeton qëllimin tonë, duke u mbështetur gjithnjë në atë bibliografi shteruese që e ka sjellë e bija e tij prof. Diana J. Kastrati në veprën deri më tani më të sigurt për mbështetjen tonë shkencore "Bibliografia e botimeve të Prof. dr. Jup Kastrati", botoi Albagen, Shkodër, 2000.

Ka lindur në Shkodër, më 15 prill 1924. Shkollën fillore pesëklasëshe (1930 - 1935), gjimnaz klasik (1936 - 1940) dhe licé real (1941 - 1944), i ka bërë në qytetin e lindjes. Pak kohë (gusht - nëntor 1942) ka qenë në Liceo scientifico "Galileo Ferraris", Convitto Nazionale "Umberto I", në Torino. Gjatë pushtimit italian, si antifashist, ka qenë i persekutuar, i burgosur, i internuar në Campo concentramento (Fushë përqendrimi), Comando Z, në Kodrat e Tepes, Shkodër, ostaggio (peng) në Kosovë, në burgun famëkeq të Prizrenit (korrik - shtator 1943).

Ka kryer Fakultetin e Filologjisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Temë diplome (Tesi di laurea) ka pasur: Kontribute për studimin e Ndre Mjedës (1958). Relator: Prof. Mahir Domi. Ndoqi aspiranturën apo kualifikimin shkencor pasuniversitar, për gradën: Kandidat i shkencave filologjike me studimin monografik dialektologjik: E folmja e Thethit (1962). Është një nga themeluesit e Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës (me 2 shtator 1957). Ka luftuar shumë për krijimin e Universitetit të Shkodrës, me anë promemoriash dhe kërkesash në autoritetet më të larta shtetërore dhe në shtyp, si dhe në tubime të ndryshme. Edhe emërtimi i këtij Ateneu "Luigj Gurakuqi", është konceptuar e hartuar prej tij. Ka qenë shef (përgjegjës) i Katedrës së Gjuhës Shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës (1973 - 1990). Ordinar i Historisë së albanologjisë. Ka dalë në pension me 15 janar 1993 [1].

Në të vërtetë kjo është vetëm një pjesë e biografisë shkodrane të tij, sepse Prof. Jup Kastrati ka një biografi të zgjeruar, e cila krahas Shkodrës prek edhe një varg qytetesh të tjera universitare dhe kulturore të Shqipërisë së brendshme, e veçanërisht Tiranën, një varg qytetesh të tjera shkencore dhe kulturore të Shqipërisë të jashtme, e veçanërisht Prishtinën, dhe më në fund një varg qendrash kërkimore e shkencore të diasporës shqiptare dhe botës shkencore, sidomos diasporën arbëreshe të Italisë dhe atë të Amerikës. Profesor Jup Kastrati është bardi shumëvjeçar i studimeve albanologjike dhe zhvillimeve shkencore në Shkodër, i cili deri dje identifikohej me Shkodrën si qendër mendore dhe intelektuale dhe që sot identifikohet me studimet albanologjike në shkallë të përgjithëshme dhe me zhvillimet shkencore të botës shqiptare.

Bashkëpunëtor shkencor i jashtëm 50 vjet pa ndërprerje i Institutit të Studimeve, Institutit të Shkencave, Institutit të Historisë e të Gjuhësisë, Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë (1949-2001). Përgjegjës i Rrethit Letrar të Shtëpisë së Kulturës, Shkodër (1947 - 1957). Kryetar i Këshillit të Bibliotekës së qytetit të Shkodrës (1948 - 1990). Kryetar i Këshillit të Bibliotekës së Institutit të Lartë Pedagogjik dhe i Universitetit "Luigj Gurakuqi" (dhjetor 1957 - janar 1993). Kryetar i Këshillit të Emërtimeve, në Shkodër. Anëtar i Këshillit shkencor të rrethit të Shkodrës (1988). Kryetar i Komitetit të Kulturës dhe Arteve, Shkodër (1989) [2].

Në qytetin e lindjes, pra në Shkodër, në aktivitetin individual dhe shoqëror, do të jetë i nxitur prej atyre idealeve që i kanë përcjellë vlerat më të larta të kulturës mendore, intelektuale dhe shkencore: shkencën në kuptimin më të thellë të dijes dhe hulumtimin personal dhe organizativ të saj. Nëse duam ta veçojmë për ndonjë nuancë aktivitetin shkencor të Prof. Jup Kastratit nga trashëgimtarët e tij paraardhës, atëherë kjo është veçoria e punës personale si trashëgimi dhe nxjerrja e saj nga individualja në grupe të organizuara. Nëse para tij, aktivitet e studiuesve shkodranë i lidhte shumë shumë një revistë apo organ botues, në aktivitetin e tij dhe të brezit të tij, studiuesit shkodranë i lidhin insitucionet shkencore dhe organizimet me karakter të thelluar shkencor, për formimin e të cilave, Prof. Jup Kastrati është posaçërisht i merituar.

Në këtë Lëvizje historike shkencore, arsimore dhe kulturore të Shkodrës do të renditet edhe Prof. Jup Kastrati, i cili, pavarësisht nga mundësitë që kishte për të kaluar në institucionet shkencore të kryeqytetit, dhe pavarësisht nga obligimet që kishte ndaj institucioneve shkencore të Tiranës, do të vazhdojë të punojë, hulumtojë dhe studiojë e botojë vepra edhe në Shkodër.
Brenda viteve 1956 - 2003 ka botuar këto libra:
  • Autobiografia e De Radës, (Paisur me parathënie dhe me shënime nga Prof. Dr. Jup Kastrati), Onufri, Tiranë, 2002
  • Bibliografi albanistike, I, (Zgjedhja dhe përkujdesja nga mr. Begzad Baliu), Era, Prishtinë, 2001
  • Bibliografi shqipe, Tiranë, 1959.
  • Bibliografia e Ndre Mjedës, Shkodër, 1967.
  • Botimet shkencore të Doktorit të shkencave filologjike, Jup Kastratit, propozuar për titullin shkencor Profesor (1945 - 1986), Shkodër, 1986.
  • Faik Konica (Jeta dhe veprat, Gjonlekaj, Nju Jork, 1995.
  • Fedri, Fabula, përkthyer nga latinishtja, Tiranë, 1958.
  • Figura të ndritura të Rilindjes Kombëtare, Shkodër, 1963; Ribotoi, Era, Prishtinë, 2003.
  • Filip Shiroka, Zani i zemrës, Tiranë, 1958 (bashkautor).
  • Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Bibliografi (1454 - 1835). Vëllimi I. Tiranë, 1997 (Bashkautor).
  • Histori e albanologjisë, I, Argeta LMG, Tiranë, 2000.
  • Histori e gjuhësisë shqiptare. Instituti i Lartë Pedagogjik, Shkodër, 1989. Dispensë.
  • Histori e gramatologjisë shqiptare (1635 - 1944), Rilindja, Prishtinë, 1980.
  • Historia e gramatologjisë shqiptare (1635 - 1944). Autoreferat i disertacionit për mbrojtjen e gradës "Doktor i shkencave filologjike". Shkodër, 1982.
  • J. De Rada, Këngë të Milosaut, Tiranë, 1956. Ribotuar në Prishtinë, dy herë, me 1965 dhe me 1968 dhe në Tiranë, Argeta, 2003.
  • J. De Rada, Publicistika, Letërkëmbimi. Autobiografia, Tiranë, 1987; Ribotuar në Prishtinë, 1988.
  • J. De Rada, Skanderbeku i pafanë. Tiranë, 1987; Ribotuar në Prishtinë, 1988.
  • Jeronim de Rada (Jeta dhe veprat), Tiranë, 1962.
  • Jeronim de Rada (Jeta dhe veprat), Tiranë, 1979; Ribotuar në Prishtinë, 1980; Tiranë, Argeta, 2003.
  • Jeronim de Rada, Skanderbeku i pafanë. Tre versione: italisht, arbërisht (transkriptim), përshtatje në gjuhën e sotme. Me një studim introduktiv problemor dhe me aparat shkencor, Aregeta, LMG, Tiranë, 2003.
  • Jeta shkencore në Shkodër (kronikë, 1962-1990). Botuar periodikisht, me puntate, në «Buletini shkencor», të ILP Shkodër, që nga numri 1 (Revistë shkencore) e deri më 1990 (pa ndërprerje, numër për numër).
  • Kolë Mirdita (HELENAU), Trëndafila që s'çelin për ne, Tiranë, 1959.
  • Kontribute për studimin e Ndre Mjedës. Shkodër, 1958.
  • Ndre Mjeda, Çështje gjuhësore, Tiranë, 1967.
  • Ndre Mjedja, Vepra II. Prishtinë, 1982.
  • Për historinë e ortografisë shqipe. Shkodër, 1969 / 1970; Ribotuar në Prishtinë, 1971.
  • Sintaksa e gjuhës shqipe. Konspekt-leksone, dispense, ILP, Shkodër (1974).
  • Studime arbëreshe, I, II, Era, Prishtinë, 2003.
  • Studime për De Radën, Era, Prishtinë, 2003.
  • Veprat historiko - filologjike dhe publicistike të Jeronim de Radës. Shkodër. 1999. 1.850 f. të daktilografuara. Në tre versione: italisht, në të folmen e arbëreshëve (transkriptim) dhe në përshtatjen e gjuhës së sotme shqipe, Aregeta, LMG, Tiranë, 2003.
  • Zef Jubani (Jeta dhe vepra), Tiranë, 1987.
  • Zef Jubani Ndokilia, Vepra të zgjedhura, Tiranë, 1966.

Sot mund të konsiderohen trashëgimi e paçmueshme e Shkodrës edhe dorëshkrimet e paralajmëruara të autorit, i cili vazhdon të shkruajë njërën prej veprave më të rëndësishme, në gjithë studimet albanologjike "Historia e albanologjisë". Këtu do llogaritur edhe dorëshkrimet, të cilat presin të botohen një ditë nga shtëpitë botuese të Shkodrës, Tiranës, Prishtinës, Nju Jorkut etj.
Ka bërë gati për shtyp këto vëllime:
1. Studime gjuhësore. Shkodër, 1999. 1.500 f. të daktilografuara.
2. Studime letrare. Shkodër, 1999. 2.000 f. të daktilografuara.
3. Studime bibliografike. Shkodër. 1999. 2.000 f. të daktilografuara.
4. Përkthime (nga latinishtja, italishtja dhe frëngjishtja). Shkodër, 1999. 500 f. të daktilografuara.
5. Veprat historiko - filologjike dhe publicistike të Jeronim de Radës. Shkodër. 1999. 1.850 f. të daktilografuara. Në tre versione: italisht, në të folmen e arbëreshëve (transkriptim) dhe në përshtatjen e gjuhës së sotme shqipe.
6. Jeronim de Rada, Skanderbeku i pafanë. Tre versione: italisht, arbërisht (transkriptim), përshtatje në gjuhën e sotme. Me një studim introduktiv problemor dhe me aparat shkencor. Shkodër, 1999. 1.240 f. të daktilografuara [3].

Shkolla shkodrane dhe revistat shkencore

Traditën shkencore në Shkodër dhe sidomos traditën e themelimit dhe drejtimit të revistave shkencore e kulturore e ka vazhduar edhe Prof. Jup Kastrati. Fillimisht ishte njëri prej themeluesve dhe drejtuesve, të "Buletinit për shkëmbimin e eksperiencës" (1954), të cilës shpejt do t'ia zë vendin revista gjashtëmujore shkencore "Buletini shkencor", një revistë në të cilën do të prezantohen vlerat më të larta shkencore të kohës, madje jo vetëm në qarqet shkencore e kulturore të Shkodrës, por në nivel të të gjitha qendrave shkencore që vepronin në Shqipëri dhe jashtë saj, sikur ishin "Studimet filologjike", "Studimet historike" etj., në Tiranë, "Gjurmimet albanologjike" - tri seri, në Prishtinë, "Zjarri", në Kozencë etj. Le të kujtojmë këtu edhe revistën e Lidhjes së shkrimtarëve "Shkodra" (1961-1976). Në këtë mënyrë Prof. Jup Kastrati, me punën e tij organizative, do të bëhet bartës i kulturës dhe shkencës shkodrane në veçanti dhe bartës i kulturës dhe shkencës shqiptare në përgjithësi. Duke qenë themelues dhe bashkëthemelues i tyre, dhe duke qenë njëri prej atyre që do të botojë pothuajse në çdo numër, madje jo vetëm studime të punës së tij profesionale por edhe përkthime, paraqitje të veprave, recensione, kronika shkencore e kulturore, Prof. Jup Kastrati do të bëhet bartës mendor dhe organizativ i vazhdimësisë së traditës shkodrane edhe në këtë aspekt. Prandaj, le ta shtojmë këtu edhe veprimtarinë shkencore, gjithë atë pjesë që lidhet me qytetin e Shkodrës dhe rrethin e saj, pa aktivitetin e së cilit, sikur e kanë theksuar shumë bashkëkohës të tij, në letra, shënime, kronika ditore dhe shkencore, nuk do të mund të merreshin me mend shumë aktivitete jo vetëm në zonat më të thella të Shqipërisë Veriore por as në vet qytetin e Shkodrës [4].

Ka themeluar dhe drejtuar 3 organe kulturore e diturake:
I) Buletin për shkëmbimin e eksperiencës, Shkodër (1954);
II) Buletin shkencor I ILPSH (1957 - 1958, 1964 - 1990), gjashtëmujor, 45 vëllime me 13.000 faqe shtyp shkencor: tribunë e mendimit shkencor të ILP dhe të rrethit të Shkodrës. Përmes tij, 45 pedagogë kanë marrë gradën shkencore "Kandidat i shkencave".
III) Shkodra (1961 - 1976), botim vjetor i Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë për Shkodrën, 15 vëllime, me 5.000 faqe shtyp letrar, diturak, publicistik dhe artistik.
IV) Anëtar i Këshillit botues të gazetës Besa, Organ i Shoqatës atdhetare kulturore "Kosova", fletore e përjavshme, Shkodër (1991) [5].

Për 50-vjet me radhë, Shkodra edhe mund të kishte ndonjë periodik letrar a partiak, por për pesëdhjetë vjet me radhë Shkodra nuk kishte revista më të pasura shkencore dhe intelektuale se këto që themeloi Prof. Jup Kastrati dhe rrethi shkencor i Shkodrës. Për 50 vjet me radhë, Shkodra konsiderohej qyteti i dytë politik, shkencor dhe kulturor i Shqipërisë, por mund të thuhet se edhe gjatë atyre 50-vjetëve edhe pas atyre rrënimeve që trashëgoi nga Lufta e Dytë Botërore dhe i barti gjatë sistemit komunist, për shkak të trashëgimisë intelektuale, para se gjithash në shkallë familje që kishte shekuj me radhë, Shkodra mund të quhej qyteti i parë i botës albanologjike në Shqipëri, në të cilin dhjetëra studiues vazhdonin të merreshin me durimin më të madh me hulumtime, studime, kurorëzime të veprave, projekteve shkencore, të cilat rrallë e tek mund të mendoheshin nga studiuesit e qyteteve të tjera, në qoftë se përjashtoheshin ndërmarrjet e institucioneve shkencore.

Nuk ka organ letrar a shkencor, që ka dalë në Shkodër, pas vitit 1945 në të cilin nuk ka botuar Profesor Jup Kastrati, apo në të cilin nuk është bërë objekt studimi si individualitet mendor, krijues, kulturor etj. Më parë se sa të botonte studimet e tij në vepra të veçanta në Tiranë, në Prishtinë, në Tetovë, në Ulqin, tek arbëreshët e Italisë, në Amerikë etj., Prof. Jup Kastrati pjesë të këtyre studimeve i ka botuar në organet letrare e shkencore të Shkodrës, i ka lexuar në sesionet shkencore të organizuara për nder të përvjetorëve të personaliteteve më të mëdha historike, kulturore dhe albanologjike të Shkodrës. Nuk ka aktivitet letrar, kulturor e shkencor që nuk e ka përcjellë me shkrimet e tij, përmes këtyre revistave për dyzetë vjet me radhë, qoftë para mbajtjes së tij qoftë pas organizimit [6]. Sot nuk mund të merret me mend studimi i trashëgimisë kulturore dhe shkencore pa kronikat shkencore, letrare dhe informative të Profesor Jup Kastratit, madje jo vetëm për qytetin e Shkodrës me rrethinë, por edhe për kulturën shqiptare në përgjithësi, prandaj është e kuptueshme pse ato kronika përbëjnë njërën prej veprave kapitale që ka krijuar Prof. Jup Kastrati, ndërsa revistat në fjalë janë pjesë e veprave të tij të mëdha kulturore-historike.

Shkodra, në kërkimet shkencore të Prof. Jup Kastratit

Në kërkimet e tij shkencore, prof. Jup Kastrati në periudhën gjysmëshekullore, do të interesohet për mënyrën e organizmit të institucioneve shkencore, për kulturën e përgjithshme dhe të veçantë të tyre, për arkivat e Shkodrës dhe për fondet e tyre të veçanta [7], për bibliotekat dhe fondet historike të tyre [8], për mundësitë e përdorimit të tyre, për personalitetet historike, shkencore dhe kulturore, për rëndësinë e antikitetit të Shkodrës me rrethinë [9], për traditën e ndritshme të mesjetës, për periudhën e lavdishme të Skënderbeut [10], për rrezatimin në Shkodër dhe për rrezatimin nga Shkodra të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të Rilindjes [11], për komunikimin e intelektualëve, luftëtarëve dhe përgjithësisht prijësve shkodranë me intelektualët dhe përkrahësit e kolonisë arbëreshe dhe kolonive të tjera gjatë Lidhjes së Prizrenit; për jetën e këtij qyteti në fillim të shekullit XX, për aktivitetet shkencore dhe kulturore dhe për krijimin e një tradite shkencore të shkollës austro-gjermane në Shkodër deri në prag të Luftës së Dytë Botërore, për bartësit e tyre; për institucionet kulturore dhe shkencore të Shkodrës, organizmin e tyre, sidomos gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, meritat për projektimin e të cilave bien dhe mbi shpatullat e tij [12], për reflektimin e traditës albanologjike shkodrane dhe për reflektimin e dyanshëm të saj në traditën albanologjike në përgjithësi etj.

Duke u marrë me të gjitha këto, Prof. Jup Kastrati, vlerat historike dhe kulturore të Shkodrës i ka bërë pjesë të pandashme të vlerave historike, kulturore dhe shkencore të historisë, të kulturës dhe të shkencës albanologjike në përgjithësi.

Ka qenë projektues, redaktor ose anëtar redaksie apo zv/kryeredaktor o përgjegjës redaksie i 15 botimeve shkencore e kulturore:
  • 10 - vjetori i themelimit të ILP Shkoder (1967);
  • Kongresi i Manastirit, ILP Shkodër (1969);
  • Për përvetësimin dhe zbatimin e normës gjuhësore letrare, ILP Shkodër (1972);
  • Çështje të folklorit. ILP Shkodër (1973);
  • Pashko Vasa - Luigj Gurakuqi. ILP Shkodër (1976);
  • Lidhja Shqiptare e Prizrenit. ILP Shkodër (1978);
  • Një përkujtim: 100 - vjetori i lindjes së Luigj Gurakuqit. ILP Shkodër (1980);
  • Aleksandër Xhuvani. ILP Shkodër (1980);
  • ILP: 25 - vjetori i themelimit, 1957 / 1982, Shkodër (1982);
  • ILP: 30 - vjetori i themelimit, 1957 / 1987, Shkodër (1987);
  • Miss Edith Durham, Koplik (1997)" [13]
Çka mund të bënte më shumë Prof. Jup Kastrati për Shkodrën dhe shkodranët. Mos të harrojmë se veprën dhe organizmin jetësor e ka bërë gjatë 50 vjetëve të komunizmit në Shqipëri.
Vetëm këmbëngultësia e studiuesit që nuk ka pyetur për ngritjet dhe rëniet, por vetën e ka identifikuar me rezultatet vetjake dhe kolegjiale shkencore, ka mundur të bëjë gjithë këtë që ka bërë Prof. Jup Kastrati.
Vetëm krijuesi që ka vënë gjithë energjinë fizike dhe mendore në shërbim të vlerave më të larta të shkencës dhe kulturës, si në nivel të qendrës që po përpiqej ta ristrukturonte si në nivel të vlerave më të larta kombëtare, të cilat po i ndihmonte, ka mundur të bëjë gjithë këtë që e ka bërë Prof. Jup Kastrati.

Prof. Jup Kastrati dhe tradita shkodrane studimeve albanologjike

Duke u marrë me studimet albanologjike, në një mënyrë shumë të gjallë, sidomos në hulumtimin e saj nga aspekti bibliografik [14], në fushë të bibliografisë së përgjithshme [15], të gjuhësisë [16], të letërsisë [17], të folklorit [18] e të historisë [19], në të vërtetë, ai vetëm po vazhdonte të krijonte me ngulm traditën shkodrane të studimeve albanologjike, e cila kishte zënë fill së paku 500-vjet më parë në këto anë, ndërsa vendbanimet si Shkodra, Ulqini, Lezha etj., ishin pikat qendrore të kësaj traditë.

Më parë se sa të themelonte dhe bashkëthemelonte revistat shkencore si Buletini shkencor, Shkodra, Buletini për shkëmbimin e eksperiencës, etj., ai kishte mësuar për traditën shembullore të revistave të shquara "Hylli i Dritës", "Kritika", etj., të shuara deri në fund të Luftës së Dytë Botërore, në ndonjërën prej të cilave kishte botuar vitet e para të krijimtarisë së tij;
-më parë se sa të punonte në hulumtimin dhe studimin shterues të albanologjisë, ai kishte mësuar nga përvoja e gjuhëtarëve shkodran për hulumtimin shterues të bibliografisë;
- më parë se sa të angazhohej në komisionin e ortografisë së shqipes Prof. Jup Kastrati kishte mësuar për përvojën e Komisisë Letrare të Shkodrës dhe përvojës së patriotëve shkodranë në zgjidhjen sa më të drejtë të problemit të ortografisë shqiptare;
- më parë se sa të punonte me ngulm dhe me shumë durim në përgatitjen filologjike të veprave të shkrimtarëve arbëresh të Italisë, ai kishte mësuar nga përvoja e studiuesit të shquar shkodran Justin Rrota, që sigurisht më së miri përfaqëson shkollën filologjike shkodrane dhe jo vetëm atë, mes dy luftërave botërore. Ajo edhe sot ka mbetur shembull në shkallë akademike, se si duhet të përgatiten brezat e ardhshëm të studimeve filologjike.

Pra, Prof. Jup Kastrati, më parë se sa të ndërmerrte iniciativën e Institucioneve, për organizimin e jetës shkencore, arsimore dhe kulturore, në të vërtetë ai kishte mësuar nga përvoja intelektuale dhe praktike e paraardhësve të tij, të paraardhësve që me shekuj kishin bërë kulturën mendore dhe institucionale të Shkodrës dhe më gjerë.

Prandaj, sigurisht që duke pasur këtë përvojë mendore dhe praktike, aktiviteti i tij do t'i përgjigjet kërkesave të kohës në të cilat jeton dhe do t'i përgjigjet horizontit historik të zhvillimit të saj shumëshekullor në Shkodrën me rrethinë. Është e kuptueshme prandaj, pse në veprën e tij, të përgjithshme dhe në veprat e tij të veçanta, do të zënë vend vlerësimet dhe studimet për gjuhëtarin, letrarin, artistin, historianin, kulturologun, bibliotekistin, luftëtarin etj. Është e kuptueshme prandaj pse Zef Jubani, Pashko Vasa, Isuf Tabaku, Daut Boriçi, Hodo Sokoli e Dedë Gjo' Luli do të gjenden brenda një libri [20].

Mirëpo Prof. Jup Kastrati, i cili ka ditur dhe ka mundur të punoj i përqendruar edhe në fusha të ngushta biografike dhe studimore, këtë mjeshtri prej titaniku ka ditur ta drejtoj edhe në fushë të studimeve letrare, me theks të veçantë Shkodrën. Në vëllimin dorëshkrimor "Studime letrare", me rreth 2000 (dymijë) faqe të daktilografuara, i cili do të jepet së shpejti në shtyp, Prof. Jup Kastrati ka përfshirë artikujt studimorë, kritikat dhe kontributet e tij për historinë e letërsisë shqiptare, botuar më parë në shtypin shkencor, letrar e kulturor gjatë periudhës 1941-2001. Ndër të tjera aty ka edhe këto studime shkencore për shkrimtarët shkodranë: Ndre Mjedja, Filip Shiroka, Risto Siliqi, Hilë Mosi, Justin Rrota, Kolë Mirdita (Helenau), Teufik Gjyli, Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni), Anton Logoreci (Nologus), Andrea Skanjeti, Anton Mazrreku, Izet Bebeziqi, Arshi Pipa, Vehbi Bala, Llazar Siliqi, Tonin Çobani, Kolë Shtjefni, Fadil Kraja etj.
Në Shkodrën e krajatave të mëdha historike dhe aktuale, secili prej tyre zinte vendin e merituar në kontekstin aktual të kohës dhe në kontekstin historik të kulturës shqiptare. Në Shkodër ka pasur dhe ka studiues të mëdhenj të albanologjisë, studiues të përkushtuar të leksikografisë, hulumtues të veçantë të arkivave, biograf të dalluar të luftëtarëve, por në Shkodër në veçanti, dhe në trojet shqiptare e të diasporës në përgjithësi, është vështirë të gjesh një studiues të përkushtuar ndaj të gjithë këtyre veç e veç dhe të gjithëve së bashku njëkohësisht, si Prof. Jup Kastrati...

Më në fund, puna prej titaniku për më shumë se gjashtë decenie, si:
- korrektësia e përpiktë e punës në Universitet (Instituti i Lartë Pedagogjik, Shkolla e Lartë Pedagogjike). Pjesëmarrja e rregullt në të gjitha sesionet dhe Konferencat shkencore pothuajse në të gjitha qendrat shkencore dhe kulturore ku u organizuan ato. Njëri prej organizatorëve dhe projektuesve të tyre, për tu bërë njëri prej drejtuesve dhe organizatorëve në të gjitha sesionet shkencore në Shkodër dhe rrethinë dhe për t'u bërë në njërën nga këto, sot edhe vepra e tij objekt studimi e diskutimi. Madje, jo për herë të parë. Pikërisht në Shkodër, në vitin 1999, jeta dhe vepra e tij, janë bërë objekt studimi i një prej sesioneve më të veçanta shkencore [21];
- përgjegjësia profesionale, ngritja shkencore deri në titullin më të lartë Profesor (Professor Emeritus), ndaj punës së madhe qoftë në Universitet, qoftë në aktivitetet shkencore e kulturore;
- derdhja shterruese e njohurive informative dhe hulumtimet shkencore në çdo punim shkencor, e të mos flasim për veprat e veçanta, nuk ishin një rastësi, as një punë e bërë nga çasti në çast, por një përhershmëri.

Kishte një burim që e ushqente në vazhdimësi dhe sidomos kishte një fillim jashtëzakonisht të fortë, e ky ishte burimi i trashëgimisë, burimi i shkollës së formuar për lakmi, i traditës shkodrane, burim i brezave shekullor që nuk patën shkëputje asnjëherë në Shkodër dhe rrethinë, në Ulqin e Tivar, në Gurin e Hasit të Lukë Bogdanit, në Prishtinën e Shkupin e Pjetër Bogdanit, në Shkodrën e Beçikemit, Oso Kukës a të Gjergj Fishtës, në Lezhën e Skënderbeut, në Ulqinin e Ulqinakut etj.

Sot Prof. Jup Kastrati dhe vepra e tij për Shkodrën dhe historinë e saj paraqesin një gur me peshë të veçantë në themelet e saj, një gur përfaqësie të denjtë, që komunikon me historinë dhe bashkëkohësinë njëkohësisht, në jetën institucionale, shkencore dhe intelektuale të botës shqiptare.

Thënë me premisat e njohura nga praktika e gjertashme botërore e vlerësimit të dijetarëve dhe figurave të rëndësishme të botës së tyre: Sot Prof. Jup Kastrati nuk ka nevojë për Shkodrën! Shkodra ka nevojë për atë! Biografinë e Prof. Jup Kastratit mund të vendosësh në fondin e kulturës dhe letërsisë arbëreshe, dhe atij të mos i mungojë asgjë për të zënë vend në historinë e letërsisë. Biografinë krijuese të Prof. Jup Kastratit mund t'a vendosësh në fondin e studimeve albanologjike, dhe atij të mos i mungoj asgjë. Biografinë e Prof. Jup Kastratit mund ta vendosësh në fondin e studimeve bibliografike dhe ta bësh pjesë të studimeve shqiptare pa e rrezikuar vendin e tij në studimet shqiptare për shekuj me radhë. Por, po i hoqe biografinë e Prof. Jup Kastratit Shkodrës, asaj do t'i mungoj njëri prej gurëve më të çmueshëm në Lëvizjen mendore, kulturore, shkencore dhe historike të saj.

Shkodrës do t'i mungojë autori i "Historisë së albanologjisë", asaj vepre të cilën nuk mund ta shkruajnë edhe një kohë as institucionet as studiuesit e sotëm e të ardhshëm.

__________

[1] Diana, J. Kastrati, "Bibliografia e botimeve të Prof. dr. Jup Kastrati", botoi Albagen, Shkodër, 2000, f. 11-12.

[2] Po aty, f. 21-23.

[3] Diana, J. Kastrati, "Bibliografia e botimeve të Prof. dr. Jup Kastrati", botoi Albagen, Shkodër, 2000, f. 25 .

[4] Se çfarë ndikimi ka pasur në rrethet shkencore të vendit për përfshirjen e studiuesve më të rëndësishëm të kohës në organizimin kulturor dhe shkencor të rrethit të Shkodrës, mbase tregon edhe një si anekdotë e kohës, e cila edhe tani vazhdon të tregohet: Me rastin e mbajtjes së sesionit shkencor "Shkolla dhe Puka", disa studiues të Tiranës shtrojnë pyetjen: si është e mundur që prof. Eqrem Çabej nuk pranon të shkoj të ligjëroj në qendra universitare të Shqipërisë, pranoi të vijë në Kabash mes malesh dhe të lexoj një kumtesë. Njëri prej studiuesve që njihte marrëdhëniet ndërkolegiale ishte përgjigjur aty për aty: Për profesor Çabejn nuk ka rendësi ku duhet të ligjëroj por kush e thërret. Deri sa Puka për mësit te prof. Çabej kishte dërguar prof. Jup Kastratin, dihet që prof. Çabej do të vinte. Nga një bisedë në korrik të vitit 2001, në Prishtinë me hulumtuesin e pasionuar të traditës dhe kanunit Z. Xhemal Meçi.

[5] Diana, J. Kastrati, "Bibliografia e botimeve të Prof. dr. Jup Kastrati", botoi Albagen, Shkodër, 2000, f. 14-15.

[6] Shih, Jeta shkencore në Shkodër (me 1962 - 1963) "Revistë shkencore", Shkodër, 1964, I, 1, 259 - 264. deri te Jeta shkencore në Shkodër (korrik - dhjetor 1989), "Buletin shkencor", XXVI, 2 (46), 211 - 212, Shkodër, 1989 etj.

[7] Shih, Fondet e albanologjisë në bibliotekat e rrethit të Shkodrës dhe detyrat për organizimin e një informacioni të plotë për to, "Buletini i bibliotekave", XXI, 1 - 2, 79 - 89, Tiranë, janar - qershor 1983. Botim i Bibliotekës Kombëtare etj.

[8] Shih, Biblioteka "Marin Barleti" në Shkodër ka 230 mijë libra, "Zëri i popullit", Tiranë, 3 shkurt 1990, f. 1, 3. etj.

[9] Shih, Figura të ndritura të Rilindjes Kombëtare. Shkodër, 1962 etj.

[10] Shih, Problèmes de la Bibliographie rétrospective de Skenderbeg. "Deuxième Conférence des Etudes Albanologiques", Tirana, 12 - 18 janvier 1968. I. Tirana, 1969, p. 709 - 717; Burimet e para letrare dhe historike për Skënderbeun," Bashkimi", Tiranë, 11 janar 1968, f. 3; Skënderbeu në letërsinë evropiane të shekullit XVI, (në revistën) "10 korriku", Tiranë, janar 1968, nr. 1, f. 8 - 10 Burime të vjetra letrare dhe historike për Skënderbeun (në revistën) "Shkolla fillore", Tiranë, 1968, nr. 3, f. 122 - 134. Manual i botuar nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës. Drejtoria e Studimeve dhe e Botimeve Shkollore; Libri i Skënderbeut, "Arsimi popullor", Tiranë, janar - shkurt 1968, XXIII, 1, 74 - 81. Shënim: Ky numër i revistës u botua, por nuk u lejua të qarkullojë. Unë kam një kopje në bibliotekën time personale, në Shkodër, dhuratë nga akademiku prof. Bedri Dedja, ish-kryeredaktor i së përkohshmes në fjalë. Një kopje ruhet edhe në bibliotekën e Universitetit "Luigj Gurakuqi", Shkodër, dhuratë po nga i njëjti intelektual (J. K.) etj.

[11] Shih, Lidhja Shqiptare e Prizrenit. ILP Shkodër (1978); Dega e Lidhjes së Prizrenit për Shkodrën. Momente nga përpjekjet për autonomi (Me rastin e 90 - vjetorit të Lidhjes së Prizrenit), "Shkodra", Shkodër, 1968, VIII, 1 (8), 231 - 240; Gramatologjia shqiptare gjatë Rilindjes Kombëtare, "Lidhja Shqiptare e Prizrenit" (1878 - 1881), botim i "Buletin shkencor" i Institutit të Lartë Pedagogjik. VII. Shkodër, 1978, f. 60 - 65. Shtypshkronja "Migjeni". Instituti i Lartë Pedagogjik i Shkodrës, Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878 - 1881), botim i "Buletin shkencor" i ILPSH, VII. Shkodër, 83 f. Redaksia: Dhora Lloja, Jup Kastrati, Islam Dizdari, Rafail Lipe. (Projektues: J. K.); Pashko Vasa dhe Lidhja Shqiptare, Bashkimi,Tiranë,3 maj 1978,f.1-2; Mbi rolin e arbëreshëve të Italisë në periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (në librin) "Konferenca Kombëtare e Studimeve për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit 1878 - 1881" (12 - 18 qershor 1978), f. 196 - 203. Akademia e Shkencave. Instituti i Historisë. Tiranë, 1979 etj.

[12] Shih, 10 - vjetori i themelimit të ILP, Shkodër (1967) ILP: 25 - vjetori i themelimit, 1957 / 1982, Shkodër (1982); ILP: 30 - vjetori i themelimit, 1957 / 1987, Shkodër (1987) etj.

[13] Diana, J. Kastrati, "Bibliografia e botimeve të Prof. dr. Jup Kastratit", Botoi Albagen, Shkodër, 2000, f. 13-14.

[14] Shih, Bibliografia e botimeve shqip, I, "Bota e re", Tiranë, janar 1946, I, 7, 63 - 64. Bibliografia e botimeve shqip, II, "Bota e re", Tiranë, shkurt 1946, I, 8, 60 - 62 etj.

[15] Me 1959 u botua vepra e Prof. J. Kastratit "Bibliografia Shqipe" që në 498 faqe përmbledh çdo gjë që u botua në Shqipëri në periudhën 1944 - 1958: në fushën e letërsisë politiko - shoqërore, social - ekonomike të letërsisë artistike shqiptare e të përkthyer, studime mbi letërsinë artistike, folklorin, letërsinë tekniko - shkencore e shkollore - pedagogjike, katalogë, kalendarë e përmbledhje të ndryshme. Shih, As. Prof. Dr. Vehbi Hoti, "Studimet bibliografike të Prof. Dr. Jup Kastratit", në Diana, J. Kastrati, "Bibliografia e botimeve të Prof. dr. Jup Kastratit", botoi Albagen, Shkodër, 2000, f. 164.

[16] Shih, Bibliografia e Aleksandër Xhuvanit (1905 - 1980), "Studime filologjike", Tiranë, 1980, nr. 1, f. 235 - 289; Bibliografia e prof. Eqrem Çabejt (1929 - 1981), "Studime filologjike", Tiranë, 1981, nr. 3, f. 219 - 254 etj.

[17] Shih, Dramatika shqiptare, I, "Revista letrare", Tiranë, 15 korrik 1944, I, 11,6 - 7; Dramatika shqiptare, II, "Revista letrare", Tiranë, 1 gusht 1944, I, 12, 6 - 7; Përkthyesit tanë të veprave dramaturgjike, "Revista letrare", Tiranë, 15 gusht 1944, I, 13, 6; Bibliografia e Migjenit (1934 - 1961), (në librin), Migjeni, Vepra, N.Sh. Botimeve "Naim Frasheëi", Tiranë, 1961, f. 241 - 263; Bibliografia e Migjenit (1934 - 1961), "Nëndori", Tiranë, tetor 1961, f. 69 - 94. Bibliografia e Ndre Mjedës. Botim i redaksisë së "Buletin shkencor" të Institutit Pedagogjik Dyvjeçar të Shkodrës. Shtypur në shtypshkronjën "Migjeni". Shkodër, 1967, 28 faqe. Tirazhi: 100 kopje. (Libër); Përmbajtja: Parathanie: (f. 3). Pjesa e parë: Bibliografia e Ndre Mjedës (f. 5 - 17). Përmban 79 zëra veprash të Ndre Mjedës. Pjesa e dytë: Bibliografi mbi Ndre Mjedën (f. 18 - 27). Përmban 177 tituj artikujsh e studimesh, botuar për Ndre Mjedën, në periudhën 1901 - 1967; Bibliografia e botimeve te Faik Konicës (1895 - 1942), (në librin) "Faik Konica Jeta dhe vepra". Instituti Albanologjik i Prishtinës. Prishtinë, 1997, f. 203 - 260. Sesion shkencor, mbajtur në Prishtinë, me 28 prill 1995.

[18] Shih Bibliografia e dramatikës, në dorëshkrim. etj.

[19] Shih, Bibliografia shkencore (e Skënderbeut), "Mësuesi", Tiranë, 29 janar 1967, VII, 3 (283) 4. Bibliografia shkencore (e Skënderbeut), (në librin) "Skënderbeu dhe epoka e tij". SHB "Naim Frashëri", Tiranë, 1967, f. 100 - 104 etj.

[20] Shih, Figura të ndritura të Rilindjes Kombëtare. Shkodër, 1963 etj.

[21] Kumtesa të mbajtura në Sesion shkencor me rastin e dekorimit Mjeshtër i Madh i Punës, 1999: Prof. Dr. Gjovalin Gruda, Rektor i Universitetit të Shkodrës "Luigj Gurakuqi", Fjala e hapjes; Prof. Dr. Tomor Osmani, As. Prof. Dr. Mina Gero, Universiteti i Shkodrës "Luigj Gurakuqi", Personaliteti, jeta dhe veprat e Prof. Dr. Jup Kastratit (referat); Akademik Prof. Shaban Demiraj, ASHSH, Ndihmesat kryesore të Prof. Dr, Jup Kastratit në fushën e gjuhësisë; Prof. Dr. Kolec Topalli, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Kontribute dhe vlera në fushën e gramatikës së sotme dhe historike të Prof. Dr. Jup Kastratit; As. Prof. Dr. Vehbi Hoti, Universiteti i Shkodrës "Luigj Gurakuqi", Studimet bibliografike të Prof. Dr. Jup Kastratit; Faik Luli, Mësues i Popullit, Kontributi i shquar i Prof. Dr. Jup Kastratit për shkollën shqipe; As. Prof. Dr. Fatbardha Hoxha, Universiteti i Shkodrës "Luigj Gurakuqi", Studimet e traditës nga Prof. Dr. Jup Kastrati: Botimet monografike; Fadil Kraja, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Lëvizja letrare në Shkodër dhe kontributi i Prof. Dr. Jup Kastratit; Diana J. Kastrati, Universiteti i Shkodrës "Luigj Gurakuqi", Jehona e botimit të monografisë "Faik Konica", Nju Jork, 1995; Prof. Dr. Jorgo Bulo, drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, përshëndetje; Prof. Ylli Popa, kryetar i ASHSH, Shumë i nderuar Prof. Dr. Jup Kastrati, faks; Prof. Dr. Emil Lafe, kryeredaktor i revistës "Gjuha jonë", letër urimi; Xhemal Meçi, punonjës shkencor, Urimet më të përzemërta Prof. Dr. Jup Kastratit në 75 - vjetorin e lindjes së tij; Daut Gumeni, Këshilltar i Përgjithshëm i Presidencës, Dorëzim i dekoratës Mjeshtër i Madh i Punës; Prof. Dr. Jup Kastrati, Mësues i Popullit, Falënderim.

COMMENTS