Migjeni - Kanga e të burgosunit

migjeni millosh gjergj nikolla
Nepër hekra të kryqzuem të dritores s'eme
shof qiellën të coptueme në katërdhetë copë
edhe shof diellin sa një pare serme
- aq larg âsht qielli nga e emja gropë.

E kjo gropë e eme e ka emrin burg.
E dini se burgu nuk âsht për dëfrim.
Prandaj burg' i em âsht shum shum i ultë
dhe më bani palmuç dhe më mbyti në trishtim.

Hekrat e kryqzuem dhe ndërgjegj' e eme,
dy anmiq të betuem, luftojnë dit' e natë;
por hekr' i fortë e mund ndërgjegjen t'eme
dhe në dëshprim përplasem si një qen i ngratë.

E kur nata vjen dhe xhixhillojnë hyjt
gëzohem fort se hekrat nuk m'i kryqzojnë sŷt,
por t'u sjellmen mbrapa shof dritën e smutë
edhe hijën teme tu' u zgjatë në mur't

si një kërcnim ligji, po si një dajak.
Dhe atëherë tërbohem dhe urrej pa masë
dritën, hijën, vetën, muret edhe hekrat
edhe e ndjej vetën luâ të ndryem në kafas.

Nepër hekra të kryqzuem të dritores s'eme
shof qiellën të coptueme në katërdhetë copë
dhe zêmra e eme ndien po aq të breme
në mes të katër murvet si në një gropë.

COMMENTS