Pjetër Zarishi, poeti i parë i letërsisë së re shqiptare

Pjetër Zarishi (1806-1866) njihet për herë të parë më 1832 si prift i ri në fshatin e lindjes, Blinisht, Zadrimë. Studimet i përfundoi në Kolegjin e Propagandës Fide në Romë, nga të rrallët që mori direkt doktoraturën në Filozofi e Teologji. Në vitin 1839 është prift në Dajç, Zadrimë, ndërsa më 1840 Sekretar i Ipeshkvit të Dioqezës së Sapës (Nënshat), Gjergj Labella, duke kryer edhe detyrën e mësuesit të xhakojve, pastaj famullitar në Orosh të Mirditës.

Dora d'Istria shkruante që në vitin 1872 se: "Zarishi, që ishte një bashkëkohës yni, ka bërë poezi të bukura shqipe", ndërsa Zef Skiroi shkruante në vitin 1918: "Poezitë e fuqishme dhe përkthimet e mrekullueshme të Zarishit janë destinuar për të bërë një përshtypje të thellë".

Pjetër Zarishi është më i pari që shkroi një poezi për Shqipërinë, "Kanga e Shqipnis", më i pari dhe, ndoshta, i vetmi që na la një poemë kozmogonike, "Krijimi i rruzullimit", të strukturuar në 13 tingëllima.

Pjetër Zarishi, poeti i parë i letërsisë së re shqiptare


- Nga Tonin Çobani

Pjetër Zarishi është quajtur rëndom "poet minor", por, sado që me gjysmë zëri, edhe "urë kalimi" nga letërsia e vjetër shqipe në letërsinë e re të Rilindjes Kombëtare. Klasifikimi i tij ndër poetët minorë ia ka zbehur rëndësinë e të qenit "urë kalimi" në letërsinë e Rilindjes, e cila do të njohë shkëlqimin e vet me poetë të tillë si De Rada, Naimi, Mjeda etj.

pjeter zarishi
Në këtë aradhë duhet të kemi parasysh se Pjetër Zarishi (lindi më 1806) është ndarë nga jeta në vitin 1866, pra, e ka mbyllur veprimtarinë e vet krijuese, pikërisht atë vit kur kanë lindur Çajupi e Mjeda, ndërsa Naim Frashëri, ende student në gjimnazin Zosimea të Janinës, ndoshta, as nuk e kishte çuar ndonjëherë nëpër mend se do të shkruante dikur poezi në gjuhën shqipe. Gjithsesi, ky informacion nuk vlen drejtpërdrejt për poetin dhe rëndësinë e veprës së tij. Ai theksohet në fillim të kësaj monografie për të mbajtur që në krye një qëndrim ndaj Historisë së Letërsisë Shqiptare apo të kritereve të parashtrimit të saj, pasi, duke mos e njohur sa duhet Pjetër Zarishin dhe poezinë e tij ose duke mos e vlerësuar meritueshëm atë, është krijuar realisht një boshllëk i panevojshëm në historinë e letërsisë shqiptare. Ky vakum përfshin gati një shekull: nga letërsia e vjetër shqipe (shekulli XVI-XVII) deri te letërsia e re e Rilindjes (Shekulli XIX-XX). Sigurisht, sepse një gjysmë zëri vendosi realisht të mos pranohej si histori "ura lidhëse", vepra poetike e Pjetër Zarishit dhe pas tij e Leonardo de Martinos dhe e ndonjë tjetri. Për pasojë, duke u braktisur kriteret shkencore të hartimit të historisë së letërsisë së një vendi, u sajua një histori e arnuar letërsie dhe u konsiderua si i tillë zhvillimi letrar i arbëreshëve të Italisë (shek.XVIII-XIX): Variboba, De Rada, Dara, Serembe, Skiroi, si dhe letërsia e diasporës shqiptare (shek.XIX-XX): Naimi e Samiu në Stamboll (Turqi), Mitko e Çajupi në Misir (Egjipt), Poradeci e Asdreni në Bukuresht (Rumani), Noli e Konica në Boston (SHBA) etj.

Çoroditjet në historinë e letërsisë shqipe

Edhe më çoroditje ka sjellë në historinë e letërsinë shqiptare mospranimi më zë të plotë i "urës lidhëse" të letërsisë (poezia e Pjetër Zarishit) në qëndrimin ndaj zhvillimit letrar të bejtexhinjve. Letërsia e bejtexhinjve ka lulëzuar si një degëzim paralel dhe krejtësisht i shkëputur nga letërsia e vjetër shqiptare e shek. XVI-XVII. Ajo ka qenë thuajse krejtësisht e shkëputur edhe nga letërsia e kolonive shqiptare dhe ajo e diasporës. Letërsia e bejtexhinjve u shkruar me alfabet arab dhe u përhap kryesisht si letërsi gojore nga shek.XVI deri në shek.XX në disa qytete të Shqipërisë (përfshirë edhe Kosovën e vise të tjera shqiptare në rajon), që kishin lidhje më të forta administrativo-kulturore me Stambollin, qendrën e Perandorisë Osmane, por u shtri sa gjerë gjatë në historinë e letërsinë shqiptare, me të drejtë dhe pa të drejtë, pikërisht, pse gjeti vend vakuum. E paraqitur kështu, historia e letërsisë shqiptare mbetet e paargumentuar shkencërisht, sepse në asnjë vend të globit kultura, aq më pak letërsia, nuk mund të zhvillohet jashtë qendrave kulturore ku flitet masivisht ajo gjuhë, me të cilën një letërsi realizon komunikimin e vet. Duke pranuar veprën poetike të Pjetër Zarishit, e cila realisht krijon lidhjen e letërsinë së vjetër shqipe me letërsinë e re, do të mund të pozicionohet më mirë edhe letërsia e kolonive dhe ajo e diasporës, të cilat pa më të voglin dyshim kanë rëndësinë e vet të padiskutueshme në Historinë e Letërsisë Shqiptare. Me këtë rast do të mund të zgjidhej më objektivisht edhe vendi që i takon në historinë e kulturës shqiptare letërsisë me alfabet arab dhe, ndoshta, edhe i asaj letërsie që u shkrua në latinisht nga autorë shqiptarë.

Poeti

Pjetër Zarishi është një poet me ndjeshmëri vetjake, qoftë kur shqipëron vargje religjioze, qoftë kur shqipton poezi origjinale me temë laike a fetare. Ai, duke qenë shkolluar në Perëndim dhe doktoruar për filozofi e teologji, është njohës i mirë i letërsisë latine e italiane, ashtu si edhe i letërsisë së shkruar deri atëherë në gjuhën shqipe. Nga ana tjetër, Pjetër Zarishi, duke marrë mësimet e para në gjuhën amtare dhe duke qenë në kontakt të vazhdueshëm me folklorin e pasur e aktiv të krahinave të Zadrimës dhe Mirditës, ku jetoi dhe ushtroi shërbimin e klerikut, është njohës i mirë i gjuhës shqipe, të folur dhe të shkruar, si dhe i aftësive të saj poeziformuese. Prandaj ai eksperimentoi me sukses format klasike të poezisë, si tingëllimën dhe poemën në tingëllima, strofën safike, 11-rrokëshin etj. Kryesisht për temën laike që derdhi në këto forma poetike, Pjetër Zarishi merr atributet e poetëve nismëtarë të letërsisë së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Vepra e tij u frymëzua dhe u bë shprehëse e lëvizjes popullore të viteve '40-'60 të shekullit të 19-të, lëvizje e cila u parapriu ngjarjeve të mëdha të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Me rilindasit e parë

Duke jetuar në atmosferën kryengritëse të Shqipërisë së Veriut dhe duke marrë pjesë gjallërisht në organizimin e saj në një nga zonat më aktive të kohës, siç ishte Mirdita dhe krahinat e tjera të ish Principatës së Dukagjinëve, Zarishi me veprën e vet u bë përçuesi më tipik në letërsinë e fazës së parë të Rilindjes për sa i takon asaj kërkese politike të kohës, e cila kufizohej fillimisht me ngritjen e një shteti shqiptar autonom në suazën e Perandorisë Osmane. Zëri i tij bashkohet me zërin e ideologëve, poetëve dhe veprimtarëve të periudhës së parë të Rilindjes Kombëtare, me zërin e Naum Velqilharxhit (1797-1846) e të Zef Jubanit (1818-1880), të Jeronim de Radës (1814-1903) e të Pashko Vasës (1825-1892), të Dora D'Istrias" (1829-1888), Sami Frashërit (1850-1904) e të tjerëve atdhetarë, që veprën e tyre e vunë në shërbim të lirisë dhe pavarësisë. Zarishi është ndër të parët që kuptoi se prej klasës feudale shqiptare nuk mund të pritej një udhëheqje reale e lëvizjes atdhetare.

Veprimtaria

Pjetër Zarishi, si një klerik atdhetar, u shqua në ato vite edhe për kundërvënien e vendosur që i bëri klerit të huaj, në rastet kur ai kler mbante qëndrime të papërgjegjshme ndaj problemeve jetike të besimtarëve në kushtet e shtrëngesave të administratës osmane. Ai e ndiente se kleri i huaj, përgjithësisht, mbillte injorancë dhe padije ndër besimtarë, gjëra këto që nuk mund t'u shërbenin aspak interesave të shqiptarëve. Në këto kushte, Pjetër Zarishi kuptoi rëndësinë që kishte për kohën ndërgjegjësimi kulturor i shqiptarëve dhe, veçanërisht, lëvrimi i gjuhës amtare, prandaj gjatë gjithë jetës së vet iu kushtua studimit të shqipes, përkthimeve dhe, në mënyrë të veçantë, krijimtarisë poetike origjinale në këtë gjuhë. Vepra e Pjetër Zarishit, megjithëse u botua vetëm pjesërisht dhe pas vdekjes së poetit (sepse u zhduk ose u mbajt fshehur), u përhap në popull gojë më gojë, duke ushtruar, kësisoj, një ndikim të pandërprerë te poetët e mëvonshëm të Veriut, si Leonardo de Martino (1830-1923), Ndre Mjeda (1866-1937), Gjergj Fishta (1871-1940) etj., të cilët i kaluan nëpër duar dorëshkrimet e poezive të tij. "Zhgënjimet e poetit", "Në nismat e letërsisë së Rilindjes" dhe "Krijimi i rruzullimit", ku botohet për herë të parë e plotë poema e Zarishit "Krijimi i rruzullimit" në dy variante: sipas dorëshkrimit origjinal dhe e kthyer në gegërishten e sotme letrare për t'u shijuar më lehtësisht prej lexuesit.

Monografia "Pjetër Zarishi dhe krijimi i rruzullimit" merr përsipër të realizojë një profil të plotë për poetin më të parë të letërsisë së re shqiptare, i cili është cilësuar "urë kalimi nga letërsia e vjetër shqipe në atë të Rilindjes".

Krijimi i rruzullimit

Pesë tingëllimat e para të poemës, e botuar sipas dorëshkrimit të Pjetër Zarishit, përshtatur në gegërishten e sotme.

I

Ishte gjithmonë Zoti i pafill e i vetëm:
Tjetër, posë kaosit, asgja s'u dëshmonte;
Ishte kush ishte n'vetvete i pështetun,
Plot konden në vete, veten gëzonte.

Jashtë vetes ndonjë send iu kand me iu gjetun,
Që vlerën tue ia njohë, nderim t'i çonte.
Qiti mendimin edhe punën si e nisi,
Për gjashtë dit dynjanë krejt ç'e ujdisi.

Për gjashtë dit kah një sendet mabrë i muer:
Ditës së shtatë ndali turr e i dha bekimin,
Gjithçka desht prej kurrgjaje mbasi nxuer.

Lëshoi sytë rreth, e këqyri përftimin:
Pranë gjet, se ç;kishte marrë nëpër duer
Basit t'mirë ma t' mirë ia bante dëshmimin.

II

Qielli me hanë, yll e diell rishtas ndriti;
Toka me mal, fushë e det u mbarështue;
Pjellë e bimë për t'gjithë sendet rendas qiti;
Urdhën, kush i fali, si u kish vue.

Njeriun zot, si vete, Zoti e goditi,
Njeriut i dha tager t'gjitha me i gëzue:
Por qielli kurr as toka udhën s'rrëshqiti,
Njeriu kaloi cakun e u gjend gabue.

Punës s'keqe pendimi mbrapa i mbërrini;
Tha fjalën Zoti, e s'mirash gjithë e shkreti,
E gjithë mbi krye t'zezat ia përtrini.

S'kish kurr me vdekë, edhe vdekjes ia laneti;
Prandej një shkrolë mallkimi për ballë ia shtrini.
Medet njeriu, se ç'i sjell kabaheti...

III

Tue gjëmue, tue u përlotë motin njeriu shkonte
Për lumni që buer, për halle që i binin;
Mundi që hiqte, derti që e poshtënonte,
Buka veshja, konaku vend s'i linin.

Veç ndër kaq mundime, që ma s'mund t'çonte,
Fjalët e Zotfit gjallë në zemër i rrinin;
Se prej dore për gjithmonë s'do ta lëshonte;
Ani shpresa ia zbuste shpirtin e mishin.

Erzin fytyrës së Zotit ia kushtoi;
Ashtu fjalën njeriut me ia premtue,
Edhe pezmi i kobëtarit, që e harlisi.

Ashtu shumë profetë me rend kanë dëshmue,
E një shpërblyesi prandej emni i krisi:
Pra, lum me sy kush kishte për ta gëzue!

IV

Ndrroi dynjaja, krejt dynjaja shastisi;
Mbas vdekjes së të parëve, mbisundoi mëkati.
Harroi Zot'n, edhe hasmit nderime i nisi;
Udhës e ligjës, sa mundi shqelma i vikati.

Me hata t'pamasë t'Lumin e bezdisi;
Kaq, sa shtrini thuprën e i hallakati,
Me lëngatë, ujë, zjarr, zi, luftë e kërdisi;
Ferrat, që mbollën, me i kurrë u erdh sahati.

Por, kur i porosiste kah dashnia,
Me besë rishtas, si ma të parët, i ngushëllonte,
E për ta gati rrinte mrekullia.

Prandej, koha kah fillimi si u afronte,
Shpërblesë i shenjohet Davidit vllaznia:
Pra, qe, me t'saktin Zoti si qëndronte!

V

Shpirtit t'djerrun i shkonte nalt krenia:
"Krajlnisë s'Zotit thuejse gjysmën ia mora,
Prej kësaj jete, - thoshte, - krejt e nxora,
Qielli fill i vetëm po mbet i tija!"

Pra, njeriut t'mjerë dëshmi ku i bante hija
Nalt iu ngjitën lotët: Rridh ti, o e Zotit dora...
Çona për t'çue ke pate; e rini kora,
Pezëm e dhimbje për një herë me nda Lumnia.

Emën bani, e n'jetë erdh i Biri,
E u ba, - shpirt, mish veten tue vendue
Prej grues pa hile, - bashkë Zot e Njeri.

Pra, lindi me dukje të pakët, si gjithë fëmija,
Veçse fuqi-plotë edhe i përkryem;
Shërbesa e njeriut, e hasmit rrënia.

COMMENTS