Rapsodi i malit

rapsodi i malit poezi
Kape 'i herë në dorë lahuten
e nji kangë n'a e gjêjë,
shterngoj mirë kordhat qi u kputen,
hiqja pluhnin qi i ká ndêjë.

Bjeri 'i herë kordhave t'shtrieme,
o kangtár, me duer të msueme,
e n'a i merr, prá, kangët qi i ndieme
n'ato kohna të kalueme.

Le t'ushtojnë fushë edhe male,
t'njallen burrat qi kan dekë,
prej lugines e n'termale
kânga kângen t'shkojë tu' e ndjekë.

N'a i kndò, plak, njata burra,
qi janë mblue nen dhén e t'parvet
e vorrue nder driza e curra,
e t'i ndijnë veshët e shqyptarvet

n'ket t'njizete pêsten vjetë,
q'se valoi flamri n'tokë tona,
e gjallë kânga ka per t'mbetë
n'mal e n'fushë tu 'e tretë jehona.

Pra t'i ndijmë kanget e trimnís,
t'i ndijmë burrat ç'bânë per né,
nderë e lavd tuj dhanë Shqypnís
n'gjak e lyene marë ket dhé.

Djal prej djali si po t'ishte
shi n't' njizetepêsten vjetë,
githçka t'fortë në vedi kishte;
tuj i dhanë trupit perpjetë

shpejt në dorë lahuten mori.
E mendoi kangen ma s'pari,
frymë të thellë prej parzmit xori,
kshtu i a tha kângës kangtari:

"Ç'po n' a ishte 'i djal si zânë,
shum anmiq na i kishte pré,
nderë Shqypnís i kishte lânë,
kishte lânë trimní n'ket dhé.

Pertej mali 'i tym i zí
drejtë kah qielli n' a u shperdá,
djali aty n' a ishte shtrí
sà gjanë giatë e në gjak là.

Kshtu n' a i tha shokve të dashtun:
« Male t'mdhaja une kalova,
kurr anmikun se kam dashtun
kúr me tê une luftova

kurr nder male kâmba s'rrshiti,
e luftova me trimní,
dér nder shpella anmiku m'priti
e s'u dava me korí.

Sot m'ka ardhun dita e mbrâme
e tuj dekë jam gati, o shokë,
thonmi nanës me nderë u dàme
e se un do t'flêjë nen tokë.

E ma bani nji vorr t'gjanë,
e m' a çelni nji dritore,
due m' e pà flamurin t'anë,
due m' e i pà shqypet malsore.

T' m'a stolisni nji mbulojë
kuq e zí, mbî vorr m' a leni,
trupin t'im kjo do t'a mprojë,
armë e shpata ktu m'i vêni ».

Nuk i tha shokve gjâ tjeter
e mbi gúr e pshteti kryet,
tubë e tubë deshmorët e vjeter
i a pershkuenè n'vegim syet".

E ktu kângen plaku e ndali,
pika lotësh nga malli i dulen,
kta lot shêjtë shqypes i a fali,
e n'lahutë plakut i u ulen.

COMMENTS