Refleksione mbi Shkodrën.., Skënder Drini

shkoder scutari albania
Ky qytet të fut në mendime të thella dhe të trishton. Të trishton sepse nuk jeton si një qënie e gjallë, por si një arkiv që ngërthen në vetvete 2500 vjet histori. Dremit në këtë lëmsh të gjatë kohërash dhe mbrohet me këtë lëmsh të gjatë kohërash. Djepi i kulturës, djepi i kësaj dhe asaj ... Mund të ketë qenë po tani i ka mbetur fëmija në djep! E fikëm, e morëm në qafë këtë qytet, duke e mbrojtur me histori. Ajo është kthyer në mënyrë të ndërgjegjshme apo të pandërgjegjshme, në një nga ato maskat, që u vënë në fytyrë atyre që do të ekzekutohen për të mos parë flakën e plumbave. Mund të kemi menduar edhe për këto maska si për një humanizëm komik. Çfarë nevoje kanë për të dënuarit, që e dinë që do të vdesin pas disa minutash? Ajo maskë është një humanizëm mashtrues, sepse, duke mos parë, u jep të dënuarëve disa minuta shpresë, por, në të vërtetë, i mban të parebeluar. Trimat e kanë flakur shaminë maskë që iu lidhte sytë dhe janë pushkatuar pa të.

Ku janë këta trima sot? Si nuk e kupton kjo Shkodra, që po fiket pak nga pak me sy të lidhur?...

Jo, e kupton, sepse të gjithë flasin dhe ankohen për këtë gjë, por pakkush është i zoti të bëjë diçka. Më e keqja është se fikja, këtij qyteti po i vjen nga shumë anë dhe kjo bën pothuaj të pamundur të gjesh cila është arma vrastare. Nga ana tjetër, kjo vjen edhe pse nuk duam të thellohemi, nuk duam të studiojmë dhe të analizojmë, nuk duam të trazojmë gjërat e pabukura dhe atëherë nuk na mbetet tjetër, veçse të rrimë dhe të fshihemi pas historisë.

Po, a mund të na mbrojë gjithnjë edhe ajo? Thuhet se po na mbyt një urbanizëm fshatar, po pse nuk themi që krahas vlerave të padiskutueshme kulturore, artistike dhe civilizuese, qyteti ka vuajtur dhe më parë nga këto. Pjesa kryesore e qytetit, sidomos krahu mysliman, është mbajtur me tregti dhe me rentën e tokës, që një pjesë ishte e trashëguar, një pjesë ishte benefits turk. Pjesa katolike e qytetit është më e varfër sepse benefitset turke rrjedhin më pak në atë drejtim. Deri në prag të çlirimit të vendit, marrëdhëniet e pronave të tokave me bujqit pothuaj i ngjajnë marrëdhënieve gjysmë feudale, të bazuara në kontrata tradicionale gojore, të cilat rrallëherë janë respektuar plotësisht. Kjo, sepse pronarët shkodranë të tokave, kanë qenë tolerantë në vjeljen e të ardhurave, që në shumë raste ishte fakultative dhe që më vonë mbeti pothuaj krejtësisht në dorën e bujkut, që i çonte pronarit aq sa i merrte mendja. Kjo ndofta është në nderin e këtyre pronarëve, të diferencuar ndjeshëm nga pronarët e tjerë të tokave, në krahina të tjera të Shqipërisë, po nga ana tjetër është një tregues i tërthortë i të kënaqurit me pak, me atë që të bie në dorë.

Edhe marrëdhëniet etiko-sociale mes bujkut dhe pronarit të tokës, janë më të ndryshme se në disa anë të tjera të Shqipërise, ngaqë bujkun në rrethinat e Shkodrës dhe përtej tyre nuk mund ta fyeje, ta nënshtroje dhe ta poshtëroje, nuk mund ta pengoje të kishte oxhak mbi çati, ose nuk mund t'i trazoje familjen sepse të vriste. Një pjesë e madhe e bujqve, ishin deri vonë si pjesëtarë të familjeve të pronarëve. Ata merrnin pjesë rregullisht në gëzimet dhe hidherimet e tyre dhe ishin të mirëpritur. Fshatari nuk kishte për të madhe t'i thërriste beut, as agait nga dera e oborrit dhe të shtrohej këmbëkryq katër orë pas oxhakut. Merret me mend çfarë mund të bisedonte ky fshatar ato katër orë aty! Kjo është mikpritje, kjo është bujari, fisnikëri dhe gjithçka mund të na shkojë nëpër mend, por mund të mos na shkojë nëpër mend, që ky ishte një rrafshim me mentalitetin fshatar dhe një pranim i tërthortë i atij mentaliteti. Qofshim të gabuar, por deri në prag të çlirimit të vendit, nuk është Shkodra që bën presion mbi fshatin, po është fshati që bën presion mbi qytetin.

Po, nga ana tjetër, është e pakuptueshme si mund ta ushtrojë këtë presion kur deri shumë vonë kishte mbetur në gjenezën e tij, në një prapambetje të llahtarshme! Nëse kthehemi disa dekada prapa dhe kujtojmë ato iniciativat e "famshme" për zhdukjen e zakoneve prapanike, do të kujtojmë se çfarë tablosh primitive nxorën në dritë ato. Deri në vitet pesëdhjetë dhe ndofta më përtej, një pjesë e konsiderueshme e familjeve shkodrane mbante bagëti në shtëpi dhe kishte edhe një depo bari (kullën e sanës). Pra, marrëdhëniet me fshatin ishin të pandërprera, megjithëse kishte ardhur një kohë tjetër. Kush do ta justifikojë këtë gjendje, thotë që bagëtia dhe depoja e barit në shtëpi i përkasin kohërave pas rrethimit të Shkodrës nga serbo-malazeztë, nga frika e përsëritjes së një urije të dytë, po ato mund të jenë edhe më të hershme. Qarkullon një shprehje për Shkodrën, që shumëkush e pranon më tepër krahun e dytë të saj, si për një qytet, që ka mbajtur mbi shpinë dy mallkime, atë të kullës së sanës dhe të diktaturës.

Po, pse aq katastrofik presioni i diktaturës ndaj këtij qyteti, pse e diferencoi ajo nga të tjerët, megjithëse aty ishte themeluar një nga celulat e para komuniste? Sepse Shkodra e përqafoi në mënyrë shumë të zbehtë luftën nacional-çlirimtare dhe komunizmin, kjo sepse ishte një qytet radikal në pikëpamje, sepse kishte një mirëqenie ekonomike relativisht më të lartë se pjesa tjetër e vendit, sepse kishte një ide më të qartë për eksperiencën sovjetike, falë kontributit të intelektualëve patriotë nga fusha e klerit. Veç të tjerash, këtu e ka zanafillën tërbimi i madh i diktaturës ndaj klerit më vonë.

Ankohemi shumë ndaj të ardhurve të këtyre viteve të fundit se na shkatërruan qytetin dhe ky nuk është krejt i padrejtë, po nuk vrasim mendjen të gjejmë shkaqet. Në një vëllim në shtyp autori i këtyre radhëve shkruan në mënyrë alternative: "I ardhuri i keq e prish qytetin, ndërsa të ardhurin e mirë e prish qyteti!" Vetëm një pjesë e vogël e të ardhurve ishin të këqinj, por nëse ata e inonduan qytetin, gjetën mbështetje në basifondet e tija. Ata zbritën nga malet në të panjohurën dhe bënë zullume, një lloj si ajo pjesë e emigrantëve shqiptarë që u futën në të panjohurën Evropë dhe bënë prapësira. Është e njëjta tablo. Mafiozët shqiptarë nuk mund të bëjnë asgjë në Itali e Greqi pa mafiozët vendës.

Pastaj harrojmë diçka me rëndësi, harrojmë që i kemi thirrur vetë ata, i thirri demokracia, por i thirri keq, pa u krijuar asnjë kusht. Pse të ketë Shkodra sot gjakmarrje, pse ta huazojë prapë nga këta? Kjo ndodh rishtaz për atë që thamë më lart, për presionin më të madh të fshatit mbi qytetin, sesa të qytetit mbi fshatin, sepse Shkodra nuk e ka pasur traditë gjakmarrjen. Ajo ishte latente në vitet e shtrënguara të diktaturës dhe shpërtheu me frymëmarrjen e demokracisë. Të ardhurit mbartin me vete një gjen "agresiv", që Shkodrës i është zbehur nga tkurrja e gjatë e diktaturës, nga emigrimi i elementit më dinamik të saj dhe nga arsye të tjera. Mund të jetë interesante një konsideratë rreth atashimit të madh të Shkodrës pas futbollit. Veç dashurisë për këtë sport ajo derdhi atë dinamizëm dhe shpirt krijues, që ishte e rrezikshme po të angazhohej në fusha të tjera. Të vetmet biseda të parrezikshme ishin ato për futbollin, por edhe këtu duhej njëfarë kujdesi për të mos sharë shumë Dinamon e Partizanin.

Përsa i përket gjenit "agresiv" të ardhurve nuk u duhet ta konsiderojnë ilaritet mendimin, që pas disa dekadash ai mund të kthehet në një element shtytës nëse integrohet pozitivisht, nëse merr atë që duhet të marrë dhe jep atë që duhet të japë në mjediset qytetare shkodrane.

shkoder scutari albania
Shkodra është shquajtur në rrjedha të shekujve për një tolerancë të mrekullueshme fetare. Në këtë qytet, që erdhi deri në prag të çlirimit me 25-30 mijë banorë, jetonin pranë e pranë njëri-tjetrit tre religjione të ndryshme, që asnjëherë nuk patën trazime serioze brenda vetes. Vlerën e civilizuar të qytetit e rrit edhe më shumë fakti që aty punuan disa konsullata të huaja, roli i disa prej të cilave është tani mjaft i njohur. Po, përveç ndonjë provokatori të vogël, ata nuk arritën të fabrikojnë as tradhtarë të mëdhenj, as spiunë të mëdhenj dhe as zjarrvënës të mëdhenj të fesë. Familje të mëdha të qytetit, pavarësisht nga përkatësia fetare, kishin kumbari me njëra-tjetrën, shkonin e vinin për festa dhe respektonin ritet e njëri-tjetrit. Në atë kohë Shkodra nuk ishte e ndarë në braham, budista dhe indu, siç mundohet të bëjë shakara ndonjëri, duke nënkuptuar me ta, një etalon të huaj për njëri-tjetrin.

As sot Shkodra nuk është e ndarë ashtu dhe përjeton gjithnjë një tolerancë të admirueshme fetare. Megjithatë, në mjedise jo dhe aq të rëndësishme gjenden gjithnjë njerëz, që rrinë me veshët përpjetë për të numëruar postet drejtuese në pushtet, në ekonomi, apo në kulturë, apo dhe në sfera të tjera dhe për t'i ballafaquar ato me raporte fetare dhe këtë gjë jo rrallë e bëjnë edhe ata që e kanë në dorë vendosjen e njerëzve në këto poste. Ilariteti, që shkaktojnë disa nga këta persona, që zënë këto poste, tregon që ata që rrinë me veshët përpjetë, nuk mendojnë aspak për raportin mes njeriut të zot dhe të pazot, mes të aftit dhe të paaftit. Në fund të fundit, ky është raporti i vërtetë shqetësues, sepse një njeri i zoti në një post drejtues, nuk shqetëson askënd me përkatësin e vet fetare.

Kështu do të ishte nëse muzikën në Shkodër ta drejtonte kompozitori Zef Çoba, teatrin Serafin Fanku, muzeumin studiuesi i njohur Vili Kamsi, bibliotekën helenisti Gjon Shllaku, apo nëse rektor i universitetit do të ishte biologu i shquar Dhimitër Dhora dhe drejtues i qendrës së kulturës muzikanti Ridvan Karakaçi.

Disa nga personat e lartpërmendur e kanë kaluar moshën e punës, por u përmenden si etalone të kulturës, megjithëse mosha e punës për një njeri të shquar do të ishte mirë të lihej në dorën e tij.

Është pikërisht ashtu siç bën shaka një humorist, kur thotë që askush nuk do të varte buzët nëse si kryetar bashkie do të zgjidhej një njeri i zoti, qoftë ky edhe Dalai Lama! Një njeri i zoti nuk të lë "kohë" të mendosh për përkatësinë e tij fetare dhe nuk e reflekton këtë në postin drejtues. E dëgjon me orë të tëra Rrok Mirditën dhe as që kujtohesh për religjionin e tij. Për të kujtohesh vetëm si për një njeri, që e do këtë vend, që e do progresin dhe që të nxit të kujtohesh se je shqiptar!

Ndonjëherë sesi mendoj që Shkodra ndër mote ka qenë e ndërtuar si një oaz mbi një truall rëre nga kanë filtruar pa kthim njerëzit dhe figurat më të shquara të saj.

Pa u shtyrë shumë në mote, se po të shtyhesh tepër, ky filtrim do të ishte katastrofik, mund të themi që Shkodra nuk ka qenë në gjendje të rikuperojë një poet si Gasper Palin, një potencial kritik si Qemal Draçinin, një studiues si Arshi Pipen, një aktor si Zef Jubanin, apo kompozitor si Prenk Jakoven dhe Tonin Harapin. Ku do ta gjejmë më Luk Kaçen, që e trajtuan aq poshtërsisht dhe e morën nëpër këmbë? Tinka Kurti është brenda kulturës kombëtare, duke jetuar dhe punuar në kryeqytet, po e keqja është që nuk ka një binjake në Shkodër!

Dikush mund të thotë, që koha që shkon monumentalizon, krijon shabllone monumentale dhe sikur të pengon të shohësh vlera bashkëkohore, që të sillen nëpër këmbë. Edhe kjo mund të jetë, por nuk është aq evidente për Shkodrën.

E veçanta është, se emrat e lartpërmendur janë talente dhe kapacitete të dala nga spontaniteti dhe jo nga një politikë e drejtuar kulturore-artistike. Shkodra ka vuajtur për këtë lloj politike, por edhe nëse ajo është sajuar gjatë periudhës së diktaturës, Shkodra ka qenë vetëm një apendiks i këtyre politikave. Edhe pas çlirimit të vendit, Shkodra do të mbijetojë me "dhjamin" e vënë nga shoqëritë e shumta artistiko-kulturore fetare të paraçlirimit. Në ato kohë kishte me dhjetëra banda muzikore, për shembull, në Shkodër, kurse sot nuk jemi në gjendje të ngremë në këmbë një të vetme! Shkodra e ka pasur të ndjeshme nevojën e një elite politike dhe deri në njëfarë mase e ka edhe sot, sepse nuk kanë jetuar gjithnjë politikanë iluministë të përmasave të Gurakuqit, Saraçit, Ivanajve, apo edhe të një ministri me vizione të veçanta administrative, siç ishte Musa Juka.

Ndofta nuk është e tepërt të thuhet, që qyteti është qeverisur nga dy pushtete, njëri i emëruar dhe në mjaft raste i përbërë nga një elitë e kultivuar dhe tjetri honorifik, i mbetur si trashëgimi e dyerve të mëdha, që në mjaft vite përbëhej nga një elitë e pakultivuar, por që ishte tepër potenciale, se zotëronte pasuri të mëdha. Kjo elitë kishte krijuar një oaz vetëkënaqësie rreth vetes dhe kishte një fobi dhe një frikë rreth botës përtej saj. Duke qenë e pashkolluar, bota përtej ishte krejt e panjohur për këtë elitë dhe është ashtu siç thotë E. Canetti për njeriun e pakultivuar, që "nuk i trembet asgjëje më shumë se të panjohurës" (Elias Canetti, "Masse et puissance"). E panjohura e bëri këtë elitë më 1880 të trembej nga hekurudha e parë ballkanike që ishte menduar të niste në Shkodër.

Sot Shkodra nuk e ka më këtë frikë, madje ka një guxim të tepruar, por i mungojnë shanset. Është një qytet pasionant, sidomos në politikë, ku ndonjëherë e ka kapërcyer arsyen, por e ka mbledhur veten shpejt dhe ka gjetur ekuilibrin, siç e ka gjetur tani. Ky pasion futet ndonjëherë në fusha, që nuk i takojnë. Mezi u vendos në bashki ngritja e monumentit të Karamahmut Pashës, sepse dikush ishte për monumentin e Zogut, dikush të Azem Hajdarit. Në qendër të qytetit është monumenti i Luigj Gurakuqit dhe fill pas tij rruga "Ahmet Zogu". Nuk ka ndonjë gjë të keqe, por duhen kritere, sepse po u vendos si kriter të kënaqurit e të gjithëve, atëherë duhen kënaqur edhe nja dhjetë komunistë që kanë mbetur në Shkodër, duke i vënë ndonjë rrugice emrin e ish-diktatorit.

Po, në fund të fundit, është ekonomia ajo që përcakton gjithçka dhe ekonomia është keq. Ndofta shkodranët ishin ëndërrimtarët më të mëdhenj të demokracisë, por ajo përveç një emigracioni tepër të shtrënguar, nuk u dha tjetër. Kjo, jo vetëm për një mungesë pragmatizmi, apo edhe të një tendencioziteti të qeverisë socialiste, por edhe për mungesën e theksuar të imponimit të elitës politike. Është përgjithësisht kjo mangësi imponimi, që i jep përgjigje asaj pyetjeje, që i mundon shkodranët pse nuk ka nëpunës të lartë dhe ministra nga Shkodra. Shkodra ndofta është aq e zymtë sa duket në veshtrim të parë, nuk është "e mërdhitur" siç e klasifikojnë pesimistët. Ka një tendencë në rritje për të kërkuar ndryshime. Ka një bashki dhe një prefekturë, që po punojnë më mirë brenda tolerancës politike. Ka një përpjekje të intelektualëve per t'i hapur udhë Shkodrës përmes Malit të Zi drejt Evropës Qendrore.

Po fillojnë të kthehen pak nga pak të rinjtë nga emigrimi, me qëllimin për të investuar në fusha të ndryshme. Evropa është gjithnjë Evropa për shkodranët, por jo më, me atë ekuivalencen e dikurshme të parajsës. Shkodra duhet të vështrojë përpara, pa e harruar kurrsesi të kaluarën e saj dhe pa e kthyer kurrsesi në mit atë.

Nga Skënder Drini

COMMENTS