Shkodra dhe Motet, enciklopedia albanologjike për Shkodrën e shkodranët

shkodra dhe motet hamdi bushati
Të njohësh Shkodrën, rrugët, historinë, ata njerëz të mençur që i dhanë shansin të përmendej ndër shekuj nuk është dhe aq e lehtë. Gjithsesi para shumë vitesh, një intelektual, bir i saj "e pikturoi" ashtu siç askush nuk e kishte bërë më parë. Hamdi Bushati, Mësuesi i Popullit, i cili vdiq më 1983 i harruar dhe i persekutuar nga sistemi i atëhershëm la pas një pasuri të paçmuar kombëtare, veçanërisht për Shkodrën, "Shkodra dhe motet", vepër e shkruar në 2 vëllime. Ai qe njëra nga figurat më të spikatura që për disa dekada lidhi ngushtë punën, përgatitjen dhe formimin e tij të shumanshëm intelektual me vlerat e qytetit të tij, Shkodrën. Emri dhe figura e Hamdi Bushatit do të bëhej i njohur si pjesë e elitës intelektuale shkodrane që në punën si mësues për të vijuar me botimet, studimet dhe përkthimet nga disa gjuhë të botës. Vlerat e këtij personaliteti do të shtoheshin dhe do të mbeteshin të përjetshme me botimin e librit dy volumesh "Shkodra dhe Motet", vepër kjo e vlerësuar nga studiuesit si "Enciklopedi Albanologjike për Shkodrën dhe shkodranët". Autor i kësaj vepre me vlera jashtëzakonisht të mëdha historike rrjedh prej njërës nga familjet më të mëdha të Shkodrës, Bushatllinjve, të njohur sidomos për traditën patriotike të përcjellë ndër shekuj.

Kush ishte Hamdi Bushati


Hamdi Bushati filloi të formohej si intelektual në shkollat më në zë të qytetit të Shkodrës, për të arritur në një shkallë më të lartë me anë të shkollimit të tij në Itali dhe Francë. Studimet kryera në mënyrë të shkëlqyer do të ndikonin më pas që Hamdi Bushati të njihej shumë shpejt si një ndër personalitet më të shquara të arsimit shqiptar. Ndërkohë figura e tij po spikaste dhe si grumbullues e studiues folklori, si dhe si një historian që punon me përkushtim dhe dashuri për qytetin e Shkodrës dhe Shqipërinë. Figura e tij erdhi duke u rritur jo vetëm për kontributin e madh në fushën e arsimit shqiptar, por edhe në sajë të studimeve autodidakte në fusha të ndryshme, grumbullimi i materialeve të duhura arkivore, studimi dhe përkthimi i mjaft dorëshkrimeve të vjetra, mbledhja e fakteve dhe dëshmive verbale për ngjarje të rëndësishme apo që hidhnin dritë mbi historinë e qytetit dhe familjeve të Shkodrës. Duke qenë njohës i mirë i gjashtë gjuhëve të huaja, si turqishte e vjetër, turqishte e re, frëngjisht, italisht, arabisht e gjermanisht, pati mundësinë dhe dëshirën që të njihej me botimet e huaja që shkruanin për historinë lokale dhe atë kombëtare. Kjo i dha mundësinë që niveli i tij intelektual dhe i njohurive historike të përsosej në një shkallë shumë të lartë. Për sa i përket profesionit të tij bazë, si mësues dhe drejtues shkolle, Hamdi Bushati vlerësohet për përkushtimin e tij në përgatitjen e brezave të rinj, ndërkohë që është i njohur për hartimin e mjaft teksteve shkollore dhe studimin e historisë së shkollës dhe mendimit pedagogjik shqiptar. Si njohës i mirë i 6 gjuhëve të huaja do të merrej me përkthimin dokumenteve të shumta në turqisht, si dhe mbishkrimeve mbi objektet e kultit. Vlerat e Bushatit në këtë fushë do të njiheshin me përkthimin e veprave të plota si "Fjalori Historik" dhe "Fjalori Etnografik" nga "Enciklopedia e "Sami Frashërit", "Psikologjia" e Hasan Tahsinit, "Xhibali" e J.Davvenport, "Mbrojta e Shkodrës" nga Nazif- Karamentin etj. Ndërkohë figura e Hamdi Bushatit si historian fillon të njihet me botimin në shtypin e kohës të mjaft artikujve e studimeve me vlera si "Gjenealogjia e Bushatlinjve", botuar në revistën "Dituria", "Lufta e Miletit" botuar në vitin 1928 tek "Kalendari Kombëtar" etj, të cilat do të përfshiheshin më pas në veprën "Shkodra dhe Motet", vepër e cila do të botohej pas vdekjes së tij.

Peripecitë

Pavarësisht vlerësimit të marrë nga e gjithë elita intelektuale e kohës, Hamdi Bushati do të kalonte dhe periudha tepër të vështira, por që për asnjë moment nuk e ndalën në punën e nisur me aq pasion për të nxjerrë në pah vlerat dhe historinë e qytetit të Shkodrës. Në vitin 1945, Hamdi Bushati do të burgosej politikisht, por më pas i jepet pafajësia. Në vitin 1950 e largojnë nga arsimi dhe punon si punëtor krahu. Po për arsye politike, nga viti 1954 deri në vitin 1960 do të internohej. Nga viti 1960-1983 do t'i përkushtohet punës shkencore, punë për të cilën iu mohua pensioni. Hamdi Bushati u bë i njohur dhe për bibliotekën e tij të pasur me vepra të larmishme ku bënin pjesë fjalorë, gramatika e manuale gjuhësore të gjuhëve që njihte, me vepra letrare e historike, me krijime folklorike etj.

Vlerësimet nga kolegët

"Shkodra dhe motet", si përshkruhet në imtësi ky qytet.

Botimi i veprës "Shkodra dhe motet" e Hamdi Bushatit pati një jehonë dhe vlerësim të madh nga prof. dr. Jup Kastrati dhe prof. dr. Gazmend Shpuza, të cilët në kumtesat e tyre e quajtën "Enciklopedi Albanologjike për Shkodrën dhe shkodranët". Ndërkohë vlerësim maksimal mori kjo vepër dhe nga intelektualë të shquar si doctor Honoris causa Faik Luli, prof. dr. Artan Haxhi, prof. dr. Simon Pepa, Islam Dizdari, prof. dr. Mahir Hoti, Mentor Kopliku, shkrimtari i njohur Fadil Kraja, Nikolla Spathari, Ahmet Osja etj. Vepra u vlerësua enciklopedi pasi pasqyron si në asnjë vepër tjetër madhështinë e qytetit të Shkodrës, vlerat e tij historike e kulturore, figurat e shquara, familjet e vjetra e me emër në Shkodër etj. Për shkrimin e kësaj vepre me dy vëllime, me rreth 1500 faqe Hamdi Bushati punoi rreth 60 vite. Vepra e tij arriti të botohet në vitin 1998 vetëm 15 vite pas vdekjes së tij, në sajë të përkujdesjes së djalit të tij, mësuesit dhe studiuesit Nexhmi Bushati, i mbështetur dhe ndihmuar nga shumë intelektualë të Shkodrës. Autori pasqyron në këtë vepër madhështinë e qytetit të Shkodrës, familjet shkodrane, nivelin ekonomik në periudha të ndryshme, nivelin kulturor, arsimor, zakonet, doket, historinë e qytetit dhe figurat që bënë emër dhe morën emër nga ky qytet. Hamdi Bushati në veprën e tij "Shkodra dhe motet" nuk harron asnjë element të qytetit, ku përfshin dhe shtrirjen gjeografike të qytetit, të dhënat topografie, arkeologjike, etnografie, urbanistike, sociologjike, gjuhësore e deri dhe tek humori i shkodranëve. Vëllimi ka tri pjesë të lidhura që plotësojnë njëra tjetrën.

Në pjesën e parë jepet një përshkrim i hollësishëm i qytetit të Shkodrës, në çdo lagje e rrugë të tij, nga njëri objekt etnografik apo historik tek tjetri. Në pjesën e dytë të veprës jepen të dhëna nga jeta ekonomike dhe shoqërore e qytetit, duke filluar me Pazarin e Vjetër e duke vijuar me organizimin tregtar e zejtar të Shkodrës, me zhvillimin e ekonomisë shtëpiake, me strukturën e jetës qytetare, gjendjen shoqërore, pozitën e gruas, ritet, zakonet e doket e popullsisë së tij. Në pjesën e tretë, autori paraqitet si historian me studimet e tij rreth kryengritjeve popullore në mesin e shekullit të XIX dhe fillimit të shekullit të XX. Një vend të veçantë zënë portretet dhe studimet e dokumentuara rreth figurave historike, intelektualëve të shquar të Shkodrës, mjaft prej tyre të bërë publike për herë të parë. I pajisur me bibliografi të pasur, me fotografi e faksimile, harta e skica, vepra është një sinkronizim i vërtetë, ku disiplinat e ndryshme të trajtuara janë shkrirë në mënyrë harmonike dhe plotësojnë njëra-tjetrën. Autori ka punuar me kujdes që vepra të jetë e thjeshtë dhe e kapshme nga lexuesi, të jetë një mbështetje për studiuesit dhe burim njohurish e vlerash. Vepra "Shkodra dhe motet", pavarësisht vlerave të papërsëritshme që ajo mbart u botua vetëm në vitet e demokracisë, pasi sistemi komunist nuk lejoi që të botohej në atë kohë vepra një figure intelektuale si Hamdi Bushati, të parë me sy të keq politik e për më tepër kur kjo vepër nuk kishte vlera për politikën e kohës, por vetëm për vlerat e padiskutueshme të qytetit të Shkodrës.

COMMENTS