Shkodra.., Arshi Pipa

shkodra arshi pipa
O Shkodër, prrallë e lashtë e pakufishme,
ku fiken shekujt tue t'këndue te djepi,
mandej te vorri, kangen e lavdishme
perandore të shojtun heu sa shkrepi!

Kur delshin nga liqeni i qartë anizat
t'lehta porsi nga çerdhja zogjt e ujit!
Valvitej flamuri mbi t'arta shtizat
e larga pushteti i yt i shkodte t'huejit!

O nanë ilire! Hyjnore si Zane
ujnash ishte Rozafa atherë kur gjîn
muroi pa shum ankime përmbi kodër!

E qumshti e gjaku përnjiheri rînë
themelet e tua! për lumnin, o Shkodër
e kshtjellit ngrehun mbi nji zêmër nane!

II

O vala e Drinit, ti madhnin tregona
t'asaj qi Zojë qe mbi shoqet e smira,
tregò sa gjaku i ngjei valat e dlira
ndër luftat e pareshtuna e sa frona

mbretënsh u-rrokullisën nga dëshira
t,falisuna kur deshtën trojet tona
me prekun e qortueshëm brodh jehona
anash gjith dheut prej malevet të lira!

Prej gjinit t'Ohrit ku Sentona kishte
banesat e nënujshme e te liqeni
tjetër ku Galateja erdh nga Heleni

djepin për me i kërkue Yllit ferishte,
prej lugjevet t'Metojës ku e amshueme
rrin bora e i ep ushqip lumit binjak,

o Drin, ndër valat tua brohorija
e mbarë nji fisi ndalej kur lavdija
shkëlqei te Rozafati përmi prak!

III

Ma vonë ma vonë t' u-turbullue ty uji,
kur vala e jote bajti lundra t'reja,
kur përmbi altarin e atdheut i hueji
dhunoi nën thêmër çka shêjtnue pat beja.

O vaj! E kot kunorë, o Shkodër, t'hishme
t'endin ty malet kur jetim asht djepi
qi pat përkundun fatet e lavdishme
kur çveshun gjethsh asht lari i yt plepi!

E sot, sot çka teproi nga fara e moçme?
Sot koha jote e meritueshme asht nata:
mundesh me qá pa droje se korite!

Për ty vajton liqeni e Buena e ngrata
e ledhet e tua, o Shkodër, vorret e tua,
shpoti e hishun e namit t'nji dite!

COMMENTS