Shqypnija e lirë.., Gjergj Fishta

Fishta Gjergj Fishta
Jo, po: a s' desht djalli Shqypnië?
Jo, po: a s' desht hasmi Shqyptarë?
Qe, prà sod po kà Shqypnië;
Qe, prà sod po kà Shqyptarë.
Jo, po: kà Shqypnië, per Zotin!
Kà Shqyptarë, qi n' çark agzotin
Atà e majnë p'r 'i kurgjasend.

Ç' merr prej kreshtet t' Veleçikut
E dèr poshtë në Kep te Shtillit,
P'r inàt t' djallit e t' anmikut,
Sod, si shkrue kje m' liber t' qiellit,
- Shkrue me gisht t' nji Perendije -
Flamri kuq e zì lshon hije:
Anë e kand Shqypnië â ky vend.

Po, por neser, me nihmë t' Zotit,
Do ta bâjm prap Shqypnië t' lirë
Prej Prevezet m' Leqe t' Hotit,
Prej Tivarit m' Monastirë;
Edhè flamuri i Shqypniës,
Si flakë mnije t' Perendiës,
Do t' valvitet m' Kaçanik.

M' Kaçanik, po, do t' valvitet
Kuq e zì flamuri i Shqyptarvet;
Persè toka, shqyp kû flitet,
Ajo vetë á, qi prej t' Parvet
Trashigim na e kemi pasë:
Mrendë i huej, jo, mâ s' do t' shklasë,
Posë atëherë, kuer vjen per mik.

Jo, po: na sod ktû sundojmë;
Ktû s' hecë fjala e tjeterkujë;
Gjallë liriën' na nuk e lshojmë,
S' njofim mbret as krajl të huej.
Zoti m' qiell e na mbì tokë;
Me gjithkend vllazen e shokë,
Por sejcilli m' cak të vet.

Prande' i huej, n' anderr m' e pà
Se vjen kurr e shklet nder nè,
Drue se keq kishte me i rà;
Pse shqyptarët kan bâ nji bè -
Bè të madhe atà kan bâ;
Per Shqypnië në luftë me rrâ -
Me rrâ n' luftë me krajl e mbret.

E kur bjen në luftë shqyptari
Lidhë me besë aj ndermjet veti,
E din hasmi se atý pari
Shungllon toka e gjimon deti:
Se bijn krenat fushës s' mejdanit,
Si ato kokrrat e bastanit:
Shkulma-shkulma gjaku rrmen.

Edhè, besa, prà, Shqypnija
Trup në kamë ajo na âsht çue;
Asht dyndë fusha edhé Malcija,
Kan njeshë armèt e janë shterngue,
Kan dalë n' Luftë per t' drejta t' veta
- Zêmren flakë, synin si zhgjeta -
Hovin deka s' mund jua then.

Kqyrë Evropa n' mend habitun,
Edhè besë nuk don m' e zânun,
Se kta djelmn n' Shqypnië janë rritun,
Se kta besen e kan dhânun-
Gjallë te shpija mos me kthye,
Nji herë hasmin per pa e thye,
Per pa e shtýë perdhuni m' cak.

Po, por na, me arsye m' njânë dorë
E me pushkë në tjetren ngrefë:
Pa fuqië nji kòm s' kà Orë
E as nder t' gjallë s' kà pse me u njefë:
N' rrashtë perdhuni kem' m' ja shtî,
Se pa i vûë Shqypniës kufi,
Prap Balkant do t' lahen n' gjak.

Kà nji Zot, po, qi pre' Empirit,
Me sý t' drejtë e t' shquet perore,
Vrén mbi fise t' rodit t' nirit
Qi edhè t' ligshtin s' e lshon dore:
Qi mâ t' fortin, n' mend harlisun,
Rrebtë në furië i Lumi tue krisun,
Per nên kâmë t' ligshtin ia shtron.

Ky, po, ujë shkallmes s' Shqyptarit
Kà me i dhânun n' lum t' parrizit,
Qi, sa herë per dhe të Parit,
As per dhunë t' pleqniës s' Parizit,
T' a vringllojë nder moshë të reja,
T' i ndrisë n' dorë, si njajo rrfeja,
Qi per mnerë qiellve veton.

M' kamë, pra nipa t' Gjergj Kastriotit,
Me lidhë besë e armët me njeshë!
Kèm' nji Atdhè edhè na n' ditë t' sotit:
Kèm Shqypniën na Regjineshë,
Per Shqypnië na të jetojmë;
Gjallë Shqypniën' na mos t' a lshojmë:
N' mend t' â kem' per jetë e mot.

Po, por ndolli se vjen dita,
Qi me faj Shqypniën e darni,
Qi e Liriës u erret drita
Edhè m' t' huej Atdhèn e mvarni
A per pare a marrië tjera,
Si nder kohë qi shkuen, atëhera,
U marroftë i Madhi Zot!

COMMENTS