Ndre Mjeda - Vaji i Bylbylit

ndre mjeda poezi vaji i bylbylit
Po shkrîhet bóra,
Dimri po shkon;
Bylbyl i vorfën,
Pse po gjimon?

Pushoj murrlani
Me duhi t'vet;
Bylbyl i vorfën,
Çou, mos rri shkret.

Gjith fushët e malet
Blerimi i mbuloj;
Livadhja e pema
Gjith kahë lulzoj.

Ndër pyje e ograja,
N'ma t'mirin vênd,
Me rreze dielli
Po e gëzon gjithkend.

E tuj gjimue
Shkon rreth e rreth,
Nji prrue qe véret
Rrjedh neper gjeth.

 çilë kafazi,
Bylbyl, flutrò;
Nder pyje e ograja,
Bylbyl, shpejtò.

Kerkush mâ hovin
Atjè s't'a pret;
Me zeher haejen
Kerkush s't'a qet.

Kafaz ké qiellin,
Epshin pengim;
E gjith kû t'rreshket
Shkon fluturim.

Neper lamije,
Ké me gjetë mel;
Per gjith prêndvéren
Njajò buk t'del.

E kúr t'zitë edi
Nder prroje pi;
Te njatò prroje
Që ti vetë di.

Tash pà frigë çerdhen
E bân n'ndo'j lis;
Nuk jé si 'i nieri
Qi nuk kà fis.

E kúr t'vîn zhegu,
Kúr dielli shkon,
Ti ké me këndue
Si ké zakon.

Rreth e rreth gjindja
Me t'ndie rri;
Prei asò vêndit
Dahen me zi.

 çilë kafazi,
Bylbyl, flutrò;
Nder pyje e ograja,
Bylbyl, shpejtò.

Nder drandofille,
Nder zamakë nga;
Kû qeshet kopshti,
Idhnim mos mba.

Po shkrîhet bóra,
Dimni po shkon;
Bylbyl i vorfen,
Pse po gjimon?

II

Po váj! Se 'j dimën tjetrë
Paske o bylbyl i shkreti;
Pá daë ty zêmra t'treti
Mbas vájit qi t'rrethon.

Me lulzim t'vet prêndvéra
Ty s't'a pertrîn gazmêndin;
Jo kurr s'e njifke shêndin,
Bylbyl, qi po vájton.

A thue po kján, se çerdhen
T'a ká shkatrrue skyfteri?
A thue po kján, o i mjeri,
Se me rrnue gjáll s'ké mel?

Ndrrojn' edhè stinët e motit,
E per gjith ças ndrron éra.
Mbas dimrit vjen prêndvéra,
Mbar bórës blerimi del.

Veç ti me idhnime t'túja
N'zêmrë gjithmonë po pîhe,
E dit' e natë po shkrîhe
Mbas vájit qi t'mundon.

Kúr â tui ardhun dita
Ndîhet tui këndue shpêndi,
E n'kângë i duket shêndi,
Qi zêmren ja gazmon.

Njeti nder pêmë, nder lule
Shkon e fluturon bylbyli;
N'at érë qi nep zymyli
Vjollza e zamaku nget.

Por ty, n'kafaz t'shterngueshem,
Ty t'paska ndrye mizori,
E kurr nji herë nuk t'xori
Me t'lëshue kú zêmra t'thrret.

Ti kurrnji kângë s'ja këndove
Diellit kúr nadje çohet;
Zêmra me váj t'coptohet
E me pajtue nuk don.

Ndoshta kujdesi i t'tújve
Gjith ket hidhnim t'a qiti,
E shêndin t'a shutiti
E vshtira qi i mundon.

T'burguem i bâni gjindja
Veç perse donë me ndie
Njat zâ qi lëshojnë me hije
Qi t'kënaq e qi t'bân rob.

Çdo krajl i madh nder shpija
Ty t'mba m'u thanë i veti;
Vet' bukurija, o i shkreti,
Kênka për jû nji kob.

Persè tu ndêja e t'mëdhajve
Nji shpênd i vogel s'ndalet;
Shpêndit i kânde malet,
Çerdhen e t'parve do.

Me at zânin t'ând t'permállshem
Ndoshta ti ankon këto t'vshtira:
Deri sá t'kthejn' e mira,
Bylbyl, pá prâë gjimò.

III

Por njaj váj qi jé tui lëshue,
Bylbyl, zêmren m'a copton;
Dit' e natë rrij tui prigjue,
Váj për mue! Kush mund t'ngushllon?

Gjâma jote â porsi ankimi
I nji fëmiës qi vetun mbet:
Gjâma jote â si shungllimi
I nji t'zezës qi gjâ s'e pret.

Porsì dnesë me futë ne krye
Nana e shkretë qi mbet pá djelm;
Njashtû tine rri tui shfrye
Njat idhnim qi t'u bâ helm.

Puna e jote, o i mjeri, m'mbyti
E kerkund nuk m'lên pushim;
Shkoj nji muej, po shkon i dyti
T'zezat t'tua s'kan mbarim.

Tesh nder arë lulzoj qershija
E me bórë dimni po shkon:
Kurr s'mbarojn t'zezat e mija,
Gjâma e jote kurr s'mbaron.

Si t'burguemit n'ishull t'détit,
Kû tallazi thekshem vrret;
O t'vîn t'ftoftit, o t'vîn t'xétit,
Váji zêmren ja pelset;

E pá prâë n'ankime t'veta
Vajton fisin qi lerg la;
E tu fëmija i shkon si zhgjeta
Mêndja e shkretë se mbet pá 'ta;

Njashtû ti rri tui vájtue
N'njat kafaz qi shungullon;
Fisin t'ând rri tui mêndue
T'zín atdhè qi s'e harron.

Per fat t'ând, per zogj qi kishe
Ndoshta zêmra, i mjeri, t'dhêmb;
Me e pasë dijt' të mjerët kû rrishe
Kerkue t'kishin gêmb mbî gêmb.

Me e pasë ndie njat zâ qi lëshoshe,
Me e pas ndie njat vájin t'ând,
Kishin ardhë kûdo qi t'shkoshe,
T'kishin lypun kând e kând.

Njat váj t'ândin tui kujtue
Pá mbyllë syt' kan shkue sá net;
Pvetshin hânen tui gjimue,
Pvetshin hýjt per prind të vet.

Por aj kob qi hâna e dijti
E njaj váj që hylli pau,
T'shkretve n'vesh kurr nuk ju mbrrijti,
E kurr zêmra nuk ju dau.

Me dijtë hýjt me bisedue,
Me pasë sy qi me dérdhë lot,
Vajin t'ând ju kishin prue,
T'kishin kjaë per jet' e mot.

Neper fush' e neper shpija,
Me zitië që s'nep afat,
Rreth e rreth t'kish ardhun fëmija,
Kjámun t'kishte i ngrîti fat.

IV

Por ça ká toka, bylbyl, ndrron moti;
Ankimi e váji nuk asht i zoti
Per gjithmonë zêmren me n'a coptue;
Fillò me gëzue.

Mbas bóret t'dimnit çilet prêndvéra;
Nji ditë nuk gjindet qi s'po ndrron éra;
Sêndet qi patme janë tui mbarue:
Fillò me gëzue.

Tui dnes' i vorfni se e mbëluene t'kqijat,
Me ankime t'veta mbushë rrugët e shpijat;
Letcim por s'mbramit gjên tuj punue:
Fillò me gëzue.

Kjájn' fëmiën e dekun prindt e shkretnuem
Me 'j váj qi duket se s'ká t'pajtuem;
Por zêmren moti jau ndrron tui shkue:
Fillò me gëzue.

Nder ishuj t'detit kján i burguemi
Per fëmië, per grue qi s'shef i shuemi;
Por prap durimi ká me ja prue:
Fillò me gëzue.

Shpênd tjerë burgosi sá herë mizori,
E ríshtas jashta dikúr i xori;
Nder fush' e male janë tui fluturue:
Fillò me gëzue.

Fluturojnë nder male, fluturojnë ndër lule,
Fluturojnë kû çerdhen motit e ngule,
E kângët e parshme nisin me këndue:
Fillò me gëzue.

Nder zogj qi kishe ndo'j herë do t'hasin,
Nder pêmë, nder lule bashkë me 'to ngasin;
Për ty t'vorfnuemit rrijnë tui shpnesue:
Fillò me gëzue.

Bylbyl, ky shekull ór' e ças ndrrohet:
Bijnë poshtë të nêltit, i vogli çohet;
Edhe natyra po don m'u ndrrue:
Fillò me gëzue.

Krajlniët mâ t'moçmet ndrrohen me t'réja,
E nji mij popuj ránë porsì rrfeja;
Po kthen motmoti qi pat mbarue:
Fillò me gëzue.

Porsì motmoti ndrrojmë dhe na vetë,
Herë-herë gazmohna, herë rrijmë të shkretë,
Por váji e ankimi kan per t'u shue:
Fillò me gëzue.

Mbas vájit t'tashem ká me t'ardhë shêndi,
Ká me t'a shëndoshun zêmren gazmêndi;
Per máll, si motit, zânë ké me e lëshue:
Fillò me gëzue.

Kúr t'shkojsh nder fusha, kúr t'shkojsh nder male,
Afer shpiës s'ême hovin t'ând ndale;
Mahnit', at zânin t'ând tui prigjue,
Kam per t'u gëzue.

COMMENTS